Close
Duke shfaqur rezultatin -19 deri 0 prej 3
  1. #1
    Rising Star and Legend Maska e Davius
    Anëtarësuar
    20-04-2003
    Vendndodhja
    Underground
    Postime
    11,956

    Budallallëku, më i pafund se universi!

    Gjithçka mbi "simptomën" që ekziston te të gjithë, në përmasa më të mëdha nga sa e mendojmë

    Por për sa i përket universit kam ende dyshime". Fraza, e cila i atribuohet Albert Ainshtanjit, shpreh një ide antike. Që në vitin 250 para Krishtit, libri biblik paralajmëronte: "Numri i budallenjve është i pafund", duke theksuar se problemi ishte kuptuar në të gjithë gravitetin e tij. Për më tepër, budallai i parë i historisë ishte Adami, i cili për të shijuar një frut humbi parajsën.

    Në majë të gjuhës

    Por çfarë kuptohet me budallallëk? Koncepti, që njihet mirë nga të gjithë njerëzit, duket sikur i rrëshqet çdo përcaktimi teorik. Nuk është antonimi i inteligjencës, madje ka shumë persona inteligjentë që ndonjëherë sillen si budallenj.

    I vetmi që arriti t‘i jepte një përcaktim bindës në 1988-ën ishte një historian dhe ekonomist italian: "Një person budalla është ai që i bën keq një personi tjetër, ose një grupi njerëzish, pa pasur ndonjë avantazh për veten, ose më saktë duke pësuar edhe vetë humbje. "Jeta jonë është e lidhur me humbjen e parave, kohës, energjisë, qetësisë dhe humorit të mirë, për shkak të disa veprimeve të papërgjegjshme të ndonjë krijese, e cila shfaqet në momentet më të parashikueshme për të shkaktuar dëme, mërzitje dhe vështirësi, duke mos fituar asgjë nga ato që bën", shkruan ai. Pra, një gjë është shumë e qartë: budallallëku është një prirje e dukshme për t‘u shndërruar në veprime dhe është pikërisht ky fakt që e bën edhe më të rrezikshëm.

    Asnjë lehtësim

    Sipas historianit, që ka identifikuar "5 ligje parësore të budallallëkut", njerëzit e zgjuar janë gjithmonë të prirur t‘i nënvleftësojnë rreziqet e lidhura me budallallëkun. Ky fakt bëhet edhe më i rrezikshëm kur lidhet me egërsinë. Kjo e fundit, duke pasur një logjikë të kuptueshme, të paktën mund parashikohet dhe të përballohet.

    Edhe Kodi Penal nuk tregohet i mëshirshëm në lidhje me budallallëkun: "arsyet e kota" krijojnë një rëndim të dënimit, jo një lehtësim. Mjafton të sjellim ndërmend një kronikë të vitit 1996, kur një i ri nga Toronto vrau një grua të re, pasi e qëlloi me gurë nga mbikalimi i rrugës, apo një tjetër kronikë e vitit 2004, kur u përmbyt Liceu Parini në Milano. Autorët e "krimit" donin t‘i shmangeshin një provimi me gojë dhe rrezikuan kështu karrierën e vetë studentëve. Budallenj janë edhe "viruset" e djeshëm dhe të sotëm: për shembull, në rastin e SIDA-s, kush kryen marrëdhënie seksuale të pambrojtur infekton veten dhe partnerin. E njëjta gjë ndodh edhe sot me kompjuterin, nëse nuk instalon një antivirus në kompjuterin personal mund t‘ia "transmetosh" lehtë edhe atij të shokut/shoqes.

    Burime të qeshurash

    Për të larguar mërzinë apo problemet, budallallëku i ka dhënë gjithmonë shtysë shumë gjërave komike. Shumë protagonistë filmash janë budallenj, e madje shumë kohë më parë të tillë kanë qenë edhe figura të njohura të letërsisë. Edhe protagonisti i përrallës "Rrobat e reja të mbretit" të Hans Kristian Andersen, tregon historinë e një sovrani (budalla), i cili bindet nga një rrobaqepës mashtrues për të veshur një kostum të mrekullueshëm. Për budallenjtë ky kostum ishte i padukshëm. Megjithatë, është një mashtrim: por të gjithë për të mos pranuar budallallëkun e tyre dhe për të mos tradhtuar mbretin, nuk guxojnë t‘i tregojnë se nuk shohin asnjë kostum të veshur në trupin e tij. Vetëm një djalë i vogël thërret me zë të lartë se mbreti është i zhveshur dhe fillon të tallet, duke zbuluar kështu të vërtetën.

