Maqedonasit i shesin, shqiptarët i blejnë
Shpend VINCA
Strugë, 14 shkurt - Në Strugë, viteve të fundit vërehet interesim i shtuar për blerjen e banesave. Kryesisht blihen nga qytetarët struganë, të Komunës dhe të rrethinës, por edhe ata që jetojnë jashtë vendlindjes në Amerikë, Evropë, por edhe në Prishtinë apo Shkup. Kësisoj, 50 për qind e blerësve janë nga vendbanimet rurale dhe po aq nga qyteti. Ka raste, por ato janë të rralla, kur blerësit janë nga Prespa dhe Manastiri, ndërkaq vështirë gjen blerës nga qytetet e tjera të Maqedonisë. Edhe pse nuk ka të dhëna të sakta për strukturën kombëtare të blerësve, thuhet se mbi 90 për qind e blerësve janë shqiptarë, ndërkaq pjesa dërmuese e shitësve janë maqedonas.
Në Kompaninë për ndërtim dhe shitjen e banesave "Trim-Lum" pohojnë se çmimi për një metër katror sillet nga 500 deri në 550 euro, por ai është i lëvizshëm dhe varet nga mënyra e pagesës. Kësisoj nëse blerësi e paguan banesën me para të gatshme përfiton një lirim deri në 10 për qind. Por megjithatë në krahasim me Ohrin, çmimet janë më të ulëta. Rritje e interesimit për blerjen e banesave më së shumti vërehet gjatë sezonit të verës dhe dimrit. Edhe në Agjencinë për shitje të pasurisë së patundshme "Agjencia Pllozhani" thonë se banesat që ata kanë në shitje janë me çmime të ndryshme. Banesat e reja sillen nga 500 deri në 650 euro për metër katror, kurse metri katror tek banesat e vjetra, varësisht nga vendi ku ndodhen, sillen nga 350 deri në 1 mijë euro. Banesat më të lira janë ato që ndodhen në anën e djathtë të rrugës Strugë-Kalishtë, tek "Kullat", ku metri katror arrin në 350 euro. Më të shtrenjtat janë hapësirat buzë Drinit të Zi dhe rreth Liqenit, pjesa qendrore e qytetit ku metri katror shitet edhe mbi një mijë euro. Më të kërkuara për blerje janë banesat e vogla, respektivisht garsonierat.
Por personat që merren me shitjen dhe ndërtimin e banesave vërejnë se në objekte e ndërtuara shumë pak ka garsoniera. Arsyet pse ato janë më të kërkuarat janë ekonomike. Më lehtë blihen, por edhe më lehtë shiten. Në Strugë banesa që janë në shitje, qofshin të reja apo të vjetra ka me bollëk. Derisa shitësit pohojnë se çmimet janë të lira, në anën tjetër blerësit ankohen se ato janë tepër të shtrenjta. "Kur do të mund të blej banesë, qoftë ajo edhe 50 metra katrorë, me pagën mujore prej 250 eurove", thotë një i ri shqiptar nga Struga, i cili ëndërron të ketë banesën e tij.
Krijoni Kontakt