
Postuar më parë nga
Xhuxhumaku
ja dhe mendimi i kastriotit,
Veto greke ndaj Maqedonisë, si «Oqi day» e re në Luftën Greko-Amerikane, dhe Gërdeci si Pearl Harbor
Grada e perdoruesve-ve: / 7
I varferI mire
Saturday, 05 April 2008
Nga Kastriot Myftaraj - Në Greqi të gjithë, që nga kryeministri Karamanlis që ishte kryetar i delegacionit në takimin e NATO, dhe deri tek greku më i fundit, veton që vuri Greqia kundër ftesës së Maqedonisë në NATO, e perceptuan me një ekzaltim të tillë, që nuk mund të besohet se u shkaktua ngase Greqia e pengoi fqinjin e vogël ballkanik t’i bashkohet NATO.Ekzaltimi në Greqi ishte i tillë sikur, Greqia kishte fituar një betejë të madhe. Kjo ndodhi për shkak se grekët e perceptuan të gjithë këtë çështje si një triumf ndaj SHBA, të cilat ishin sponsori kryesor i Maqedonisë për të marrë ftesën për në NATO. Tashmë 3 prilli 2008 është mitologjizuar për grekët si «Dita Oqi» e re, si një deja vu e 28 tetorit 1940, kur lideri grek Metaxa i tha «Oqi» (Jo) ultimatumit të Italisë fashiste. Në Greqi tashmë Karamanlisi është mbuluar me lavdinë e Metaxait. Duke krijuar «Oqi day» të re grekët poshtëruan SHBA, ashtu si me mënyrën si e festojnë «Oqi day» të vitit 1940, poshtërojnë superfuqinë e kohës aleate të tyre, Perandorinë Britanike. Grekët ia atribuojnë vetes fitoren në Luftën Italo-Greke dhe nuk e thonë se pa ndihmën e drejtpërdrejtë ushtarake të Britanisë së Madhe ata nuk do ta kishin fituar këtë luftë. Aviacioni britanik u dha grekëve ndihmë shumë të madhe në luftë, duke bombarduar prapavijat italiane në Shqipëri, posaçërisht portet nga vinin furnizimet për ushtrinë italiane në front. Gjithashtu në luftë u angazhua fuqimisht edhe flota detare ushtarake britanike. Britania e Madhe çoi 74 mijë ushtarë në Greqi në vitet 1940-1941, nga të cilët 26 mijë humbën jetën. Lufta Italo-Greke ishte në fakt një luftë ku përballë Italisë ishin Greqia dhe Britania e Madhe. Kur Metaxa tha «Oqi» të famshme, ai nuk u mendua dy herë se e dinte që pas vetes kishte Perandorinë Britanike me flotën, aviacionin dhe forcat tokësore të saj. Grekët kanë si veti mosmirënjohjen ndaj aleatëve të mëdhenj që janë të ndryshëm nga ata në fe dhe në kulturë, me të cilët grekët armiqësohen kur nuk iu kënaqin qoftë edhe një dëshirë të tyre. Prandaj grekët kërkojnë konfliktin me ta edhe për të kënaqur delirin e tyre të madhështisë. Grekët u detyrohen shumë SHBA, për faktin që u hapi portat për miliona emigrantë të varfër dhe i pasuroi, për faktin se i shpëtuan nga komunizmi pas Luftës së Dytë Botërore, për faktin se i ndihmuan ekonomikisht, ushtarakisht dhe me çdo mënyrë etj. Por, grekët tashmë i urrejnë SHBA, se në delirin e tyre ato duhet t’ i kishin ndihmuar grekët të kontrollonin Qipron, duke e ndaluar Turqinë të çonte ushtrinë atje. Prandaj grekët e kanë kërkuar betejën me SHBA për Maqedoninë në NATO. Grekët kishin dy mundësi që ta bllokonin Maqedoninë në proceset integruese evropiane, duke e detyruar që të ndryshonte emrin: në linjën e integrimit në