"E di si më vjen kur lexoj këtë kartën këtu, "E rezervuar"? Të ulem dhe mos lëviz nga vendi!".
Dhe ndonëse nuk u ul, Leko Pula morri një qëndrim të palëvizshëm para tavolinës së rezervuar në klubin e Markos. Markoja s'ju kushtoi rëndësi fjalëve të tij, se ja njihte mirë tipin shakator, por këtë rradhë Lekoja po shfaqej më serioz dhe nervoz.
Me mendimin se s'do zgjaste shumë kjo lojë, Markoja u muarr me klientët e tjerë, por kur u ndodh para banakut, kuptoi që çdo gjë mund të ishte, por kursesi lojë, ky qëndrim pingul i Leko Pulës. Atëhere i shqetësuar shpejtoi hapat drejt tij dhe i bëri shenjë të largohej. Po pse, lëvizte nga vendi Lekoja? Për të qarë e për të qeshur pamja e tij, tamam si shartimi i emrit me nofkën e ngjitur. Që s'i bënte tër syri, kuptohej menjëherë, por që të mos i lëvizte as një pjesë trupore, zor të shpjegohej për momentin.
"Mor po ky s'është dhe aq i pirë sonte! C'pati vallë?", mendoi Markoja, pa vendosur akoma se si të vepronte me të. Ju afrua më shumë dhe me marifet i foli afër veshit, "Ajde tani, shko ulu me shokët se po të presin!"
"Këtu më pëlqen të rri, në të rezervuarit! Ka ndonjë të keqe? Njerëz ata, njeri dhe unë!" Dhe avancoi të thënën me të bërën, se menjëherë u ul në karrike.
E thëna dhe e bëra e Lekos, tërhoqi vëmendjen e të gjithëve, gjë që e sikletosi deri në skuqje Markon e mbetur të vetëm më këmbë, para tavolinës së rezervuar. Zhurma mërmëritëse e njerëzve dhe e qeshura e shokëve të Leko Pulës, dukej sikur e kishin vënë atë në qendër të talljes. Dhe nga kush pa, nga një tekë e tejkaluar keqazi e një njeriu, që ai i kishte qëndruar sa e sa herë në krah, kur të tjerët talleshin e luanin me të.
"O paska roitur dhe Zoti e ndjeftë, o sot diçka ka dhe s'di ku ta shkarkojë!", tha me vete Markoja dhe vendosi që këtë rradhë mos tërhiqej.
Ju bëri shenjë shokëve të Lekos që ta ndihmonin, me mendimin se kështu respektonte miqësinë mes tyre, por ata me sa dukej ishin përfshirë nga dëshira për t'u argëtuar me veprimin e shokut. Jo vetëm s'lëvizën nga vendi, por qeshnin si me zor për të ngacmuar më shumë tekën e Lekos.
Kaq mjaftoi për të, që ta bënte më të avancuar në fjalë e xheste. Kjo ishte pika e tij më e dobët, që ndonëse e bënte pishman pas të vjelash,
ishte e pamundur ta frenonte ndonjëherë në fillesën e saj. Mjaftonte një tekë, një tiposje për diçka, apo ngacmim nga diçka, që pa pritur e pa kujtuar ta vinte në një lëvizje të pakontrolluar, sa qesharake, aq dhe provokuese. Mbase inercia e kësaj lëvizjeje do mbetej në masën e një humori të teprueshëm, por të pranueshëm për momentin, po të mos ishte ama, ajo fuqia shtytëse e nxitëse e shokëve, që ja humbnin krejt toruan Lekos.
Për herë të parë Markoja ndjeu pafuqishmëri dhe frikë bashkë. Ta kapte për krahu dhe ta nxirrte jashtë, o mund të bëhej gazi i botës, o mund të kërciste ndonjë dru i papritur. E morri lumi pastaj, atë dhe emrin e mirë të klubit.
"Sot i qëras unë të rezervuarit. Sa janë? Një, dy, tre, katër,...karrike, si gjashtë më dalin! S'qenkan shumë! E morrët vesh mo!? Sot të rezervuarit i qëras Leko Pula!"
Vërtiti kokën rreth e qark, për të parë efektin e fjalëve të tij, por asnjë s'ja vari, veç ca të qeshurave të shokëve të tij. Bile dhe atyre ju fsheh e qeshura, kur nga një tavolinë në goninë e klubit, panë të ngriheshin dy trupa të bëshëm djemsh dhe të drejtoheshin për nga Lekoja.
I gjori Leko, as e morri vesh si i humbi forca e rëndesës, kur u përfshi mes tyre, i shtrënguar fort në kockat e krahëve. Me këtë mungesë peshe torturuese, për herë të parë në jetën e tij përshkoi klubin, deri sa e pa veten të futur brenda në një xhip. Edhe në minusin më të ulët dimëror, s'kish provuar të tillë të dredhur. Ndërsa as gëk, as mëk, nuk nxorri nga goja, nuk mundi dot të përmbante të lagurën mes këmbëve.
"Hë, folë tani! Ke ndonjë problem me të rezervuarit? U bëre ti të tallesh me pushtetin popullor!?"
Një shtrëngesë më e fortë e krahëve e bëri të lëshonte një, "Oooh!" të gjatë e për një çast të ndjente sikur kishte mbetur pa to. Të mbaronte me kaq, shyqyr Zotit, po ç'ishte ajo e cimbithur në mes, që ja mblodhi dhe deformoi atë pak pjesë të mishtë të trupit dhe fytyrës? Mos po vdiste? Bah! Pse kështu ardhka vdekja? Të mos kishte parë në filma si vdisnin njerëzit, e po ajde! Rrinin shtrirë, thoshin nja dy llafe, hidhnin një shikim rreth e qark e pastaj pasi i ngulnin në një vend sytë, kthenin pak anash kokën dhe, kaq! Kurse me të po ndodhte si ndryshe! Lëshoi një, "Oh!" dhe nuk vdiq. Ja tani, i erdhi një e thirrur tjetër, "Oolele!" dhe prapë nuk vdiq! Këta qenkan, ç'qenkan! Të bëjnë për të vdekur, por s'të lënkan të vdesësh!
Pas një shuplake fytyrës, që çuditërisht s'ishte e dhimbshme si të parat, dëgjoi fjalët, "Ajd' ik tani! Dhe vëri gishtin kokës, dëgjon? Të jep dorën njer, dy her Partia, po pastaj! Ke të bësh me diktaturën e proletariatit, morre vesh!?"
"Po, po! Kuptova! Më falni!"
I vetëm në errësirën e natës harroi për pak dhimbjen e trupit, pas gëzimit që ndjeu për ekzistencën e zërit të tij. Sepse ato çaste tkurjeje trupore dhe pasthirmash dhimbjeje, i dukej sikur po i ikte zëri dhe po memecohej për tërë jetën. Sa e tmerrshme që ishte!
Nuk kuptoi nëse foli me zë, apo me mendje, "Leri pelivanllëqet Leko Pula! Nuk të shkokan më tani!" Me ftohtësinë që ndjeu nga pantallonat e lagura, ju duk vetja vërtet si pulë, por e lagur ama!
Krijoni Kontakt