Close
Duke shfaqur rezultatin -9 deri 0 prej 1
  1. #1
    i/e regjistruar Maska e BARAT
    Anëtarësuar
    20-07-2006
    Vendndodhja
    Himarjot jet' e jet', Zot mbi male Hyll mbi det
    Postime
    2,565

    Përfliten në media ndryshime në qeveri, rikompozim i i koalicionit qeverisës

    Protagonizmi i sforcuar i Dules

    Gezim Podgorica

    Ka javë të tëra që partitë aleate të koalicionit janë përfshirë në vokacionin e ndryshimeve në kabinetin qeveritar. Nga këndvështrime të ndryshme, të gjitha pa përjashtim, flasin për nevojën e mundësinë e rikompozimit, duke e bërë këtë temë më të rëndësishmen e fjalorit të sotëm politik. Duke u përpjekur për të gjetur çfarë ka racionale në këto kërkesa, vëren shumë shpejt se ajo që i bashkon është mbajtja e kolltukut që ata sot kanë përmes presionit dhe kërkesës për ndryshim. Në fakt, asnjëra nga partitë e koalicionit nuk kërkon sinqerisht ndryshim, pasi asnjëra nuk thotë pse duhet ndryshuar, çfarë duhet ndryshuar dhe në ç‘mënyrë. Është një kakofoni e çuditshme zërash që sjell një protagonizëm shumë të sforcuar të satelitëve të sotëm të PD-së, të cilët e kërkojnë ndryshimin në një mënyrë shumë butaforike politike, duke mos thënë asgjë, por duke zhurmuar opinionin me këtë kërkesë që duket se është shtruar për zgjidhje. Këtë përsëriti këto ditë edhe Dule, por duke na shfaqur më shumë siguri për ndryshimet e mundshme (siguri që dhëntë Zoti të mos e ketë marrë në Athinë!), një siguri me të cilën guxoi të fyejë edhe gazetarët, me dijeninë e fakteve që ai dispononte për ndryshimet e pritshme, fakte e opsione që nuk mund t‘i kapnin dot, sipas tij, ata që po i bënin promovimin mediatik të radhës. Pa thënë asgjë, por duke shitur se di shumë, edhe Dule këmbënguli se ndryshimet do të bëhen, dhe ato do të na i kumtojë Kryeministri, të cilin nuk kemi pse ta vëmë në siklet që tani, tre muaj para se ato të ndodhin. Se përse duhej gjithë ky sforcim mediatik, atë mund ta llogarisë më mirë kryetari i PBDNJ-së, por ajo që po na bën të mendojmë është fakti se pse ky debat po deformohet kaq shumë, sa ka lënë në harresë totalisht mënyrën e qeverisjes. Mungon tërësisht argumenti i ndryshimit dhe ai vjen e ngushtohet deri në numrin dhe tipin e portofolit qeveritar, pa u analizuar se si gjithë këta aleatë, të cilët kanë zënë postet kyçe në qeveri, po sillen me zbatimin e programit qeveritar për të cilin ata janë votuar. Një ndër prioritetet e programit politik të Partisë Demokratike para se të vinte në pushtet, ishte rishikimi tërësor i politikave sociale dhe mbrojtja multidimensionale e punonjësve. Këtë prioritet të ndjeshëm të programit elektoral e ka barrën sot ta realizojë përfaqësuesi i Partisë së të Drejtave të Njeriut, ministri më i harruar i kabinetit të sotëm, Kosta Barka. Njeriu, i cili i çuditi të gjithë në emërimin e tij, shfaqet sot kur ka aksidente skandaloze në punë dhe kumton si rrugën më efikase mbylljen e fabrikës apo një fronti tjetër, pa sqaruar më parë ose edhe më pas, se cilat janë masat që duheshin marrë ose edhe që do merren. Do Zoti dhe ky ministër, shumë interesant, të mos kishte në dorë të mbyllte aeroportin e Londrës, pas daljes nga pista të avionit që vinte nga Kina, se me këtë logjikë funksionon ai në masat që merr