“PAVARËSIA E KUSHTËZUAR” NËN BE-NË, ËSHTË PRODUKT ANTIDEMOKRATIK I “ELITËS POLITIKE TË KOSOVËS
BAROMETRI DIPLOMATIK
· Pse populli shqiptar i Kosovës nuk u pyet fare nga përfaqësuesit e vet të “elitës politike”, ta votojë apo mos ta votojë “pavarësinë e mbikëqyrur” evrondërkombëtare?
· Shikuar moralisht, ligjërisht dhe demokratikisht, ky është gabim historik, gabim lëndor dhe procedural i demokracisë së importuar, sepse në rastin konkret, popullit shqiptar mbi 90% iu mbyll goja, që ta shprehte vullnetin e tij të lirë dhe demokratik në formë referendumi për vendosjen e fatit të tij dhe të Kosovës.
· Mirëpo, si të pyetet dhe të deklarohet populli, kur dihet se ai kishte votuar për pavarësinë e plotë, jo për varësinë e Kosovës nën mandatin e papërcaktuar kohor të Bashkimit Evropian.
Prof. Dr. Mehdi HYSENI
Tash (edhe ca ditë, edhe ca orë) kur Kosova ndodhet në prag të njohjes së pavarësisë së mbikëqyrur ndërkombëtare, dikujt i duket si e drejtë dhe, e arsyeshme, se m’u tash është çasti vendimtar historik, që politikës së brendshme të Kosovës, t’i tërhiqet vërejtja e fundit se kjo lloj pavarësie nuk duhet pranuar nga ana “e dhuruesve” të bashkësisë ndërkrombëtare. Arsyeja plotësisht e drejtë: Kosova e meriton njohjen e së drejtës së vetëvendosjes së plotë (të brendshme dhe të jashtme) sipas së drejtës historike, të drejtës ndërkombëtare dhe Kartës së Kombeve të Bashkuara, sepse që nga viti 1912 kishte statusin kolonial nën Serbinë kolonialiste dhe imperialiste.
Që të moskeqkuptohemi edhe nga ithtarët, edhe nga oponentët, edhe nga miqtë, edhe nga armiqtë e pavarësisë së Kosovës, faktet dhe argumentet në favor të njohjes imediate ligjore, demokratike dhe paqësore për njohjen e së drejtës së vetëvendosjes (pa tutelën mikëqyrëse ndërkombëtare, të quajtur Bashkimi Evropian-BE) së Kosovës janë në favor të shqiptarëve, domethënë të titullarit të saj të ligjshëm, jo të sovranitetit kolonial të Serbisë hegjemoniste.
Natyrisht, çdo shqiptar normal që ka “dy ditë shkollë” të mirëfillta nga lënda e historisë, e politikës dhe e diplomacisë kombëtare shqiptare dhe ndërkombëtare, nuk do të duhej të pranonte një zgjidhje të këtillë politike, që nuk quhet pavarësi e plotë, sepse nuk është në përputhje me të drejtën historike të shqiptarëve mbi Kosovën, as me asnjë normë as rregull të së drejtës ndërkombëtare.
Përkundrazi, kjo kategori “pavarësie” nën mbrojten e armatosur dhe administrative të BE-së, nuk figuron në asnjë parim, në asnjë rregull dhe në asnjë normë të së drejtës ndërkombëtare, e as të Kartës së Kombeve të Bashkuara.
Prandaj, të jemi të qartë se, kjo lloj “pavarësie” as në aspektin e doktrinës së drejtës ndërkombëtare nuk mund të quhet pavarësi, kur kjo si etillë nuk figuron si institut a kategori e saj juridike. Domethënë si teorikisht, ashtu edhe praktikisht (sipas së drejtës ndërkombëtare) në asnjë formë nuk mund të cilësohet pavarësi, sepse është kategori juridike ndërkombëtare, që quhet jo vetëm varësi, por edhe ndërvarësi, që bie ndesh dhe është e kundërta e institucionit-kategorisë juridike që quhet PAVARËSI.
Duke qenë se, tanimë i kemi të qarta këto koncepte në aspektin juridik ndërkombëtar, atëherë lind pyetja: - Pse, nga erdhi në shprehje dhe në mbështetje ideja për hartimin dhe finalizimin e kësaj kategorie antijurdike ndërkombëtare, të quajtur “pavarësi e mbikëqyrur”, që pikërisht të zbatohet dhe të konkretizohet në rastin kolonial të Kosovës?
Në kët plan kanë ndikuar dy faktorë kryesorë: (1) Faktori i jashtëm ndërkombëtar dhe (2) Faktori i brendshëm i politikës shqiptare në Kosovë.
Gabimi i parë i dyanshëm i këtyre dy faktërove, është bërë në Paris të Francës, me rastin e nënshkrimit të Marrëveshjes së Rambujes (18 shkurt 1999), kur palës shqiptare, pa të drejtë i është imponuar diktati, që me çdo kusht, të pranonte versionin e asaj Marrëveshjeje, edhe pse në të nuk ishte përfshirë klauzola e organizimit të Referendumit në Kosovë.
Gabimi i dytë, po ashtu është bërë në atë konferencë të Rambujesë, kur pala shqiptare nuk ka këmbëngulur që krahas parashikimit të mbjatjes së Referendumit, të fusin në rreshtat e paragrafëve të asaj marrëveshjeje, edhe kërkesën e drejtë, legjitime dhe legale, që UÇK-ja të mos demobilizohej, por të mbetet faktor dhe institucion ushtarak në Kosovë. Këto janë dy gabimet më kardinale, që kanë ndikuar më se negativisht në procesin e mëpastajmë të administrimit juridiko-politik, demokratik dhe paqësor të Kosovës nën mandatin ndërkombëtar të UNMIK-ut (1999-2008).
Gabimi i tretë(kuptohet, i mbështetur dhe i jusitifikuar mbi dy gabimet paraprake të Marrëveshjes së Rambujesë) me pasoja katastrofike për të drejtën e vetëvendosjes së Kosovës, është bërë nga qeveria e përkohshme e Kosovës, e ideuar dhe formuar nga kryeshefi i UNMIK-ut, Bernard Kushner, e cila “blanko” dhe, pa kurrfarë argumenti të arsyeshëm, është pajtuar me vendimet propozuese të “rregulloreve interne” arbitrare të Bernard Kushnerit, që “ligjërisht” dhe praktikisht ta eliminojnë UÇK-në nga skena politike dhe ushtarake në Kosovë.
Pikërshit ky gabim katastrofik i qeverisë së përkoshme të Kosovës, ka qenë “kapaku” i mbylljes hermetike i kërkesës së drejtë dhe legjitime, që populli shqiptar në Kosovë të ketë ushtrinë e vet legale, të dalë nga lufta çlirimtare kombëtare.
Largimi nga skena e UÇK-së (e cila ka meritat kryesore për çlirimin nga Serbia okupatore dhe gjenocidale) ka gjeneruar krizë të vazhdueshme tetëvjeçare në problematizimin dhe në zvarritjen e pavarësisë së Kosovës.
Këto janë ndër gabimet kryesore, pse qe tetë vjet (në paqe) politika e brendshme shqiptare nuk ka qenë në gjendje të bëjë asnjë hap drejt pavarësimit të Kosovës. Arsyeja është kjo: -sepse kjo “elitë politike” shqiptare e Kosovës me gabimet e saj të pakorrigjueshme në Rambuje, si dhe më pas, nën administrimin steril të UNMIK-ut, ka krijuar të të gjitha predispozitat dhe kushtet e favorshme për faktorin ndërkombëtar që, së fundi, në formë të kompromisit politik,pa marrë konsideratë të drejtën historike dhe të drejtën ndërkombëtare të shqiptarëve, të vendosë për fatin e Kosovës, pa dëshirën, pa pjesëmarrjen dhe pa vullnetin e shprehur demokratik të popullit shqiptar të Kosovës përmes REFERENDUMIT.
Për shkak të gabimeve të njëpasnjëshme, të politikës nënshtruese dhe vasale të garniturave të deritashme drejtuese të Kosovës, ka ardhur në shprehje imponimi i opcionit antihistorik, antijuridik dhe antidemokratik i të së ashtuajturës “pavarësi kontrolluese” ndërkombëtare, përkatësisht varësi e shumëfishtë nga ana e bashkësisë ndërkombëtare.
Në këtë kontekst, duhet shikuar edhe dalja në skenë e kërkesave legjitime, legale dhe të drejta të Lëvizjes vetëvendosje, të drejtuar nga Albin Kurti.
Pra, si shkak dhe pasojë e polarizimit të forcave politike, demokratike kombëtare dhe progresive dhe atyre antikombëtare dhe antidemokratike, është kryesisht dështimi i faktorit të brendshëm politik në Kosovë, i cili që nga Rambujea e deri më sot, në mungesë të aftësisë politike dhe diplomatike, nuk dijti të ideojë, të projektojë, të avancojë dhe të konkretizojë në teori dhe në praktikë të drejtën e vetëvendosjes së Kosovës, si antitezë e drejtë historike, e morlashme, humane, e ligjdhme, demokratike dhe paqësore të sundimit kolonial 100-vjeçar të Serbisë në Kosovë.
Mirëpo, për hir të interesave të ngushta personale, grupore, partiake, materiale, që pasurohen deri në “qiell” dhe të mos i zbresin “kalit të huaj” karrierist të pushtetit, qorrazi dhe me vetëdije të plotë, “elitat politike” brenda tetëvjeçarit të shkuar (1999-2008) me sjelljet dhe me veprimet e tyre jopolitike, joligjore dhe jodemorkatike, provuan dhe prodhuan të kundërtën-pavarësinë e tyre, që edhe nja 8 vjet të trjera, ta “mjelin” dhe ta udhëheqin Kosovën së bashku me tutelën e tyre të BE-së, vetëm duke dhënë pëlqime, dakordime dhe, duke nënshkruar rregullore e vendime të ndryshme, që do ta zvarritin dhe do ta margjinalizojnë të drejtën e vetëvendosjes-pavarësisë së plotë të Kosovës, ndoshta, edhe për një dekadë të plotë, të ardhshme.
Pse “pavarësi e kontrolluar” ndërkombëtare për Kosovën, për këtë duhet ta pyesim dhe të debatojmë me vetëvetën, pse dhe kush ishin ata, që e “dyllosën” dhe e çimentuan REFERENDUMIN jashtë kornizave të Marrëveshjes së Rambujes? Kush ishin ata, që i hoqën vizë të kuqe UÇK-së në paqe? – Kush ishin ata, të cilët qe 8 vjet, e drejtuan Kosovën, por që nuk patën asnjë fije ndikim, as angazhim serios e as dituri të mjaftueshme politike as diplomatike, që në përputhje me normat e së drejtës ndërkombëtare dhe të dispozitave të Kartës së Kombeve të Bashkauara, ta detyronin UNMIK-un, përkatësisht OKB-në, që popullit shqiptar në Kosovë, t’i mundësohej deklarimi me REFERENDUM për vendosjen e fatit të Kosovës?
Kush janë ata “politikanë” e “diplomatë” që me qëllim dhe, për interesa të tyre karrieriste dhe përfituese ekonomike, tregtare dhe materiale, “e harruan” të drejtën e vetëvendosjes së Kosovës? – E, sot, pas tetë vjetësh, disa prej tyre, të “përjashtuar” dhe të “leçitur” nga “elita politike” drejtuese e Kosovës, si të “pavlefshëm” dhe “jashtëkohës”, po thonë se, Vetëvendosja e Albin Kurtit është në rrugën e drejtë, sepse është në funksion të realizimit të pavarësisë së plotë të Kosovës?
-Ata janë të falimenuarit politikë, të cilët në emër dhe, për interesa të ngushta të “elitës politike” drejtuese të Kosovës, kanë nënshkruar marrëveshje, rregullore dhe vendime të Rambujes dhe të UNIMIK-ut, pa i lexuar fare, me qëllim që t’ua bëjnë qejfin grupeve të ndryshme të kulltukofagëve dhe “oktopodëve”, të cilët sot, nuk i njohin as ata “politikanë të rastit”, as të drejtën e pavarësisë së plotë të Kosovës, as të Lëvizjes Vetëvendosje të Albin Kurtit, por vetëm UNMIK-un, përkatësisht EUROMIK-un,(BE), që do t’iu sjellë dhuratën më të çmueshme dhe më lukrative-pavarësinë e plotë tyre, që edhe nja 10-20 vjet të tjera, të qëndrojnë në kolltuqet e buta karrieriste aristokratike, burokratike dhe antidemokratike të qeverisë, të pralamentit, të institucioneve dhe të organeve të tjera të tyre.
Ky është “kuptimi juridik” dhe “demokratik” i dhurimit të pavarësisë kushtëzuar për Kosovën nga ana e BE-së. –Pavarësi e pakushtëzuar për karrieristët pushtetmbajtës dhe, VARËSI E PLOTË E SË DREJTËS SË VETËVENDOSJES SË KOSOVËS.
Ky është kompromisi politik. Ata të cilët e kanë pranuar dhe, me veprën e tyre të deritashme janë dëshmuar kundër pavarësisë së plotë të Kosovës (sipas së drejtës historike dhe asaj ndërkombëtare), kuptohet edhe kanë përparësi dhe mbështetje nga ana e politikës ndërkombëtare, sepse anagazhimi dhe rezultatet e tyre të politikës së dëgjueshme, nënshtruese dhe kapitulluese, drejtazi dhe zhdrejtazi janë në favor të interesave të saj koniunkturore, pavarësisht se kjo është në kundërshtim flagrant me kërkesën e drejtë dhe legjitime të Kosovës, që të jetë shtet i pavarur dhe sovran, jo i varur as nga Serbia kolonialiste, as nga UNMIK-u e as nga EUROMIK-u.
Kjo lloj “pavarësie e mbikëqyrur”, ( e cila vërtet është “rast unik në botë” nga shkaku se deri më sot nuk e njeh doktrina as praktika e së drejtës ndërkombëtare), nën tutelën e protektoratit të BE-së, është meritë e klasës udhëheqëse politike të Kosovës, jo e popullit shqiptar të Kosovës, sepse populli nuk është pyetur, as nuk është deklaruar e as nuk ka luftuar për të, por për njohjen e së drejtës së plotë të vetëvendosjes së Kosovës. Prandaj, është e papranueshme për popullin e kolonizuar dhe të aneksuar të Kosovës nga ana e Serbisë gjenocidale, që këtu e 100 vjet më parë. Kjo pavarësi e kushtëzuar është e pranueshme për politikën zyrtare të Kosovës, sepse aqë edhe ishte efekti dhe kontributi i saj. Ndërkaq, është e papranueshme për popullin, sepse bie ndesh me të drejtën historike, me të drejtën ndërkombëtare, me sakrificinë mbijerëzore, me gjakun dhe me viktimat e tij milionshe në luftërat dhe në kryengritjet çlirimitare kombëtare dhe antikoloniale kundër Serbisë kolonialiste gjenocidale (1912-1999). Kjo është arsyeja kryesore pse autori as moralisht, as kombëtarisht, as shkencërisht, as në heshtje e as botërisht nuk mund të pajtohet me këtë lloj “pavarësie të mbikëqyrur” nën kujdestarinë ndërkombëtare të Bashkimit Evriopian (BE) ngase në këtë mënyrë të paligjshme dhe antidemorkatike i mohohet e drejta e vetëvendosjes së jashtme Kosovës, e drejtë kjo, që Kosovës, do t’i siguronte subjektivitetin juridik ndërkombëtar të saj si shtet i pavararu dhe sovran
Paraqet Sabri Selmani
Krijoni Kontakt