Close
Duke shfaqur rezultatin -9 deri 0 prej 3
  1. #1
    Ngelem unë! Maska e DI_ANA
    Anëtarësuar
    30-12-2006
    Vendndodhja
    France.
    Postime
    5,874

    Biondja që na rikthen në vitet ‘50.

    E kanë krahasuar me divet si Marilyn Monroe apo Grace Kelly. Por vajza që shihni në foto quhet Olta Gixhari dhe është 100 për qind shqiptare. Një aktore e re e teatrit, që pati fatin të bëhej menjëherë e famshme.


    Kushedi se cilën ka pasur në mendje Arthur Miller, kur me penën e tij gdhendi personazhin e Ketrin në dramën “Pamje nga ura”: një vajzë e hijshme rreth të 17-ave, me flokë të zi dhe tipare të errëta. Në shfaqjen e Albert Mingës, Ketrin, interpretuar nga aktorja 21-vjeçare Olta Gixhari, vjen krejt ndryshe nga përshkrimet e Millerit. Ndoshta ngjashmëria e saj me Marilyn Monroe, e martuar me dramaturgun Milleri, ikonë e bukurisë femërore e viteve ‘50, bindën regjisorin e shfaqjes të mos lëvizte asnjë fije floku nga portreti Gixharit. Më mirë se ajo, askush nuk mund ta sillte aq pranë aromën e viteve 50, kohë nga e cila vinin ngjarjet e dramës. Në fakt nuk mund të thuhet që Marilyn – Olta Gixhari është një sozi e Monrosë sesa një ndërthurje mes hijeshisë së Grace Kelly-t, sensualitetit të Brigittw Bardot-së dhe melankolisë të Julie Cristi-t. Në ditët tona kur, aktore të njohura të Hollivudit bëjnë të pamundurën që të ngjajnë sadopak me divet e kinemasë të viteve ‘50-‘60, Olta thjesht ka lindur e tillë, një femër që rrezaton sharmin, sensualitetin dhe bukurinë klasike.



    Nga bankat e shkollës në skenën e teatrit

    Fati i Oltës dukej sikur ishte shkruar të gjendej brenda personazheve klasikë. Në përfundim të vitit të tretë, në provimin e dramës “Tramvaj me emrin dëshirë” të Tennnesi Williams”, Olta u përzgjodh në rolin e protagonistes dikur e interpretuar nga Vivien Leigh, një tjetër dive e kinematografisë së viteve ‘50, rol ky i një gruaje të bukur por depresive, që rron mes një realiteti të varfër dhe ëndrrës për të qenë një zonjë e madhe. “Roli im ishte shumë i vështirë. Duhej të interpretoja një grua depresive, e cila është e varfër, por vazhdon të vishet dhe sillet si aristokrate”, rrëfen Olta, duke çapëlyer sytë, për të treguar mimikën e personazhit. “Për mua ky ka qenë një rol i vështirë, por e kam realizuar me një përkushtim dhe dashuri të madhe”.

    Roli kërkonte një feminilitet dhe sensualitet klasik, që karakterizonte femrat e atyre viteve. Teksa ajo ishte e pushtuar nga ethet e provimit, Albert Minga kishte projekte më të mëdha në kokë, në të cilat pak më vonë do të bëhej pjesë dhe studentja e vitit të tretë të dramës. Ndërsa ai kishte planifikuar për të vënë në skenë kryeveprën e Artur Miller -it, dhe kërkonte një aktore të re që të interpretonte Ketrin, ishte e thënë që ta gjente pikërisht në provat e studentëve, ku u bind se Olta mund ta luante Ketrin, edhe pse mes të dyjave nuk kishte ngjashmëri të madhe. Por ja që kjo aktore e re diçka kishte që të sillte ndërmend ato vite të shkuara. Kështu u bë: Olta Gixhari u përzgjodh mes dhjetëra studentesh të tjera për të interpretuar në dramën “Pamje nga ura”, krahas një kaste të zgjedhur aktorësh.



    Të punosh me profesionistë

    Të bukurat e famshme, qoftë edhe ato të viteve ‘50, gjithmonë janë paragjykuar si femra të bukuroshe por mendjelehta, e sidomos nëse je dhe bionde klasifikohesh më shumë si pjesë e kësaj kategorie. Olta i ka ndjerë këto paragjykime, por para se të bëhej e njohur “Sepse tani unë kam bërë diçka të rëndësishme”, thotë aktorja 21-vjeçare. “Tani kam luajtur një rol të rëndësishëm në teatër. E gjithë pjesa pati sukses. Unë isha pjesë e këtij stafi, element kryesor i tij dhe mund të them se realizova një rol të mirë, sepse kam marrë aprovimin e regjisorit, i cili është shprehur shumë i kënaqur nga puna ime si dhe e “kolegëve” të mi”, - guxon si rrallë herë ajo të quajë kolegë Timo Fllokon apo Yllka Mujon. “Dhe njerëzit që deri tani mund të më kenë parë thjesht si një bionde (edhe mendjelehtë) tani do të shohin se si ajo biondja ka realizuar një rol të mirë”, flet Olta tashmë me një ton të sigurt, sepse për të kjo është shumë e rëndësishme.

    Në fakt, kishte gjasa që të dështonte po aq sa për t’ia dalë me sukses: të punosh me aktorë të mëdhenj mund të të ndihmojë ndoshta po aq sa të të bëjë që të sfumohesh krejtësisht. “Isha pak e trembur në fillim. Nuk ishte e lehtë të interpretoja krahas Yllka Mujos dhe Timo Fllokos. Në këto raste një aktore pa përvojë si unë mund të ndihej inferiore”. Në fakt, ndodhi krejt e kundërta, sepse “ata janë profeisonistë, sillen si të tillë, të bëjnë të ndihesh si e tillë”, -thotë Gixhari.

    Sipas saj, është shumë e rëndësishme që marrëdhëniet me stafin të jenë të mira, sepse nëse diçka çalon, ajo pasqyrohet në shfaqje. Prandaj, bashkë me Indrit Çobanin, ata kanë qëndruar deri në orën 12:00 të natës për të ndrequr atë që çalonte te puthja e tyre. “Me Indritin nuk njihesha më parë, ndaj dhe nuk kishim shumë afrimitet”,- tregon Olta, e cila gjatë shfaqjes shkëmben një puthje pasionante me Indrit Çobanin që luante rolin e Rudolfos, të dashurit të Ketrinit. “Ndoshta ftohtësia mes nesh ndikonte që skena e puthjes të mos na dilte mirë. Kemi qëndruar deri në orën 12:00 të natës, derisa e realizuam ashtu siç duhej”, kujton Olta duke dalluar mes të gjithave marrëdhëniet e shkëlqyera që pati me Yllka Mujon, në skenë tezja e saj, Bea. E duke qenë se në atë shfaqje ishin të vetmet aktore femra, ato u bënë dhe mikeshat më të mira pas kuintave. “Ajo më ka dhënë dorën dhe më ka thënë hajde me mua”,- thekson fort Olta, duke treguar se një pjesë të suksesit ia dedikon edhe Yllkës. “Rrallë njerëz të ndihmojnë vërtet, e sidomos kur janë të së njëjtës fushë. Unë nuk e di nëse do të më dalë gjithë jeta për ta falënderuar”.



    Papritur e famshme

    Olta ka pasur fatin që rrallëkush e ka: që në daljen e parë në skenë i qëlloi të bënte pjesë në një nga shfaqjet më të suksesshme, nga të rrallat suksese në teatër kur biletat shiten disa ditë përpara. Një nga ato sukseset e papritura edhe për Oltën, që të bëjnë të famshme sa hap e mbyll sytë: deri dje mund të ecësh në rrugë dhe askush nuk e di se kush je, dhe vetëm pak ditë më vonë, je në të gjitha faqet e gazetave apo kopertinat e revistave. Një famë që shumëkush do ta kishte zili. Por që për Oltën nuk do të thotë dhe aq shumë. “Unë nuk e kuptoj fare famën. Pse vërtet jam bërë e famshme?”, ngre supet ajo me një naivitet fëminor.

    Ajo nuk ka pasur kohë t’i gëzohet gjithë këtij publiciteti, sepse gjithë preokupimi i kësaj kohe kanë qenë shfaqjet e përnatshme. “Kam pasur shfaqje njëra pas tjetrës dhe pjesën më të madhe të kohës e kam kaluar në parukeri për të bërë grimin për personazhin. Vetëm aty kam dëgjuar njerëzit që flisnin për shfaqjen. Në fakt, mua më bëhej qejfi për tërësinë dhe jo sepse më njohin mua”. E me gjithë modestinë ajo nuk e mohon se për të, e gjithë kjo që njerëzit e quajnë famë, ka gjithsesi rëndësinë e vet. “Fama për mua është e rëndësishme, sepse kështu unë njihem nëpërmjet punës time. Është fryt i punës”.

