Çmimet, si mund të zbutet kriza
Shtrenjtimi i ushqimeve alarmon ekspertët. Civici: Qeveria të marrë masa urgjente dhe afatgjata. PS: Interpelancë me Berishën
Situata e turbullt në tregun ndërko
mbëtar të ushqimeve ka filluar të
shqetësojë ekspertët vendas, të cilët
i bëjnë thirrje qeverisë të ndërmarrë politikat
dhe masat e duhura për të përballuar
atë që sot bota po e konsideron sfidë: sigurimin
e ushqimeve të domosdoshme, në
sasi të mjaftueshme dhe me një çmim të
përballueshëm, për popullsinë. Adrian
Civici, në një intervistë për gazetën "Shqip",
analizon pozicionin e Shqipërisë përballë
kësaj situate dhe rreziqet që i kanosen
ekonomisë sonë.
Ç‘po ndodh me tregun ndërkombëtar
të produkteve ushqimore?
A kemi një rikthim të krizës, apo
është kriza e parë ajo që po vazhdon
më gjatë seç pritej?
Tregjet ndërkombëtare të produkteve
ushqimore e kanë filluar me një "nervozitet"
dhe turbulencë të madhe vitin
2008. Në bursat kryesore të lëndëve të para
dhe sidomos atyre agro-ushqimore, po
konstatohen përditë rritje shqetësuese
çmimesh të produkteve si gruri, mielli, misri,
vajrat ushqimorë, mishi etj. Aq e madhe
dhe preokupuese duket kjo krizë, sa revista
"Financial Post Business Magazine" nënvizonte
se "rritja e fortë e çmimeve të
produkteve ushqimore do të vazhdojë akoma
edhe në muajt e vitet që do të vijnë.
Sfida më e madhe për botën aktualisht nuk
është nafta dhe çmimi i saj prej 100 dollarësh
për fuçi, por është garantimi i ushqimit".
Sipas revistës, çështja nuk është të
dimë nëse kjo krizë do të vijë apo jo, por kur
do të shfaqet më gjerësisht?" Ekspertët
nënvizojnë se shkaqet kryesore të saj janë,
së pari, rritja eksponenciale në tregun
botëror e kërkesave për drithëra, miell,
qumësht, mish, vezë, vaj ushqimor etj.,
nga vendet në zhvillim, klasa e mesme e të
cilave si pasojë e rritjes ekonomike, po
bëhet përditë më kërkuese në modelet e
saj ushqimore, që tashmë u përafrohen
atyre të vendeve të zhvilluara (të mos harrojmë
se bëhet fjalë për rreth 1 miliard konsumatorë
të rinj në tregun botëror të ushqimeve);
së dyti, prodhuesit më të mëdhenj
të drithërave në botë, SHBA, Kina,
Kanadaja, Franca, India, Australia, Argjentina,
Rusia dhe Ukraina njoftojnë sasi më të
vogla prodhimi këto dy vitet e fundit, madje,
disa prej tyre nga eksportues po kthehen
në importues drithërash, pasi nuk i plotësojnë
dot as nevojat e tregut të brendshëm;
së treti, është rritja e përdorimit nga ana e
vendeve të zhvilluara të drithërave dhe kulturave
etero-vajore për prodhimin e bio-karburanteve,
dukuri që jo vetëm e zvogëlon
sasinë e këtyre ushqimeve bazë në tregjet
botërore, por dhe i vendos vendet e varfra
dhe ato në zhvillim përballë blerësve të pasur
të SHBA-së, BE-së etj. Si konkluzion,
mund të thuhet se kjo nuk pritet të jetë një
krizë e përkohshme koniunkturore apo kalimtare,
e lidhur me faktorë klimaterikë apo
spekulativë, por ajo tashmë vlerësohet si një
"krizë strukturore", efektet e së cilës mund
të jenë disavjeçare.
Cili është pozicioni i Shqipërisë
përballë këtyre zhvillimeve?
Efektet e krizës, tregu dhe çmimet shqiptare
po i ndiejnë përditë. Buka është
rasti më evident, por krahas saj, ku më
shumë e ku më pak, rritja e çmimeve konstatohet
dhe te frutat, perimet, mielli, misri,
mishi etj. Ne jemi një vend që, për sa u
përket produkteve agro-ushqimore importojmë
7-8 herë më shumë se sa eksportojmë,
pra jemi në një masë të konsiderueshme
të varur nga tregjet e huaja.
Të importosh rreth 450-500 milionë euro
produkte ushqimore në vit, natyrisht që të
bën shumë të ekspozuar ndaj efekteve të
tregut botëror. Por, problemi më i rëndësishëm
për Shqipërinë është mënyra se si
po e trajtojmë këtë situatë, që shumë
vende të tjera e cilësojnë si "tejet preokupuese".
