A kanë, në mesatare, femrat një profil tjetër të qëndrimeve dhe emocioneve se mashkujt?
A janë ngjarjet në Bibël fikcione -- jo vetëm mrekullitë, por edhe ato që flasin për mbretër e perandori?
A është përmirësuar gjendja ambientale në 50 vitet e fundit?
A ndodh që viktimat e keqtrajtimit seksual të mos pësojnë dëme afatgjate?
A kanë marrë pjesë edhe amerikanët autoktonë, indianët, në gjenocid dhe kanë shkatërruar tokën?
A kanë meshkujt një tendence të lindur për të dhunuar?
A është ulur niveli i krimit në vitet e 90-ta për shkak se dy dekada më herët femrat e varfëra kanë abortuar fëmijët që kanë mundur të jenë pre e dhunës?
A janë terroristët vetëvrasës të edukuar mirë, mendërisht të shëndetshëm dhe të udhëhequr nga parime morale?
A do ulej incidenca e dhunimeve nëse do të legalizohej prostitucioni? A kanë meshkujt afro-amerikan mesatarisht nivel më të lartë të testosteronit se meshkujt e bardhë?
A është morali vetëm një produkt i evolucionit të trurit tonë, pa mbështetje në realitet?
A do kishim shoqëri më të mirë nëse heroina dhe kokaina do legalizoheshin?
A është homoseksualiteti simptom i një sëmundjeje ngjitëse?
A do të ishte e pranueshme për parimet tona morale që t'u jepet prindërve mundësia e vrasjes-eutanazimit të sapolindurve me të meta, në mënyrë që ata të mos vuajnë gjithë jetës?
A kanë prindërit çfarëdo ndikimi në karakterin ose intelegjencën e fëmijëve të tyre?
A kanë vrarë religjionet më shumë njerëz se sa Nazizmi?
A do ulej dëmi nga terrorizmi nëse policia do torturonte të dyshuarit në rrethana të veçanta?
A do kishte më shumë shanse Afrika të dalë nga varfëria nëse do mirëpriste më shumë industri ndotëse ose të pranonte mbeturina nukleare t’Europës?
A është duke rënë mesatarja e inteligjencës së kombeve perendimore për shkak se njerëzit e rëndomtë, të trashë, po kanë më shumë fëmijë se sa njerëzit e mençur?
A do ishte më mirë për fëmijët e padëshiruar, bonjakët, po të ekzistonte një treg për të drejtat e adoptimit, ku foshnjet do i takonin ofertuesit që ka dhënë më shumë?
A do shpëtonin jetërat po të formoheshin tregje të lirë të organeve për transplantim?
A duhet njerëzit të kenë të drejtën për të klonuar veten ose të shtojnë tiparet gjenetike të fëmijëve të tyre?
Ndoshta duke lexuar këto pyetje e ndjeni se si ju hypë tensioni i gjakut. Ndoshta edhe jeni tmerru nga fakti se njerëzit dijnë me mendu kështu. Ndoshta ju nuk mendoni, sa edhe unë, për t’i ngritur këto çështje. Këto janë ide të rrezikshme -- ide të cilat janë mohuar jo për shkakun se janë provuar si false, as për shkakun se avokojnë veprim të dëmshëm, sa për shkak se ato korodojnë dhe prishin rendin mbizotërues moral.
Mendojini ketë gjana
Kur them "ide të rrezikshme" nuk e kam fjalën për teknologji të dëmshme, si armët për shkatërrim masiv, ose ideologji të liga racizmi, fashizmi e kultet tjera fanatike. E kam fjalën për konstatime të veshura me fakte e argumente nga shkencëtarë dhe mendimtarë seriozë, por që mendohet se sfidojnë moralin kolektiv të një periudhe. Idetë e paraqitura më lartë dhe paniku moral që ka nxitur secila prej tyre gjatë çerek shekullit të fundit janë shembuj të tillë. Shkrimtarët që kanë ngritur ide të tilla janë mohuar, censuruar, larguar, kërcënuar dhe në disa raste keqtrajtuar fizikisht.
Secila periudhë përmban në vete ide të rrezikshme. Për shekuj me radhë, religjionet monoteiste kanë përndjekur herezi të panumërta, së bashku me risit shkencore si gjeocentrizmin, arkeologjinë biblike dhe teorinë e evolucionit. Duhet të jemi mirënjohës që denimet kanë ndryshuar dhe s’janë ma tortura e poshtërime, po ndërprerje e granteve dhe shkrim i censurave korrigjuese. Mirepo, është po ky provokim intelektual, qoftë me shpatë ose me penë, që padyshim ka formësu idetë që janë marr seriozisht në një periudhë të caktuar dhe retrovizori i historisë na çon një paralajmërim.
