"Seks, gënjeshtra dhe DVD", skandali që tronditi themelet e shoqërisë greke
Në Greqi kanë ngrirë reformat dhe qeveria konservatore kërcënohet nga zgjedhjet e parakohshme
Filloi si një fabul e parëndësishme, por intriguese, dhe në fund, një zyrtar i ministrisë hidhet nga ballkoni i tij pas shantazheve të një të dashure të zemëruar. Grekët mbetën gojë hapur. Shumë pak besuan se ai që shpejt do të njihej si "skandali; seks, gënjeshtra dhe DVD" do të ngrinte me të vërtetë reformat e planifikuara, do të kërcënonte qeverinë konservatore me zgjedhje të parakohshme, si dhe do të trondiste themelet e shoqërisë greke. "Skandali na tregoi atë çka ndodhte prej vitesh, por që asnjë nga ne nuk do ta pranonte publikisht", tha studentja e arkitekturës, Viktoria Deligianni. "Nuk ka asnjë progres në këtë vend", shton ajo. Analistët politikë thonë se skandali ka vendosur në shënjestër të gjitha "sëmundjet" e Greqisë; nepotizmin, korrupsionin e përhapur shumë në politikë dhe shtyp, seksizmin dhe mungesën e shanseve për të rinjtë e kualifikuar që nuk kanë asnjë lidhje. Nuk është aspak sekret fakti që Greqia kishte nevojë për një pastrim në vitin 2004, kur zgjedhësit u tejngopën me skandalet e socialistëve në vitet ‘90-të dhe votuan për Partinë Konservatore Demokracia e Re. Kryeministri Kostas Karamanlis premtoi se do të përmirësonte gjendjen dhe do t‘i jepte fund korrupsionit kronik që prej kohësh zemëronte qytetarët dhe mbante larg investitorët e huaj. Ai premtoi gjithashtu se do të zbatonte reformat për të cilat Greqia kishte nevojë, në mënyrë që të ecte në një hap me partnerët e Bashkimit Evropian, në edukimin, sigurinë sociale, shërbimet shëndetësore dhe ato publike. Por në të vërtetë, publiku u vendos përballë një serie skandalesh. Vetëm gjatë vitit të shkuar, bonot e mbivlerësuara të qeverisë iu shitën fondit të pensioneve shtetërore dhe një ministër i Punës u pushua për shkak të punëtorëve të paligjshëm indianë që mbante në shtëpinë e tij. Renditja e Greqisë në klasifikimin e "Transparancy International" të vendeve më të korruptuara ka ecur keq e më keq, duke rënë në vitin 2007 në vendin e 56-të, pas Jordanisë, Botsvanës dhe Kosta Rikës, ndërkohë që në 2004-ën renditej e 49-ta. Skandali i DVD-së ka lënë në hije edhe arritjet ekonomike të qeverisë, duke e çuar popullaritetin e saj në pikën më të ulët që nga 2004-a; sipas një sondazhi të fundit, nën 30 për qind. Sipas shtypit grek, gjithçka filloi me një grua të re që fjeti me shefin e saj, që i kishte premtuar në anën tjetër një punë të përhershme në ministri. Kur ai nuk arriti ta mbante premtimin, ajo regjistroi takimet e tyre private dhe nisi t‘i bënte shantazh. Më pas ajo ia dha shtypit DVD-të. Pjesa më e madhe e refuzuan, por një gazetar u akuzua në media se kishte bërë një kopje dhe e kishte dërguar në zyrën e Kryeministrit. Kur DVD-ja mbërriti në zyrën e Karamanlisit, zyrtari, sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Kulturës, Kristos Zachopoulos, 54 vjeç, dha dorëheqjen, dhe u hodh nga ballkoni. Tani, ai po kurohet në një spital. Ndërkohë një deputet konservator mendohet se ka shërbyer si burim informacioni për