Të dashur lexues të Gazetës “Kë shau sot Politikani Filan, kë puthi seksbomba Fistekja, dhe Lajmi më i Zi nga Kronika”. Duke marrë parasysh numrin e madh të vetvrasjeve këto ditët e fundit, dhe si rrjedhim edhe rënien e interesit për to (është një ligj ekonomik që oferta e madhe sjell edhe uljen e çmimit) redaksia e gazetës ju këshillon që nëse doni të dilni në faqen tonë të parë, të ruajtur në ditët e zakonshme për “yjet e tanishme, dhe të vdekura të politikës”, “yjet e skenës”, dhe “yjet thjesht lakuriq” të ndiqni hapat e mëposhtëm:
1) Vriteni veten në mënyrë sa më të çuditshme, të paparë, dhe mundësisht të dhimbshme. Për shembull, fatkeqi, vdekja e të cilit na mbush sot një copëz të faqes sonë të parë, dhe rreth 60% të faqes sonë numër 12, e la këtë jetë duke u varur me një …. kabëll elektrik. Vini re ju lutem që po të ishte varur me një litar të zakonshëm ky do të ishte një lajm i konsumuar tashmë. E dini sa e varin veten me litar? Uhuuu, shumë prandaj kijeni parasysh këtë fakt. Ose nëse do të përdorni litar, të paktën zgjidhni një degë peme ku pasi t’ju gjejnë të jemi në gjendje të themi siç thoshte një gazetë konkurruese me ne, “Valevitet per 7 ore ne degen e pemes”. Zgjidhni pra, një degë të fortë që të mos këputet pas thjesht 2 ose 3 orësh.
2) Përpiquni që ti shokoni sa më shumë familjarët kur t’ju gjejnë. Për tu kthyer prapë tek fatkeqi ynë i sotëm, rastin e të cilit e përdorëm gjithë qejf për të mbushur atë copëzën e faqes së parë, a e vini ri se ç’themi mbi foton e tij? “E gjen gruaja” kemi thënë. A mendoni se do të kishte të njëjtën vlerë shokuese nëse do ta gjente, ta zëmë, një kalimtar i rastit? Ku do të ishte shoku, tragjedia njerzore këtu? Si do ta përçonim ne hidhërimin e tij tek ju pa përzier në këtë mes familjarët? Mos na kërkoni kot të lodhemi duke u përpjekur të gjejmë se përse ju zgjidhni ti jepni fund vetes, doni të dilni në faqe të parë apo jo?
3) Sigurohuni që keni lënë pas një fotografi. Nëse s’ka fotografi tuajën, duam fotografi të familjes tuaj të pikëlluar. Nëse s’ka as fotografi të familjes tuaj që vajton për fatkeqsinë, duam një fotografi të shtëpisë ku jetonit, makinës ose biçikletës me të cilën shkonit në punë, ose thjesht rrugicës ku ecnit çdo ditë. Nëse s’kemi të paktën 2 ose tre nga këto fotografi, atëherë si prisni që të mbushim faqen e gazetës me ju? Mos prapë ju gënjen mendja se do merremi me përse i dhatë fund jetës tuaj? Hiç ore, hiç fare se na mjafton një bisedë me “një tip rreth moshës X që thotë që ju ishit tip i mirë, dhe i urtë” për të bërë një shkrim mbi ju. Kaq duhet si tekst, por fotografitë, ah fotografitë. Ato vlejnë jo 1.000 por 1.000.000 fjalë.
Nëse do ti ndiqni këto udhëzime atëherë ne do të përpiqemi t’ju nxjerrim në faqen tonë të parë. Nuk e garantojmë dot që do të ndodhë kështu gjthnjë, pasi ka konkurrencë të fortë për atë faqen e parë. Për shembull, ndonjë seksbombë mund ti japi ndonjë puthje të përvëluar ose të mërdhifme (sipas rastit) ndonjë seksbombe tjetër dhe faqja natyrisht që do tu shkojë atyre. Megjithatë ne do të përpiqemi prandaj mos e humbni shpresën. Mund të mos ja kemi varur shumë halleve tuaja përtej nevojës për të marrë atë 200 leksh për gazetë, por ama në vdekje mund ta merrni më në fund vëmendjen tonë!
Faleminderit,
Redaksia e Gazetes.