Bashkimin Evropian dhe në linjën e integrimit atlantik. Grekët nuk zgjodhën që ta bllokojnë Maqedoninë në linjën e integrimit evropian ku nuk kishte përplasje amerikano-greke. Greqia e ka ratifikuar marrëveshjen e stabilizim-asocimit me Maqedoninë, duke i hapur rrugë Maqedonisë që të arrijë statusin e vendit-kandidat në Bashkimin Evropian. Greqia zgjodhi që ta bllokonte Maqedoninë në linjën e integrimit atlantik (NATO) ku Greqia do të ballafaqohej me SHBA. Faktin që Greqia u kënaq me emrin FYROM, kur ishte fjala për ecjen e procesit të integrimit të Maqedonisë në Bashkimin Evropian, dhe nuk u kënaq me këtë emër kur ishte fjala për integrimin e Maqedonisë në NATO, nuk ka kuptim tjetër veç atij që Greqia në fakt nuk po kërkonte të zgjidhte çështjen e emrit, por po kërkonte një fushëbetejë me SHBA, ku e kishte fitoren të sigurt. Në Washington nuk mund të mos e kenë të qartë këtë gjë, deri edhe ata që janë nën influencën e lobit greko-amerikan. Tashmë në SHBA duhet ta kenë të qartë se Greqia nuk është më, në asnjë sens, aleat i SHBA. Argumenti që përdorin diplomatët grekë në biseda konfidenciale me diplomatët amerikanë, se Athina është e detyruar që të veprojë ashtu siç veproi për shkak të presionit të opinionit publik grek, shndërrohet në fakt në një alibi për çfarëdo veprimi antiamerikan të Greqisë në të ardhmen. Në rast se në Athinë nuk do të ishin rrëmbyer deri në humbjen e mendjes nga deliri i madhështisë për sfidën, që po bënin ndaj SHBA me veton, do ta kishin kuptuar se SHBA në fakt e mirëprisnin veton greke, duke qenë se ajo u konvenonte, siç i thonë fjalës që «Me një gur të vrasin dy zogj». Tashmë në Ballkan, veç Serbisë, mbeten pesë shtete që nuk kanë marrë ftesën për të hyrë në NATO: Maqedonia, Bosnjë-Herzegovina, Kosova, Moldova dhe Mali i Zi. Nuk është e vështirë që të konstatohet se përveç Serbisë, këto katër shtete janë shtete artificiale, me probleme të brendshme etnike, që nuk mund të mbijetojnë, pra shtete që do të ndahen mes shteteve fqinje- «Piedmont» të tyre. Duke vënë veton ndaj Maqedonisë, Greqia i bëri pa dashje një dhuratë strategjisë së SHBA në Ballkan. Në anën tjetër, Greqia i dha dhe një alibi SHBA për të ndërmarrë veprime kundër interesave greke, edhe si ndëshkim për poshtërimin që Greqia i bëri superfuqisë së vetme të botës. Ajo, që në Greqi perceptohet si triumf ndaj SHBA, është në realitet një gjë krejt tjetër. Mungesa e çdo fleksibiliteti në politikën e jashtme greke prodhoi një ekspedient strategjik për SHBA. Pas ekzaltimit delirant antiamerikan me të cilin u prit në Greqi vetoja ndaj Maqedonisë, SHBA nuk kanë më asnjë detyrim ndaj Greqisë për t’iu përgjigjur thirrjeve të saj për ndihmë kur të mbytet në dallgët e marrëzisë së vet, që ka ngritur. Vetoja greke ndaj Maqedonisë, si episod i «Luftës Greko-Amerikane», mund të konsiderohet beteja e dytë e kësaj lufte, se «Pearl Harbour» i kësaj lufte është ngjarja e Gërdecit. Greqia sigurisht që do të donte që t’i sfidonte SHBA edhe në rastin e Shqipërisë, duke