I dhuruan një tortë në ndeshjen e fundit. Arsyet e veprimit, ende të panjohura
Nëntë futbollistë të ekipit të aviacionit irakian janë shtruar në një nga spitalet e Amanit, në Jordani, pas një tentative helmimi të tifozëve të tyre. Në fund të një ndeshjeje të luajtur në Bagdad, mbështetësit e ekipit u kishin dhuruar lojtarëve një tortë, në të cilën më parë kishin hedhur helm, për arsye që ende mbeten të panjohura. Në fakt, njëri prej futbollistëve dhe djali i një tjetër sportisti (që kishte çuar një copë tortë në shtëpi) kanë humbur jetën.
Sikleti në fytyrën e ambasadorit irakian në Jordani dukej qartë, pasi i është dashur të komentojë episodin e radhës të dhunës, ku dikush ka humbur jetën... por, këtë radhë, viktima e terrorizmit është bërë sporti. Sad-al-Hajani ka ulur kokën dhe afro 10 ditë pas ngjarjes tronditëse ka konfirmuar se nëntë futbollistë irakianë janë shtruar në një spital të kryeqytetit. Arsyeja e transferimit të lojtarëve nga Bagdadi drejt Amanit ishte se spitali i mëparshëm nuk arrinte t‘i siguronte kurimin e nevojshëm dhe aty nuk ishin në gjendje të përballonin këtë rast. Substanca vdekjeprurëse ka marrë jetën e një futbollisti dhe të një djaloshi. Ajo që ka ndodhur i ka tronditur të gjithë, madje edhe ata më ekstremistët. Të vdesësh nga një tortë, e helmuar nga ata njerëz që vetëm pak minuta më parë bërtisnin emrin tënd nga shkallët e stadiumit, është diçka e papranueshme. Gjithçka për ato copa torte, të cilat iu ofruan futbollistëve nga një pjesë e publikut që kishin ndjekur ndeshjen e tyre të fundit. Disa prej tyre e kanë marrë ëmbëlsirën në shtëpi, te familjet e tyre, pasi dëshironin se ajo "dhuratë" nënkuptonte famë, respekt dhe afeksion. Por, nëntë persona kanë përfunduar në spitalin e Amanit, pasi gjendja e tyre është agravuar derisa është bërë kritike dhe tashmë nuk dihet nëse mjekët jordanezë do të arrijnë t‘i shpëtojnë jetën. Ende nuk është e qartë se çfarë helmi është përdorur dhe përse disa tifozë vendosën të helmojnë skuadrën e zemrës. Klubi i futbollit i aviacionit irakian (Al Kuva Al Javija) është më i vjetri në vend dhe është krijuar më 4 korrik 1931, periudhë kur mbante emrin Jarmout.
Shqip
Krijoni Kontakt