    Puna e saj vërtet nisi mbarë, por Olta është ende në hapat e parë të karrierës si aktore. Dhe për të qenë një aktore e mirë, nuk mund të identifikohesh vetëm me një rol, e sidomos me një stereotip karakteri. Olta Gixhari vërtet ngjan me divat e Hollivudit të viteve ‘50-‘60, por kjo nuk do të thotë se ajo nuk është e aftë për të interpretuar edhe role të tjera që sfumojnë pamjen dhe i japin rëndësi karakterit. “Më pëlqen të bëj një rol karakteri” thotë Olta, duke sqaruar se edhe aktore të tjera të bukura kanë bërë role të tilla. “Te filmi “Monster”, Charlize Theron është shformuar krejtësisht për të interpretuar rolin e saj”. Bukuroshja Charlize, e cila ka fituar një Oskar për këtë rol, jo vetëm që shtoi më shumë se dhjetë kile, por në sajë të grimit, nga një venerë u shndërrua në një grua-monstër. E ta mendosh se edhe Olta dëshiron të bëjë të njëjtën gjë, të vjen pak keq. Nëse sheh fotot e saj dhe të duket si një dive e ardhur nga të tjera kohëra, si një Marilyn Monroe apo Grace Kelly, nuk mund të rrish pa menduar që ajo të vijonte të mbetej dhe ca kohë kështu siç është, duke na rikthyer nostalgjinë për të artat vite ‘50.

    Revista "Jeta"
    Fotografitë e Bashkëngjitura Fotografitë e Bashkëngjitura  
    "Carpe Diem"

  2. #2
    Une Ti Dhe Zoti Maska e EDUARDI
    Anëtarësuar
    06-09-2003
    Vendndodhja
    Tiranë
    Postime
    1,946
    Olta Gixhari: Jam e lidhur me Pamje nga Ura


    Suksesi i saj i parë si aktore ka qenë padyshim i madh, por i papritur. Është e lumtur që shfaqja ku ajo luan, është mirëpritur nga publiku e sigurisht dhe nga vlerësimet që ka marrë prej tij. Prej disa kohësh, e gjithë jeta dhe dashuritë e saj vërtiten rreth kësaj pjese, në një marrëdhënie të ndërsjellë ku i japin dhe i marrin shumë njëra-tjetrës.

    Sa e vështirë është të jesh sot aktor?

    Për sa kohë nuk ka vend pune, do të jetë gjithmonë kaq e vështirë. Pavarësisht pasionit, nëse ai nuk të lejohet të shfaqesh, nuk shërben për asgjë.
    Planet me të cilat po merreni konkretisht?
    Jam akoma e angazhuar me pjesën Pamje nga Ura dhe në këtë kohë jemi në turne nëpër Shqipëri. Këtë fundjavë do të jemi në Vlorë për tri net, më pas ndoshta në një shfaqje tjetër që do të jetë në Durrës.

    Si kanë qenë marrëdhëniet me pjesën tjetër të aktorëve me të cilët luani?

    Marrëdhënie shumë të mira, Timon e kam pasur pedagog, ndërsa Yllka është treguar shumë miqësore dhe më ka ndihmuar shumë. Të tjerët i njihja si personalitete të skenës, si aktorë të mirë, jo më tepër. I falënderoj që më kanë bërë të ndihem shumë mirë dhe komode, edhe pse unë jam në bankat e shkollës. Nuk më kanë bërë të ndihem inferiore për shkak të personalitetit të tyre artistik.

    Keni menduar ndonjëherë për një rol në kinema?

    Nuk e kam menduar dhe pranoj se kam frikë ta provoj. Nuk jam mësuar si të sillem me kameran dhe nuk di si mund të dilja. Në Akademinë e Arteve nuk kemi ndonjë orë specifike për mënyrën se si duhet të sillemi përpara kamerave, kemi vetëm në lëndë teorike, por praktikisht nuk ka asgjë. Jemi të mësuar për ti sjellë si aktorë teatri.

    Si është Olta mes teatrit dhe jetës së përditshme?

    Gjatë kësaj periudhe po mbaj një regjim të kushtëzuar nga shfaqja. Paraditen e kaloj gati të gjithën në gjumë. Zgjohem në drekë, merrem me gjërat normale dhe më pas me provat e shfaqjes. Pas shfaqjes zakonisht bëj një pushim të vogël, një kafe ose një gotë verë me miqtë. Ndërsa në ditë të tjera, shkolla është një angazhim që zë pjesën më të madhe të ditës, duke qenë se jam studente në vitin e 4-rt në Akademinë e Arteve. Më Pamje nga Ura, unë mbroj dhe provimin e semestrit të parë, kështu që dita ime i kushtohet tërësisht asaj. Zakonisht, edhe pse më pëlqen të fle në mëngjes, nëse duhet të zgjohem e bëj dhe nuk përpiqem ta shtyj. Besoj se meqë jam mësuar me këtë raport me gjumin, në këtë kohë do ta kem të vështirë të mësohem me ritmet e zakonshme.