dhe ka mburrje t‘i cilësojë. Kushedi se çfarë zallamahie mund t‘i sillte Londrës po të ecej me një arsyetim të tillë. Mirëpo, ja që ne jemi të detyruar të dëgjojmë absurditete të tilla, masa qesharake që nuk e zgjidhin problemin, por vetëm e deformojnë dhe nuk shfaqin thelbin e vërtetë të tij. Përballë këtij ministri, i cili nuk arrin të menaxhojë prioritetet në misionin e institucionit, si zbutjen e varfërisë, uljen e papunësisë apo dhunën në familje, por as të garantojë kushte minimale të sigurisë në punë për gjithë atë masë të madhe njerëzish që ballafaqohen me rrezikun e humbjes së jetës, të shmangë punën e zezë e të tjera detyra të rëndësishme, Dule nuk shfaqet asnjëherë.
    Ai nuk shfaqet as për t‘i thënë se ku drejtohen paratë e projekteve të shumta që udhëheq kjo ministri, në cilin "institut" shkojnë ato, cilat janë lidhjet e ministrit me drejtuesin e tij. Nuk flet fare për faktin se shtypi përmendi jo pak emrin e ministrit kur u arrestua sekretari i përgjithshëm dhe ku sqarimi publik për t‘u distancuar mungoi.
    Përkujdesja e Dules nuk kalon fare në këto pista, por në ligjërimin e kompozimit të koalicionit qeveritar. Ai asnjëherë nuk ka guxuar të na thotë se cilat janë vlerat politike të ministrit që ka mandatuar, çfarë vlerash të tjera ka ai në aspektin profesional dhe ku ka spikatur, për ta bindur se me ofertën e tij ai ka qenë sfidant ndaj gjithë kolegëve të tjerë të koalicionit. Apo vlera e vërtetë e Barkës është qëndrimi i tij barkas, për ta kthyer ministrinë në një çiflig të PBDNJ-së, ku faktorizohen njerëz anonimë dhe partia merr jetë?! Dhe ku pavarësisht mungesës së elementëve të spikatur në qeverisje, në tryezën e koalicionit kjo parti është një zë që duhet dëgjuar e llogaritur mirë?! Partia e Dules përpara se të zhurmojë për ndryshim në kabinet, duhet të bindë opinionin publik se në segmentin e saj qeveritar punët kanë ecur shumë mirë, se politikat sociale janë dimensionuar sa ndryshimi është shumë i dukshëm, aq më shumë tani pas invazionit që i kanë bërë kësaj ministrie militantet e shumta që kanë zaptuar zyrat me CV nga më të diskutueshmet! E kur kjo nuk ndodh, pasi nuk ka guxim të ndodhë, vjen paradoksi i artikulimit të kërkesës për ndryshim, për rikompozim. Këtij zëri i bashkohet edhe Ndoka, edhe tjetri e tjetri, pa na dhënë përpara llogari si kanë vajtur punët në dikasteret që ata mbulojnë, sa të aftë kanë qenë ata në përmbushjen e objektivave të kësaj mazhorance qeverisëse etj., etj.
    Dule nuk ka tagrin të dalë e të kërkojë vetëm llogari. Para së gjithash, ai duhet të japë llogari, ashtu si edhe homologët e tij në partitë e tjera aleate, që flasin për qeverisjen, a thua se janë në opozitë. Kanë gati një vit që na thonë neve se duhet ndryshuar kabineti, pa na thënë më parë se çfarë ata kanë bërë vetë në sektorët që u janë besuar dhe kanë marrë përsipër detyrimin për të drejtuar. Ka një pengmarrje të çuditshme të arsyes në këtë moment, që po shfaqet në një egoizëm të shfrenuar politik për të marrë përsëri ngastra politike. Koalicioni i sotëm qeveritar ka shfaqur gjatë funksionimit të tij defekte serioze, dhe ndër ato që nuk mund të mbulohen është fakti i deformimit të plotë të aleancës qeverisëse dhe i kthimit në pazar numrash e protagonizmi fals. Partitë aleate flasin sikur të jenë krejt jashtë lojës qeverisëse dhe ngrenë zërin e tundin gishtin, duke përsëritur presionin e radhës, por dhe pa harruar për asnjë çast të bëjnë çfarë të duan në ngastrën e tyre politike, që e kanë marrë si dhuratë më shumë se sa si meritë.
