Berisha hedh në rrugë 5000 punonjës të administratës

13-02-2008
Nga Milton NUSHI

Dje në mbledhjen e qeverisë kryeministri Berisha vendosi të bëjë të tjera shkurtime drastike të personelit të kualifikuar në ministritë dhe institucionet e tjera qendrore. Sipas një vendimi të marrë dje numri i punonjësve në këto institucione do të shkurtohet nga 110.000 në 105.134 punonjës. Pra rreth 5000 punonjës priten të hidhen në rrugë. Ajo që të bën përshtypje në këtë vendim është se numri i punonjësve të administratës qendrore ka qenë i njëjtë si në vitin 2005, kur qeverisnin socialistët ashtu dhe në vitin 2006 dhe 2007.Themi që na bën përshtypje sepse zoti Berisha pa ardhur ende në pushtet akuzonte qeverinë e asaj kohe për fryrje tej mase të administratës qendrore, ndërkohë që ai jo vetëm qe mbajti të njëjtin numër punonjësish në administratën e tij, por shtoi në mënyrë abuzive, më tej ngarkesat buxhetore për mbajtjen e saj me rritje të pajustifikuar të rrogave të nivelit të funksionarëve të saj të lartë. Këto shifra nxjerrin në dritë një fakt tjetër tronditës, atë se demagogjia e deritanishme e zoti Berisha për shkurtimet që gjoja ai i paska bërë në administratën qendrore, kanë qenë shkurtime të pastra politike ku nëpunësit e kualifikuar janë zëvendësuar me militantë duke mbajtur të njëjtin numër punonjësish. Në të gjitha këto raste për shkak dhe se pjesa dërmuese e kësaj administrate ishin nëpunës civil, pa i hyrë këtu shkeljeve flagrante të ligjit te nëpunësit civil, i kanë shtuar një kosto të konsiderueshme buxhetit të shtetit, pasi për të njëjtin vend pune paguheshin dy punonjës. Gjithë këtë gjullurdi të krijuar në administratën qendrore, qeveria Berisha është përpjekur ta shesë si arritje dhe si realizim të premtimit të bërë në programin e saj politik gjatë fushatës së vitit 2005. Ajo që Berisha fsheh është dëmi i madh ekonomik që ai apo funksionarët e tij në mënyrë flagrante i kanë shkaktuar buxhetit të shtetit duke paguar njëkohësisht dy administrata shtetërore, një qe merrte rrogën pa punuar, për shkak të ligjit të shërbimit civil, dhe administratën e tij tashmë tërësisht politike, e cila për shkak dhe të qëndrimit për një kohë të gjatë në opozitë ishte totalisht e pakualifikuar dhe në mënyrë të padiskutueshme shkaktare e situatës katastrofale me të cilën po përballen sot shqiptarët. Tashmë mbas tre vjet qeverisjeje zoti Berisha u kujtua të bëjë shkurtime reale dhe drastike të administratës së tij, megjithëse efektet financiare të këtij shkurtimi do të ndihen realisht një vit më vonë, pasi ligji i shërbimit civil e ngarkon buxhetin e qeverisë që ti paguajë këta nëpunës një vit nga nxjerrja në rrugë e tyre me pagë dhe sigurime të plota. Abuzimet e kryera deri më tani nga zoti Berisha në shkelje të ligjit të nëpunësit civil, i cili u katandis në spastrime politike për ta mbushur më pas administratën civile me militantë dhe njerëz të afërt të funksionarëve të tij, ku një numër i konsiderueshëm i tyre janë dhe pa arsimin përkatës apo të pa kualifikuar, të bën të mendosh se dhe shkurtimet që do të kryen në bazë të vendimit të fundit të miratuar nga ai do ta dëmtojnë akoma më shumë administratën civile të këtyre institucioneve. Ndërhyrja flagrante politike e bërë së fundi dhe në komisionin e Shërbimit Civil, garant i zbatimit të ligjit të shërbimit civil në mbrojtje të nëpunësve civil dhe të një administrate sa më profesionaliste, e bëjnë paraprakisht shumë të qartë masakrimin e mëtejshëm të kësaj administratë në ditët në vijim. Kjo valë e re shkarkimesh nuk do të prekë të paaftët, militantë apo familjarë të funksionarëve të këtyre institucioneve, si pasojë dhe e presionit gjithnjë dhe në rritje nga militantët e shumtë qe vazhdojnë të jenë rrugëve, rrezik eminent për Berishën në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, por nëpunësit ekspertë, të pa mbrojtur nga politika dhe fatkeqësisht nga ligji i miratuar dikur në unanimitet nga të dyja krahët e politikës. Kjo do të jetë dhe vala e fundit goditëse që pushteti nepotik i z.Berisha do të kryejë mbi administratën civile, e cila do të sjellë dëme të pallogaritshme jo vetëm në drejtim të zbatimit të reformave të kërkuara në zbatim të MSA, por dhe në zgjatjen e padurueshme tashmë për shqiptarët, të këtij tranzicioni të pafalshëm dhe unik për vendet e dala nga regjimi komunist.