vënë veton kundër ftesës për Shqipërinë nga ana e NATO. Por, Athina e dinte mirë se në rast se vepronte kështu, atëherë do të dukej përfundimisht si faktor destabiliteti në Ballkan. Greqia qartësisht u mundua që ta pengojë futjen e Shqipërisë në NATO me anë të atentatit terrorist të Gërdecit, që duket se është vepër e shërbimeve sekrete greke, por edhe serbe, e favorizuar nga situata e krijuar nga papërgjegjshmëria korruptive e qeveritarëve shqiptarë. Ngjarja e Gërdecit ishte, tekefundit, zgjerimi në Shqipëri i Luftës Greko-Amerikane që u zhvillua në tryezat diplomatike në Bukuresht, ishte praktikisht «Pearl Harbour» grek në Shqipëri, një diversion i dhunshëm ndaj interesave amerikane në Ballkan, në këtë rast në Shqipëri. Kur SHBA e bënë të qartë se me gjithë atë çka ndodhi në Gërdec do ta mbështesnin hyrjen e Shqipërisë në NATO, atëherë grekët vunë në veprim atë që mund të quhet Plani B grek, për të penguar futjen e Shqipërisë në NATO. Ky plan konsiston në atë që Greqia të mos miratojë në nivel të institucioneve të saj ftesën që iu bë Shqipërisë për të hyrë në NATO, ose të mos ratifikojë zgjerimin e Traktatit (NATO është një organizatë me bazë një traktat) me Shqipërinë si vend të ri anëtar. Kjo nuk është asfare një gjë e çuditshme, derisa Greqia nuk ka ratifikuar ende Marrëveshjen e Stabilizim-Asocimit mes Bashkimit Evropian dhe Shqipërinë dhe nuk ka njohur as pavarësinë e Kosovës. Ajo që ndodhi në Gërdec duhet të na shërbejë për të kuptuar se në të ardhmen do të kemi dhe ngjarje të tjera të tilla, që do të koincidojnë, p.sh. me kohën e miratimit në nivel të institucioneve grek, të hyrjes së Shqipërisë në NATO. Në këto ngjarje mund të cënohen, ose të pretendohet se janë cënuar ato, që Greqia i konsideron si interesat greke në Shqipëri, në mënyrë që Greqia të gjejë një alibi për të bllokuar hyrjen e Shqipërisë në NATO. Lufta Greko-Amerikane që filloi praktikisht në Gërdec dhe që pati një betejë spektakolare në Bukuresht është në realitet pjesë e ballafaqimit mes SHBA dhe Rusisë, ku Greqia është në anën e Rusisë. Në Shqipëri dhe në Ballkan kjo luftë duhet të çojë, në një fazë të saj, ose dëbimin e SHBA nga Shqipëria dhe në përgjithësi Ballkani, ose në dëbimin e Greqisë nga Shqipëria, që mund të vijë vetëm në rast se kemi ndryshim të kufijve në Ballkan dhe krijimin e shtetit të bashkuar shqiptar, gjë që u favorizua dhe nga veto greke ndaj Maqedonisë. Por, Lufta Greko-Amerikane, që ka filluar Greqia mund t’i kostojë shtrenjtë Greqisë të rrethuar nga fqinjë të fuqishëm, që kanë llogari të vjetra historike me të, si Turqia por edhe Bullgaria, të cilat rivendikojnë territore prej saj. Tashmë Greqia nuk u ka lënë SHBA asnjë arsye për të cilën të ndërhyjnë në krizat e Greqisë me fqinjët e saj, të cilat jo një herë kanë shkuar deri në prag të luftës. Përsëritja e situatave të tilla në të ardhmen do të ketë pasoja fatale për Greqinë, nëse SHBA nuk angazhohen për paqësim, gjë për të cilën Greqia po u heq çdo lloj arsyeje.
sot.
Krijoni Kontakt