EKSKLUZIVE
Nga Kosova Lindore flet për "Shqip", Jonus Musliju, ish-themeluesi i UÇPMB-së
KOSOVA LINDORE ËSHTË PJESË E KOSOVËS E JO E SERBISË!
Intervistoi: Urim BAJRAMI
Më 04. II. 2008
Jemi faktor i rëndësishëm në rajon
Shqiptarët e Luginës së Preshevës i kanë ndjekur me vëmendje të madhe të gjitha negociatat për statusin final të Kosovës, madje edhe të gjitha zhvillimet, tani në prag të pavarësisë, por janë të pakënaqur që kërkesa e tyre për përfshirje në negociata, nuk u realizua. Jonus Musliju, ish-themeluesi i Ushtrisë Çlirimtare të Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit (UÇPMB), gjatë një interviste ekskluzive për "Shqip", thotë se shqiptarët e kësaj lugine të famshme e ndjejnë veten qytetarë të Kosovës Lindore dhe aspak të Serbisë Jugore, siç preferon t‘i konsiderojë Beogradi. Pikërisht, si qytetarë të Kosovës, ata mbështetin pavarësinë e saj, por paralajmërojnë se nuk do të presin as edhe një moment, nëse serbët e Veriut të Kosovës do ndahen prej saj. Ndërsa flet edhe për referendumin e 15 viteve më parë të shqiptarëve të Luginës së Preshevës, Musliju, i cili aktualisht është zv.kryetar i komunës së Bujanocit, thotë se xhandarmëria dhe ushtria serbe në këtë zonë paraqesin kërcënim për paqen në rajon.
SHQIP: Z.Musliju, hapur pranoni që të quheni më së shumti Kosova Lindore, se sa njiheni gjeografikisht, Lugina e Preshevës?
MUSLIJU
erminologjia e shprehjes Kosovë Lindore ka lindur fill pas mbajtjes së Referendumit të shqiptarëve të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës, më 1 dhe 2 mars të vitit 1992. Shqiptarët e këtij rajoni u shprehën lirshëm për "Autonomi politiko-territoriale me të drejtë bashkimi Kosovës. Shqiptarët me të drejtë kanë dëshirë ta quajnë veten qytetarë të Kosovës Lindore, se sa Luginë e Preshevës dhe kurrsesi sipas sloganit komunist, Jugu i Serbisë. Termi Luginë e Preshevës ka lindur gjatë proceseve luftarake të UÇPMB-së (Ushtria Çlirimtare e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit). Ky term është deri diku i përqafuar nga vendorët dhe ndërkombëtarët e kurrsesi nga Beogradi. Flitet se kumbara i këtij termi është Madlen Ollbrajt, ish-sekretare e shtetit amerikan. Rajoni ynë, për dallim, nga viset e tjera, përballet me emërtime të shumta dhe kontraverse. Për një kohë të gjatë është përdorur slogani komunist Serbi Jugore, term që sot për shqiptarët është i papranueshëm. Në kohën e Trupit Koordinues, ky term u zgjerua në Serbi Jugore Qendrore, term, i cili edhe më shumë i irritoi shqiptarët. Termi ‘Serbi Jugore‘ është slogan komunist dhe i papranueshëm për shqiptarët, i irriton ata dhe e marrin si nënçmim përdorimin e tij. Më herët, ky term është përdorur si Serbi e vjetër dhe nuk përfshinte vetëm rajonin e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës, por edhe Kosovën.
SHQIP: Si dhe sa i ndoqët negociatat për statusin final të Kosovës?
MUSLIJU: Negociatat për statusin final të Kosovës i ndoqëm si nga shpati. Them kështu, sepse edhe pas shumë insistimeve, nuk na pranoi as Prishtina dhe as Beogradi që, edhe ne nga Lugina e Preshevës të jemi pjesë e këtyre negociatave. Arsyeja ishte e thjeshtë dhe injoruese: nuk ka vend për përfaqësuesit legjitimë të Luginës së Preshevës, sepse në rend është statusi i Kosovës për zgjidhje dhe jo edhe i Luginës. Shpresojmë se Kosova një ditë do të jetë e pavarur, në mos në fund të këtij viti, më 2008-tën me siguri. Nuk jemi profetë të prognozojmë se 10 dhjetori është soni i këtyre përpjekjeve, por një zgjidhje për Kosovën duhet sa më shpejt sa nuk është vonë. Mund të ndodhë nga tejzgjatjet maratonike dhe në pafundësi të na përsëriten proceset e dikurshme shumë tragjike për të gjitha ata që jetojnë në Kosovë dhe përreth saj. ‘Mos na raftë me harrue‘, thotë me të drejtë populli.