Tabelat e numrit të punonjësve të administratës në vite

Viti 2008
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 10, të ligjit nr.9836, datë 26.11.2007, “Për buxhetin e shtetit, të vitit 2008”, me propozimin e ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave
1. Numri i punonjësve buxhetorë, në vitin 2008, për ministritë dhe institucionet qendrore, është 105 134 veta, sipas lidhjes nr.1, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
2. Ngarkohen të gjitha ministritë dhe institucionet qendrore për zbatimin e këtij vendimi.Ky vendim hyn në fuqi më 1 janar 2008.

Viti 2007
Nr.9645, datë 27.11.2006
PËR BUXHETIN E SHTETIT TË VITIT 2007
Neni 10
Numri maksimal i punonjësve buxhetorë më 1 janar 2007, sipas të cilit është përgatitur Buxheti i Shtetit i vitit 2007, është 110 000 punonjës. Ngarkohet Këshilli i Ministrave të përcaktojë numrin e punonjësve buxhetorë për çdo ministri dhe institucion qendror, me përjashtim të numrit të punonjësve të institucioneve të pavarura, që përcaktohen në tabelën 1/1, që i bashkëlidhet këtij ligji.
Viti 2006
Nr.9464, datë 28.12.2005
PËR BUXHETIN E SHTETIT TË VITIT 2006
Neni 10
Numri maksimal i punonjësve buxhetorë më 1 janar 2006, sipas të cilit është përgatitur Buxheti i Shtetit i vitit 2006, është 110 000 punonjës.
Ngarkohet Këshilli i Ministrave të përcaktojë numrin e punonjësve buxhetorë për çdo ministri dhe institucion qendror, me përjashtim të numrit të punonjësve të institucioneve të pavaruara, që përcaktohen në tabelën 1/1, që i bashkëlidhet këtij ligji. Fondi rezervë për rritjen e pagave prej 3 325 milionë lekësh përdoret me vendim të Këshillit të Ministrave për rritjen e pagave të punonjësve buxhetorë.

Viti 2005
Nr. 9339, datë 21.12.2004
PËR BUXHETIN E SHTETIT TË VITIT 2005
Neni 8
Numri maksimal i punonjësve buxhetorë më 1 janar 2005, sipas të cilit është përgatitur Buxheti i Shtetit i vitit 2005, është 110 000 punonjës. Ngarkohet Këshilli i Ministrave të përcaktojë numrin e punonjësve buxhetorë për çdo ministri dhe institucion qendror, me përjashtim të numrit të punonjësve të institucioneve të pavarura, që përcaktohen në tabelën 1/1, që i bashkëlidhet këtij ligji. Fondi i pagave i pashpërndarë përdoret për rritjen e diferencuar të pagave dhe mbështetjen e reformave në sistemin epagave me vendim të Këshillit të Ministrave.