Sa e sa herë njerëzit kanë investuar qëndrime të faktografuara që zakonisht kanë pasë implikime morale dhe që sot na duken shumë dobiprurëse. Frika se struktura e sistemit tonë solar ka shkaktuar pasoja morale është një shembull i gjetur, njashtu si dhe preokupimi i sotëm i studentëve të biologjisë me “dizajn intelegjent”. Këto travesti duhet me na çu te pyetje a thua mainstream’i i sotëm intelektual preokupohet me po këso zhgënjime morale. A jemi të acaruar nga heretikët dhe te pabesët tanë, të cilët historia një ditë do i shpallë heroj e fitues?
Mundësitë shqetësuese
Idetë e rrezikshme duket se do na konfrontojnë gjithnjë e më shumë, e nga ana tjetër ne nuk jemi të përgatitur të përballemi me to. Kur përdoret si duhet, shkenca (bashkë me institucionet tjera që hulumtojnë të vërtetën si historia dhe gazetaria) karakterizojnë botën njashtu siç është në të vërtetë, pavarësisht se ndjenjat e dikujt mund të lëndohen. Shkenca gjithmonë ka qenë një burim herezie, andaj sot përparimet galopante të shkencës në fusha të ndjeshme si gjenetika, evolucioni dhe ambienti na vënë para mundësive që na shqetësojnë të gjithë tok. Për më tepër, ngritja e globalizimit dhe e Internetit janë duke ndihmuar heretikët që të gjejnë shoqi-shoin dhe të punojnë së toku përtej barrierave të medias tradicionale dhe akademike. Unë gjithashtu frikohem se ndryshimi në ndjeshmërinë mes gjeneratave do të përshpejtojë këtë proces. Termi ‘korrektësi politike’ kaplon konceptin e viteve të ‘60ta të saktësisë morale të cilën ne, baby-boomers’at, e sollëm me vete n’akademi, n’gazetari dhe n’qeverisje.
Sipas eksperiencës time, studentët e sotëm – të bardhë apo me ngjyrë, meshkuj apo femra --- janë të mahnitur nga ideja, aq e rëndomtë për prindërit e tyre, se disa opinione shkencore janë jomorale apo se disa pyetje janë shumë të nxehta për t’u shqyrtuar.
Çka e bën një ide të ‘rrezikshme’?
Një faktor mundet me qenë ai që thotë se pranimi i një ideje të rrezikshme mundet me qenë i dëshmshëm për ty. Në shoqëritë religjioze, gjithmonë ekziston frika mes njerëzve se po ndërpreve ta besosh vetëm edhe për një çast të vërtetën e fjalë-për-fjalshme të Biblës, ata gjithashtu do të ndalonin së besuari në autoritetin e urdhërave morale të saj. Me fjalë tjera, nëse sot njerëzit kishin me heq dorë nga e vërteta biblike se Zoti krijoi Botën për gjashtë ditë, nesër ata kanë me heq dorë edhe nga urdhëri “Mos vraj”.
Në qarqet progresive është ekzistente frika se po e kuptuan njerëzit se ka çfarëdo dallimi mes racave, gjinive apo individëve, atëherë ata do justifikonin diskriminim apo shtypjen. Idetë tjera të rrezikshme nxisin frikën se njerëzit do të neglizhojnë apo abuzojnë fëmijët e tyre, do bëhen indiferentë ndaj ambientit, do zhvleftësojnë jetën njerëzore, do pranojnë dhunën dhe lirojnë veten nga problemet sociale që do mund zgjidheshin me një optimizëm dhe përkushtim të mjaftueshëm.
Të gjitha këto rezultate, është e panevojshme të thuhet, do të ishin zhgënjyese. Mirëpo asnjëra prej tyre në të vërtetë nuk shkaktohet nga idetë që supozohen si të rrezikshme. Edhe nëse ndodh që, për shembull, një grup i njerëzve është mbi mesataren, mospërputhja do ishte aq e madhe sa kishte me qenë iracionale dhe jokorrekte për të diskriminu individë të tjerë mbi këto baza. Pokështu, edhe nëse provohet se prindërit nuk kanë fuqi të formësojnë personalitetin e fëmijëve te tyre, kishte me qenë e gabuar nga aspekti i një mirësjelljeje të thejshtë njerëzore që fëmiu i dikujt të neglizhohet. Dhe, ta zamë, nëse idetë sot koxha popullore që propagojnë mënyrat sesi të mbrohet ambienti po dëshmohen joefikase, ato nga ana tjetër vënë në pah nevojën për të gjetur se cilat qenkan metodat që do dëshmohen si efikase.
Një kontribues tjetër që ushqen percepcionin për rrezikshmërinë e ideve ka të bëjë me afinitetin intelektual për t’u frakcionizuar. Njerëzit kanë një shprehi të shëmtuar për t’u shallvarizu e bashku në koalicione, dhe profetizu besime të caktuara si ID e ‘bexha’ të përkushtimit të tyre ndaj koalicionit, si dhe për t'i trajtu koalicionet rivale si intelektualisht të papërshtatshme dhe moralisht të devijuara. Debatet ndërmjet anëtareve të koalicioneve mund t'i bëjnë gjërat edhe më keq, sepse kur njëra palë nuk don me kapitulu para argumenteve shkatërruese të palës tjetër, kjo vetëmsa provon se ata janë imunë ndaj arsyes. Në këtë aspekt, është zhgënjyese të shohësh dy institucione që do duhej të kenë interesin më të madh në gjetjen dhe eksplorimin e të vërtetës – si akademia dhe qeveria – se si jane kaplue nga ideologji të stërkaluna moralisht. Njëra ideologji thotë se njerëzit janë Tabula Rasa dhe problemet sociale mund të zgjidhen vetëm nëpërmes programeve qeveritare që ri-vendosin perfiditetin e meshkujve europianë. Dhe ideologjia e kundërt me këtë thotë se moraliteti lind nga patriotizmi dhe besimi n’Krishtin dhe problemet sociale mund të zgjidhen vetëm nga qeveria që denon mëkatet e njerëzve keqbërës.
Idetë e reja, idetë e nuancuara, idetë e hibridizuara -- dhe nganjëherë idetë e rrezikshme -- shpesh e kanë të vështirë të dëgjohen përkundër këtyre bindjeve-grup-lidhura.
Bindja se opinionet e sinqerta mund të jenë të rrezikshme mund të dalë bash nga karakteri i natyrës njerëzore. Philip Tetlock dhe Alan Fiske kanë argumentuar se marrëdhënie të caktuara njerëzore janë të bazuara bash mbi bazën e bindjeve të palëkundura. Ne duam fëmijët dhe prindërit tanë, jemi besnikë nda grave tona, qëndrojmë pranë shokëve, kontribuojmë për komunitetet tona, dhe jemi besnikë ndaj koalicioneve jo se vazhdimisht i shqyrtojmë dhe rivlerësojmë vlerat e kësaj përkatësie, po ngase i ndjejmë ato n’eshtrat tona. Personi i cili harxhon shumë kohë duke peshuar logjiken dhe faktin që realisht justifikon përkushtimin tonë ndaj këtyre marrëdhënieve shihet si ai që i ka huq po këto relata. Njerëzit e mirë nuk merren me peshimin e saktë të avantazheve ose disavantazheve të shitjes së fëmijëve apo tradhëtimit të shokëve apo të grave, kolegëve apo vendit të tyre. Ata automatikisht hedhin poshtë këto mundësi; ata 'nuk shkojnë deri aty." Kështu, vendosja e tabusë në shqyrtimin e vlerave të shenjta ka kuptim në kontekstin e marrëdhënieve personale. Por ka shumë më pak kuptim në kontekstin e zbulimit se si funksionin bota apo se si duhet qeverisë një shtet.
Eksploro tana idetë relevante
A duhet t'i trajtojmë disa ide si të rrezikshme? Le të përjashtojmë rrenat e pastra, propagandën mashtruese, teoritë e konspiracionit të ekscentrikëve keqdashës dhe udhëzimet teknologjike për pasione shkatërrimtare. Keni parasysh vetëm idetë për të vërtetat e demonstrueme me empiri ose efektivitetin e politikave që, nëse dalin të vërteta, do kërkonin një ri-mendim domethënës të ndjeshmërisë sonë morale. Dhe, konsideroni idetë që, nëse dalin se janë false, mund të jenë dëmtuese nëse njerëzit besojnë se ato janë të vërteta. Në cilindo nga këto raste, ne nuk e dimë se a janë ato të sakta apo false a apriori, por vetëm duke i egzaminuar dhe duke i debatuar ato ide e kutptojmë këtë gjë. Përfundimisht, le të supozojmë se ne nuk jemi duke folë për t’i djegë këta njerëz në stiva drunjsh apo për t’jau prerë gjuhën, por për t’i dekurajuar hulumtimet e tyre duke u dhënë ideve të tyre sa ma pak publicitet që është e mundur.
Pavarësisht se ku mund të na çojnë, gjithmonë ka arsye të mirë për të besuar se duhet vazhduar me eksplorimin e ideve që mund të jenë të rëndësishme për ne. Ideja se idetë duhet të dekurajohen që në nismë është një gabim. Njimend, është arrogancë e skajshme të dekurajosh opinionet e njerëzve tjerë pa u lënë mundësinë atyre që bile t’i egzaminojnë ato.
Gjithashtu, është vështirë ta imagjinosh çfarëdo aspekti të jetës publike atëherë kur injoranca apo iluzioni është më i mirë sesa vetëdija për të vërtetën, sado e pakëndshme që mund të jetë. Vetëm fëmijët dhe të çmendurit kaplohen nga “mendime magjike”, bestytnisë se gjërat e mira mund të ndodhin duke besuar në to apo se gjërat e këqija do zhduken duke i injoruar apo dëshiruar që të zhduken. Njerëzit e rritur done ta dijnë të vërtetën, sepse çfarëdo aktiviteti mbi premisa false nuk do ketë efektin e dëshiruar nga ta. Edhe ma shume, studiuesit e logjikës na thonë se sistemi i ideve që përmban kundërthënie mund të shfrytëzohet për të deduktuar çfarëdo qëndrimi, pa marrë parasysh absurditetin e tij. Meqenëse idetë janë të lidhura me ide tjera, nganjëherë në rrugë qarkore e të paparashikueshme, duke zgjedhur të besojmë diçka që mund t’mos jetë e vërtetë, apo edhe duke ndërtuar mure të injorancës rreth-e-qark disa çështjeve, kjo mund ta korruptojë krejt një jetë intelektuale, duke proliferuar gabimin anë e kand.
Në jetën tonë të përditshme, a do pranonim që të na gënjejnë apo të na mbajnë në errësirë ‘mbrojtësit’ paternalist tanët kur bëhet fjalë për shëndetin tonë, financat tona apo edhe motin? Imagjino në jetën publike dike duke thënë se ne nuk duhet të bëjmë hulumtime në lidhje me ngrohjen globale apo kufizimet energjetike sepse nëse del të jenë serioze, pasojat për ekonomi do të jenë skajshmërisht të hidhura. Liderët e sotëm që heshtazi përcaktohen për këtë pozicion, me të drejtë kritikohen nga njerëzit e përgjegjshëm intelektual. Mirëpo, përse u dashka që idetë tjera të hidhura të trajtohen ndryshe?
Ka edhe një argument që kundërshton trajtimin e ideve si të rrezikshme. Shumë nga veprimet tona morale dhe politike janë të dizajnuara që të parandalojnë atë çfarë ne e dimë si me të keqën karakteristik të natyrës njerëzore. Barazpesha dhe kontrolli në demokraci, për shembull, ishin shpikur pikërisht si vetëdije e kulluar e faktit se liderët gjithmonë do tundohen për ta keqpërdor pushtetin për interes të vetin. Ngjashëm, ndjeshmëria jonë ndaj racizmit rrjedh nga vetëdija se grupet njerëzore, po u lanë të lira për t‘i përdorë mjetet që kanë në dispozicion, janë të prirura për t’i përdorur kundër një grupi tjetër, shpesh në mënyra të shëmtuara. Historia gjithashtu na tregon se dëshira për të fuqizuar dogmën dhe për të shtypur herezinë është një dobësi e përsëritur njerëzore, diçka që ka çue drejt valëve të tmerrshme të shtypjes dhe dhunës. Vetëdija se ka diçka nga inkuizitori famëkeq i mesjetës Torquemada në secilin prej nesh, duhet të na bëjë ne të kujdeseshëm ndaj secilës tentative për të fuqizuar një konsensus apo demonizuar ata të cilët e sfidojnë atë.
“Drita e diellit është dezinfektuesi më i mirë’, sipas Louis Brandeis, rastit të famshëm të gjyqësisë që flet për lirinë e të menduarit dhe të shprehurit. Nëse një ide është me të vërtetë false, vetëm duke e shqyrtuar ate ide haptazi ne mund të vërtetojmë se është false. Në një këso pike, ne do ishim në pozicion shumë më të mirë për t’i bindur të tjerët se është false sesa ta bënim heshtazi, meqë mënjanimi i çështjes shërben si pranim i heshtur, për vërtetësinë e mundshme të saj. Dhe nëse një ide është e vërtetë, ne më mirë t’i akomodonim ndjeshmëritë tona morale ndaj saj, duke qenë se s’ka asnjë të mirë prej shenjtërimit të mashtrimit. Kjo bile kishte me qenë edhe ma e mirë se sa frika ideofobe. Rendi moral nuk u përmbys kur u dëshmua se Toka nuk na qenka n’qendër të sistemit diellor, andaj dhe kjo gjë do i mbijetojë korrektimet tjera të të kuptuarit tonë se si funksionon bota.
Steven Pinker is professor in the Department of Psychology at Harvard University. His new book, The Stuff of Thought, is already in the market.
Nga STEVEN PINKER
Gazeta "Java"
Si do t'iu pergjigjeshit ju personalisht ketyre pyetjeve?!
Krijoni Kontakt