Çfarë shkruan Hoxha në letrën e 2 shtatorit 1949, drejtuar KQ të Partisë Komuniste të BS-së
Dokumenti që botohet është publikuar për herë të parë në Moskë, në vitin 1998 (pas 50 vjet sekretimi), në një botim të përbashkët të katër arkivave qendrore të Rusisë: Arkivi i Presidentit të Federatës Ruse, Arkivi i Politikës së Jashtme, Qendra Ruse e ruajtjes dhe studimit të dokumenteve të historisë më të re, dhe Arkivi Shtetëror i Federatës Ruse. Titulli i botimit në të dy vëllimet është: “Evropa Lindore në dokumentet e arkivave ruse, 1944-1953”. Në këtë botim përfshihen edhe një numër dokumentesh që lidhen direkt me Shqipërinë, sidomos lidhur me çështjen e Kosovës dhe tokave shqiptare në Maqedoni e Mal të Zi. Janë publikuar biseda të E. Hoxhës me Stalinin 1949 dhe Molotovin 1948, (Stenogrami rus), raporte të ambasadorëve sovjetikë në Tiranë e Beograd, raporte të ambasadorëve jugosllavë në Tiranë dhe Moskë. Në vëllimin e dytë, (faqet 206-214) botohet një letër e gjatë e Enver Hoxhës drejtuar udhëheqjes sovjetike 1949, ku tregohet për herë të parë, në vitin 2002, në një përmbledhje të dokumenteve të arkivave ruse, të bërë prej meje dhe që mban titullin “Letër e panjohur e Enver Hoxhës mbi Kosovën”. Letra përfaqëson një dokument unikal dhe interesant për një problem të madh kombëtar që vazhdon të jetë në rend të ditës edhe sot, pas 62 vjetësh. Në një vend të letrës thuhet se “çështja e Kosovës mund të zgjidhet vetëm me luftë”. Ky parashikim doli i saktë, pavarësisht se ngjarjet u zhvilluan ndryshe nga ajo që parashikohej e propozohej në shtator të vitit 1949. Natyrisht, ajo është formuluar me frazeologjinë dhe konceptet politike të asaj kohe kur është shkruar, por thelbi i saj është çlirimi i Kosovës nga robëria serbe. Dokumentet e publikuara në Moskë, edhe aq sa janë bërë të njohura deri sot, përbëjnë një material tepër të vlefshëm për të gjithë ata studiues që dëshirojnë të gjykojnë historinë shqiptare dhe marrëdhëniet shqiptaro-jugosllave në mesin e shekullit XX. Studimi i arkivave ruse ofron një burim të pasur për një vlerësim objektiv të shumë ngjarjeve, po të marrim parasysh se faktori sovjetik ka qenë përcaktues në politikën shqiptare për afro njëzet vjet. Për mirë apo për keq, ky është një fakt që nuk mund t’i shmangemi, në qoftë se duam një vështrim objektiv të historisë. Historia, para së gjithash mbështetet në fakte. Pastaj dhe mbi bazën e tyre, bëhen interpretimet.
LETËR E ENVER HOXHËS
Drejtuar KQ të PK të BS mbi parahistorinë e lindjes së problemit të Kosovës dhe metodat e zgjidhjes së tij
Tiranë, Jo më vonë se 2 shtator 1949
SEKRET
KOMITETIT QENDROR TË PK (B) TË BS MBI KOSOVËN
Shqiptarët e Kosovës që jetojnë në Republikën Popullore të Jugosllavisë nga numri i tyre përbëjnë një pakicë kombëtare të konsiderueshme. Kjo pakicë shqiptare është e vendosur në rajone që kufizojnë me Republikën Popullore të Shqipërisë. Kongresi i Berlinit dhe traktati i paqes së Versajës i kanë shkelur padrejtësisht interesat e Shqipërisë dhe të pakicës kombëtare shqiptare të Kosovës. Sipas të dhënave statistikore të vjetra, të paraluftës (statistikë e falsifikuar e regjimeve mbretërore të Serbisë, me ndihmën e të cilës ata orvateshin të vërtetonin që pakica kombëtare shqiptare nga numri i saj është e parëndësishme), numri i pakicës shqiptare përbën afro 700.000 veta. Kurse në të vërtetë në Jugosllavi, Kosovë dhe Metohi, Maqedoni, Mal të Zi numri i shqiptarëve arrin në një milion, në mos më tepër. Një pjesë e konsiderueshme e shqiptarëve në këtë statistikë janë maskuar e fshehur nga regjimet e asaj kohe nën emrin myslimanë dhe turq. Shqiptarët e Kosovës dhe të krahinave të tjera shkëputjen e vet me dhunë nga Shqipëria e kanë konsideruar dhe vazhdojnë ta konsiderojnë si padrejtësinë më të madhe që u është bërë. Ata nuk janë pajtuar me një zgjidhje të tillë të problemit dhe nuk dëshirojnë të mbeten brenda kufijve të Jugosllavisë, pavarësisht nga rendi politik i saj. Ky është realiteti. Ideali i tyre i vetëm është shkrirja me Shqipërinë. Gjatë Luftës së Dytë Botërore si fashizmi, si reaksioni janë mbështetur pikërisht në këtë faktor. Ata ngritën çështjen e Kosovës dhe i “bashkuan” Kosovën dhe Metohinë me Shqipërinë nën parullën e “Shqipërisë së Madhe”. Nga ana e fashizmit, kjo ka qenë një demagogji e madhe, si rrjedhojë e së cilës shqiptarët e Kosovës u gjendën të neutralizuar në luftën kundër fashizmit dhe atyre iu krijua iluzioni sikur ëndrra e tyre shekullore mbi bashkimin me Shqipërinë, gjoja u bë realitet, prandaj s’ka shkaqe për të luftuar kundër fashizmit. Nga ana tjetër, ne konsiderojmë se Partia komuniste e Jugosllavisë qysh në atë kohë, në vitet 1941 – 1942 dhe pas tyre, ka ndjekur një vijë politike të gabuar dhe jo të drejtë në çështjen kombëtare, që ishte një vijë nacionaliste e maskuar e asaj kohe. Shqiptarët e Kosovës duhet të qenë të sigurt që duke luftuar krah për krah me popujt e Jugosllavisë kundër fashizmit, ata do të fitonin të drejtën për vetëvendosje për t’u bashkuar me Shqipërinë ose me Jugosllavinë, ose për të mbetur të pavarur.
Ç’është e vërteta, ne qemë të mendimit se dy variantet e fundit do të përjashtoheshin, sepse shqiptarët e Kosovës do të luftonin vetëm për variantin e parë. Kjo ishte plotësisht e qartë edhe për PKJ-në, por ishte krejt e disfavorshme për të, prandaj kanë qenë edhe aq të mjegullta deklaratat e saj parimore, të cilat bënë që popullsia e Kosovës nuk mori pjesë në luftë, sepse ajo nuk besonte në drejtësinë jugosllave, ndonëse në këtë rast ata paraqiteshin në emër të PKJ-së. Shqiptarët e Kosovës, pas masakrimit të tyre në masë nga serbomëdhenjtë, duke pasur plus kësaj edhe një nivel të ulët politik zhvillimi, nuk mund t’u zinin besë jugosllavëve, pavarësisht se si do të paraqiteshin ata. Mirëpo, ky moment nuk u mor parasysh nga PKJ-ja, gjë që s’ishte aspak e rastit. Organizimi i luftës çlirimtare në Kosovë nën udhëheqjen e PKJ-së, nuk krijoi asnjë komitet kombëtar të posaçëm, në të cilën udhëheqja do të ishte vetëm në duar të shqiptarëve. Ajo nuk krijoi atje as parti, as luftë dhe nuk saktësoi lidhur me shqiptarët. Kjo atje, nuk ndodhi. Jo vetëm kaq, por PKJ-ja bëri të gjitha përpjekjet që përgjithësisht të mos ngrihej çështja e Kosovës, të mos edukoheshin masat e popullsisë shqiptare të Kosovës në frymën e patriotizmit, e të mos lejohej që krahas flamurit jugosllav të valëvitej edhe flamuri shqiptar (gjë që do të ishte për ta një forcë e madhe simbolike dhe mobilizuese). Përkundrazi, Komiteti Qendror i PKJ-së i shtypte këto aspirata të popullsisë shqiptare të Kosovës, luftonte vazhdimisht kundër tyre dhe na dënoi ne, kur paraqitëm një propozim të tillë dhe u shprehëm në favor të këtyre aspiratave. Ne e mendonim