    Gjithashtu budallenjtë e shumë barsoletave janë policët, ndërsa ato të përrallave janë gomarët, duke filluar që nga Buridano (që për shkak se nuk dinte të zgjidhte mes dy mullarëve me bar vdiq nga uria) e deri te Pinoku, që pasi la shkollën për të luajtur u shndërrua në një kërriç.

    "Në të vërtetë, njerëzit dhe librat më pa vlerë janë ato që ne duam më shumë", bën të ditur një shkrimtar. Në operën teatrale "Mbrëmja e budallenjve", protagonistët kanë se me çfarë ta kalojnë kohën: të kërkojnë budallenj e t‘i ftojnë për darkë, që më pas të dëfrehen pas krahëve të tyre (në fund do të jetë budallai që do t‘i tallë...). Në të njëjtit nivel është çmimi "Darwin". I atribuohet një mirënjohjeje të veçantë, që "ndihmoi në përmirësimin e gjenetikës njerëzore, duke u spostuar nga ajo në mënyrën më spektakolare prej budallai". Një shembull? Vitin e kaluar, një 33-vjeçar anglez mori plagë të rënda për vdekje, teksa provonte veshur nëse "xhupi i tij grisej nga goditjet me thikë".

    GAZETA SHQIP
    My silence doesn't mean I am gone!

  2. #2
    Rising Star and Legend Maska e Davius
    Anëtarësuar
    20-04-2003
    Vendndodhja
    Underground
    Postime
    11,956
    Si funksionon

    Kini kujdes, sepse duke qeshur me budallallëkun situata mund të bëhet më e këndshme, duke i nënvleftësuar kështu pasojat. Kontrollojeni situatën duke u shtirur, pra nëse budallai pranon shaka, atëherë gjithçka mund të shkojë mirë. Megjithatë, kjo situatë ndryshon në realitet. "Është shumë e rëndësishme të kuptojmë se për çfarë bëhet fjalë konkretisht, për të kontrolluar më mirë pasojat", pohon një tjetër historian, i cili prej vitesh (falë edhe sinjalizimeve të qindra të çmendurve) po zgjeron intuitën e historianëve të tjerë. "Nuk mund të mposhtim kurrë gjithçka. Efektet e budallait mund të jenë më të rënda nëse kuptojmë se si funksionon e gjitha kjo", vazhdon më tej ai. Në fakt, budallallëku ka tri karakteristika:

    1) Si diamanti

    Mbi të gjitha budallallëku është i pavetëdijshëm dhe kronik. "Rreziku i budallallëkut vjen edhe nga fakti se budallai nuk e di që është budalla. Kjo i jep edhe më shumë forcë dhe efektshmëri veprimeve të tij të papërgjegjshme", shpjegon historiani. Në fakt, budallai nuk i njeh kufijtë e tij, i qëndron besnik bindjeve të tij, nuk di të ndryshojë. Është njësoj si personazhi i Fantocit, i cili përsërit vazhdimisht të njëjtat gabime.

    "Budallallëku është sëmundja më e keqe, sepse nuk mund të shërohet. Budallai është i prirur të përsërisë gjithmonë të njëjtat sjellje, sepse nuk është në gjendje të kuptojë dëmin që bën dhe kështu që nuk mund të vetëkorrigjohet", pohon një dekan psikologjie. Ja si e përcakton një aktor komik: "Budallai është si diamanti: është përgjithmonë".

    2) Sëmundje ngjitëse

    Budallallëku është edhe sëmundje ngjitëse. Pra, me pak fjalë, budallaqet janë më të "çmendura" se autorët e tyre. Kjo e shpjegon edhe faktin që popuj të tërë (si Gjermania naziste, apo Italia fashiste) mund të ndikohen lehtësisht të ndjekin objektiva të "çmendura". Ky është një fenomen mjaft i njohur në psikologji. "Infektimi emocional i vetë grupit i zvogëlon aftësitë kritike. Ja si verifikohet "polarizimi i marrjes së një vendimi": zgjidhet alternativa më e thjeshtë, e cila shpesh është edhe më pak e zgjuar", shpjegon dekani i Psikologjisë.

    3) Fanatik dhe servil

    Përveç komunitetit, ekziston edhe një tjetër faktor që zmadhon budallallëkun: të gjendurit në një pozicion komandimi. "Pushteti i bën njerëzit budallenj", shkruante një filozof gjerman. Por pse ndodh kjo? "Njerëzit që janë në pushtet shpesh mendojnë se fakti që ata ndodhen në pushtet janë më të mirë, më të zotë, më të zgjuar, më të ditur se njerëzit e tjerë. Pra, janë të rrethuar nga servilë dhe përfitues që e forcojnë vazhdimisht këtë iluzion", vazhdon më tej ai. Kështu, njerëzit që janë në pushtet janë të prirur të bëjnë gjithmonë budallallëqe të mëdha. Ndër të tjera, "pushteti-politik, ekonomik, burokratik - e rrit fuqinë dëmtuese të një personi budalla", thekson historiani. Shembulli ekstrem paraqitet në filmin "Dr. Strangelove" i regjisorit Stanley Kubrick, ku një grup budallenjsh arrijnë të gjejnë "mekanizmin e fundit të botës", duke shkaktuar kështu zhdukjen e planetit. Megjithatë, kjo "shpikje" nuk shërben për të komanduar shkencën. Në fakt, historia "zien" nga gabimet e bëra prej budallallëkut.

    Një shembull? Luigji XVI, më 14 korrik të 1789-ës (dita e marrjes së Basties, ngjarja që i dha fillesën revolucionit francez) shënoi mbi fletën e ditarit të tij: "Sot nuk ndodhi asgjë e rëndësishme". Të njëjtën trashësi duket se ka pasur edhe gjenerali Xhorxh Armstrong Kaster, që u përlesh me indianët në Montana në vitin 1876, apo Napoleoni që donte të pushtonte Rusinë në mes të dimrit të vitit 1812 (gjatë të cilës ushtria franceze vdiq nga i ftohti dhe vështirësitë), pa llogaritur më pas humbjet e paparashikuara të Vietnamit dhe Irakut të sotëm.

    Po sikur budallai të isha unë?

    Sigurisht në këtë rast ndryshon puna, duhet të bëjmë një reflektim. Një tjetër karakteristikë e budallenjve është fakti se nuk e dinë që janë. Nëse mendojmë që nuk jemi, nuk mund ta përjashtojmë mundësinë që në fakt jemi... Të paktën rrallëherë dhe nën efektin e ndonjë aspekti. "Gjithmonë jemi të prirur t‘u vëmë etiketë sjelljeve që nuk bëjnë pjesë në mendjen tonë normale. Por, të mendosh që vetëm të tjerët janë budallenj është një rreth vicioz po aq budalla. Në fakt, te të gjithë ne ekziston një faktor budallallëku, i cili është gjithmonë e më i madh nga ai që mendojmë", thekon historiani.

    Sigurisht ky faktor mund të mos jetë medoemos një telash. Me sa duket budallallëku ka edhe një funksion evolutiv: të shërben të bësh akte të papërgjegjshme, të cilat në shumë raste të veçanta janë shumë të vlefshme, sesa të mos bësh asgjë. "Budallallëku, për sa i përket sjelljes irracionale, e bën njeriun të pranojë sfida të cilat nuk do t‘i pranonte kurrë", vazhdon më tej ai.

    Pra, me pak fjalë, budallallëku na lejon të gabojmë dhe duke mësuar nga gabimi, ka gjithmonë një progres të njohjes. Pika kyçe për të "asgjësuar" budallallëkun është njohja e gabimeve tona dhe më pas t‘i eliminojmë sa më shumë ato. Ja si thoshte një shkrimtar francez: "Është një budalla brenda meje. Duhet të përfitoj nga gabimet e tij".

    Por si mund të arrihet një gjë e tillë? Një studim i kryer kohët e fundit ka identifikuar një hapësirë të trurit në pjesën tëmthore të kokës, e cila aktivizohet kur përsërit një gabim të cilin e ke bërë edhe më parë. Është një sinjal alarmi që na ndalon të bëjmë të njëjtat gabime. Nëse në bazë të budallallëkut do të kishte një anomali në këtë zonë, ndoshta me kalimin e kohës mund ta korrigjojmë me një ndërhyrje kirurgjikale. Të paktën nëse nuk do të binim në duart e ndonjë kirurgu budalla...

    Ta parashikosh? Është e pamundur, por ka 5 ligje (dhe 3 pasoja)

    Budallallëku ka disa veti të pandryshueshme. Ja 5 pikat e gjetura nga historiani:

    Çdo njeri prej nesh e nënvleftëson gjithmonë numrin e budallenjve që na rrethojnë
    Probabiliteti që një njeri të jetë budalla varet nga çdo karakteristikë e tij (edukimi, ambienti etj.)
    Budalla është ai që i shkakton dikujt tjetër një dëm pa pasur vetë asnjë avantazh, ose mund të humbasë nga e gjithë kjo
    Njerëzit e zgjuar e nënvleftësojnë gjithmonë fuqinë dëmtuese të budallenjve. Në veçanti njerëzit e zgjuar harrojnë gjithmonë se në çdo moment dhe vend shoqërimi me budallenjtë është i rrezikshëm, madje do t‘u kushtonte shumë
    Budallai është njeriu më i rrezikshëm që ekziston

    3 pasojat

    Te secili prej nesh ekziston një faktor budallallëku, i cili është gjithmonë më i madh nga ai që mendojmë
    Kur budallallëku i një personi bashkohet me atë të një tjetri, efekti rritet në mënyrë gjeometrike
    Të kombinosh zgjuarsinë e njerëzve të ndryshëm, është më e vështirë se sa të bashkosh budallallëkun

    Po tani çfarë të bëj?!

    Një bojaxhi vëren se është drejt përfundimit të lyerjes dhe ka mbetur në një cep të dhomës. Për të dalë duhet të bëjë pis këpucët dhe dyshemenë. Sa budalla!

    Formula: dëm maksimal për të gjithë

    Si ta përcaktojmë budallallëkun? Historiani dhe ekonomisti i famshëm italian ka hartuar një sistem efikas për ta identifikuar qartësisht: një grafik kartezian.

    Grafiku

    Boshti horizontal përcakton përfitimet që përftohen nga veprimet tona, boshti vertikal tregon përfitimet që përftohen nga një person tjetër, apo grup. Përfitimi mund të jetë pozitiv, i pallogaritshëm, ose negativ (pra një humbje). Të dy boshtet përcaktojnë 4 kuadrate që tregojnë 4 "tipa njerëzish": të papërgatiturit (persona që me sjelljen e tyre i bëjnë dëm vetes, ndërkohë që i japin avantazh dikujt tjetër), të zgjuarit (persona që me veprimet e tyre i japin avantazh vetes dhe të tjerëve), banditët (persona të cilët kanë sjellje të çuditshme, por që dëmtojnë të tjerët) dhe budallenjtë: persona që u shkaktojnë dëme të tjerëve pa pasur asnjë avantazh për veten. Ky është rezultati më i keq i mundshëm


    Të papërgatiturit (+ përfitimet për të tjerët)

    Të zgjuarit (+ avantazhet për veten)

    Banditët (- dëmi që u shkakton të tjerëve)

    Budallenjtë ( - dëmi që i shkakton vetes)

    gazeta shqip
    My silence doesn't mean I am gone!

  3. #3
    mall Maska e bili99
    Anëtarësuar
    05-04-2007
    Vendndodhja
    USA
    Postime
    1,804
    Rrofsh Davius qe ke sjelle kete analize thuajse te perkryer per budallallekun,
    Shpesh njerezit dijne dhe nuk veprojne si dijne me nje fjale nuk jetesojne ate qe dijne.
    Por per budallallekun qe thuajse te gjithe nuk dijne se jane te tille, c'te them as une nuk e dij...por marre nga lart:" Budallai eshte njeriu me i rrezikshem".. eshte nje definicion i drejte : budallenjte jane shumice( mazhorance) ne cdo kohe dhe ne cdo vend .Kjo ne perkthim i bie; eshte nje alarm * Planeti eshte ne rrezik*,por sa harrova shumica absolute nuk e di kete... planeti i pashprese eshte....

    me nderime,
    bili99
    Ndryshuar për herë të fundit nga bili99 : 27-01-2008 më 09:38
    I Ilirides jam Iliri,
    dhe i lire dua me mbet.
    Per cfardo xhevahiri,
    Shqiperine se jap per jete

Tema të Ngjashme

  1. universi
    Nga olimpiadisti në forumin Historia shqiptare
    Përgjigje: 8
    Postimi i Fundit: 24-03-2009, 14:33
  2. Fisi i Gazullorëve (Universi i meshtarëve Gazullian)
    Nga NoName në forumin Komuniteti katolik
    Përgjigje: 0
    Postimi i Fundit: 02-04-2006, 18:20
  3. Teoritë mbi lindjen e Gjithësisë
    Nga ALBA në forumin Shkenca dhe jeta
    Përgjigje: 5
    Postimi i Fundit: 04-12-2004, 18:58
  4. Kurani prin drejt rruges se shkences!
    Nga altin55 në forumin Komuniteti musliman
    Përgjigje: 6
    Postimi i Fundit: 07-11-2004, 16:09
  5. Miss Universi 2002
    Nga Estella në forumin Tema shoqërore
    Përgjigje: 23
    Postimi i Fundit: 17-08-2002, 22:03

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •