Funksionarët e PDSH japin dorëheqje kolektive nga postet institucionale
Shtuar më: 20/01/2008 - 15:10
• Funksionarët shtetëror të Partisë Demokratike Shqiptare(PDSH) mbrëmë kanë ofruar dorëheqje kolektive tek lideri i kësaj partie Menduh Thaçi, njofton agjencia e lajmeve INA.
Informata është konfirmuar sot edhe nga krerë të lartë të kësaj partie, të cilët nuk kanë dashur të japin detaje të tjera, që sipas tyre pritet të bëhen publike nga kryesia e ngushtë e PDSH-së. Poashtu edhe ministri i shëndetësisë Imer Selmani pohoi një gjë të tillë duke nënvizuar se nesër PDSH do të zbardh vendimin e saj që ka të bëjë me dorëheqjen kolektive.
“Është e vërtetë se ka pasur dorëheqje kolektive dhe se të gjithë funksionarët e lartë duke filluar nga ministrat kanë nënshkruar dorëheqjet tek kryetari i partisë. Dorëheqjet do të jenë të atyre funksionarëve të cilët nuk kanë arritur rezultate në ato dikastere që drejton PDSH”, theksoi një zyrtar i PDSH-së për agjencinë e lajmeve INA. Sipas tij, kryetari i PDSH ka kërkuar llogari nga të gjithë funksionarët rreth rezultateve të tyre në institucionet shtetërore. Arsyeja e këtij vendimi është rënia e rejtingut të PDSH muajve të fundit nga 8 për qind në 5 për qind. Sondazhi i fundit i Institutit amerikan IRI bëri të ditur se PDSH gëzon mbështetje prej 5 për qind të shqiptarëve, ndërsa BDI në opozita ka një rejting prej 11 për qind.
Reagimet e para kanë pasuar edhe zëdhënësi i Qeverisë, Ivica Bocevski i cili theksoi se ky vendim është partiak që është ndërmarrë brenda PDSH-së.
"Ne nuk kemi të komentojmë këto vendime partiake dhe se kryeministri Gruevski ka kontakte të pandërprera me liderin e PDSH-së, Menduh Thaçi”, theksoi për agjencinë INA, Ivica Bocevski.
PDSh përfaqësohet me pesë ministra dhe shumë poste drejtuese të nivelit të dytë dhe të tretë institucional.
Krijoni Kontakt