Shtohen enigmat, bien dyshimet. Hetuesit: Mund të jetë një histori e sajuar
Një histori incesti e sajuar apo reale!? Kjo është enigma që policia, prokuroria dhe mjekësia ligjore në Tiranë, po mundohen t‘i japin një përgjigje familjes Isufaj në fshatin Laknas në kryeqytet. Megjithëse Policia e Shtetit ka dokumentuar dy kallëzime nga dy pjesëtarë të familjes, sipas së cilës gjithçka është e vërtetë, prokuroria ka hedhur në dyshim pretendimet, duke deklaruar se ngjarja është sajesë. Megjithatë, mjekësia ligjore, e cila mund të ndihmonte hetuesit për të verifikuar dyshimet e ngritura, ka nxjerrë një ekspertizë, sipas të cilës vajza është defloruar kohë më parë, por nuk përcaktohet nëse 58-vjeçari Ramadan Isufaj ka kryer marrëdhënie seksuale me vajzën e tij me dhunë. Një kopje e ekspertizës nga mjekësia ligjore i është servirur dje Prokurorisë së Tiranës, e cila po vijon hetimet për këtë rast. Nga burimet pranë akuzës bëhet e ditur se pas denoncimit të vajzës dhe nënës së saj në komisariat, oficerët e policisë gjyqësore kanë shoqëruar 24-vjeçaren për ekspertizë në mjekësinë ligjore. Vajza i është nënshtruar sërish një ekspertimi të dytë, i cili i është dorëzuar akuzës së kryeqytetit, ku bëhen të ditura edhe detajet e analizave. Burimet thanë se materialet e ardhura janë bashkuar në dosje dhe po verifikohen nga hetuesit e çështjes mbi bazën e incestit të 58-vjeçarit. Por një tjetër dyshim i organit hetimor është se gjithçka ka qenë një sajesë dhe në ditët në vazhdim pritet që në prokurori të pyeten edhe "protagonistet" e denoncimeve. Sipas burimeve, nëse konstatohet dyshimi i mësipërm, atëherë do t‘i kërkohet gjykatës lirimi i Ramadan Isufajt.
Hetuesit e çështjes thanë se gjithçka varet nga deklarata e vajzës dhe nënës së saj, të cilat disa ditë më parë, në Komisariatin e Policisë Nr.4 në Tiranë, akuzonin 58-vjeçarin se kishte kryer veprimet e turpshme me vajzën, duke e kërcënuar atë të mos tregonte, si dhe duke përkeqësuar në këtë mënyrë gjendjen mendore të saj, deri në tentativë vetëvrasjeje. E pyetur përse nuk kishte denoncuar më parë këtë ngjarje, Shpresa Isufaj tha se ishte në dijeni të këtij veprimi, por kishte frikë dhe turp nga banorët e tjerë të fshatit. Ndërkaq, veprimi i dyshuar i Isufajt konfirmohet edhe nga vetë vajza e mitur, teksa deklaronte se kishte turp të tregonte. Ndërsa në masën e arrestit me burg, Ramadan Isufaj tha se "nuk e kam përdhunuar kurrë vajzën time". Ai ka pretenduar se gjithçka ishte një sajesë e gruas së tij, të cilën i pandehuri pretendoi se e kishte zënë në flagrancë me të dashurin e saj. "Pasi e kapa me një burrë në shtëpinë tonë, ajo më akuzoi mua se kisha shkuar me vajzën tonë, por kjo nuk është e vërtetë", mësohet të ketë thënë Isufaj përpara trupit gjykues.
Grupi hetimor tha dje se çështja është kthyer në "luftë dëshmish". Mësohet se janë administruar me dhjetëra dëshmi nga familjarët, të cilët konfirmojnë dhe hedhin poshtë incestin në familje. Megjithatë, 58-vjeçari rrezikon një dënim të rëndë, pasi ekspertiza mjeko-ligjore ka rikonfirmuar dyshimet e ngritura.
Krijoni Kontakt