"Vendlindja thërret", fond përçarës dhe dështak
Idriz Zeqiraj
Në kuadrin e debateve për fondet
Me kohë është parë se ky fond, me emërtesë emocionale, nuk është për marshallah! Por, kemi heshtur, sepse kundërshtia e parë të jepte ndajshtimin e tmerrshëm "tradhtar", sabotues të luftës, rrjedhimisht, të lirisë dhe të pavarësisë të Kosovës! Tani që është mbyllur lë ta bëjmë bilancin jo matematik, sepse ky ishte fond xhepash dhe do të ishte e pamundur, por moral e politik të tij.
Fondi "Vendlindja thërret" u lind në ilegalitet, thonë në vitin 1993. Ndoshta themelimi ka qenë fisnik. Botimi i një gazete në Perëndim, siç ishte "Zëri i Kosovës", me një tirazh të kufizuar, është tejet i kushtueshëm, madje i papërballueshëm, për kaçikun e një grupi të vogël njerëzish. Shembull: LDK-ja, me një anëtarësi masive, dy herë ka provuar botimin e revistës "ORA" dhe mungesa financiare e ka shuar për herë të dytë. Në pranverën e vjetme, kur fillimisht Drenica e, më vonë, e tërë Kosova u provokua nga forcat ushtarake e paramilitare serbe, grupi partiak i LPK-së aktivizoi shumë njerëz, madje edhe jashtë radhëve të saj, për ta nxjerrë nga ilegaliteti fondin "Vendlindja thërret". Megjithatë, administratorët e shumëçka tjetër rreth fondit vazhdonte të mbetej enigmë dhe pa fije transparence.
"Vendlindja thërret", kundërvënie Fondit shtetëror
Agjitatorë profesionistë e amatorë, në ato qindra mbledhje të kushtueshme, të organizuara në Mërgatë, ngulmonin se "i vetmi fond që ndihmon luftën në Kosovë është fondi "Vendlindja thërret"!?? Ndërsa, sipas tyre, "Fondi i Republikës të Kosovës", është thjesht humanitar dhe personal i Bukoshit me shokë"!?? Agjitatorët, në stilin e tiradave lindore, komuniste, nuk jepnin asnjë fakt konkret as për fondin e tyre, por as edhe për "shpërdorimet" e fondit tjetër të anatemuar nga ata. Për rrjedhojë, përçarja ndërshqiptare në Mërgatë po ripërtërihej, pas përçarjes të parë në vitet `80-a, ndërmjet LPK-së të sotme dhe atdhetarit, Hero i Kosovës - Jusuf Gërvalla, kur Partia e Punës të Shqipërisë, me sigurimin famëkeq, intrigonte brenda vetë Lëvizjes, të disa grupeve
djathtiste e majtiste, epokë kjo e denoncuar dhe e publikuar besnikërisht nga miku im Sabri Novosella, pjesëmarrës direkt dhe përgjues i vëmendshëm i poshtërsive shtetërore të kohës hoxhiste.
"Vendlindja thërret" - fond tërësisht i dështuar
Ky fond, duke iu kundërvënë, me metoda perfide, Fondit legal shtetëror, i shprehur në 3 % (përqindshin) obligativ, ndonëse nuk arriti, më saktë, nuk deshti ta financojë luftën, ai e sabotoi dukshëm atë. Dhe, ky sabotim, sidomos në kohë lufte, përbën një krim të rëndë, që nuk mund të kalojë pa analizë e gjykim.
E para, ka pasur raste që janë gjetur burime të levërdishme për armatosjen e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Autori i këtij shkrimi ka vënë në dijeni, paralelisht, drejtuesit e dy fondeve qendrore, përkatësisht të - Qeverisë të Kosovës dhe të "Vendlindjes thërret", madje në Prishtinë dhe Mërgatë. Përgjigja ka qenë: "Fondi "Vendlindja thërret" nuk ka para për armë!! Drejtohuni Fondit të Qeverisë!" Pra, ky fond nuk arriti të armatosë UÇK-në, përveç ca kallashëve difektozë, edhepse thirrej në emër të armatimit!?
E dyta, fondi "Vendlindja thërret" nuk arriti të paguajë as rrogat për komandantët e UÇK-së, gjegjësisht, të sigurojë ekzistencën materiale të familjeve të tyre. Kujtoni publikimet e miliona markave që u kishte dhënë krerëve politikë të UÇK-së kolonel Ahmet Krasniqi, ministër i Mbrojtjes, i vrarë pabesisht në zemër të Tiranës.
E treta, fondi "Vendlindja thërret" nuk arriti as t`i ushqejë ushtarët e UÇK-së. Për këtë jemi dëshmitarë okularë, si pjesë e Emergjencës të luftës, se Qeveria e Kosovës, Shoqata "Ulpiana" dhe ndihmat e pakursyera të mërgimtarëve tanë, pavarësisht nga përkatësia partiake, përjashto kontigjentin minor të LPK-së, i kanë dhuruar ushtrisë tonë.
Të konsiderueshme kanë qenë edhe ndihmat e Mërgatës shqiptare, jashtë procedurave të fondeve, pra, dhënë dorazi, për armatim në shkallë fshati, lokaliteti e komune. Pastaj ndihmat dhënë reparteve stërvitore, që, herë-herë, kanë qenë shuma enorme, p.sh. 10 (dhjetë) milionë dollarë amerikan për repartin ushtrimor në Fullqet të Burrelit e tjerë.
Pse dështoi fondi "Vendlindja thërret"?
Arsyeja kryesore e dështimit ishte se ky qe një fond ilegal, privat, i hapur nga një grup njerëzish, që dihej se çfarë përfaqësonin, por jo edhe cilët ishin nominalisht. Ky grup njerëzish, natyrisht, pa ndonjë peshë reale asaj kohe, nëpërmjet një gazete me shkrime pa autorësi, kontestonin të gjitha institucionet paralele shqiptare të Kosovës, të krijuara pas viteve `90-a. Pra, njësoj si Serbia! Ata nuk u kyçën në asnjë nga aksionet e shumta financiare legale, madje as në Fondin shtetëror të Kosovës. Angazhimi i një morie njerëzish, pa asnjë kriter, në agjitim të fondit "Vendlindja thërret", është arsye tjetër e vetëdështimit të tij.
Në radhët e djemve të mirë dhe qëllimmirë, u infiltruan edhe shumë halabakë, gjithherë dorështrënguar e shmangies për aksionet e Kosovës. Pjesa dërrmuese e tyre, jo vetëm që nuk kishte paguar 3 %-in obligativ shtetëror, por edhe kishin agjituar tek të tjerët për mosdhënie! Madje, disa syrësh, me veprime përçarëse në Mërgatë dhe sjellje të tjera të dyshimta, kishin zgjuar kureshtjen dhe nevojën e përgjimit të tyre, gjë që ka rezultuar se ishin në shërbim të pushtuesit në Kosovë. Për rrjedhojë, masa e mërgimtarëve kërkesat e tyre i konsideronin provokative dhe nuk i pranonin as për të biseduar e lëre më për të dhënë para. Arsyeja në vazhdim e dështimit të fondit është edhe prepotenca e manifestuar në tubimet agjitative për fondin "Vendlindja thërret", që është unikale në llojin e vet.
Telefonimet anonime, madje, në orët e vona të natës, shantazhimet dhe kërcënimet ndaj veprimtarëve të LDK-së në Mërgatë, janë parathënia e terrorit e këtij fillim-sundimi, të pas luftës, të Qeverisë të Përkohshme, sa të paligjshme, aq edhe arrogante.
Këtë e ilustrojmë me rastin e Kaiserslauternit - Gjermani. Në kërkesën për të marrë fjalën, një përfaqësim veprimtarësh të suksesshëm, jo vetëm në këtë qytet, por edhe në tërë Republikën e Rheinland Pfalz-it, refuzimi, nga agjentët e fondit "Vendlindja thërret", të cilët identifikoheshin me UÇK-në, bëhet i prerë dhe shoqërohet me kërcënim në sallë: "UÇK-në askush nuk mund ta kundërshtojë dy herë"! Shtrohet pyetja: Ku e dinte dr. Mujë Rugova, që kryesonte tubimin dhe fliste në emër të UÇK-së(!!), se çfarë do të thoshin veprimtarët në fjalë, ndërkohë që ata kishin ndërmarrë nisma që pikërisht ndihmonin UÇK-në?! Paragjykimet e tilla nga "ushtarët" e UÇK-së, të cilët "luftonin" në sallat luksoze të Perëndimit, manipulonin me heroizmin dhe gjakun e ushtarëve faktikë në frontin e luftës në Kosovë, ishin kobzeza për popullin e Kosovës.
Një aleat shumë i keq i fondit "Vendlindja thërret" ka qenë edhe Televizioni Shqiptar (TVSH). Në intervistat e disa komandantëve dhe përfaqësuesve politikë fiktivë të një segmenti majtist të UÇK-së e deri të ndoca të vetëshpallur krerë të Unionit të Pavarur Studentor, (të cilët ose kanë mbaruar vite më parë, ose janë studentë të përjetshëm, që nuk përfaqësojnë askënd), në mbyllje të
intervistimit, pa asnjë lidhje konteksti, shqiptonin klishenë e porositur, bajate e false:
"I vetmi fond që ndihmon luftën është fondi "Vendlindja thërret"!!! Shkrimtari realist, Maksim Gorki, thotë: "Mos u mundo të mohosh tek tjetri çdo gjë, sepse rrezikon të mos të të besojë askush për asgjë". Diç e tillë u ndodhi edhe këtyre intervistaxhinjve të kudondodhur. / Vijon
Krijoni Kontakt