Henri BERGSON

1.
Zhvillimi i drejtësisë përkufizohet si një rrugë drejt lirisë e barazisë.
Kjo nuk diskutohet, po ku është përfitimi? Vlen për të shkuarën, por nuk na orienton për të ardhmen.
Marrim lirinë, për shembull. Sot thuhet se individi ka të drejtë të jetë i lirë, mjaft të mos cënojë lirinë e të tjerëve. Megjithatë, lejimi i një lirie të re, që do të sillte përvetësimin e të gjitha lirive në shoqëritë e sotme, mund të prodhojë pasoja të kundërta me një shoqëri, ku kjo reformë ka shndërruar ndjenjat e zakonet. Ndaj është shpesh e pamundur të themi a priori se cila është masa e lirisë, që mund t’i jepet individit pa dëmtuar lirinë e të tjerëve: kur ndryshon sasia, nuk ruhet cilësia.

2.
Nga ana tjetër, barazia arrihet vetëm në kurriz të lirisë, kështu që duhet të fillojmë me pyetjen se cila është më e parapëlqyeshme mes të dyjave.
Gjithsesi, kjo pyetje nuk nxit asnjë përgjigje të përgjithshme, sepse sakrifikimi i kësaj apo asaj lirie, nëse mirëkuptohet nga bashkësia e qytetarëve, është ende liri; dhe, mbi të gjitha, liria që mbetet mund të jetë cilësore, nëse reforma e kryer në drejtim të barazisë ka dhënë një shoqëri ku merret frymë lirisht, ku provohet më tepër gëzim për të vepruar.
Çfarëdo që të bëjmë, duhet të kthehemi gjithmonë te botëkuptimi i krijuesve moralë, që paraqesin mendërisht një atmosferë të re shoqërore, një mjedis ku ia vlen të jetosh, dua të them, një shoqëri të tillë që, nëse njerëzit do ta provonin, nuk do të donin të ktheheshin sërish në gjendjen e mëparshme. Kështu do të përkufizohet zhvillimi moral; por mund të përkufizohet vetëm pasi gjërat janë kryer, kur një natyrë morale e parapëlqyer ka krijuar një ndjenjë të re, të ngjashme me një muzikë të re dhe ua ka përcjellë njerëzve bashkë me hovin e vet.

3.
Duke gjykuar kësisoj për lirinë, barazinë dhe reflektimin e të drejtave, do të shihet se midis idesë së drejtësisë së mbyllur dhe idesë së drejtësisë së hapur ka një dallim rrënjësor. Sepse drejtësia relativisht e qëndrueshme, e mbyllur, që shpreh drejtpeshimin e vetvetishëm të një shoqërie të dalë nga gjiri i natyrës, paraqitet me zakone ku mbërthehet “tërësia e detyrimit”, dhe kjo tërësi përfshin, në masën me të cilën pranohet nga opinioni publik, rregullat e drejtësisë tjetër, të hapur ndaj krijimeve të njëpasnjëshme.
Pra, e njëjta formë u diktohet dy lëndëve, njëra e dhënë nga shoqëria, tjetra e lindur nga gjeniu njerëzor. Praktikisht ato duhet të ngatërrohen, por filozofi do t’i dallojë duke mos u gabuar lidhur me karakterin e evolucionit shqëror dhe, në të njëtën kohë, me zanafillën e detyrës.

4.
Evolucioni shoqëror nuk është ai i një shoqërie, që do të ishte zhvilluar me një metodë të paracaktuar për ta shndërruar më vonë. Midis zhvillimit e shndërrimit nuk ka këtu asnjë përngjasim. Meqë drejtësia, e mbyllur apo e hapur, trupëzohet në ligje njësoj urdhëruese, që formulohen në të njëjtën mënyrë dhe që ngjajnë së jashtmi, kjo nuk do të thotë se duhet të shpjegohen në të njëjtën mënyrë. Asnjë shembull tjetër nuk do të tregonte më mirë këtë zanafillë të dyfishtë të moralit dhe dy përbërësit e detyrimit.
Në këtë pikë, nuk ka dyshim se arsyeja duket si urdhërori i vetëm, se njerëzimi është i interesuar t’u japë pikëpamjeve morale një autoritet të vetin dhe, së fundi, se veprimtaria morale në një shoqëri të qytetëruar duhet të jetë thellësisht racionale, për ndryshe nuk do të dinim se ç’duhet bërë në çdo rast të veçantë. Aty ka forca të thella, njëra shtyn e tjetra tërheq: nuk mund t’i drejtohemi secilës prej tyre, sa herë që duhet të marrim një vendim.
Në shumicën e rasteve, kjo do të thotë të bësh më kot një punë që shoqëria, në përgjithësi në një anë, dhe ajka e njerëzimit në anën tjetër, kanë kryer tashmë për ne. Kjo punë ka kulmuar me formimin e rregullave dhe përvijimin e një ideali: të ndjekësh këto rregulla, t’i përshtatesh këtij ideali, do të thotë të jetosh moralisht.

Përktheu Erion Kristo

C'fare do te thote per ju "te jetosh moralisht" pas leximit te ketij shkrimi?!

Respekte