Pas zbulimit të lëndës narkotike, arrestohet pronari i lokalit, Naun Argjendari
Policia e Fierit ka vënë nën pranga një 61-vjeçar. Ai kërkohej prej tre muajsh, pasi sipas policisë, ka rezultuar se në mjediset e jashtme të lokalit të tij, 61-vjeçari kishte kultivuar bimë narkotike. Ka qenë seksioni i luftës kundër kultivimit, shitjes dhe prodhimit të bimëve narkotike në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Fier, ai që orët e vona të mbrëmjes së kaluar ka mundur të vërë në pranga Naun Argjendarin. Sipas burimeve zyrtare të policisë së Fierit, mësohet se kontrolli në mjediset e jashtme të lokalit në pronësi të Naun Argjendarit është kryer në datën 22 tetor të vitit 2007. Pas marrjes së informacioneve në rrugë operative agjentë të antidrogës kanë ushtruar kontroll në lokalin, vetëm 30 metra larg godinës së Drejtorisë së Policisë Fier. Kontrolli ka qenë i befasishëm dhe në hyrje të lokalit në fjalë, që ndodhet "nën hundën" e institucionit të policisë kishin lulëzuar bimët narkotike të llojit kanabis sativa. Po sipas informacioneve zyrtare të policisë së Fierit, mësohet se në muajin tetor të vitit të kaluar, kur dhe u zhvilluar kontrolli, agjentët e antidrogës mundën të shkulnin sasinë e bimëve narkotike dhe pas asgjësimit të pjesës më të madhe, një mostër e kanë dërguar drejt Institutit të Policisë shkencore në Tiranë. Nga ky i fundit mbërrin përgjigjja e analizave disa ditë më parë, ku vërtetohej se bimët e gjetura ishin të llojit kanabis sativa. Sipas burimeve policore, mësohet se në momentin e gjetjes së bimëve në muajin tetor, pronari i lokalit ku dhe kishin lulëzuar, Naun Argjendari, është marrë dhe është pyetur për tri ditë me radhë, ndërkohë që pas sinjalizimit të tij se dosja është mbyllur ai është larguar.
Dy ditë më parë, Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Fier nxjerr dhe urdhrin e ndalesës për Naun Argjendarin. Ai është prangosur në banesën e disa të afërmve të tij në qytetin e Patosit, ndërkohë që do të gjykohet nën akuzën e "kultivimit të bimëve narkotike". Sasia e bimëve narkotike ishte 20 rrënjë. Ato ishin të kultivuara mes lulishtes së këtij lokali. Lokali frekuentohej përgjatë gjithë ditës nga uniforma të shumta blu, ndërsa nuk dihet pse bima u dyshua se ishte hashash ku kapërceu lartësinë e 1 metri. Gjithashtu, si fillim në momentin e konstatimit zyrtarisht prej Drejtorisë së Policisë u deklarua se bima ishte kërp.
© Gazeta Shqip
Krijoni Kontakt