Një treg i vetëm ndëratlantik do të siguronte begatinë perëndimore
Ivana Kuhar
Zëri i Amerikës
24-01-2008
Ndërsa ekonomia amerikane po tregon shenja të një ngadalësimi, disa ekspertë parashikojnë që Azia ka të ngjarë të bëhet qendra e re e rëndësishme e ekonomisë botërore. Megjithatë, një studim i ri lë të kuptohet se krijimi i një tregu të vetëm ndëratlantik do të siguronte vazhdimësinë e begatisë perëndimore.
Ekonomitë amerikane e evropiane të marra së bashku mbizotërojnë ekonominë botërore. Secila ka një rritje të përgjithëshme të ekonomisë së brendëshme prej rreth 14 triliardë dollarësh në një ekonomi botërore prej rreth 50 trilionë dollarësh. Por tregjet e reja si Kina dhe India zunë 50 përqind të rritjes së ekonomisë globale vitin e kaluar, dhe në se vazhdojnë me këtë rritëm, së shpejti ato do të krijojnë më shumë se gjysmën e prodhimit të pasurisë globale.
Megjithë shtimin e tregjeve të reja, deri tani lidhjet ekonomike më të rëndësishme për Shtetet e Bashkuara, janë ato me Evropën, thotë Daniel Hamilton, autor i një studimi të ri me titull “Ekonomia Ndëratlantike 2008”. “Çdo vit, firmat amerikane sigurojnë më shumë se gjysmën e fitimeve të tyre në Evropë, jo në Azi. Vitin e kaluar këto firma nxorrën më shumë fitime në Irlandë, një vend me 4 milionë banorë, sesa në Kinë, vend me 1. 2 miliardë banorë”. Në vitin 2007, korporatat amerikane investuan 33 miliardë dollarë në Holandë, ndërsa në gjithë Azinë vetëm 26 miliardë. Investimet e Shteteve të Bashkuara në Zvicër, një vend i vogël, ishin 50 përqind më më të mëdha sesa investimet në Azi e Lindjen e Mesme.
Evropa, investuesi më i madh në Shtetet e Bashkuara, zuri 75 përqind të të gjitha investimeve të huaja në Amerikë. “Ne përllogarisim që ekonomia ndëratlantike ka një vlerë prej 4 trilionë dollarësh. Kjo ia kalon të gjitha lidhjeve që Shtetet e Bashkuara kanë me çdo kontinent tjetër. Lidhjet ekonomike ndëratlantike kanë krijuar deri në 14 milionë vende pune që paguajnë mirë, me standarte të larta sigurimesh dhe mbrojtje të mjedisit”.
Autori i studimit, Daniel Hamilton drejton qendrën për marrëdhënie ndëratlantike pranë universitetit, Xhons Hopkins, në Uashington. Ai thotë se një numër më i madh firmash evropiane po i vendosin qendrat apo filialet e tyre në Shtetet e Bashkuara, dhe kështu ndihmojnë amerikanët nëse ekonomia e tyre ngadalësohet. “Pra, rritja në Evropë e ka shpëtuar Amerikën nga keqësimi i gjendjes ekonomike, që tani mund të ishte edhe më e keqe. Vitin e kaluar, kjo balancë ishte në anën tjetër. Për shumë vjet ne thonim se amerikanët janë në gjendje më të mirë ekonomike sesa evropianët. Vitin e kaluar ndodhi e kundërta – dhe Evropa i erdhi Amerikës në ndihmë, nëse mund të shprehemi kështu”.
Zoti Hamilton thotë se një ekonomi ndëratlantike e mirëintegruar mund t’i shohë ekonomitë e reja në rritje me vetbesim. Por ai thekson se që Perëndimi të vazhdojë të jetë i begatë ndërsa të tjerët përparojnë ekonomikisht, është me rëndësi që të krijojë një treg të vetëm ndëratlantik. “Idea është për të patur një treg ndër atlantik ku prodhimet në njërin breg të oqeanit të pranohen në bregun tjetër, pa qënë e nevojëshme që ato t’u nënshtrohen procedurave e rregullave të tepërta. Ajo që ne imagjinojmë është një vërshim i lirë i prodhimeve, kapitaleve dhe njerëzve”. Eksperti Daniel Hamilton e pranon se krijimi i një tregu të vetëm ndër atlantik është një projekt i guximshëm, për zbatimit e të cilit do të duhet të kalojë të paktën një brez. Por ai shton se një nivel i tillë guximi është i nevojëshëm për të ruajtur begatinë në të dy anët e oqeanit Atlantik.
Krijoni Kontakt