Një 30-vjeçar, banor i fshatit Shënavlash të Durrësit, ka gjetur vdekjen, duke vjedhur një transformator të energjisë elektrike. Ylli Elezi është gjetur i pajetë nga fqinjët, në rrugicën që kalonte pranë banesës së tij në Shënavlash të Durrësit, por në fakt ai ka vdekur në fshatin Grabian të Lushnjës. Hetimet e para të policisë, sqarojnë se babai i 2 fëmijëve, me origjinë nga Librazhdi, ka vdekur pasi ka rënë në kontakt me energjinë elektrike. Ngjarja ka ndodhur në të gdhirë të ditës së djeshme, në Rrethin e Lushnjës, ndërsa policia kriminale e këtij rrethi është duke hetuar rrethanat e vdekjes.
Sipas burimeve zyrtare nga policia e Lushnjës mësohet se Ylli Elezi, lindur në Librazhd dhe banues në fshatin Shënavlash të Durrësit, së bashku me një shokun e tij, kanë shkuar në një nga fshatrat e Rrethit të Lushnjës për të vjedhur. Ai ka tentuar të vjedhë një transformator të linjës elektrike që furnizon fshatin Grabian. Elezi dhe një shoku i tij, të pajisur edhe me automjet qarkullonin nëpër fshatrat e Durrësit, Lushnjës dhe Kavajës me qëllim grabitjen.
Mbrëmjen e së hënës, ai është larguar nga banesa dhe është nisur në drejtim të Lushnjës. Së bashku me bashkëpunëtorët e tij, ai ka ndaluar në fshatin Grabian, ku kanë hyrë brenda një kabine elektrike me qëllim vjedhjen e transformatorit. Duket se goditja nga rryma elektrike i ka shkaktuar vdekjen 30-vjeçarit. Sipas pistës së ngritur prej policisë, trupi i Elezit është marrë nga bashkëpunëtorët e tij në vjedhje dhe është lënë në afërsi të banesës në fshatin Shënavlash në Durrës. Atë e kanë gjetur fqinjët, që më pas kanë lajmëruar familjarët. Vetëm pas ekspertizës në spitalin e Durrësit u konfirmua që shkak i vdekjes së Ylli Elezit ishte goditja nga rryma elektrike.
Sipas burimeve zyrtare të Policisë së Lushnjës mësohet se menjëherë pas marrjes së informacionit për vdekjen e 30-vjeçarit, agjentë të antikrimit kanë nisur punën për zbardhjen e ngjarjes. Një grup ekspertësh ka mbërritur në fshatin Grabian, të komunës me të njëjtën emër në Rrethin e Lushnjës, ku ndodhi tentativa e vjedhjes nga viktima. Burimet policore konfirmojnë zyrtarisht se mbrëmjen e së hënës, Ylli Elezi është nisur nga shtëpia me Muhamet Marën për të vjedhur. Ata kanë përfunduar në fshatin Grabian të Lushnjës. Në vendin e njohur me emrin "Tre urat" në hyrje të fshatit, ata kanë tentuar të vjedhin transformatorin që furnizon të gjithë zonën me energji.
Një pakujdesi gjatë çmontimit i ka shkaktuar vdekjen Ylli Elezit. Muhamet Mara e ka marrë së bashku me një furgon taksi, me targë të verdhë LU 090 A, që drejtohej nga 58-vjeçari Bilbil Gjoni për ta lënë në orët e para të mëngjesit të djeshëm në rrugicën pranë shtëpisë së tij, në Shënavlash.
Policia ka marrë në pyetje pas zbardhjes së ngjarjes dy të dyshuarit, të cilët pas shumë orësh në ambientet e komisariatit kanë pranuar të dëshmojnë lidhur me ngjarjen. Akuza e ngritur për dy të arrestuarit është ajo e "bashkëpunimit në vjedhje" dhe "fshehje e së vërtetës së krimit".
Krijoni Kontakt