SA HERË DO TA SHPALLË PAVARSINË KOSOVA?

Shkruan: Musa KURTULAJ

Shkodër, 09. 2 .2008


- Kur do të shpallet pavarsia e Kosovës ?

- Në cilin muaj, në cilën javë, në cilën ditë apo në cilën orë ?

- Kush do ta ngrejë i pari flamurin e pavarsisë së Kosovës ? …



Këto pyetje e të tjera të kësaj natyre, ka më shumë se një vit që janë kryefjala e ditës në Kosovë e në gjithë hapësirën shqiptare. Janë kaluar afate pas afatesh, parashikime pas parashikimesh në përgjigje të këtyre pyetjeve. Dashje pa dashje, këto kanë përbërë kështu edhe një rreth vicioz ku duket se ka rënë klasa politike e Kosovës e më gjërë klasa politike shqiptare.



Ndërsa është bërë e gjithë kjo mori pyetjesh e parashikime afatesh, ka munguar një theksim i domosdoshëm, i qartë dhe i prerë që do t´i bënte këto aspak të nevojshme. Ky theksim ka të bëjë me atë që Kosova asnjëherë nuk e ka njohur vartësinë e saj tek Serbia. Kush e njeh historinë e Kosovës së paku nga viti 1913 e deri në qershor të vitit 1999, kur Kosova u çlirua nga okupatorët serb, e ka mjaft të qartë se Kosova jo vetëm që nuk e ka pranuar asnjëherë vartësinë tek Serbia, por ka luftuar me të gjitha mjetet e mundëshme për t’u shkëputur nga kjo vartësi. E gjithë historia 86 vjeçare e Kosovës ( 1913 – 1999 ), është historia e qëndresës së saj kundër vartësisë që ju imponua tek Serbia. Duke mos e pranuar këtë vartësi e duke mos e njohur atë në asnjë rrethanë edhe përkundër imponimit shekullor që ju bë dhe nga faktorët ndërkombëtar, është jo shumë e gjetur që gjithçka pas vitit 1999 e deri sot të përqëndrohet në atë se kur do ta shpalli pavarsinë Kosova. Së paku kjo për klasën politike të Prishtinës e të Tiranës.



Popullit të Kosovës asnjëherë nuk ju dha e drejta të shprehej me vullnet vetëvendosje, duke u përjashtuar kështu nga kjo e drejtë universale e popujve të globit. Kosovën ja aneksuan Serbisë kundër vullnetit të popullit të Kosovës. Ky aneksim u ndërpre në qershorin e vitin 1999, duke shenuar kështu ditën e shumëpritur e shumë ëndërruar për popullin e Kosovës, ditën e lirisë. Këtu për Kosovën mori fund këputja e vargonjëve të vartësisë së imponuar tek Serbia.



Në këtë kontekst, pyetja e pyetjet e tjera rreth asaj se kur do ta shpalli Kosova pavarsinë si dhe pohimet se do ta shpallim në këtë afat apo atë afat, tingëllojnë të pakuptimta në gojën e klasës politike mbarë shqiptare. Ajo që ishte shpallur për 86 vjet me luftë dhe qëndresë të pashembullt nga Kosova, nuk duhej të këthehej në pyetsor dhe retorikë afatesh sa të krijohen sot edhe situata aty këtu sikur me deklaratën e shpalljes së pavarsisë të Kosovës po rrezikohet paqja në botë !!!! Rrjedhimisht, mesviti 1999 e në vijim shtronte para klasës politike të Prishtinës dhe Tiranës gjithë impenjimin tek faktorët ndërkombëtar për të njohur pavarsinë e Kosovës. Pra për të njohur atë që, e theksojmë, Kosova e kishte shkruar e shpallur me gjak për plot 86 vjet, pa u shtyrë më tej në histori, duke ju shmangur kështu rënies në rrethin vicioz me deklaratën e shpalljes së pavarsisë me sot e me nesër, këtë vit e atë vit, këtë muaj e atë muaj, këtë ditë e atë ditë, këtë orë e atë orë.



Kosova kërkon t´i njihet pavarsia ndërkombëtarisht, e arritur kjo me lirinë që fitoi pas gati një shekulli në qershorin e vitit 1999. Kjo për mëndimin tonë, do të duhej të përbënte kryefjalen e gjithë fjalorit të klasës politike të Prishtinës e klasës politike shqiptare në tërësi në kontaktet me faktorët dhe institucionet ndërkombëtare, dhe jo të hynte ky angazhim në labirinthe të panevojshme si kur do ta shpallim, si do ta shpallim, kush do ta shpallë e kështu me radhë, siç rëndom u tejmbush fjalori politik Prishtinë - Tiranë gjatë gjithë këtyre viteve.



Është kjo arsyeja që për klasën politike Prishtinë - Tiranë bëhet e pashmangëshme sot pyetja: sa herë do ta shpallë pavarsinë Kosova, zotërinjë ? Gati një shekull luftë e sakrifica të Kosoves për liri dhe pavarsi nga vartësia tek Serbia, të arritura këto tashmë që prej 9 vitesh për Kosovën, e bën të panevojshme pritjen “ kur do ta shpalli Kosova pavarsinë” në vend që do të duhej me kohë të shtrohej nga politika Prishtinë - Tiranë pyetja insistuese para faktorve e instutucioneve ndërkombëtare “kur do të njihet pavarsia e Kosoves”. Përqëndrimi tek kjo pikë (tek njohja e pavarsise), që ndokuj në pamje të parë mund t´i tingëllojë si lojë fjalësh, ndoshta shumë prej hezitimeve të segmenteve të ndryshme ndërkombëtare, të afishuara dendur këto dy vitet e fundit, do t´i kishte parandaluar e tejkaluar me kohë.
http://www.pashtriku.org/