***********************************************
Shkrimi i mësipërm vjen pas leximit të këtij lajmi të sotëm:
Borxhet, vetëvaret me kabëll elektrik tregtari në Laprakë
Dashamir Biçaku
Panorama
2 Shkurt 2008
Gruaja dhe fëmijët kërkuan ndihmën e komshiut për të hapur derën e njërës prej dhomave në të cilat ishte mbyllur Enver Tahiraj, 43 vjeç. Fqinji ka thyer derën e mbyllur nga brenda dhe bashkë me të afërmit e tregtarit ka gjetur 43-vjeçarin, i cili kishte humbur jetën. Ai ishte vetëvatur pasi kishte lidhur një kabëll në përcjellësin që furnizonte llambën e dhomës me energji elektrike që ndodhej në tavan. Ngjarja ndodhi në zonën në afërsi të Spitalit Ushtarak në Tiranë, ku ndodhet banesa e babait të dy fëmijëve të mbetur jetimë. Mbrëmjen e të enjtes policia e Komisariatit nr.3, është njoftuar se në rrugën “Lord Bajron”, një burrë është vetëvarur në rrethana të paqarta. Hetuesit kanë bërë verifikimin e vendit të ngjarjes dhe kanë marrë në pyetje anëtarët e familjes së viktimës. Policia ka mësuar se viktima ishte vetëvarur në kushtet e depresionit nervor. Sipas hetimeve, 43-vjeçari kishte në pronësi të tij një “Fast-Food” dhe një lokal pranë zonës ku banonte. Të afërmit e viktimës i thanë policisë se kishin konstatuar gjendjen e rënduar të tregtarit porse ishin habitur nga veprimi i tij vetëvrasës, pasi nuk e prisnin një gjë të tillë. Pas marrjes së deklarimeve nga të afërmit e viktimës, policia ka përqendruar hetimin në dy pista: vetëvrasje për shkak të borxheve që lidhen me biznesin dhe ndonjë problemi të brendshëm familjar.
Dyshimi për borxhet
Burimet zyrtare nga policia thanë se, nga hetimet e para borxhet për shkak të biznesit dhe problemet në familje dyshohet se janë shkaqet kryesore të vetëvrasjes. Policia po verifikon edhe pistën e ndonjë konflikti të mundshëm të viktimës me njerëz të tjerë jashtë familjes. Të afërmit i kanë pohuar policisë dhe hetuesve se më parë, Enveri, nuk kishte folur në shtëpi për ndonjë shqetësim. Burimet e policisë sqaruan se, disa muaj më parë, i vëtëvaruri kishte marrë një lokal me qira nga motra e tij por më pas ia kishte rikthyer atë biznes pasi nuk kishte ecur mirë. Hetuesit kanë mësuar se gjithsesi viktima kishte vazhduar të mbante aktivitetin në një lokal pranë shtëpisë dhe një “Fast-Food”, në Laprakë. Një fqinj i familjes Tahiraj, tha dje për gazetën “Panorama” se, e kishte parë të enjten Enverin të kthehej në shtëpi normalisht me autoveturën e tij, një “Mercedez”, në ngjyrë të kuqe. “Nuk dukej të ishte i mërzitur, por ndoshta mund të ketë pasur patjetër ndonjë problem që ka arritur deri në atë pikë”, tregon fqinji ndërsa familjarët e viktimës nuk pranuan të komunikojnë me median. Pasi ka parkuar qetësisht automjetin, tregtari ka hyrë në banesë, është mbyllur në njërën nga dhomat e shtëpisë dhe ka lidhur kabllin elektrik që kishte marrë me vete. Fëmijët dhe gruaja e viktimës tentuan të hapnin derën por ia arritën vetëm me ndihmën e komshiut, ndërsa mjekët ligjorë thanë se tregtari ka vdekur nga bllokimi mekanik i frymëmarrjes në grykë si pasojë e peshës së ushtruar nga trupi i tij mbi kabllin e lidhur në tavan.
Fqinji: Dëgjuam britmat por menduam se ishte ndonjë sherr
TIRANË - Enver Tahiraj banonte në një shtëpi, fare pranë shinave të trenit, në zonën pas Spitalit Ushtarak në Tiranë. Aty ai banonte prej më tepër se 10 vitesh që nga koha, kur bashkë me familjen kishte braktisur shtëpinë e tij në Kukës dhe kishte ndërtuar një të re në Laprakë. Një burrë rreth të 50-ve, që banon jo shumë larg nga shtëpia e familjes Tahiraj tregon se Enveri dukej njeri i qetë dhe punëtor. “Kishte dy lokale dhe merrej me to. Nga gjendja ekonomike nuk ishte keq sepse nga puna me biznesin nuk dilte keq”. Burri i cili qëndron në një dyqan lagjeje, tregon se ishte mbrëmje kur kishte dëgjuar ulërimat e njerëzve që vinin nga drejtimi i shtëpisë së Enverit. Fillimisht ai pohon se kishin menduar se ka ndodhur ndonjë sherr apo grindje në lagje. “Më pas mësuam se tek banesa e Enverit dikush kishte varur veten. Nuk po e kuptonim se cili ishte. Në fillim po thonin për një fëmijë, por më pas u mor vesh se Enveri ishte varur në shtëpi”. Sipas tij, një fqinj kishte hapur derën e shtëpisë pasi ai e kishte mbyllur nga brenda dhe ajo nuk hapej. “Dëgjova se ai e kishte gjetur të varur në dhomë, ndërsa e kishin kërkuar për ndihmë. Pastaj erdhi policia dhe ata nisën të merreshin me këtë punë”. Shitësi shton se kishte mbetur i habitur nga një veprim i tillë i fqinjit të tij, pasi Enveri nuk kishte probleme ekonomike. d.b
Peshkupauje.com
Krijoni Kontakt