Lista e plotë e grabitjeve të grupit kriminal që bëri kërdinë për një kohë të gjatë


Policia e Tiranës shkatërron një grup kriminal me tendencë grabitjen e banesave. Në pranga kanë rënë dy vëllezërit, Petrit dhe Viktor Cungu, të cilët rekrutonin të mitur për bastisjen e apartamenteve në Tiranë, Durrës, Kavajë dhe Sarandë. "Ndalimi i tyre u krye pasi këta shtetas dyshohet se në kohë të ndryshme kanë shtyrë me qëllim për të vjedhur banesat të miturin M.C., 11 vjeç, ku ky i fundit është proceduar disa herë për veprën penale të ‘vjedhjes‘. Më pas u la në gjendje të lirë për shkak të moshës së tij të mitur", thuhet në njoftimin për shtyp të Policisë së Tiranës. Sipas saj, u krye ndalimi edhe i tre shtetasve të mitur A.A., A.F., K.S., respektivisht të moshave 15 dhe 16 vjeç, të cilët u ndaluan pasi në bashkëpunim me njëri-tjetrin dhe me shtetasin M.C., në kohë e vende të ndryshme dyshohen të kenë kryer vjedhjet e realizuara në Njësitë Bashkiake Nr.1, 3, 5, 7. "Është dokumentuar tërësisht implikimi i tyre në grabitjet, ku pas një shtrirje të gjerë të hetimit, rezultoi se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë realizuar 45 vepra penale të vjedhjes, kryesisht duke grabitur banesa, sende, bizhuteri, para, kompjuter lap-top", pohon policia e Tiranës. Sipas saj, në qytetet Durrës, Kavajë, Sarandë po punohet me komisariatet e rretheve përkatëse për dokumentimin ligjor të veprimtarisë kriminale të tyre, si dhe bashkëlidhjen e të gjitha procedimeve që ngarkojnë për ta. "Gjithashtu, shtetasit A.N., 13 vjeç, banues në Tiranë, për të cilin dyshohet se është bashkëpunëtor me shtetasit e mësipërm, iu gjetën e ju sekuestruan në cilësinë e provës materiale një pistoletë tip ‘berret‘. Më pas u la në gjendje të lirë për shkak të moshës së mitur", thanë burimet nga policia. Ndërkohë, çështja i ka kaluar Prokurorisë së Tiranës, e cila ka ndërtuar edhe mekanizmin e grabitjeve të banesave në Tiranë. Sipas saj, dy vëllezërit nga Mirdita rekrutonin të mitur në qytetet e Tiranës, Kavajës, Durrësit dhe Sarandës, me qëllim grabitjen e banesave. Përgjatë disa muajve janë zbuluar dhjetëra raste të vjedhjeve, duke shënuar një hetim të plotë, nga i cili pritet që të zbardhen edhe dhjetëra raste të tjera. Ndërkohë, policia u bën thirrje qytetarëve të denoncojnë rastet e grabitjeve të banesave. Sipas saj, dy vëllezërit nga Mirdita do të hetohen për veprat penale të "Shtytjes së të miturve në krim", "Moskallëzim krimi", "Vjedhjes në bashkëpunim", si dhe të "Armëmbajtjes pa leje".


08 shkurt 2008, në rrugën "Tefta Tashko" kanë vjedhur 50 dollarë, si dhe disa bizhuteri.

06 shkurt 2008, në rrugën "Jordan Misja" kanë vjedhur një banesë.

19 qershor 2007, në rrugën "Qemal Brahja" kanë vjedhur 1 aparat celular.

15 janar 2008, në rrugën "Qemal Brahja" kanë vjedhur 51 mijë lekë.

25 shtator 2006, në rrugën "Dora Distria", kanë vjedhur 64 mijë lekë.

15 dhjetor 2007, në Babrru kanë vjedhur 52 mijë e 800 lekë, si dhe disa bizhuteri.

18 tetor 2007, në Babrru kanë vjedhur disa bizhuteri.

19 janar 2008, në Rrugën e Dibrës dyshohet se kanë vjedhur 60 mijë lekë.

07 shkurt 2008, në rrugën "Arben Broci" kanë vjedhur 2 mijë e 700 lekë, si dhe disa bizhuteri.

12 janar 2008, në rrugën "Mihal Grameno" kanë vjedhur një aparat fotografik dixhital.

29 janar 2008, në rrugën "Lord Bajron", në lokalin e një shtetasi, kanë vjedhur pije të ndryshme.

09 janar 2008, në Rrugën e Durrësit, në lokal pub "Miri", kanë vjedhur pije "Red Bull".

Në rrugën "Sulejman Delvina" kanë vjedhur 215 euro.

Në zonën e kopshtit botanik kanë vjedhur 300 dollarë dhe 10 mijë lekë. Tetor 2007 kanë vjedhur 3 mijë lekë e një aparat celular.

Në rrugën "Ramazan Këllici" kanë vjedhur shumën e parave prej 4 mijë lekësh, si dhe disa bizhuteri.

Qershor 2007, në rrugën "Jani Vreto" kanë vjedhur 12 aparate telefonash celularë.

Në rrugën "Hoxha Tasim" kanë vjedhur 2 mijë lekë.

06 shkurt 2008, në rrugën "Budi" kanë vjedhur një sasi bizhuterish.

Në rrugën "Budi", në banesën e shtetases Vasilika Mango, kanë vjedhur një kompjuter lap-top.

Në rrugën "Bajram Curri" kanë vjedhur 150 dollarë dhe 50 euro.

10 janar 2008, në Rrugën e Barrikadave dyshohet të kenë vjedhur një sasi bizhuterish dhe një çelës kuadri të një mjeti tip "Benz".



© Gazeta Shqip