Fëmija vrasës nuk duhet të qëndrojë më në dhomën e izoluar të spitalit të Beratit. Ky ka qenë vendimi i Gjykatës së Apelit në Vlorë, por Romario H. vazhdon të qëndrojë i izoluar në një dhomë të spitalit të Beratit dhe ende nuk ka një përgjigje zyrtare rreth lirimit të tij. Pasi ka njohur familjarët e djalit me vendimin e gjykatës, avokati mbrojtës ka vendosur t‘i drejtohet zyrës së Avokatit të Popullit. Agron Mahumtaj, avokati që shteti vendosi për të mbrojtur fëmijën, tha dje se i është drejtuar Avokatit të Popullit për këtë problem. Sipas tij, vendimi i gjykatës duhet të ishte zbardhur brenda të gjitha afateve dhe tashmë duhej të ishte vendosur për fatin e fëmijës. Sipas avokatit, çështja shtrohet se çfarë do të bëhet në vijim me këtë fëmijë, i cili ka shfaqur ditët e fundit probleme mendore dhe ankesa tek Avokati i Popullit është parë si zgjidhja më e mirë nga Mahmutaj. Vetë 13-vjeçari vrasës ka disa ditë që e ka shfaqur hapur agresivitetin e tij, edhe pse vazhdon të qëndrojë i izoluar në dhomën që përdoret për të paraburgosurit, në spitalin rajonal të qytetit. Mjekë dhe infermierë të repartit të kirurgjisë, ku është edhe dhoma në të cilën mbahet "monstra", tregojnë se prej më shumë se tri ditësh ai është bërë mjaft agresiv, dhe në disa raste, kjo ka vështirësuar edhe punën e personelit të këtij reparti. Mjekët dhe infermierët e kanë pasur shumë të vështirë kalimin në korridoret e këtij reparti, e veçanërisht nga ana e dhomave të atyre pacientëve që ndodhen më afër dhomës së 13-vjeçarit, pasi nga dhoma e tij dëgjohen vetëm të shara dhe kërcënime për vrasje të tjera. Por më e çuditshmja, sipas mjekëve, ka qenë fakti se ai tashmë kërcënon për vrasje edhe babanë e tij, duke thënë se është duke ndjekur rrugën e të atit, i cili që kur Romario ka qenë i vogël e në vijim, ka ushtruar dhunë sistematikisht në familje, mbi të, nënën dhe motrën e vogël. Por ndërkohë që për familjen e fëmijës vrasës vendimi i gjykatës për ta lënë të lirë 13-vjeçarin Romario H., është një lajm i mirë, të gjithë të tjerët në Berat i tremben lirimit të tij. Drejtori i Drejtorisë Arsimore Rajonale Berat, Yzedin Hima, i shqetësuar për vendimin e marrë nga Gjykata e Apelit Vlorë, tha se ai nuk do të lejojë që fëmija vrasës të mund të kthehet në ndonjë nga shkollat e Rrethit të Beratit.
Krijoni Kontakt