Mediat britanike treguan interes të madh për konfliktin e vitit 2001 (1)
12.02.2008
Mr. Fati Iseni
Lufta e vitit 2001 në Maqedoni tërhoqi vëmendjen e të gjithë qeverive dhe diplomacive të superfuqive të botës dhe po ashtu shtoi kureshtjen e shumë analistëve politik, ushtarak dhe studiuesve që ishin marrë me historinë e Ballkanit.
Por si duket këtë interesim e shfaqën edhe vet gazetarët nga shtetet u fuqishme të botës në të cilët dhe sendërtohet politika globale. SHBA dhe Britania e Madhe në veçanti dhe Bashkësia Evropiane në përgjithësi ishin prezent gjatë gjithë kohës së luftimeve. Gjithashtu mjaft të interesuar ishin edhe gazetarët britanez të mediumeve të shkruara dhe elektronike të cilët nuk u vonuan dhe erdhën në vendngjarje menjëherë pasi kjo “Oazë e Paqes” u mjegullua. Raportet e tyre në Britani të Madhe padyshim se luanin një rol të rëndësishëm për të informuar si masën e gjerë ashtu edhe klasën politike që ata të ndërtonin qëndrim rreth ngjarjeve të cilët zhvilloheshin në këtë pjesë të Evropës, kur e dimë se në demokracitë e këtyre vendeve luan një rol të rëndësishëm “publik opinion” (mendimi i masës).
Në këtë studim e kemi marrë për bazë shtypin e shkruar të përditshëm britanez i cili i ka kushtuar një vëmendje të madhe zhvillimit të ngjarjeve ushtarake dhe politike në Maqedoni në periudhën në fjalë.
Materialet janë mbledhur nga gazetat më të rëndësishme ditore si: The Times; The Independent; The Guardian; The Daily Telegraph; The Finacial Times; The Mirror; The Evening Standard etj.
Qëllimi final i këtij studimi qëndron në atë se ne kemi nevojë të dimë se çka flasin dhe çka shkruajnë të tjerët për ne, në veçanti britanezët pasi pikërisht është Londra një nga krahët e boshtit politik që ndryshe njihet si ai anglo-amerikan, pra një nga sendërtueset më të fuqishme të politikave botërore.
Meqë rajoni i Karadakut të Kumanovës ka qenë një nga zonat më të rëndësishme ku u zhvilluan këto luftime, në këtë punim jemi përkufizuar kryesisht në këtë krahinë për të paraqitur reportazhet e gazetarëve anglez në terren dhe pikëpamjet e editorialeve të këtyre gazetave.
Pas ngjarjeve të Tanushës së Shkupit dhe pastaj shtrirjes së luftimeve në Tetovë të cilët ngjarje kanë qenë të mbuluara nga gazetarët anglez, tani nga mesi i muajit mars, respektivisht më 16 mars 2001 gazeta The Daily Telegraph me titull “Rebelët shqiptar e sjellin luftën e Ballkanit më afër”, ndër të tjera njofton se një ditë më herët pati luftime në Malinë, me ç’rast janë dëgjuar detonimet e artilerisë të cilët kanë bombarduar malet përreth për të “pastruar 200 rebelë” Përveç kësaj shkruan se “sipas disa lajmeve luftimet janë përhapur edhe në Likovë 12 milje në veri-lindje të Shkupit” . Më poshtë gazetari Patrick Bishop nënvizon se “Vazhdimi i dhunës i ka shuar shpresat se veprimet e UÇK- së do të ishin jetëshkurtra”, me çrast citon kryeministrin Georgievski i cili thotë se “Në fillim ne menduam se ata janë vetëm kriminel, por bazuar në informacionet tona, tani si duket ata kanë përkrahje të fortë politike dhe logjistike nga strukturat në Kosovë”.
Për futjen e njësiteve të UÇK në Likovë informon edhe gazeta The Times më 16 mars 2001, ku theksohet se janë futur në Likovë të armatosur me mitraloza dhe granata hedhëse.
Gazeta The Independent njofton më 6 prill 2001 për vizitën e Sekretarit të Jashtëm Britanik Robin Kuk një ditë më herët. Përveç takimeve protokollare që i kishte patur, gazetari Steve Crawshaw paraqet një theks të veçantë kur kryetari i PDSH Arben Xhaferi reagon ndaj Robin Kuk pasi ai përdor termin për UÇK-në, siç shkruan ai “Z. Xhaferri edhe pse i deklaruar oponent i UÇK ashpër kundërshtoi fjalën . Ai tha “Ata nuk mund të jenë terroristë, meqë ata kanë uniformë dhe vijë fronti, ata nuk kanë sulmuar civilë. Ne kemi një kryengritje”.
Më 5 maj 2001, gazetarët Nicholas Wood nga Sllupçani dhe Ian Black nga Brukseli në gazetën The Guardian njoftojnë se situata ka eskaluar edhe në rajonin e Likovës meqë forcat qeveritare kanë ndërmarrë ofensive nga ajri dhe toka ndaj kësaj krahine siç shkruajnë: “Helikopterë gjuajtës, tanke dhe minahedhëse u përdorën për të bombarduar fshatrat Sllupçan dhe Vaksincë përsëri dje pas kalimit të ultimatumit për civilët që të lëshojnë atë rajon. Sulmi erdhi pasi rebelët nuk treguan shenja të tërheqjes nga pozicionet veri-perëndim, aty ku forcat e sigurisë bombarduan për katër ditë. Një udhëheqës i lartë rebel u betua se njerëzit e tij nuk do të lëshojnë rajonin, ashtu sikurse njësitet rebele vepruan afër Tetovës më shumë se një muaj më parë kur u sulmuan nga ushtria. “Ne nuk do të lejojmë që Tetova të ndodhë përsëri”, tha komandant Sokoli në Shtabin e tij afër Sllupçanit.” Të paktën shtatë njerëz të gjithë civil duke u bazuar në të dhënat e UÇK janë vrarë gjatë luftimeve nga e enjtja e kaluar njoftojnë gazetarët në fjalë.
http://www.albeu.com/lajme/lajmi.php...t_from=&ucat=4
Krijoni Kontakt