Doktoratura e deputetes, e parregullt.
Shkeli praktikën
"Fiksi" sjell rastin "Doktor në fushën e anestezisë"
Në Shqipëri duket se është më e thjeshtë të marrësh një titull profesor apo doktor, edhe pa ndjekur shkollën. Deputetja e Partisë Lidhja Demokratike e Dardanisë në Kuvendin e Kosovës, zonja Qamile Morina, është pajisur me një certifikatë për mbrojtjen e titullit "doktor në fushën e anestezisë". Ndërkohë që nga Universiteti i Tiranës është kthyer përgjigje zyrtare se pretendimi i znj. Morina se "ka kryer doktoraturën sipas legjislacionit shqiptar", nuk qëndron.
Deputetja e Kosovës, më 23 tetor 2002 ka marrë një certifikatë të firmosur nga ish-dekani i Fakultetit të Mjekësisë pranë Universitetit të Tiranës, zoti Mentor Petrela. Në këtë certifikatë është shënuar se zonja Qamile Morina ka mbrojtur para jurisë së përbërë nga pesë mjekë temën "Ndikimi i ushqyerjes në pneumonitë në ventilim mekanik". Sipas certifikatës, juria ka marrë vendimin që zonjës Morina t‘i jepet titulli "Doktor i Shkencave". Ndërkohë, ajo nuk figuron në regjistrin e doktoraturës së Fakultetit të Mjekësisë si e doktoruar dhe nuk ekziston asnjë praktikë në Komisionin e Kualifikimit Shkencor për miratimin e jurisë dhe gjithë procedurat e tjera.
Që të marrësh një diplomë të tillë, sidomos për titujt akademikë, ka një itinerar që duhet ndjekur me dokumentacion dhe shkollim:
- duhet të kesh mbaruar një shkollë pasuniversitare;
- duhet të regjistrohesh në Fakultetin e Mjekësisë dhe të bësh një kërkesë për të mbrojtur një titull;
- kjo kërkesë më pas miratohet në dekanat;
- kërkesa e dekanatit duhet të miratohet në rektorat;
- pas rektoratit rikthehet në fakultetin përkatës;
- me firmë të dekanit ngrihet juria;
- paraqitet punimi i diplomës nga udhëheqësi teknik para jurisë;
- miratohet nga juria, dekanati dhe rektorati, ndërkohë që komunikohet edhe me Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës (pra, ajo e legalizon).
Shehu
Deputetja e Kosovës ka një praktikë që nuk i ka kaluar të gjitha këto hallka. Ajo ka ndjekur temën me udhëheqësin, zotin Tritan Shehu dhe ka miratimin e dekanit të fakultetit, zotit Mentor Petrela. Me këto dokumente, pretendon se ka një diplomë, ndërkohë që diploma nuk ekziston. "Fiks Fare" pyeti zotin Tritan Shehu, udhëheqësin e temës së zonjës Qamile Morina. Ai e cilëson një problem administrativ gjetjen e dosjes së zonjës Morina. Ai pranon se juria ka vlerësuar vetëm nivelin shkencor të temës. Ndërsa problemet e tjera ia lë për t‘i zgjidhur dekanati dhe rektorati.
Petrela
"Fiks Fare" shkoi dhe pyeti ish-dekanin e Fakultetit të Mjekësisë, zotin Mentor Petrela, i cili ka firmosur certifikatën e gradimit të zonjës Qamile Morina, me titullin "Doktor i Shkencave". Ai është i bindur që zonja Morina e meriton këtë titull, madje flet me fjalën e tij të nderit. Të gjithë shqiptarët mund të meritojnë një titull, por duhet të ndjekin një shkollë për ta fituar atë. Ish-dekani i Mjekësisë nuk duhet ta kishte firmosur këtë dhënie titulli dhe duhet të kishte ndjekur rrugën ligjore.
Rrokaj
Ish-rektori i Universitetit të Tiranës, zoti Shezai Rrokaj, na konfirmoi se certifikata nuk është e rregullt, pasi nuk është ndjekur rruga administrative. Të njëjtën gjë na konfirmon edhe një nga anëtarët e jurisë, doktor Ilir Ohri, i cili aktualisht është shef i shërbimit të anestezive-reanimacionit në QSUT "Nënë Tereza", në Tiranë. Ai është një nga pesë anëtarët e jurisë. Sipas tij, "kjo diplomë është punuar në mënyrë teknike, është paraqitur para jurisë, por nuk është ndjekur rruga administrative. Kjo është një certifikatë, nuk është diplomë për doktor shkencash".
Që deputetja e Kosovës, zonja Qamile Morina, të quhet "Doktor i Shkencave", duhet ta ndjekë rrugën nga e para, duhet të bëjë një shkollë pasuniversitare. Ndërkaq, as punimi nuk i humbet.
DEKLARATAT
Mentor Petrela
Ish-dekan i Fakultetit të Mjekësisë në UT
Bazuar në deponimet e profesorëve që e kanë marrë në shqyrtim dosjen e saj dhe që kanë ndjekur punimin e saj shkencor, po ju them që ajo e meriton atë titull. Pastaj ato procedurat dhe letrat janë probleme të tjera. Në universitet mund të ketë periudha që, siç ka qenë një periudhë më përpara, ka pasur rregulla të tjera. Unë po flas "ad urbe kondicio", po flas me "parolle d‘onor", siç thonë francezët. Universiteti i Tiranës mund t‘i japë titujt dhe me letra edhe me para. Unë po të them "ad urbe kondicio" dhe "parolle d‘onore", që ajo e meriton këtë titull.
Shezai Rrokaj
Ish-rektor i UT
Ky dokument akademik nuk plotëson procedurat e nevojshme për t‘u cilësuar si i vlefshëm në dokumentacionin shqiptar. Nga njëra anë rezulton një praktikë brenda departamentit dhe me vendimmarrje të dekanit të asaj kohe, që autorizon mbrojtjen, dhe nga ana tjetër nuk rezulton i regjistruar numri i doktoraturës dhe të verifikohet situata, ashtu siç ka qenë. Por që ka shkelje procedure, kjo është shumë e qartë për këdo.
Tritan Shehu
Udhëheqës i temës
Ky është një problem që duhet ta zgjidhë nga ana administrative dekanati dhe rektorati. Unë kam qenë udhëheqës shkencor, juria ka vlerësuar nivelin shkencor. Problemet burokratike duhet t‘i zgjidhin strukturat e tjera.
Ilir Ohri
Anëtar i jurisë
Doktoreshë Qamile Morina, anesteziste me mjaft eksperiencë në spitalin e Prishtinës, u paraqit para komisionit të shërbimit anestezi- reanimacion për mbrojtjen e titullit me temën përkatëse. U krijua një juri me 5 anëtarë dhe me urdhër të dekanit të asaj kohe, i cili dërgoi një letër në shërbimin tonë. Juria dha vendimin e saj që doktoreshë Qamile Morina e meriton titullin për doktore shkencash. Por juria nuk mund të bëjë anën administrative, që duhet ta ndjekë dekanati, rektorati dhe Komiteti Shkencor. Në bazë të dokumenteve, Qamile Morina nuk e ka ndjekur këtë rrugë. Kjo certifikatë nuk është diplomë, është certifikatë që ajo ka mbrojtur temën e saj para jurisë, por nuk ka ndjekur rrugën administrative. Është rasti i vetëm për doktor shkencash. Kjo certifikatë nuk është diplomë doktorature.
Rasti tjetër
Edhe Lutaj me parregullsi
Doktori i njohur, zoti Pajtim Lutaj, ka marrë titullin "Profesor i Asociuar", pa qenë "Doktor i Shkencave". Komisioni i Kualifikimit Shkencor ka konstatuar parregullsi në dosjen e doktoraturës së z. Lutaj. Më 24 shtator 1999 ai ka fituar titullin "Doktor Shkencash" pranë Komisionit të Kualifikimit Shkencor. Këtë titull e ka marrë pas një specializimi të kryer në Francë, në universitetin "Paris VI Pjer dhe Mari Kyri". Ish-kryetari i Komisionit të Kualifikimit Shkencor, zoti Et‘hem Ruka, ka firmosur ekuivalentimin e gradës që ka fituar mjeku Lutaj në Francë me gradën "Doktor i Shkencave" në Shqipëri. Ndërkohë që në vitin 2006, Komisioni i Kualifikimit Shkencor pranë Këshillit të Ministrave hapi dosjen e zotit Lutaj dhe konstatoi që nuk kishte asnjë dokument për ta bërë të barasvlershëm specializimin e kryer në Francë. Në dosjen e tij nuk kishte asnjë dokument për të mbështetur titullin ligjërisht. "Kjo është diplomë specializimi, siç janë diplomat e mjekëve", shpjegoi për "Fiks Fare" specialisti i njohjes së diplomave në MASH, zoti Edmond Cane. Sipas tij, "diploma DIS në Shqipëri nuk është e barasvlershme me doktor shkencash. DIS është vetëm specializim dhe specializimi nuk është doktoratë. Duhet të ketë diplomën e doktoratës, që shkruan ‘Doktor Shkencash‘. Pa të nuk mund të ekuivalentohesh". Ndërkohë, 5 vjet pas marrjes së këtij titulli, zoti Lutaj ka marrë titullin "Profesor i Asociuar". Për këtë titull duhet të aplikohet pesë vjet pas marrjes se titullit "Doktor Shkencash", gradë që zoti Lutaj nuk e ka.
Shqip
Krijoni Kontakt