gazetarët në dëm të autoriteteve financiare. Pas presioneve, ai dha dorëheqjen nga grupi i tij parlamentar, duke ulur numrin e vendeve të partisë qeverisëse në Parlament, në 151 nga gjithsej 300, si dhe duke shtuar kështu frikën për zgjedhje të parakohshme. Ndërkohë, vetë grekët kanë mbetur të shokuar nga zhvillimet e kësaj historie që ka dominuar lajmet në televizione, për javë të tëra. Gazetat që shiten në kioskat e verdha të Athinës publikojnë çdo ditë zbulime të reja dhe skandali dominon në çdo bisedë, madje edhe në mbrëmjet e famshme greke në tavernat dhe buzuqet e vendit. Faqet greke të internetit janë të mbushura me komente mbi përmbajtjen e DVD-së që shkaktoi këtë tërmet, duke thënë se vetëm skandali seksual nuk mund të kishte qenë shkak i mjaftueshëm që të shtynte një zyrtar grek drejt vetëvrasjes. Ata thonë se ajo çka mund ta ketë shtyrë atë në këtë vendim radikal, mund të ketë qenë diçka tjetër si për shembull "kapja" e tij, duke bërë komente negative për Kryeministrin. Qeveria ka insistuar ndërkohë se çështja ka qenë personale dhe se çdo shkelje do të përndiqej ligjërisht. "Ne mbetemi të fokusuar te reformat që i kemi premtuar grekëve", tha një zyrtar i lartë i qeverisë për agjencinë e lajmeve "Reuters" në kushte anonimiteti. "Kjo çështje do të zgjidhet nga drejtësia greke". Partitë e opozitës, ndërkohë, akuzojnë Karamanlisin se po përpiqet të mbulojë përfshirjen e zyrës së tij, duke transferuar përgjegjësitë e tij politike dhe duke refuzuar të hedhë dritë mbi këtë rast. "Linja qeveritare ka qenë çorientuese, e zymtë, tendencioze", thotë zëdhënësi i partisë opozitare, PASOK, Janis Ragousis. "Ata u përpoqën që ta paraqisnin këtë si një çështje personale, por rezultoi të ishte thellësisht politike". Zakopoulos, një ish-mësues i afërt me Karamanlisin dhe bashkëshorten e tij, dhe që kishte fuqi thuajse më të mëdha se sa ministri, shpërndante pjesë të mëdha të fondeve greke dhe të BE-së. "Kur unë kisha nevojë për diçka nga Ministria e Kulturës, e kisha të qartë se duhej të shkoja te Zakopoulos dhe jo te ministri", thotë një ambasador evropian në Athinë për "Reuters", po ashtu në kushte anonimiteti. "E kisha të qartë se ai ishte personi i ngarkuar". Prokurorët po hetojnë tani të dhënat financiare të Zakopoulos, si edhe vendimet e ministrisë për të lejuar ndërtimet në apo pranë sajteve historike. I vetmi person që është mbytur nga telashet, deri më tani, është 35-vjeçarja Evi Tsekou, gruaja e përfshirë në skandal. Ajo është akuzuar për shantazh dhe pret të dalë në gjyq. Zakopoulos nuk është akuzuar për marrëdhënie seksuale me një punonjëse të vetën. "Gruaja ka qenë objekt i abuzimit me pushtetin dhe ngacmimit seksual nga një superior, edhe pse ajo e ka lejuar këtë, sipas ligjit grek", thotë Sisi Vovou, anëtare e një qendre feministe në Athinë. "Është e papranueshme që ajo të mbahet në burg. Arsyeja e vetme përse ajo është burgosur është që ta mbajë gojën mbyllur". Për shumë gra greke që luftojnë për t‘ia dalë mbanë në një shoqëri të dominuar nga meshkujt, ajo është shembulli i një njeriu që ka zgjedhur rrugën më të lehtë dhe ka paguar çmimin për këtë.
Krijoni Kontakt