SHQIP: Duket sikur në Preshevë ka dy palë; njëra që mbështet planin e propozuar nga Presidenti Ahtisari dhe një palë tjetër që e konsideron atë si "një ofertë kompromisi nga ana e ‘elitës negociatore‘ - uzurpatore e Kosovës, që i hap rrugë Serbisë e Rusisë ta zhvillojë ofensivën politike dhe diplomatike për lëvizjen e vijës së kuqe në favor të pansllavizmit...
MUSLIJU: Rreth planit ‘Ahtisari‘ në Luginën e Preshevës nuk ka mendime dypalëshe. Të gjithë pothuajse publikisht e kanë përkrahur këtë plan, si më të arsyeshmin për zgjidhjen e statusit politik të Kosovës. Ndoshta edhe ky plan nuk është i përkryer, ama për momentin e "ha pazari", si nga më të mirët. U nxorën në sipërfaqe publike edhe shumë opsione të tjera si mund të duket Kosova, por ky i Ahtisarit ishte më i favorizuari nga vendorët dhe ndërkombëtarët. Lëvizjet e Serbisë dhe Rusisë për pansllavizëm nuk janë të sodit, por ato i kanë rrënjët e thella dhe shumë të rrezikshme. Një unitet e i faktorëve ndërkombëtarë dhe kosovarëve do të dalin fitimtarë në këtë garë, po gjetën një kompromis politik.
SHQIP: Keni shprehur shpesh shqetësimin për trajtimin që u bëhet shqiptarëve të kësaj zone. Madje, keni deklaruar që shume shpejt do krijoni një Këshill Kombëtar, që do të punojë në interes të komunitetit shqiptar...
MUSLIJU: Po. Eshtë e vërtetë se shqiptarët në Serbi, nuk trajtohen njëjtë me qytetarët e tjerë. Ata edhe më tej nga Beogradi shikohen si element destablizimi në rajon. Fakt është integrimi i tyre i ngadaltë dhe i mërzitshëm. Një nga prioritet do të jetë jetësimi i iniciativës për formimin e Këshillit Nacional të shqiptarëve në Luginën e Preshevës. Formimi i këtij Këshilli do të bashkonte mendimin politik të subjekteve shqiptare dhe do t‘i çonte përpara proceset e ngecura demokratike në këtë rajon. Po të ishte formuar me kohë Këshilli Nacional me siguri spektri politik shqiptar nuk kishte dalë me mendime e qëndrime kaq të ndara. Me ndihmën e një këshilli të tillë mendimi politik shqiptar do të kishte dalur më unik dhe se nuk do të ishte harxhuar kaq energji rreth marrjes së qëndrimeve të përbashkëta.
SHQIP: Sipas jush, militarizimi i Luginës është kërcënim për stabilitetin rajonal dhe për zhvillimin ekonomik. Sipas jush, cila do të ishte një e ardhme e sigurtë për Kosovën Lindore?
MUSLIJU: Në hapësirat e Luginës së Preshevës vazhdon të mbetet i koncentruar një numër i madh i forcave policore-ushtarake serbe, sidomos afër vendbanimeve shqiptare që shtrihen përgjatë kufirit administrativ me Kosovën. Ndonëse gjatë kësaj periudhe me ndihmën e madhe të bashkësisë ndërkombëtare pas demilitarizimit të UÇPMB-së, është evituar mundësia e ndonjë konflikt të armatosur, mirëpo nuk janë eliminuar shkaqet që kanë sjellë krizën në këtë rajon.
Marrëveshja e nënshkruar për themelimin e policisë multietnike, në të cilën shqiptarët do të përfaqësoheshin sipas strukturës së popullsisë, po zvarritet. Projekti i OSBE-së për formimin e policisë multietnike është një hap i rëndësishëm për integrimin e shqiptarëve në të gjitha institucionet lokale dhe shtetërore, i cili po të realizohet natyrisht se do të sillte frymën e stabilitetit të plotë në këto komuna të populluara nga shumica shqiptare.
Mendoj se largimi i të gjitha forcave policoro-ushtarke serbe të anazhuara gjatë krizës në Luginën e Preshevës, dhe zëvendësimi i tyre me policinë mulietnike do të ndikonte shumë në ngritjen e masave të mirëbesimit në këto anë. Masat për krijimin e një ambienti të sigurtë, të mirëbesimit ndëretnik, të projekteve multietnike nuk mund të ngriten me ngritjen e barakave policore gai nëpër të gjitha vendbanimet shqiptare. Të gjitha këto aktivitete janë bërë për për demilitarizimin e rajonit e jo për militarizimin e sërishëm të tij. Konstatimi i paradokohshëm i Çoviq, se në Luginën e Preshevës, do të ngritet një Bondstill i dytë, ka shkaktuar reagime të shumta te shqiptarët dhe forcat demokratike të vendit.
SHQIP: Shqiptarët e Preshevës shpresojnë se një referendum jo zyrtar i zhvilluar në vitin 1992, ku 95 për qind e rreth 47 mijë pjesëmarrësve mbështetën autonominë e plotë për rajonin dhe njohu të drejtën për t‘u bashkuar me Kosovën - do të bindë opinionin lokal dhe atë ndërkombëtar për shkëputje nga Serbia. Sipas jush, sa shanse ka një kërkesë e tillë?
MUSLIJU: Serbisë nuk i shkoi ndër mend t‘i pyeste fare shqiptarët e Luginës së Preshevës, kur i ndau padrejtësisht, nga Kosova, më 1945. I shtypi me dhunë kërkesat gjatë vitit 1968 për ribashkim me Kosovën. Shqiptarët e këtyre viseve nuk u përfshin në Kushtetutën e vitit 1974, nuk e gjetën veten e trajtuar në Deklaratën Kushtetuese të Kosovës më 2 korrik 1990, pastaj në Kushtetutën e Republikës së Kosovës më 7 shtator 1990 si dhe nuk u thirrën në Referendumin e 26 dhe 30 shtatorit 1991, për Republikën e pavarur të Kosovës. Po ashtu edhe gjatë proceseve të mëvonshme të bisedimeve në Rambuje dhe zgjedhjeve parlamentare dhe presidenciale, shqiptarët e këtyre viseve mbetën në periferi. Por a do të trajtohen si të tillë edhe gjatë bisedimeve të mundshme, gjatë këtij viti, midis Prishtinës dhe Beogradit? Por, spektri politik i Luginës së Preshevës edhe më tej mbështet Referendumin e 1 dhe 2 marsit të vitit 1992. Ky referendum herëdokur do të jetësohet, kur t‘i vijë radha.
SHQIP: Por nga ana tjetër, faktori politik është shprehur se ndarja është diçka e gatuar në kuzhinat serbe...
MUSLIJU: Ka edhe aso konstatimesh, por nga ndarjet ka pësuar më së shumti populli shqiptar. Termi ndarje nuk na shkon për shtati sikur termi bashkim. Nëse serbët e veriut të Kosovës ndahen nga Kosova, ne nuk kemi çka të presim më. Referendimi e ka fjalën pastaj. Faktori politik shqiptar përmes këshilltarëve të tre asambleve komunale në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, hapur kanë shprehur pro qëndrime të Grupit të Kontaktit. Po lëvizën një milimetër ato, atëherë ne do ta themi fjalën që e kemi mbajtur në grykë me shekuj.
SHQIP: Në deklarime të ndryshme publike është thënë se shpresoni që Lugina e Preshevës të bashkohet me Kosovën në shkëmbim të enklavave serbe të Kosovës, në rast të ndonjë diskutimi për çëshjen e kufijve. Sa të gatshëm do të ishit për realizimin e një shprese të tillë dhe mendoni se kjo çështje nuk do ta ndërlikojë çështjen e pavarësisë së Kosovës?
MUSLIJU: Ne mbështesim fuqishëm pavarësinë e Kosovës me sovranitet të plotë në tërë territorin e saj të garantuar ndërkombëtarisht. Ndërsa për Luginën e Preshevës kemi interesa të tjera si popull autokton. Kohëve të fundit po flitet edhe mundësia e ndarjes së Kosovës, nëse nga faktori ndërkombëtar një e drejtë e tillë i njihet palës serbe si shkaktare e luftës, njëkohësisht humbëse e luftës sipas marrëveshjes se Kumanovës, atëherë as që do të diskutohet legjitimiteti politik, juridik dhe morali shqiptarëve si viktimë e luftës, për të drejtën e pamohueshme për të jetuar në një shtet të vetëm shqiptar.
SHQIP: Edhe pse referendumi i 15 viteve më parë nuk është njohur asnjëherë zyrtarisht nga Beogradi dhe as nga komuniteti ndërkombëtar, përse mendoni se ai mund të përbëjë kartën më të fortë për drejtuesit e shqiptarëve të Preshevës në përpjekjet tuaja për autonomi ose bashkim me Kosovën?
MUSLIJU: Edhe pas 15 vjetësh, Referendumi nuk e ka humbur vlerën e vet, sepse është i mbështetur në verdiktin e popullit. Bashkimi me Kosovën është opsioni më i qëndrueshëm, më i drejtë, çdo zgjidhje tjetër do të jetë vetëm zgjidhje kompromisi.
SHQIP: Disa herë është kërkuar nga politikanët lokalë të zonës tuaj për më shumë prani të bashkësisë ndërkombëtare? Pse? Ç‘rrezik ndjeni?
MUSLIJU: Kemi kërkuar një prani të forcave ndërkombëtare në Luginë, e cila bashkë me policinë multietnike do të jenë faktorë stabiliteti në rajon. Xhandarmëria dhe ushtria nuk janë të dëshiruara nga populli shqiptar dhe paraqesin kërcënim për paqen në rajon. Shqiptarët kanë frikë se mund të kthehen tensionet në skenë dhe të lindin konfliktet, nëse edhe më tej ky rajon militarizohen me forca serbe të sigurimit.
SHQIP: Ç‘marrëdhënie ka komuniteti shqiptar me atë serb? Po me autoritetet serbe?
MUSLIJU: Shqiptarët dhe serbët edhe më tej jetojnë në këto hapësira nga ndjenja e frikës së dominimit. Serbët frikësohen se shqiptarët mund të bëhen shumicë absolute në Bujanoc, si në Preshevë. Shqiptarët kanë qenë në hasmëri prej kohësh me autoritetet pushtetare serbe, të cilët ua kanë mohuar të drejtat e shqiptarëve, që nga organet komunale e deri te ato shtetërore.
SHQIP: Duket se Lugina e Preshevës, Medvegja dhe Bujanoci janë në periferi jo vetëm të fokusit rajonal, por edhe nga diplomacia ndërkombëtare. Ç‘hapa keni ndërmarrë për t‘u bërë jehonë problemeve të shumta, por sidomos shkeljeve të të drejtave në këto zona?
MUSLIJU: Pavarësisht pse shqiptarët e Luginës duket se janë në bisht të ngjarjeve politike dhe diplomatike, ata edhe më tej janë faktor i rëndësishëm në rajon. Askush nuk mund të vendosë pa i pyetur shqiptarët e Luginës. Eshtë e drejtë e tyre të dinë për fatin e tyre politik se në çfarë bashkësie do të jetojnë në të ardhmen. Shkeljen e të drejtave të shqiptarëve e kemi ngritur edhe në nivele më të larta, por ato mjerisht po realizohen me hapa të breshkës.
SHQIP: Të kthehemi dhe një herë te Kosova. Ndarja e saj po konsiderohej si një variant i mundshëm, edhe pse shumë nga qarqet e Kosovës, por edhe ata ndërkombëtare e mohojnë herëpashere. Sa e rëndë është shkëputja e një pjesë të rëndësishme për Kosovën, siç është Veriu i saj?
MUSLIJU: Ndarjet janë të dhimbshme. Fati i popujve të zonave kufitare ka qenë gjithmonë në peshore. Besoj se me integrimet evropiane dhembja e këtyre banorëve do të zbutet dhe do të tejkalohet. Pakicat janë problem jo vetëm i Kosovës dhe Serbisë, por edhe i tërë Ballkanit. Ndarjet mbi vija etnike nuk janë favorizuese për ndërkombëtarët, besoj se edhe për këto probleme do të gjendet ilaçi.
SHQIP: Në një deklaratë të paradokohshme, ish-Kryeministri i Kosovës, Bajram Rexhepi, propozoi shkëmbimin e pjesës veriore të Mitrovicës me Luginën e Preshevës. A ju duket ky një "pazar" i arsyeshëm?
MUSLIJU: Çdo "pazar politik‘ siç thoni ju rreth ndarjes dhe bashkimit nëse gjendet ndonjë kompromis mes Prishtinës dhe Beogradit do të ishte i dobishëm dhe interesant. Por, nuk mund të vendoset për fatin e popujve pa konsultime paraprake. Në këtë rrugë duhet të pyetet edhe vullneti politik i shqiptarëve të Luginës.
SHQIP: Në rastin më të keq, ajo që ju e konsideroni Kosova Lindore do të mbetet në të njëjtin stad, ndërsa Kosova do të marrë pavarësinë. Si e shikoni ju në të ardhmen shtetin e Kosovës në marrëdhëniet me Luginën e Preshevës, Shqipërinë, Maqedoninë dhe Malin e Zi?
MUSLIJU: Sado që për shqiptarët të jetë e rëndësishme zgjidhje e statusit politik të Kosovës, nuk do të thotë se aty mbyllet edhe çështja e problemit shqiptar në Ballkan. Shqiptarët duhen të jenë në koherencë të plotë me zhvillimet politike në rajon dhe diplomacinë botërore, duke avokuar dhe lobuar fuqishëm për interesat e tyre, dhe për asnjë moment të mos bëhen vetëm spektatorë të proceseve integruese rajonale.
SHQIP: Ç‘marrëdhënie keni me faktorin shqiptar në rajon, në Maqedoni, Kosovë, Mal të Zi dhe Shqipëri?
MUSLIJU: Jo edhe gjithaq të mirë. Na mungon bashkëpunimi i mirëfilltë si ai i viteve ‘92, kur u krijua një Këshill Koordinues i shqiptarëve në ish-Jugosllavi. Duhet të jetë një bashkëpunim më i ngjeshur me bashkësitë etnike shqiptare të këtij rajoni.
SHQIP: Mendoni se faktori shqiptar në rajon duhet të ketë një platformë veprimi në të ardhmen për integrimin e faktorit shqiptar në rajon?
MUSLIJU: Po. Ne veç e kemi platformën politike të këshilltarëve shqiptarë të kuvendeve komunale në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, të miratuar më 14 janar 2006. "Duke rikonfirmuar vullnetin e popullatës të shprehur në Referendumin e 1 dhe 2 marsit të vitit 1992, për definimin e Luginës së Preshevës si rajon të posaçëm politik, territorial dhe kushtetues, këshilltarët, në përkrahje të parimeve të Grupit të Kontaktit lidhur me statusin e Kosovës, obligohen që, në rast të mosrespektimit të këtyre parimeve dhe ndryshimit eventual të kufijve të saj, do të angazhohen për bashkëngjitje të Luginës së Preshevës me Kosovën", thuhet mes tjerash në Platformën Politike.
SHQIP: Akademiku Rexhep Qosja dhe kreu i BDI, Ali Ahmeti, mendojnë se një ditë, Shqipëria me Kosovën do të bashkohet. Madje, Ahmeti shkon më tej, duke u shprehur për bashkimin edhe të shqiptarëve të Maqedonisë dhe të të gjithë vëllezërve të një gjuhe e të një gjaku. Si i komentoni këto deklarata?
MUSLIJU: Vlerësoj shumë pozitivisht idetë politike të akademikut Rexhep Qosja, në lidhje me çështjen kombëtare, që shikuar në esencë kanë të njëjtën doktrinë filozofike të veprimit politik të praktikuar nga zoti Ali Ahmeti. Çdokush është i detyruar të bëjë më të mirën e mundshme për kombin e tij. Qoftë akademiku Qosja, qoftë zoti Ahmeti kanë një qëllim të përbashkët, edhe pse, jo rrugëtim të njëjtë. Për arritjen e një qëllimi të caktuar nuk ka rëndësi rruga e përshkruar, por realizimi i qëllimit, dhe unë besoj fuqimisht në këtë qëllim. Jam i bindur se qëllimi do të justifikojë mjetet e rrugëtimit.
* * *
CV
Emri: Jonus
Mbiemri: Musliju
I lindur më 01. 05. 1959, Koncul, Bujanoc
Profesioni: Biolog.
Aktivist i Lëvizjes popullore të Kosovës prej vitit 1982.
I burgosur politik i viteve 1981 deri më 1990
Pjesëtar i UÇK-së në rolin e oficerit
Oficer i TMK në zonën e 6-të
Themelues i UÇPMB-së dhe përfaqësues politik i UÇPMB-së
Themelues i LPD-së (Lëvizja e Progresit Politik) dhe kryetar i saj
Aktualisht, zv.kryetar i Komunës së Bujanocit
Historia
Musliju: Eshtë një nga viset më të bukura të Ilirisë
Lugina e Preshevës, autoktone shqiptare
Sipas Muslijut, në zonën lindore të Dardanisë antike, shtrihet rajoni i Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës, përkatësisht Lugina e Preshevës, me një sipërfaqe tokësore prej 1249 km2 dhe 139 vendbanime. Popullata shqiptare e kësaj zone me rreth 100 mijë banorë përbën etnikumin më të vjetër të territorit të Dardanisë. Kjo zonë kufitare nga më të bukurat vise të Ilirisë, paraqet strategjinë e tokave shqiptare, patriotizmin dhe fisnikërinë si dhe begatinë e pakrahasueshme të monumenteve historike, kulturore, arkeologjike etj të kësaj ane. "E vërteta historike se rajoni i Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës paraqet tërësinë tokësore gjeografike dhe gjeopolitike me Kosovën, buron nga e dhëna arkivore se ky rajon ka qenë gjithmonë pjesë e pandarë e Vilajetit të Kosovës", thotë ai. Pas Kongresit të Berlinit, më 1878, tregon Musliju, kufiri midis Vilajetit të Kosovës dhe Serbisë kalonte nëpër Ristoc, përgjatë Bujanocit dhe Vrajës. Njohja e kufirit të Serbisë, në këtë periudhë mbi trojet shqiptare të Toplicës në veri të Kosovës së sotme dhe në lindje deri në afërsi të Nishit pati për pasojë gjenocidin e vërtetë mbi shqiptarët e këtyre viseve nga shteti serb, me ç‘rast u shpërngulën mbi 700 fshatra shqiptare, u shpronësuan, u vranë dhe u ndoqën familjet. Para dhe gjatë viteev 1878, rajoni i Preshevës dhe Bujanocit me rrethinë njiheshin si qendër e administratës otomane. "Pas vitit 1918 këto dy komuna mbetën si qendra rrethi në Zhupën e Shkupit. Më 1945, kur mbaroi Lufta e Dytë Botërore, popullata shqiptare e këtyre komunave e përjetoi edhe një ndarje tragjike. Këto komuna arbitrarisht u shkëputën nga Kosova për të mbetur si qendra rrethi ose komunash në kuadër të Serbisë", vijon ish-përfaqësuesi politik i UÇPMB-së.
Ndërkaq, rajoni i Luginës së Preshevës banohet nga popullata shumicë shqiptare dhe qysh në antikitet ka bërë pjesë në territorin e Dardanisë. Shqiptarët e këtyre viseve etnike, si pjesë përbërëse e tërë popullatës shqiptare, kanë marrë pjesë në të njëjtat procese etnogjenetike dhe paraqesin etnikumin më të vjetër të gjeografisë shqiptare. Ky proces ngërthen ndeshjen e kulturës autoktone ilire me krishterimin e të dy varianteve dhe me islamizmin. Shqiptarët janë popullata më e hershme e kristianizuar në këto zona. Në kohën e sundimit otoman, bashkë me shumë shqiptarë të tjerë, shqiptarët e këtyre tri komunave u islamizuan. Ata kanë qenë dhe mbeten pjesë përbërëse e tërësisë etnike shqiptare, pavarësisht nga ndarjet administrative për pasojë të pushtimeve të ndryshme gjatë historisë. Në kuadër të popullit shqiptar, etnografikisht ata përbëjnë një tërësi me popullatën shqiptare të Kosovës dhe të Maqedonisë Veriore, kanë në përdorim të njëjtin dialekt popullor me këtë popullatë dhe të njëjtën gjuhë letrare me të gjithë shqiptarët kudo që janë. Për më tepër ata përbëjnë pjesë të pandashme nga tërësia etnografike, gjeografike dhe ekonomike e zonës së Karadakut, që shtrihet në Kosovë, në Maqedoni dhe në Serbi, në një anë, dhe të zonës së Gollakut në Kosovë. Të gjitha lidhjet e tyre jetësore kanë qenë dhe janë me qendrat Besianë, Prishtinë, Gjilan, Dardanë, Kaçanik, Shkup dhe Kumanovë. Shumica dërmuese e popullsisë në këto komuna është shqiptare (Presheva rreth 95%, Bujanoci rreth 65% dhe Medvegja me rreth 35%), ndërsa popullata tjetër është serbe dhe rome. Një pjesë e mirë e popullatës serbe është e ardhur nga këto zona përmes kolonizimit pas shpërnguljeve masive me dhunë të shqiptarëve për në Turqi (1912-13, Reforma agrare 1924 e tutje, periudha e Rankoviqit 1953-66).
Musliju tregon se shqiptarët e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës kanë marrë pjesë aktive në të gjitha proceset kulturore, sociale, ekonomike e të tjera të të gjithë shqiptarëve si tërësi. Kanë qenë të inkuadruar në Lëvizjen Kombëtare Shqiptare për çlirim nga Turqia, në Lidhjen e Prizrenit, në Lëvizjet për çlirim përfundimtar në vitet 1908-12, sidomos në Kryengritjen e Kaçanikut dhe më vonë në të gjitha lëvizjet e shqiptarëve të ish-Jugosllavisë për të drejta dhe çlirim kombëtar. Ata kanë dhënë gjithashtu kontribut të rëndësishëm në kulturën shqiptare. Shqiptarët e këtij rajoni gjatë gjithë historisë së tyre janë shquar si kultivues të mirë të tokës, si zanatçinj dhe si tregtarë të shkathtë. "Posaçërisht shquhen si prodhues të perimeve dhe të duhanit. Edhe pse nëpër territorin e tyre kalojnë hekurudha ndërkombëtare dhe autostrada që lidh Evropën me Azinë, për pasojë të mbajtjes në gjendje moszhvillimi nga ana e pushteteve serbe e ish-jugosllave dhe të shtypjes së vazhdueshme kombëtare, shumë shqiptarë të këtyre anëve janë detyruar të shpërngulet nga trysnitë politike e të pushtetit, apo për bukën e gojës, për në Turqi, për Evropën Perëndimore apo për Kosovë", vijon Musliju rrëfimin e tij për historinë e kësaj zone.
Para Luftës së Dytë Botërore, ashtu si të gjithë shqiptarëve në ish-Jugosllavi, shqiptarëve të Luginës së Preshevës iu shkelën egërsisht të drejtat njerëzore e kombëtare, Përmes policisë dhe shtetit ata detyroheshin të iknin nga trojet e tyre: rriheshin dhe keqtrajtoheshin, u merrej toka dhe prona, qoftë me pretekst të Reformës agrare, për t‘u ndarë kolonistëve, qoftë pa pretekst fare. Gjatë Luftës II Botërore këto zona mbetën nën pushtimin bullgar, që ishte njësoj armiqësor. Megjithatë, në këtë kohë ata zhvilluan veprimtari të theksuar çlirimtare, posaçërisht në kohën pas kapitulimit të okupatorit bullgar kur u bë rezistenca e përgjithshme popullore kundër dhunës së komunistëve bullgarë, serbë dhe maqedonë.
Harta: Kosova Lindore Urim BAJRAMI
mare nga :
http://www.pashtriku.org/
Krijoni Kontakt