Emrat që shkëlqyen, por dhe perënduan në më pak se 48 orë


Disa kanë shansin të jenë burra shteti të përjetshëm. Të tjerë as nuk e mendojnë një objektiv të tillë në karrierën e tyre. Ka nga ata që kanë shijuar një të mesme, duke prekur këtë status për çështje orësh. Në jetëshkrimin e tyre, gjithsesi, ka një pikë kulmore. Ndryshe mund të konsiderohen produkte konsensuale shterpë të klasës politike shqiptare. Ndonëse kanë marrë urimet e para për detyrën e re, personazhe të tillë si Artur Kuko, Arjan Zaimi apo Shkëlqim Hajdari janë zhgënjyer shumë shpejt. Faqet e gazetave dhe edicionet informative kanë "dhuruar" publicitet falas. Por vetëm kaq.

Kriza 2002

Kishte udhëtuar drejt Shqipërisë për motive pune në një moment të artë. Fatos Nano dhe Sali Berisha, dyshja e "elefantëve" të politikës shqiptare, negocionin në qershorin e vitit 2002 për pasuesin e Presidentit Rexhep Meidani. Ujdia mes tyre krejt papritur mbërriti në derën e ambasadorit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian, Artur Kuko. Dy muaj pasi kishte kapërcyer moshën e duhur, iu propozua kandidimi për postin e kreut të shtetit. I vetmi kusht i vendosur nga Kuko, në këmbim të pranimit të detyrës së re, ishte garancia që kreu i shumicës së atëhershme, Fatos Nano, do të arrinte mbështetjen e të gjitha palëve në negociata. Një ditë më vonë, mazhoranca dhe opozita firmosen marrëveshjen dhe liderët deklaruan emrin e Artur Kukos, si kandidati konsensual për President të ri të Republikës. Pas këtij vendimi kundërshti të brendshme, të atyre që donin një mandat të dytë për Rexhep Meidanin, ndryshuan rrjedhën. 48 orë pasi kishte ngjitur shkallët e avionit drejt Brukselit, Kuko pa veten sa afër aq dhe larg objektivit. Në një prononcim për radion BBC në shqip, ai deklaroi tërheqjen, duke falënderuar ata që e propozuan. Me shpresën se një emër tjetër me më shumë eksperiencë mund të marrë përsipër drejtimin e shtetit. Emër i cili, siç ndodhi, rezultoi të ishte gjenerali Alfred Moisiu.

Kriza 2007

Negociatat disaditore të korrikut të vitit 2007 synonin të nxirrnin emrin e Presidentit të ardhshëm të Shqipërisë. Mosgjetja e pasuesit për Alfred Moisiun do të çonte në zgjedhjet e parakohshme. Në ditën e 7 të muajit, krerët e gjashtë partive parlamentare përtej parimeve bazë, kaluan në një listë të shkurtuar kandidaturash. Tryeza e negociatave në mesditë mori në shqyrtim katër personalitete. I pari ishte Shkëlqim Cani, ish-guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ilir Boçka, ambasadori në NATO, ish-ministër i Jashtëm, Arjan Zaimi, përfaqësues ushtarak në NATO dhe Qirjako Qirko, diplomat karriere. Brenda pak momentesh, emri më favorit për kreun e shtetit rezulton të jetë Arjan Zaimi. Burimet nga tryeza e partive lanë të kuptohet se kreu republikan, Fatmir Mediu, ministër i Mbrojtjes, kishte dhënë garanci për një emër të tillë. Gjithçka duket se merr udhë dhe në mbledhjen e kryesisë së Partisë Socialiste e Partisë Demokratike konfirmojnë emrin konsensual. Një propozim i tillë detyroi gjeneralin të udhëtonte nga Brukseli në kryeqytetin shqiptar. Por, pasi realizoi disa takime, situata në tryezën e negociatave u kthye përmbys. Konsensusi bie poshtë. Mazhoranca vendos kusht, që bashkë me emrin e Zaimit të kalojë edhe një propozim për shkurtimin e mandatit të kryeprokurorit Theodhori Sollaku në 5 vjet, çka do të thoshte largim i tij sapo të zgjidhej kreu i shtetit. Një kusht të tillë opozitarët nuk e pranuan, duke bërë që tryeza dhe produkti konsensual të dështonte. Arjan Zaimi mori avionin e kthimit për në Bruksel, ndërsa klasa politike vijoi debatin për emrin e kreut të shtetit. Telenovela u bitis në emrin e Bamir Topit, nënkryetarit të Partisë Demokratike.

Kryeprokurori

Tre muaj pas zgjedhjes në krye të shtetit, Presidentit Topi i kishte sosur durimin. Shkarkimi i kryeprokurorit Theodhori Sollaku ishte një çështje e mbyllur. Problem mbetej zëvendësimi i tij dhe kjo ishte një histori më vete. Përpara se të udhëtonte drejt Brukselit në klasën politike ishte "hapur tenderi" për emrin e ri të kreut të akuzës. Krahas emrave që ngriheshin e binin me një shpejtësi të llahtarshme, u shfaq prokurori Shkëlqim Hajdari. I palakuar dhe jashtë listave paraprake ai deklaroi publikisht se ishte kontaktuar nga Presidenti Bamir Topi. Ky i fundit, sipas Hajdarit, i kishte propozuar postin e kreut të shtetit. Pas kësaj bisede, prokurori i Tiranës tha se kishte pranuar detyrën. Por emri i Hajdarit duket se nuk gjeti konsensus të gjithanshëm. Kryeministri Berisha vuri veton përballë propozimit të Topit, që siç u mor vesh më pas, kishte gjithashtu miratimin e ish-kryeministrit Fatos Nano. Vetëm një ditë zgjati veshja prej "kryeprokurori" dhe kreu i shtetit, pas kthimit nga Brukseli firmosi në orët e mëngjesit shkarkimin e Sollakut. Zgjedhja që la të surprizuar edhe Hajdarin ishte caktimi i Ina Ramës në detyrën e kreut të akuzës.

Kuko

Në vitin 2002, Nano dhe Berisha ranë dakord fillimisht që President të zgjidhej Artur Kuko, ambasadori shqiptar në OKB. Kuko vlerësohej si një nga diplomatët më të mirë të vendit tonë dhe si një njeri që mund të gëzonte konsensusin e të dyja palëve, të majtëve dhe të djathtëve. Jetëshkrimi i tij politik përmbante detaje të rëndësishme dhe angazhime në sferën e diplomacisë. Kuko ka përfaqësuar vendin tonë në përfaqësitë pranë Bashkimit Evropian dhe në ato pranë Aleancës së Atlantikut të Veriut. U mendua se nxjerrja e një figure të papërlyer në llumin e politikës së ditës do t‘i shërbente jo vetëm konsensusit politik.



Zaimi

Një përfaqësues tipik i kategorisë së gjeneralëve ushtarakë. Tryeza e gjashtë partive parlamentare në procesin e negociatave e klasifikoi mes katër emrave të mundshëm për të pasuar një tjetër gjeneral, Alfred Moisiun. Pasi gjeti konsensusin e palëve ai e pa veten më afër se kurrë karriges së kreut të shtetit. Por, gjenerali i Shqipërinë në përfaqësinë e Aleancës së Atlantikut të Veriut do të duhej të priste biletën e kthimit për në Bruksel vetëm pas 48 orësh. Ende nuk është e qartë skema e plotë, në bazë të së cilës u dështua zgjedhja e Zaimit dhe tërheqja e emrit të tij mbrapsht.



Hajdari

Jurist në profesion dhe prokuror në Prokurorinë e Tiranës, ai u pa si mundësia më e mirë për të marrë timonin e akuzës. 1994 deri në 2001 ai kishte ushtruar detyrën e oficerit të policisë gjyqësore në Prokurorinë e Tiranës. Në vitin 2001 e në vazhdim ai kishte kaluar në pozicionin e prokurorit. Një prej çështjeve më të rëndësishme që ai kishte shqyrtuar kishte të bënte me Azem Hajdarin, veprimtarin e lëvizjes së dhjetorit 1990, deputet dhe funksionar i lartë i Partisë Demokratike. Shkëlqim Hajdari ishte në trupin gjykues të asaj çka u cilësua "vrasja e shekullit" që shkaktoi vdekjen e deputetit demokrat.



Shqip