Një pronare ka marrë kërcënim nga blerësi i një palë pantallonave xhins në vend të lekëve për çmimin e tyre. Ngjarja ka ndodhur në një njësi veshjesh në modë në lagjen nr. 1 të qytetit të Sarandës. Pronarja Nazo Danaj ka mbetur e tmerruar dhe e alarmuar nga ajo që ka ndodhur dhe në çast ka njoftuar sallën operative në Komisariatin e Policisë së Sarandës. Denoncimi i saj ka qenë për kanosjen me armë të ftohtë në lokalin e saj nga një shtetas që kërkonte të merrte gratis pantallonat xhins. Njoftimi i saj vuri në lëvizje grupin e gatshëm dhe strukturat e policisë kriminale për të shkuar në vendngjarje. Pas një pune të vëmendshme operative, policia ka arritur të identifikojë shtetasin që kërcënoi me thikë në grykë pronaren. Kanë mjaftuar vetëm tridhjetë minuta për të kapur Roland Myftarin, të akuzuar si autor i ngjarjes së dhunshme. Mësohet se 26-vjeçari Myftari është banor i fshatit Mbreshtan të Beratit, me arsim të mesëm, i padënuar më parë. Burimet policore thanë se Roland Myftari ka konsumuar veprën penale "grabitje me dhunë, kanosje dhe armëmbajtje pa leje".
© Gazeta Shqip
Krijoni Kontakt