Kryeministri grek, Kostas Karamanlis, mbërriti dje në Turqi, në vizitën e parë zyrtare atje të një lideri grek, në pothuajse pesë dekada. Vizita historike, treditore, po shikohet nga të dyja palët si një hap i rëndësishëm përpara, drejt përmirësimit të marrëdhënieve. Rëndësia simbolike e udhëtimit është e qartë; vizita e fundit në Turqi e një Kryeministri grek është bërë në 1959-ën. Por, pavarësisht simbolikës së saj, si në Athinë, ashtu edhe në Ankara, pak kush beson se kjo vizitë do të sjellë ndonjë zgjidhje të shpejtë për çështjet që prej kohësh i kanë vënë dy vendet fqinje ballë për ballë, herë si rivalë e herë si armiq. Mes këtyre çështjeve të nxehta është edhe statusi i ishullit të ndarë të Qipros, si edhe mosmarrëveshjet territoriale mbi detin Egje, që një dekadë më parë, i ka çuar të dyja vendet në prag të luftës. Gjithsesi, pas vitesh të tëra dyshime të ndërsjella, që kohë pas kohe janë shndërruar në armiqësi të hapur, marrëdhëniet mes Greqisë dhe Turqisë janë përmirësuar ndjeshëm gjatë dekadës së fundit. Karamanlis, që u prit pas zbritjes nga avioni nga shefi i diplomacisë turke, Ali Babacan, u takua menjëherë me homologun e tij, Recep Tayyip Erdogan. Në mënyrë të veçantë, dy vendet fqinjë dhe aleatë brenda NATO-s kanë përmirësuar lidhjet e tyre ekonomike. Pjesa e importeve turke në Greqi është dyfishuar nga 2000-2006 për të arritur në 1,3 miliardë euro. Në të njëjtën kohë, Greqia është bërë një investitore e fuqishme nga ana tjetër e kufirit, veçanërisht në sektorin bankar. Nëntorin e kaluar, dy vendet inauguruan gazsjellësin e parë të përbashkët, një vepër që do të mundësojë të rritet furnizimi me gaz i Perëndimit evropian, duke forcuar pozicionin e tyre si korridor energjetik në rajon. Lidhjet ekonomike pritet gjithashtu të qëndrojnë në krye të axhendës së kësaj vizite. Por, pavarësisht nga kjo, mbeten edhe një seri problemesh serioze politike, si fluturimi thuajse i përditshëm i avionëve ushtarakë turq në hapësira ajrore të diskutueshme mbi Egje, apo edhe pretendimet territoriale mbi disa zgjatime shkëmbore në këtë det. Dhe sigurisht, ishulli i ndarë i Qipros, ku Turqia mban ende të stacionuara trupat e saj, mbetet një pikë ngacmuese për marrëdhëniet dypalëshe. Ndërsa në teori, të dyja vendet kanë vendosur një dialog mbi këto çështje, në praktikë ky dialog është i ngrirë. Gjithsesi, ka shpresa që vizita e Karamanlisit të mund të sjellë një impuls të ri në këtë proces. Por, në një kohë kur çështjet finale janë tejet të ndjeshme, dhe pozicionet e të dyja palëve mbeten shumë të kundërta, asnjë rezultat konkret nuk mund të pritet nga kjo vizitë. Vizita e Kryeministrit grek, Kostas Karamanlis, në Turqi, i përgjigjet asaj që Erdogan bëri në Athinë në maj 2004. Në fakt, kryeministrat turq kanë zhvilluar një seri vizitash në Athinë. Tani, analistë nga të dyja vendet pohojnë se sa më shumë që Greqia dhe Turqia të punojnë për zgjidhjen e problemeve që i ndajnë, sa më shumë këto dy vende të bashkëpunojnë, aq më shumë ata do të bëhen një aset i vlefshëm për Bashkimin Evropian dhe NATO-n.

SHQIP