të pavend shtruarjen e çështjes së bashkimit të Kosovës me Shqipërinë në kulmin e luftës. Sipas mendimit tonë, shqiptarët e Kosovës duhet të luftonin kundër fashizmit në kuadrin e shtetit jugosllav dhe vetëm pas fitores, kjo çështje duhej të zgjidhej midis dy partive komuniste dhe dy regjimeve demokratike popullore, që duhet të vendoseshin në Jugosllavi dhe Shqipëri, pas fitores mbi armikun. Për arritjen e mobilizimit sa më të madh të shqiptarëve të Kosovës, ne mendonim se nga ana e jugosllavëve duhej të zgjidhej në mënyrë paraprake çështja e pjesëmarrjes sa më të madhe të shqiptarëve kosovarë në organet e pushtetit, çështja e flamurit… Edhe zyrtarisht, ne kemi kërkuar leje për të dërguar në Kosovë njërin nga nënrepartet partizane shqiptare për të ndihmuar në mobilizimin sa më të madh të popullsisë shqiptare vendore në luftë kundër fashizmit. Këtë mendim tonin ne ia shfaqëm Vukmanoviç Tempos, i cili në atë kohë ishte përfaqësues i KQ të PKJ-së për organizimin e luftës në Maqedoni. Kurse kërkesës sonë zyrtare, Milutin Milutinoviçi, anëtar i KQ të PKJ-së dhe organizator i luftës kundër fashizmit në Mal të Zi, iu përgjigj kështu: “S’ka kurrfarë nevoje për dërgimin e njerëzve tuaj në Kosovë, atje do të dërgohet një divizion i yni, i cili do t’i zgjidhë të gjitha problemet e Kosovës”. Më vonë u vërtetua, që në Kosovë qe dërguar një ekspeditë ndëshkimi, e cila mbolli tmerrin atje.
Për një pikëpamje të tillë të shprehur nga Miladin Popoviçi dhe nga unë, Titua në një letër drejtuar Miladinit, e akuzonte atë për devijim dhe e dënonte ashpër. Kështu pra, shqiptarët e Kosovës për asnjë çast s’janë pajtuar me zgjidhjen e imponuar atyre nga PKJ: as në kohën e luftës, as në kohën e pasluftës. Krijimi i krahinës autonome të Kosovës dhe Metohisë është vetëm demagogji, ai nuk bindi asnjë shqiptar të Kosovës, kurse ideali i bashkimit të tyre me Shqipërinë, ngeli i parealizuar. Pas persekutimit dhe masakrimit të kohëve të Aleksandrit, shqiptarët e Kosovës provuan në kurrizin e vet edhe masakrimin në masë menjëherë pas çlirimit të Jugosllavisë. Vrasjet masive u kryen nga repartet e ushtrisë popullore-çlirimtare të Jugosllavisë. Edhe nëse në periudhën e luftës çlirimtare kishte ndonjë farë besimi ndaj PKJ-së, pas këtyre persekutimeve krejtësisht të pajustifikueshme, që dëshmonin për pikëpamjen me të vërtetë shoviniste të udhëheqjes së PKJ-së qysh në atë kohë, në popullsinë shqiptare të Kosovës u shua çdo iluzion, dhe ajo nuk ushqen kurrfarë besimi në PKJ. Për të, serbomëdhenjtë dhe udhëheqja e PKJ-së, janë e njëjta gjë. Shqiptarët e Kosovës kanë reaguar ashpër kundër të gjitha këtyre persekutimeve dhe janë arratisur në male. Por, PKJ e shtypi me hekur e gjak këtë lëvizje, duke e quajtur kryengritje të reaksionit. PKJ-ja kurrë s’ka dashur të studiojë gjendjen specifike të Kosovës dhe ka vazhduar të përdorë metodat e vjetra të shtypjes shtazarake. Kosova do të qe kthyer në vatër lufte, sikur për ndonjë arsye atje të mos mbërrinin repartet e ushtrisë partizane shqiptare. Ardhja e reparteve të ushtrisë shqiptare në Kosovë ngjalli qetësim, i ftohu gjakrat e nxehura, ringjalli ndërmjet shqiptarëve të Kosovës besimin që të gjitha çështjet do të zgjidhen në rrugë paqësore, krijoi bindjen që repartet tona do ta mbronin popullsinë shqiptare, ashtu siç edhe bëmë. Repartet tona u bënë pengesë për jugosllavët në përdorimin prej tyre të represioneve kundër shqiptarëve të Kosovës. Në këtë mënyrë, PKJ qysh në fillim të luftës dhe deri në çlirim, e më vonë ka qenë në pozita shoviniste në çështjen e Kosovës. Madje edhe në kushtet e pushtetit popullor të Jugosllavisë, çështja e Kosovës nuk gjeti zgjidhjen e vet të drejtë. Kjo çështje po zgjidhet mbi bazën e nacionalizmit. Të drejtat kombëtare dhe demokratike të shqiptarëve në Kosovë, nuk respektohen aspak. Kurrfarë lidhjeje me Shqipërinë! Për më tepër, PKJ po krijon me mjeshtri dhe me këmbëngulje gjithfarë pengesash në këtë drejtim. Ne kemi qenë të mendimit që çështja e Kosovës në kohën e luftës popullore- çlirimtare nuk mund të shtrohej për diskutim dhe se prandaj, vija e partisë sonë në këtë çështje, siç u tha më sipër, ishte e drejtë. Në luftën popullore-çlirimtare, Jugosllavia ishte aleatja jonë dhe, natyrisht, ne nuk mund të kalonim në pozita reaksioni.
Partia jonë mbante një qëndrim të caktuar ndaj çështjes së Kosovës dhe luftoi me sukses kundër demagogjisë fashiste. Ajo bashkë me PKJ-në, aprovuan një deklaratë të përbashkët: thirrje shqiptarëve të Kosovës, duke i ftuar në luftë kundër armikut të përbashkët. Ne ishim të mendimit që në Jugosllavinë demokratike dhe popullore, e në PKJ kemi një aleat besnik e të sigurt dhe, duheshin shmangur situatat e vështira. Korrigjimi i kufijve tanë me Jugosllavinë në drejtim të bashkimit të Kosovës me Shqipërinë, në çdo moment do të qe një forcim i ri, i Shqipërisë. Por nga ana tjetër, në kohën e parë pas çlirimit republika e vogël e Shqipërisë, madje edhe bashkë me Kosovën, do të qe një pre e lehtë për armikun dhe në rast sulmi dhe pushtimi të Shqipërisë, dëmi për çështjen e përbashkët do të qe tepër i madh. Prandaj, Kosova duke mbetur në kohën e parë pas çlirimit në kuadrin e republikës jugosllave, ishte shumë më pak e rrezikuar. Por pastaj, situata u kthjellua. Në këtë mënyrë, qysh në çastin e nënshkrimit të traktatit me Jugosllavinë, ne kemi qenë të mendimit që erdhi çasti për t’u shtruar çështja e Kosovës dhe kjo çështje në atë kohë, u shtrua nga ana ime para Titos. Tito m’u përgjigj: “Kosova i takon Shqipërisë dhe duhet të bashkohet me Shqipërinë. Ne e dëshirojmë këtë gjë me gjithë shpirt, por në momentin e tanishëm nuk mund ta lejojmë, sepse reagimi i serbomëdhenjve është ende shumë i fuqishëm, kështu që ky akt i drejtë mund vetëm të na dëmtojë”. Pastaj u vërtetua që këto fjalë të Titos, ishin vetëm demagogji. Në kushtet që janë krijuar tani, pas demaskimit të tradhtisë së klikës së Titos, ne mendojmë që çështja e Kosovës duhet të ngrihet rishtas. Ata po e kthejnë Jugosllavinë në një burg popujsh, ku mbretëron terrori hitlerian-fashist. Çështja e çlirimit të popujve të Jugosllavisë nga kjo bandë fashiste, njëkohësisht me këtë edhe çështja e çlirimit të popullsisë shqiptare të Kosovës, ngrihet para nesh, si një çështje imperative. Ne mendojmë se çlirimi i popujve të Jugosllavisë mund të arrihet vetëm me luftë e gjak. Tjetër rrugë s’ka. Është e domosdoshme të përmbyset e asgjësohet klika e Titos... Në kushtet e reja, ne mendojmë se qëndrojmë po atje, ku ishim në fillim të luftës popullore-çlirimtare kundër fashizmit. Lufta në Jugosllavi duhet të zhvillohet e ashpër, deri në kryengritje të armatosur kundër fashistëve të Titos. Në këtë luftë, çështja kombëtare duhet të jetë ajo që kërkon zgjidhjen e vet më me themel, sepse prej saj varen fati dhe vetë përpjesëtimet e luftës. Çfarë duhet të bëjë tani popullsia e Kosovës? Ne mendojmë se popullsia shqiptare e Kosovës, Maqedonisë dhe Malit të Zi duhet të luftojë për çlirimin e vet, po ashtu siç do të luftojnë edhe popujt tjerë të Jugosllavisë. E para, që ajo duhet të bëjë, është të futet në një luftë të ashpër e pa kompromis kundër klikës së Titos, deri në një kryengritje të armatosur.
Këtë luftë ajo duhet ta fillojë sa të jetë e mundur më shpejt. Po qe se këtë luftë do ta fillojnë të tjerët më shpejt, aq më mirë, sepse në këtë mënyrë shmanget izolimi dhe shtypja e lëvizjes në Kosovë. Popullsia e Kosovës duhet ta quajë luftën e saj si të lidhur ngushtë me luftën e të gjithë popujve të Jugosllavisë dhe në kuadrin e Jugosllavisë, përndryshe, ajo do të izolohet dhe do të shtypet. Prandaj, popullsia shqiptare e Kosovës duhet të kuptojë që çlirimi i saj dhe sigurimi prej saj i të drejtave kombëtare demokratike mund të arrihet vetëm me anë të luftës së saj, të njëkohshme me luftën e popujve të tjerë të Jugosllavisë. Shqiptarët e Kosovës duhet të luftojnë nën flamurin shqiptar. Repartet e armatosura duhet të ndodhen nën udhëheqjen e shqiptarëve të dalë në luftë e sipër dhe, parimi i vetëvendosjes duhet të përcaktohet saktë dhe të jetë rrjedhojë e luftës së ashpër të shqiptarëve të Kosovës. Kyçi për zhvillimin me sukses të luftës në Kosovë, qëndron në bashkimin e tyre me Shqipërinë. Kurrfarë zgjidhje tjetër popullsia shqiptare e Kosovës nuk dëshiron të pranojë, dhe çdo zgjidhje tjetër ajo e quan të padrejtë. Të padrejtë e quajmë edhe ne. Ne mendojmë se Kosova dhe pjesa tjetër e Maqedonisë që kufizohet me Shqipërinë me popullsi shqiptare, pas çlirimit të Jugosllavisë nga kthetrat e Titos, duhet të bashkohen me Shqipërinë. Republika Popullore e Shqipërisë do të bëjë të gjitha përpjekjet që lufta kundër klikës së Titos në Jugosllavi të zhvillohet dhe të ashpërsohet deri në fitore të plotë. Ne jemi të mendimit që qëndrimi zyrtar i Shqipërisë në çështjen e Kosovës duhet të jetë i përmbajtur, sepse kjo ndryshe mund të shfrytëzohet nga klika e Titos si mjet për të mobilizuar serbomëdhenjtë, dhe do të shërbejë si akuzë ndaj Shqipërisë për shovinizëm etj. Por, Shqipëria do t’u japë ndihmë të gjithanshme popujve të Jugosllavisë dhe popullsisë shqiptare të Kosovës, e cila duhet të veprojë dhe të tregojë iniciativën e vet në kuadrin e atyre që thamë më sipër. Çështja e shtruar lidhur me Kosovën po bëhet veçanërisht aktuale, lidhur me ndihmën që partia jonë u jep shokëve antititistë jugosllavë, si dhe popullsisë së Kosovës, e cila dëshiron dhe është e gatshme të luftojë me të gjitha mjetet kundër tradhtarëve të Beogradit. Por shqiptarët e kësaj krahine vazhdimisht shtrojnë pyetjen: “Si do të zgjidhet problemi kombëtar i Kosovës?” Ne mendojmë që kjo çështje është shumë e rëndësishme. Por, ka të ngjarë që në zgjidhjen e saj ne gabojmë, pikërisht për këtë, pa këshillat e shokut Stalin ne s’do të bëjmë asnjë hap. Lidhur me këtë edhe paraqesim pikëpamjen tonë dhe po qe se gabojmë, dëshirojmë që neve të na tregohen gabimet që të mund t’i ndreqim.
Për Komitetin Qendror të Partisë së Punës së Shqipërisë
ENVER HOXHA
Ymer MINXHOZI
Krijoni Kontakt