Institucionet tona vazhdojnë të
insistojnë në shpjegimin se "është thjesht
tregu ai që vendos çmimet", se "spekulatorët
potencialë do të ndëshkohen", se
"jemi ekonomi dhe vend i vogël dhe nuk
kemi se ç‘të bëjmë", ndërkohë që politika
dhe vendimmarrësit e rëndësishëm, përtej
shqetësimit legjitim për pasojat sociale të
këtij fenomeni, nuk i kushtojnë rëndësinë
e duhur politikave dhe masave strukturore
afatgjatë për ta përballuar këtë situatë, që
në të gjithë botën po perceptohet si afatgjatë.
Kthimi i menjëhershëm i vëmendjes
ndaj sektorit të bujqësisë dhe agro-industrisë,
përpunimi i paketave speciale
mbështetëse e nxitëse për prodhimin nga
ana e fermerëve tanë të drithërave, miellit,
etero-vajoreve etj., në vend; orientimi dhe
alokimi i investimeve dhe financimeve
publike e private me përparësi drejt modernizimit
të prodhimit të produkteve bujqësore
e ushqimeve dhe rritjen e rendimenteve;
mbështetjen e industrive agro-përpunuese
që punojnë me lëndë të para vendase;
zgjidhja urgjente e paqartësive mbi
pronësinë e tokës etj., janë disa nga masat
strukturore afatgjatë të nevojshme. Problem
tjetër është dhe situata monopol apo
numri i kufizuar i tregjeve të huaja në disa
prej sektorëve të importit të produkteve
agro-ushqimore. Natyrisht, n.q.s. ne vazhdojmë
të blejmë rreth 50% të miellit apo grurit
në tregun rus, është normale që masa
drastike e qeverisë ruse për ta trefishuar taksën
mbi eksportet e grurit do të ndihet
shumë edhe në tregun dhe çmimet shqiptare.
A duhet t‘u trembemi efekteve
të mundshme zinxhir të rritjes së
çmimit, të cilat mund të prekin
edhe produkte të tjera ushqimore
pas drithërave?
Ekspertët ndërkombëtarë të tregjeve
vlerësojnë se viti 2008 pritet të reflektojë
gjerësisht si ato që quhen efekte direkte,
ashtu edhe efektet e raundit të dytë apo
indirekte. Në nivel mesatar botëror, gjatë
2007-ës konsumatorët kanë i paguar 6.5%
më shtrenjtë ushqimet e tyre, si pasojë e
kësaj krize. Çmimi i grurit u rrit mbi 90%,
çmimi i misrit në 45% etj. Si efekte zinxhir të
pritshme në tregjet botërore konsiderohen
rritja e çmimit të mishit, makaronave, sektorit
të biskotave, vajrave ushqimore,
qumështit dhe nënprodukteve të tij, miellit
dhe ushqimeve të koncentruara për
blegtorinë etj. Mekanizmi i çmimeve reflekton
proceset prodhuese. Kështu, p.sh., sa
më shumë rriten kërkesat për mish, aq më
shumë rriten kërkesat për ushqim për blegtorinë
si misër, grurë, foragjere etj. Në këtë
pikë mendoj se duhet të jemi maksimalisht të kujdesshëm dhe duhet të fillojmë të
ndërtojmë skenarët e mundshëm të
prekjes nga ky fenomen kaskadë, si dhe
politikat e masat më efektive për ta përballuar
pa kosto sociale.
Për herë të parë, pas shumë
vitesh, Forumi Ekonomik i Davosit
paralajmëroi se disa vende, kryesisht
ato me të ardhura të ulëta dhe
të mesme, krahas rreziqeve tradicionale
rrezikojnë këtë vit të përballen
edhe me vështirësi në sigurimin
e ushqimeve. Si e shikoni
pozicionin e Shqipërisë përballë
këtyre risqeve?
Alarmin më të madh në këtë drejtim,
përveç Forumit të Davosit e ka dhënë FAO.
Jacques Diouf, drejtor i përgjithshëm i këtij
organizmi, deklaroi se "viti 2008 rrezikon të
krijojë një rrezik ushqimor serioz në shumë
vende të botës, sidomos te shtresat e varfra
të popullsisë". Po sipas FAO-s, "rritja e çmimeve
të shumë produkteve ushqimore
mund të bëhet shkak dhe për probleme
sociale në zona të caktuara. Më shumë se
36 vende të botës janë, apo mund të bien
së shpejti në kriza ushqimore. Në total,
fatura e importeve të drithërave për këto
vende mund të arrijë shifrën rekord prej 28
miliardë USD në 2008-ën, ose 14% më e
lartë se një vit më parë". Në total, për të
gjitha vendet në zhvillim, vlerësohet se
importet e drithërave do të kushtojnë në
shifrat rekord të 52 miliardë USD. Edhe
Shqipëria, si një vend importues neto, për
sa i përket jo vetëm drithërave dhe miellit,
por edhe shumë produkteve të tjera agroushqimore,
duhet ta shikojë me urgjencë
dhe me shumë kujdes politikën e saj agrare
dhe ushqimore për t‘u paraprirë situatave,
që tashmë nga shumë drejtime po paralajmërohen
si të mundshme për të ndodhur.
Po përmend vetëm dy shembuj për të
konkretizuar që tashmë shumë vende e
qeveri kanë filluar të lëvizin me shpejtësi.
Në Pakistan, Presidenti Musharraf, në
përgjigje të krizës krijoi Komitetin Federal
të Ushqimit, i cili po ndjek nga afër situatën
dhe po përgatit një paketë speciale masash
e politikash në përgjigje të kësaj krize.
Qeveria algjeriane bleu me një vendim të
veçantë 4 milionë tonë grurë për ta pasur si
stok rezervë për vitin 2008, në mënyrë që
të ketë mundësi të ndërhyjë në treg dhe
mbajtur në nivele të pranueshme çmimet
e bukës e nënprodukteve të tjera të
drithërave, si makaronat, miellin etj.
PS: Berisha, interpelancë për çmimin e bukës
Opozita kërkon interpelancë me Kryeministrin Sali Berisha për rritjen e çmimit të bukës. Deputeti Shpëtim Idrizi deklaroi dje se qeveria është tërësisht e paaftë për të menaxhuar krizën e çmimeve në vend. Sipas tij, grupi parlamentar i Partisë Socialiste është i shqetësuar për efektet negative në ekonominë shqiptare të politikave ekonomike e fiskale të kësaj qeverie. Idrizi argumentoi se pasojat direkte të këtyre politikave negative, apo apatisë së mosveprimit të qeverisë janë: uljet e ritmeve të rritjes ekonomike apo rritja e inflacionit që po gërryen përditë paratë dhe kursimet e shqiptarëve. Socialistët pretendojnë se është rritur gjithashtu papunësia, arbitrariteti i administratave fiskale, deformimi i parimeve të ekonomisë së tregut dhe vetëdeklarimit në sistemin fiskal. "Kemi një rritje të ndjeshme të taksave mbi pagat e ulëta, rritje galopante të çmimeve të produkteve ushqimore, të konsumit të përditshëm", sqaroi Idrizi. Duke insistuar se sikur të mos mjaftonin këto, qytetarët shqiptarë këto ditë po përballen dhe me rritjen drastike të çmimit të bukës. "Përballë kësaj situate alarmante, qeveria, konstaton Idrizi, mesa duket ka zgjedhur të bëjë sehir". Opozitarët i cilësojnë të papranueshme deklaratat kontradiktore të Kryeministrit dhe ministrit të Financave për këtë problem. Idrizi citoi Kryeministrin teksa ndryshe nga çdo rast tjetër i bie shkurt dhe lan duart me shprehjen "çmimet i vendos tregu, qeveria rri e bën sehir". Sa i takon ministrit të Financave, argumentoi Idrizi, në mënyrë të habitshme, si rrugë për uljen e çmimit të bukës gjen metodën e rritjes së tatimeve, megjithëse dihet që kjo do të sillte efektin e kundërt. "Mesa duket, kjo qeveri e ka më të lehtë të kërcënojë prodhuesit me falangat e tatimorëve, duke rritur tatimet, sesa të merret realisht me zgjidhjen e këtij problemi jetik për shumicën e shqiptarëve", vlerësoi deputeti socialist. Idrizi mendon se rrugët e zgjidhjes dhe të daljes nga kriza gjenden si në programin e qeverisë apo premtimet elektorale të saj për shkallëzimin në 6% të TVSH-së për produktet bujqësore, ashtu edhe në thirrjet apo propozimet e opozitës, që në tetor të vitit 2007, për uljen dhe jo rritjen e elementëve bazë, që do të sillnin reduktimin e kostove të prodhimit. Grupi parlamentar i Partisë Socialiste i kërkon qeverisë marrjen e masave e politikave me karakter social për shtresat në nevojë. Ndërsa mirëpret dhe do të sugjerojë një skemë kompensimi, e cila do të minimizonte efektet e rritjes së çmimit të bukës për pensionistët dhe qytetarët me të ardhura të ulëta. Sakaq, socialistët i bëjnë thirrje qeverisë për hartimin e politikave për rritjen e prodhimit vendas. "Qeveria të mos bëjë sehir, por të përdorë politikat fiskale, jo vetëm për të rënduar barrën fiskale të biznesit dhe qytetarëve, por dhe si një instrument për të korrigjuar efektet negative të politikave të saj", theksoi Idrizi.
Krijoni Kontakt