    Çfarë nuk mungon kurrë në çantën tuaj?

    Portofoli me paratë... Janë padyshim gjëja që kam gjithmonë me vete në çantë. Krahas këtyre nuk mungon dhe pasaporta së bashku me patentën.

    E cilësoni veten si njeri me fat?

    Padyshim që po, shumë me fat dhe akoma më tepër falë shfaqjes.

    Si është raporti juaj me paranë?

    Harxhoj shumë Dhe më tepër për veshje, besoj si të gjitha femrat.(qesh)

    Çfarë rryme muzikore pëlqeni?

    Muzikën Jazz, dua ta dëgjoj në çdo moment. Rrymat e tjera janë në varësi të gjendjes sime.

    Sa e lidhur jeni me familjen?

    Në familje jemi 4 pjesëtarë; prindërit dhe motra ime më e madhe, e cila është e martuar dhe ka edhe një djalë. Me motrën jam shumë e lidhur dhe kam marrëdhënie shumë shoqërore, por dhe me mamin. Pavarësisht se ata jetojnë në Durrës dhe unë në Tiranë, kur takohemi 2-3 herë në javë, i themi të gjitha.

    Suksesi pas shfaqjes Pamje nga Ura ju ka vënë në qendër të vëmendjes sidomos të mediave, si ndiheni?

    Suksesi ishte diçka që nuk e prisja dhe më vjen shumë mirë që falë kësaj pjese u ndodha në qendër të vëmendjes. Tregon që puna ime nuk është vetëm e vlerësuar nga regjisori Albert Minga, të cilin e falënderoj që më zgjodhi, por dhe interesimi i medias për mua tregon që edhe publiku më ka vlerësuar.

    Çrol ka dashuria për ju?

    Jam gjithë kohës e dashuruar... Shumë e dashuruar me çdo gjë që bëj dhe nuk flas vetëm në një marrëdhënie në çift.

    E keni gjetur dashurinë apo jeni akoma single?

    Jam e lidhur me Pamje nga Ura prej disa muajsh dhe e gjithë jeta ime sillet rrotull saj. Është i dashuri më i mirë. (qesh)

    Do të preferonit martesë apo bashkëjetesë?

    Padyshim martesë, ndoshta ka të bëjë dhe me edukatën që kam marrë. Për mua familja është e shenjtë dhe jam shumë tradicionale për këtë pjesë. Zgjedhja ime është 100% martesë dhe ajo deri në vdekje.

    Çmendim keni për thashethemet?

    Mendoja se nga një anë janë kuriozitete, e mira e tyre në Shqipëri është se janë të lehta për tu kuptuar që janë të tilla, sepse janë më se të dukshme, sigurisht kjo për dikë që mendon. Nuk jam tip që kur dëgjoj një thashethem përpiqem ta refuzoj dhe të mos ta dëgjoj, ndoshta ndonjëherë mund dhe ti komentoj ato. Por ashtu sikur thashë, kuptohen lehtësisht.

    Cili është thashethemi i habitshëm që keni dëgjuar për veten?

    Për momentin asgjë Por dhe sikur të dëgjoja, do të qeshja dhe nuk do të shqetësohesha shumë.


    Gazeta Shqiptare
    Takohemi Ditën e Gjykimit

  3. #3
    *Antar i Rrespektuar* Maska e Albi
    Anëtarësuar
    18-05-2005
    Vendndodhja
    MiLaNo
    Postime
    591
    Une pata fatin ta shifja ket shfaqje dhe me ka pelqyer shume,ishte ne te vertet nje intepretim shume dinjitoz vecoj ketu aktoren e re edhe talanduke Olten.Bravo suksese edhe ne shfaqje te tjera Olta..
    Duaje ate qe ke dhe jo ate qe do kesh


    Albi

Tema të Ngjashme

  1. Nje 43 vjeçar rikthen edhe njehere firmat piramidale
    Nga ClaY_MorE në forumin Aktualitete shoqërore
    Përgjigje: 0
    Postimi i Fundit: 28-09-2006, 05:15
  2. Nano: Berisha kryeministër rikthen sherrin Veri-Jug
    Nga BlueBaron në forumin Tema e shtypit të ditës
    Përgjigje: 7
    Postimi i Fundit: 23-02-2005, 03:46
  3. Nano rikthen sigurimsat
    Nga Rycki2001 në forumin Tema e shtypit të ditës
    Përgjigje: 30
    Postimi i Fundit: 17-08-2002, 15:41

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •