Panorama
Dështimi me tragetin në liqenin e Shkodrës
- Inaugurimi që i bëri qeveria shqiptare pikës së kalimit kufitar Ura e Bunës-Vir Pazar rezulton i dështuar.
SHKODER
Kanë kaluar rreth 20 muaj që kur kjo pikë kalimi kufitare u inaugurua me mjaft bujë nga qeveria, por realisht që nga dita kur është inauguruar kjo pikë kalimi kufitare nuk ka funksionuar asnjëherë si e tillë. Edhe pse u mendua se pas 62 vitesh do të rinisë sërish transporti ujor i udhëtarëve nëpërmjet liqenit të Shkodrës drejt Malit të Zi, kjo nismë dështoi.
Për këtë situatë të krijuar palët ia hedhin fajin njëra-tjetrës. Kështu burime nga Prefektura e Shkodrës bëjnë të ditur se nga pala Shqiptare gjithçka është gati, por ka ngelur pa u hapur nga malazezët, pasi shpallja e Malit të Zi si Republikë më vete ka bërë edhe procedurat e rihapjes së kësaj pike kalimi ujor të rishikohen nga e para.
Ndërkohë që burime nga Ministria e Mjedisit të Malit të Zi kanë bërë të ditur se pala malazeze e ka dëshirën për vënien në efiçensë të kësaj pike kalimi, por kushtet mjedisore që ofron Shqipëria janë të papranueshme pasi në vendin ku ndalon trageti, tek moloja e urës së Bunës derdhen të gjitha ujerat e zeza të qytetit të Shkodrës dhe kjo është e papranueshme për ta, aq më tepër në një kohë kur bëhet fjalë për udhëtime turistike.
Krijoni Kontakt