    Në fakt, koalicioni nuk funksionon, pasi aty flitet më shumë për të zgjeruar hapësirat e zonat e influencës, se sa për të përmirësuar mënyrën e qeverisjes, flitet më shumë për të kapur llokmën sa më të madhe të pushtetit e për t‘u sjellë me të sipas qejfit, se sa për të rritur efektivitetin e zbatuar programin e mazhorancës që drejton vendin. Të duket se faji i vetëm i këtyre partive është ai që ata kanë pak pushtet, kanë pak hapësira sundimi politik dhe me zgjerimin e këtyre hapësirave, zgjidhen edhe problemet që ka vendi. Duke pasur ministri kyçe me një shtrirje të gjerë në bazë, rekrutimi politik po u sjell mbijetesën dhe po u garanton të ardhmen elektorale, por pa na dhënë asgjë gjatë këtij mandati. Me sa duket, llogaridhënien politike në ballafaqimin elektoral të radhës, do ta ketë në përgjegjësi e gjithë Partia Demokratike, pasi këto që kanë kërkuar ndryshimin gjatë tërë kësaj periudhe, kanë gjetur alibinë politike të shfajësimit, po edhe të krijimit të aleancave të reja, që i suportojnë prezencën në skenën politike.
    Politika klienteliste e partive të vogla, që dukshëm ndjehet nga qendra në bazë, ka dhënë mjaft efekte, të cilat po i ndjejnë jo vetëm strukturat drejtuese të PD-së, po edhe gjithë ajo masë e madhe simpatizantësh, që ka pakënaqësi të justifikuara nga qeverisja e sotme.
    Për këtë aleatët pak shqetësohen, ata përkujdesen për imazhin e tyre dhe protagonizmin e radhës, i cili si në rastin e fundit të Dules ishte shumë i sforcuar, por mbase i domosdoshëm nga arsyeja për të qenë imponues. Veçse imponues përmes numrash dhe jo idesh, platformash e rrugësh nga duhet korrigjuar qeverisja, nga shtrimi i alternativave të reja dhe efikase për një funksionim normal të të gjitha hallkave të sistemit të drejtimit. Ky tip protagonizmi i sforcuar do ta dëmtojë edhe më shumë imazhin qeverisës, në se vërtet ajo nuk do ndryshojë. Dhe ndryshimi mund e të fillojë normalisht nga emrat, por më parë duhet vënë në funksion mekanizmi politik rregullave të qarta e të përcaktuara të lojës dhe sfida e ideve dhe kualiteteve që ofrohen. Në të kundërt, pengmarrja qeverisëse do vazhdojë.

    gazeta shqip
    Ndryshuar për herë të fundit nga Albo : 30-01-2008 më 03:28

Tema të Ngjashme

  1. Fatmir Limaj
    Nga ARIANI_TB në forumin Bashkëpatriotët e mi në botë
    Përgjigje: 295
    Postimi i Fundit: 07-02-2015, 16:09
  2. Pas akuza për korrupsion nga ndërkombëtarët, ndryshon qeveria e Kosovës
    Nga DYDRINAS në forumin Tema e shtypit të ditës
    Përgjigje: 81
    Postimi i Fundit: 06-07-2010, 17:36
  3. Berisha bën publike ndryshimet në kabinetin e tij qeverisës
    Nga Xhuxhumaku në forumin Tema e shtypit të ditës
    Përgjigje: 110
    Postimi i Fundit: 27-04-2007, 16:53
  4. Analistët shqiptarë mbi skenaret e 3 korrikut
    Nga Iliriani në forumin Tema e shtypit të ditës
    Përgjigje: 2
    Postimi i Fundit: 30-06-2005, 03:43

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •