Video - provë për dhunën policore ndaj të arrestuarve në Brodec
Një video e re, e xhiruar me celular, paraqitet si provë e re që dëshmon për dhunën policore të ushtruar ndaj personave që u arrestuan gjatë aksionit policor “Stuhia malore” në fshatin Brodec.
Pamje nga videoja janë publikuar në gazetën "Lajm". Kjo video e xhiruar gjatë marrjes në pyetje të Hebib Ahmetit, njërit prej të arrestuarve, dëshmon për akuzat e Komitetit të Helsinkit dhe të organizatave tjera për mbrojtjen e të drejtave të njeriut. Pamjet e videos tregojnë sesi zhvillohet biseda mes policit ose inspektorit policor dhe Hebib Ametit. Polici ose inspektori policor i drejtohet të arrestuarit me një fjalor vulgar. Në video i akuzuari shihet i ulur në një karrige, ku i janë lidhur duart dhe këmbët, para tij qëndron një kovë, ndërsa përballë tij duket tavolina, nga ku vjen zëri i personit që e pyet në gjuhën maqedonase. I arrestuari, të cilit me shumë vështirësi i vjen zëri, nga i cili kuptohet edhe emri Hebib Ameti, mban emblemë të UÇK-së. Video-inçizimi vë në dukje disa herë emblemën e UÇK-së, si dhe rrobat me ngjyrë blu të errët. Herë pas here, personi që pyet, shtiret se gjoja i vjen keq për ngjarjen e Brodecit.
Ai që pyet, gjithashtu, nga i akuzuarit mundohet të nxjerrë sa më shumë informacione, sesi ka ndodhur ngjarja, sa persona kanë qenë, sa njerëz kanë vdekur, etj.
Ai shprehet i interesuar drejtpërdrejt edhe për dy të shumëkërkuarit nga ana e policisë, Lirim Jakupi dhe Ramadan Shiti. Këta dy të fundit ishin edhe preteksti që policia ndërmori aksionin në Brodec, të pagëzuar nga ajo si "Stuhia malore".
Më 7 nëntor të vitit 2007, policia ndërmori një aksion në Brodec, ku u vranë 6 persona dhe u arrestuan 13 të tjerë, të cilët mbahen të paraburgosur në burgun e Shutkës. Të gjithë të arrestuarit akuzohen nga prokuroia për "terrorizëm", "aktivitete armiqësore" si dhe për "mbajtje dhe tregëti armësh".
Krijoni Kontakt