Funksionarja e Ministrisë së Jashtme, 8 orë “peng” në policinë e New Yorkut
Monday, 04 February 2008
Shtohen skandalet e zyrtarëve të lartë shqiptarë, që shkojnë me shërbim jashtë vendit për punët e shtetit, madje edhe nga sektori i diplomacisë. Ditën e premte, në New-York të SHBA, mësohet se një funksionare e lartë e Ministrisë e Jashtme të Shqipërisë është mbajtur tetë orë në zyrat e policisë së New-Yorkut. Siç mësohet nga burime brenda Ministrisë së Jashtme, një delegacion i kësaj ministrie është nisur për në Washington, për një vizitë pune diplomatike në emër të shtetit shqiptar. Qëndrimi i tyre në New-York, u shty si rezultat i kohës së ndërrimit të avionëve,kohë kur zyrtarët tanë të ministrisë së jashtme, dolën në mjediset e qytet për të bërë shopin. Gjithmonë sipas këtij burimi, shkak për marrjen në zyrën e policisë amerikane, të zyrtares së lartë të Ministrisë së Jashtme, ka qenë sinjali i alarmit në dyqanin ku po blinte zonja në fjalë. Midis artikujve që zyrtarja e diplomacisë shqiptare kishte blerë, ishte dhe një çantë e cila kishte “kaluar” pa paguar. Alarmi i dhënë nga sinjalizuesit që vendosen në dyqane, alarmoi shitësit, të cilët lajmëruan menjëherë policinë. Pas një kohe relativisht të gjatë dhe pas shumë ndërhyrjesh, zyrtarja që u kap me çantën e papaguar është lënë të vazhdojë udhëtimin e saj për Washington. Ky incident i zyrtares së Ministrisë së Jashtme, rrezikoi seriozisht misionin e delegacionit shqiptar, si dhe komprometoi rëndë figurën e këtij shteti. Funksionarja e kapur duke zhvatur në dyqan është shefe sektori në këtë ministri dhe është nja nga personazhet, që është emëruar nga ministri Lulëzim Basha. Megjithëse ministri Basha, nuk ka qenë i informuar për këtë incident, nuk ka vonuar kryeministri Berisha, t’i kërkojë llogari për skandalin e funksionares së vet. Shefi i qeverisë së “duarve të pastra”, i ka kërkuar ministrit Basha, të sqarojë këtë episod, i cili në të vërtetë përbën një skandal, që duhet shënuar në librin “Gines” të skandaleve të zyrtarëve të lartë të qeverisë shqiptare. Ky delegacion, tashmë është kthyer në Shqipëri, por “zhurma” e bërë prej “çantës” ishte dhe mbetet “damkë” dhe problematike.
Precedentët e qëndrimeve skandaloze
Rasti i funksionares në fjalë, nuk është rastësi për diplomacinë shqiptare. Fenomene të tilla, kanë ndodhur gjithmonë. Skandale ka krijuar dhe sjellja e ambasadores tonë në Danimarkë, ku ambasadorja Dalla, ka bërë një sërë sjelljesh skandaloze: Në komunikimin me pronarin e ish-Godinës së Ambasadës sonë, duke i thënë “I will bring you to the court”; me shërbimin e makinave dhe sidomos, në rastin e përplasjes së makinës së Ambasadës, me një tjetër danez (makina drejtohej prej saj), duke i bërtitur drejtuesit danez të veturës në mes të rrugës dhe në ambient publik: “Ju e keni fajin...ju idiotë..etj”, dhe duke e kërcënuar se “I am Ambassador of Albania”. Dy punonjësit e policisë, që erdhën për të mbyllur aksidentin sipas rregullave, janë gjendur në pozitë të vështirë, kur dëgjonin ambasadorin e Shqipërisë, të komunikonte duke akuzuar vendosmërisht dhe me tone të larta qyetarin danez, në një kohë, që për aksidentet ka rregulla të caktuara dhe shoqëri sigurimi. Tashmë skandalet e zyrtarëve shqiptarë nëpër botë, nuk ndodhin për herë të parë. Diplomacia shqiptare, tashmë është kthyer në një vend, ku mund të mbahen dhe ndihmohen miqtë dhe shokët e jo si një vend shërbimi zyrtar(për më tepër diplomatik), që përfaqëson fytyrën e shtetit shqiptar. Përsa kohë, emërohen dhe ç’emërohen njerëz, të cilët “gradohen” dhe “ç’gradohen” me merita militantësh, apo qoftë edhe si rezultat i lidhjeve sentimentale, farefisnore e krahinore, do të kemi përfaqësime të tilla jo dinjitoze deri në përmasa skandalesh.
Emërimet “diplomatike” të Berishës: politike, preferenca, interesa dhe miqësi
Ambasadore me një post të dyfishtë është Mimoza Kondo (Halimi) e cila është në Bruksel, ambasadore e Shqipërisë në Mbretërinë e Belgjikës dhe shefe e Misionit të Shqipërisë, pranë Bashkimit Europian. Personi që mban këtë post të rëndësishëm të diplomacisë shqiptare, kur objektivi i politikës shqiptare është integrimi europian, ka mbaruar studimet e larta në Institutin e Marrëdhënieve Ndërkombëtare në Moskë. Në një tjetër vend të rëndësishëm për Shqipërinë, në Turqi, ambasada Shqiptare ka mbetur pa titullar prej dy vjetësh dhe atje,detyrën e titullarit të ambasadës e ushtron në cilësinë e të ngarkuarit me punë, nr. 2 i ambasadës, këshilltari, që është Neritan Kolgjini. Neritan Kolgjini është ish-korrektori i gazetës «TemA» të Mero Bazes, punë të cilën e ka bërë deri në prill 2006, kur u emërua në diplomaci. Kolgjini shkoi në këtë post, sepse i duhet Mero Bazes, për të bërë biznese me Turqinë. Teodor Laço, i cili hyn në diplomaci si fillestar me këtë detyrë të rëndësishme, të cilën e ka marrë si kompensim nga Berisha, ngaqë nuk u bë (nuk e bënë dot) deputet në vitin 2005. Për më tepër, që Laço është në moshë të madhe, 72 vjeç dhe nuk është mirë me shëndet. Në Vatikan, të gjitha vendet serioze çojnë si ambasadorë, njerëz me kulturë, njohës të latinishtes, të cilët mund të organizojnë kërkime në dobi të vendeve të tyre, në arkivat e famshme të Vatikanit, gjë për të cilën, Shqipëria ka shumë nevojë. Ndërsa Shqipëria, çoi në Vatikan si ambasador, një farë Rrok Logu, që iu propozua Berishës, nga Partia Demokristiane, një njeri të mirë, por që nuk është asfare në lartësinë e detyrës së tij. Ambasadore e Shqipërisë në Spanjë është Anila Bitri. Kjo e ka marrë këtë post që gjatë qeverisjes socialiste, jo për meritën e saj, por sepse është gruaja e Remzi Lanit, post që vazhdon e mbanë edhe nën pushtetin e Berishës, i cili do që ta ketë mirë me njeriun e Sorosit në Tiranë, Remzi Lanin. Ambasadori i Shqipërisë në Zvicër, Mehmet Elezi e mori këtë post shpërblim, si mik i Berishës, sipas parimit të kamariljas. Praktika e kompensimit, ka vepruar edhe në rastin e ambasadorit që u emërua në Bullgari, Bujar Skëndajt, ish-kryeredaktorit të gazetës «55».
SOT.
Krijoni Kontakt