16/02/2008 Ngjarja në vitin 1996
Vrau në Francë një student në vitin 1996 dhe dje u dënua nga gjykata e Tiranës. Bëhet fjalë për Zamir Povatën, i cili u dënua një herë në Francë me 30 vjet burg në mungesë. Por mungesa e një marrëveshje ekstradimi mes dy vendeve bëri të mundur që ky vendim të mos ekzekutohet, por të kërkohet rigjykimi i tij.
Zamir Povata u kap në qytetin e Durrësit, pasi ishte shpallur person në kërkim ndërkombëtar. Menjëherë pas arrestimit, ai u vu përballë akuzave të vrasjes dhe armëmbajtjes pa leje.
Gjykata e dënoi dje të pandehurin Povata me 7 vjet e 4 muaj burg. Ndërkohë që akuza kërkoi për të dënimin me 16 vite burg. Avokati një seancë më parë kërkoi ndryshimin e kualifikimit të veprës penale.
Sipas avokatit, i pandehuri e ka kryer vrasjen në kushtet e tronditjes së fortë psikike. Sipas avokatit, i pandehuri nuk ka dashur të vrasë studentin francez, Jackey Aubeau.
A. Ç.
Gazeta "Metropol"
Krijoni Kontakt