"Emërimi i kryetarëve, kompetencë e KLD-së dhe jo e politikës"
Vendimi i fundit i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, për kufizimin e mandatit të kryetarëve të gjykatave, ka vijuar edhe dje që të jetë temë e nxehtë debati. Nënkryetari i këtij këshilli, Kreshik Spahiu, është përpjekur të mbrojë jo vetëm vendimin e marrë, por njëkohësisht është hedhur në një sulm frontal ndaj politikës. "Me gjithë tendencat dhe ambiciet e demonstruara nga politika, kryetarët e gjykatave nuk mund të emërohen as me direktiva partie, as me pëlqimin e Parlamentit, por janë ekskluzivitet i vendimmarrjes së Këshillit të Lartë të Drejtësisë", ka deklaruar ai dje gjatë një konference për shtyp. Reagimi i Spahiut ka ardhur pas akuzave që opozita bëri ndaj KLD-së dhe drejtuesve të saj, për shkelje të Kushtetutës dhe ligjeve në fuqi. Kryetarja e grupit kuvendor të socialistëve, Valentina Leskaj, tha dy ditë më parë se vendimi i KLD-së ishte i kundraligjshëm, "pasi në asnjë dispozitë ligjore të ligjit për organizimin e drejtësisë apo ligjin për KLD nuk parashikohet kufizimi i mandatit apo i kohës së ushtrimit në detyrë nga ana e KLD". Nga ana e tij, numri dy i KLD-së është kundërpërgjigjur duke thënë se ka në nomenklaturë të tij emërimin dhe shkarkimin e kryetarëve të gjykatës edhe për rregullimin e kësaj kompetence të parashikuar shprehimisht në ligjin organik të saj.
Sulmi ndaj politikës
Duke e konsideruar veten njeri të drejtësisë, nënkryetari i KLD-së harroi dje se ishte zgjedhur në këtë pozicion nga Parlamenti dhe politika dhe ju kthye këtyre institucioneve me një vrull të paparë. "KLD nuk do të lejojë që kryetarët e gjykatave të emërohen me zarfe nën dorë, me pëlqimin e deputetit të zonës, kryetarit të komunës, prefektit të qytetit apo sekretarit të celulës së partisë, por ata do të duhet t‘i nënshtrohen një gare të ndershme ligjore", tha Spahiu, duke përdorur një gjuhë populiste, të cilën vetë politikanët e përdorin zakonisht gjatë fushatave elektorale. Por duke analizuar në thellësi këtë fenomen për nënkryetarin e KLD-së përplasja mes gjyqësorit dhe politikës nuk është një dukuri vetëm shqiptare. Si për të zbutur disi tonet, ai është shprehur se "lufta midis pushtetit politik dhe atij gjyqësor nuk është tipike shqiptare, pasi është një luftë shumë e gjatë, e nisur edhe nga vende të tjera, megjithatë, edhe pse në Shqipëri gjyqësori ka humbur disa beteja, kjo nuk do të thotë se ka humbur të gjithë luftën".
Mbrojtja e Topit
Në konferencën e djeshme Spahiu ka mbrojtur me tone të vendosura pozicionin e shefit të tij, Bamir Topit, njëkohësisht edhe President i republikës. Sipas tij, çdo vendim i marrë nga Presidenti, jo vetëm që ka qenë në përputhje me ligjet, por ai ka qenë edhe iniciues i disa tryezave për reformën në drejtësi. Socialistët e kishin akuzuar Topin se me vendimet e marra në KLD kishte dalë kundër frymës së konsensusit që po ndërtohej përmes Paktit Kombëtar për Reformën në Drejtësi. Ata, duke riformuluar akuzën se nuk ishte një President mbi palët, i kishin kërkuar Topit që të mos bëhej pengesë për Parlamentin, si dhe të shprehej publikisht për konsensusin që është arritur tashmë për reformën në drejtësi. Gjithsesi, në vend të Presidentit, zëvendësi i tij, Spahiu, ka shprehur të gjithë zellin e nevojshëm për të demonstruar se Topi dhe KLD-ja kanë qenë në krye të iniciativave për reformën në drejtësi.
Opozita
Kritikat e socialistëve ndaj KLD-së
Dy ditë më parë, kryetarja e grupit parlamentar të PS-së, Valentina Leskaj, shprehu publikisht shqetësimin e partisë së saj lidhur me:
1-Shkeljen e të drejtave ligjore e profesionale të njerëzve në drejtësi. 2- Frymën deformuese ndaj një sistemi që aq sa ka nevojë të reformohet, aq ka nevojë edhe të ruhet nga deformime të kësaj natyre. 3- Për rolin e Presidentit në këtë proces, ku ndjehet qartë një trajektore e kundërt me atë të Parlamentit dhe i shkohet ndesh frymës që ne po ndërtojmë përmes Paktit Kombëtar për Reformën në Drejtësi.
© Gazeta Shqip
Krijoni Kontakt