Nga Carlo Bollino

Reportazh nga Gaza

RAFAH - Ushtarakët palestinezë festojnë fi toren e tyre duke ngrënë peshk në brigjet e Egjiptit. Rrëzimi i murit që ndante kufirin me Rripin e Gazës i ka hapur rrugë kolonave të pafundme të makinave që për herë të parë po kalojnë kufirin e Gazës. Me fuoristrada të fuqishme, qindra burra pjesëtarë celulash të armatosura, kanë lënë kallashnikovët e uniformat në shtëpi dhe po udhëtojnë gjithashtu për herë të parë jashtë vendit pa pasur nevojë të fshihen. “Nuk hedhim raketa Kasam tani – deklaron për ANSA-n një ushtar i Xhihadit Islamik që thotë se quhet Abu Obama – po ikim të gjithë në El Arish, në bregun egjiptian, do të hamë peshkun e ëndrrave tona dhe të shijojmë të qetë këto ditë fitoresh”. Autoritetet ushtarake izraelite pohojnë se numri i raketave ndaj qytetit të Sderotit ka rënë shumë këto ditët e fundit.
Edhe njerëzit e Hamasit, që hapën pika të reja kalimi në kufi duke rrëzuar përfundimisht çdo pengesë, vendosën të festojnë fitoren me banket në tokën egjiptiane. “Jemi të qetë, se raketat izraelite nuk na kapin dot në Egjipt”, deklaron një zëdhënës i lëvizjes integraliste, të cilin e takojmë në pjesën egjiptiane të Rafahut. Qarkullojnë zëra se edhe kryeministri Ismail Hanijeh ( i shtrënguar prej javësh të jetojë në gjysëmklandestinitet nga frika e raketave izraelite) e la qytetin për një shëtitje disaorëshe përtej kufirit. Policia egjiptiane i lejon palestinezët të lëvizin lirshëm deri në qytetin bregdetar të El Arishit, shmang të kërkojë kartat e identitetit, duke u interesuar herë pas here vetëm për bllokimet e trafikut. Kolonat e makinave në dalje nga Gaza krijojnë një kaos total duke u kryqëzuar me makinat që hyjnë në të.
Ndërsa mijëra palestinezë vrapojnë drejt Egjiptit, qindra egjiptianë bëjnë të kundërtën: kthehen në Rripin e Gazës për të takuar miq që nuk shohin prej vitesh, të takojnë të afërm me të cilët janë ndarë, të bëjnë tregti ose thjesht të zbulojnë se çfarë ka ndryshuar në gjithë këtë kohë përtej kufirit.
Duken të jenë kthyer kufijtë e 40 viteve më parë kur Gaza ishte nën kontrollin egjiptian dhe asgjë nuk ndante dy popujt. Pastaj në 1967 ndodhi pushtimi izraelit, zona përtej kanalit të Suezit mbeti e prerë jashtë, por këmbimet mes njerëzve të Sinait dhe të Rripit të Gazës vazhduan falë vazhdimësisë territoriale e imponuar nga pushtimi. Në 1982 Egjiptit iu kthye Sinai, qyteti i Rafahut u nda përgjysëm mes palestinezëve dhe egjiptianëve dhe për Gazën nisi epoka e barrierave. E njëjta që u rrëzua pesë ditë më parë.
“Nuk e shkelja Gazën prej 40 vjetësh”, na tregon Ibrahim Ahmed, i cili ka mbërritur nga Kajro me një furgon të të birit. “Këtu kam lënë një copë të jetës sime”, tregon, duke aluduar për një dashuri në rini të cilën nuk e ka rigjetur më kurrë. Pak më tutje në sheshin qëndror të Sahaas në qytetin e Gazës dhjetëra tregtarë egjiptianë ekspozojnë mallrat e tyre të saposhkarkuara nga bagazhet e mbingarkuar: palestinezët, si gjithnjë blejnë gjithçka, pas shtatë muajsh embargo izraelite.
Çmimet e tregtarëve arabë janë më të larta se ata që aplikojnë në Egjipt, por për palestinezët mbeten të leverdisshëm: “Mbyllja e kufirit e kishte rritur çmimin e duhanit deri në 130 shekel për kuti – thotë Yousef – sot pagova vetëm 12 shekel, edhe pse e di mirë që në Egjipt kushton vetëm pesë”. Hapja e kufirit dhe këmbimet e lira pas 26 vitesh, duken tashmë si një rrugë pa kthim. Jo vetëm sepse tashmë në kufirin mes Gazës dhe Egjiptit kanë mbetur vetëm ca rrënoja.
Presidenti palestinez Abu Mazen (Mahmud Abbas) hodhi poshtë përsëri ofertën e një dialogu me Hamasin me ndërmjetësimin e Egjiptit. Presidenti egjiptian Hosni Mubarak bëri një propozim tjetër duke ofruar tavolina të ndara, propozim që duket të jetë pëlqyer nga të dy palët. Abu Mazen takoi dhe premierin izraelit Ehud Olmert të cilit i kërkoi mundësinë e kontrollit të kufijve të Rripit të Gazës: është një nga kartat e fundit të presidentit palestinez për të mbetur në lojë. Do t’i lejonte të rihapte pikat e kalimit, të çlirojë popullsinë e Gazës nga embargo dhe t’i tregojë Hamasit që kufijtë mund të hapen dhe pa bomba. Por nga Izraeli, tani për tani, nuk ka marrë asnjë përgjigje. (ANSA

më: 28/01/ (08)