Komisioni për simbole ka përfunduar punën e tij në përzgjedhjen e simboleve. Anëtari i komisionit, Fadil Hysaj, i ka thënë nëpërmjet telefonit KTV-së se në Kuvend do të procedohen tre flamuj dhe dy stema. Tashmë u mbetet deputetëve të Kuvendit që të vendosin se cili do të jetë flamuri dhe stema e vendit. Gjatë takimit të Komisionit për simbole, ekipi i KTV-së nuk është lejuar të futet brenda objektit të qeverisë për të marrë deklarata pas takimit të këtij komisioni. I vetmi që ka folur ka qenë kryeministri Thaçi, i cili ka pohuar se vendi do ta ketë edhe himnin e vendit, për të cilin nuk është hapur konkurs fare. Ndërkohë që Hysaj ka thënë se për himnin fillimisht duhet të hapet konkursi. Kryeparlamentari Krasniqi ka premtuar se
Kuvendi i Kosovës do t’i miratojë simbolet në një afat sa më të shkurtër kohor. Përzgjedhjen e simboleve e kanë bërë anëtarët e komisionit, në të cilin bëjnë pjesë përfaqësuesit e të gjitha subjekteve politike të përfaqësuara në Kuvend, minoriteteve si dhe botës akademike. Propozimet do t’i procedohen Kuvendit të Kosovës dhe në një nga seancat e radhës simbolet e Kosovës do të miratohen me 2/3 e deputetëve të Kosovës. Pakoja e Ahtisarit parasheh që flamuri dhe simbolet e tjera të pasqyrojnë karakterin multietnik të Kosovës.
Krijoni Kontakt