Grekët falsifikojnë tregimet e Ana Komnenës

ZHAN KLOD FAVEIRIAL (pjese nga libri i tij "Historia e Shqiperise")


Ngjarjet në Shqipërinë veriore dhe në Shqipërinë qendrore – Rrethimi i Raguzës nga Bodini – Rrethimi i Durrësit nga Bohemundi

Rikthehemi tashmë në historinë e Shqipërisë së epërme, aty ku e lamë (v. 1047). Me vdekjen e Stefan Dobroslavit, Dukati i Shkodrës i mbeti Rodoslavit, njërit prej bijve të tij, dhe i cili në këtë moment ishte rrëmbyer nga Mikeli, njëri prej katër vëllezërve. Por ai rimerr më pas zotërimin, dhe mendohet se kjo u arrit me lutjen e Papa Gregorit VII, pasi duke u bërë arkizhupan i Rashës (Serbi e vjetër), Mikeli i kërkoi këtij Pape titullin e mbretit. Gregori ia dha, por me disa kushte, midis tjerash, që ti kthente vëllait të tij Dukatin e Zetës ose Shkodrën (v. 1077).

Kronikanët grekë thonë se, pasi kishte arritur pushtimin e Dukatit të Shkodrës, Niqifori, qeveritari i Durrësit, kishte marrë pengje, dhe kishte vënë garnizone në shumë qytete. Kjo është e mundur. Por nga ana tjetër, është e sigurt se Grekët nuk qëndruan aty për një kohë të gjatë pasi, shumë shpejt, vetë Brijeni pati nevojë për trupat e tij kundër Mikel Parapinacit (v. 1078), rivalit të tij.

Sidoqoftë, Niqifor Brijeni i shpalli luftë Rodoslavit, po atij Rodoslav që pregatiti arratisjen e Bodinit, nipit të tij, prej Antiokisë. Me miratimin e atit të tij, Bodini u vu në krye të trupave bullgare që kërkonin një mbret, por meqë u kap në Yskup (Shkup) prej Grekëve, u degdis në Antioki, prej nga Rodoslavi e ndihmoi të largohet me anë të tregëtarëve venecianë.

I ngjitur më pas në fronin e Serbisë, Bodini u tregua më tepër se mosmirënjohës ndaj bijve të bamirësit të tij. Jo vetëm u rrëmbeu Dukatin, por ai vetë i theri dy prej tyre. Dhe, meqë Raguza kundërshtoi ti dorëzonte të tjerët, ai e rrethoi për shtatë vjet këtë qytet bujar.

Me nxitjen e gruas së tij, Zhakintës, bijës së Agririt, një greku nga Bari, Bodini dhunoi edhe të drejtat më të shenjta. Këto krime, e të tjerat, nuk mbetën pa u ndëshkuar. Qëllimi i tyre ishte të siguronte fronin për fëmijët që ai kishte nga kjo grua ambicioze. Por, kur ai vdiq (v. 1103), parësia e mbretërisë dëboi atë dhe birin e saj Mikelin II.

Kronika e Dioklesë, nga e cila ne kemi nxjerrë pjesën më të madhe të hollësive të mësipërme, thotë se Durrësi i ishte marrë Normanëve nga Bodini, dhe nga Bodini u dorëzohet Grekëve, por nuk dihet në këmbim të çfarë përfitimesh territoriale.

Versioni i Ana Komnenës është ndryshe prej kësaj. Sipas kësaj shkrimtareje romanciere, duhet të jetë masakruar në fillim garnizoni me nxitjen e tregëtarëve të Venedikut dhe të Amalfit, e më pas do tu jetë dorëzuar Grekëve për të shmangur ndonjë ndëshkim.

Gjithsesi, Durrësi rikthehet nën pushtetin e Grekëve, dhe Bohemundi, në kthimin e tij prej kryqëzatës, përpiqet ta rimarrë atë.

Si shpërblim për shërbimet e rëndësishme që kish bërë në kryqëzatën e parë, Bohemundi kishte fituar në Lindje Principatën e Antiokisë. Por, duke parë se Aleks Komneni vijoi tu bënte kryqtarëve një luftë të pandershme, ai u vendos në një arkivol të shpuar me vrima për të bërë të mundur ajrosjen, dhe përshkon Bizantin me një anije pizane.

Me të mbërritur në Itali, ai nxiton të martohet me të bijën e mbretit të Francës. Pas kthimit të tij, ai denoncon tek Papa ushtrinë greke, si një turmë e përbërë prej të pafève, prej Pazhinakëve, Yzëve, Komanëve dhe Turqëve. Në të vërtetë, ushtria greke e tillë ishte në atë kohë.

Pak më pas, ai kapërcen Adriatikun në krye të 60 mijë këmbësorëve dhe 10 mijë kuajve, për t'ua marrë Durrësin grekëve.

Për fatin e keq të të tij, qytetet në Shqipëri ishin të pajisur me gjithçka, shtoji kësaj edhe muret e Durrësit me një gjerësi të tillë sa katër kuaj të ecnin ballas. Padyshim, më e mira e më e thjeshta për Bohemundin, ka qënë tu marrë Grekëve Shqipërinë. Ushtria e tij i imponohet në mënyrë të atillë perandorit bizantin, sa ai nuk guxoi të linte kampin e tij të Devollit (Korçë).

Prej andej, Aleksi shkruante, sipas tregimit të bijës së tij, Ana Komnena, letra mashtruese, me qëllim që të dyshohej për Bohemundin, por asnjë nga oficerët italo-normanë nuk ra viktimë e kësaj intrige bizantine. Më në fund, u arrit një marrëveshje midis Aleksit dhe Bohemundit (v. 1108). Por teksti i saj vjen i falsifikuar prej Grekëve, dhe nuk dihet tamam se si kanë rrjedhur ngjarjet.

Vetëm shihet se Durrësi mbetet në duart e Grekëve, dhe se principata e Antiokisë u zgjerua me krahina të shumta, por, meqë Grekët nuk i plotësuan më pas kushtet e traktatit, Bohemundi rikthehet në Shqipëri, kur vdekja i jep fund jetës së tij të stuhishme.

Tablo e administrimit bizantin në Shqipëri nga Teofilakti - Primati i Ohrit

Sipas njohjeve tona, Teofilakti është i vetmi grek që e zbërthen administratën bizantine, pasi e ka parë për një kohë të gjatë të funksionojë, dhe e ka ndjerë peshën e saj. Letrat e tij janë një thesar i vërtetë, dhe është për të ardhur keq që, me përjashtim të Barvanit, asnjë dijetar nuk i ka rrëmuar ato.

Për të krijuar një përfytyrim të përgjithshëm të administratës së vajtueshme bizantine, ato duhet të bëhen të gjitha publike, por qëllimi ynë është shumë i kufizuar për tu marrë për një kohë të gjatë me të.

Letrat e Teofilaktit kanë qenë të botuara pa data, por të gjitha janë autentike. Ai i ka shkruar në kohën e perandorit Aleks Komneni (v. 1081-1118). Një pjesë iu drejtohen funksionarëve kryesorë të kishës greke, të tjerat personaliteteve kryesore të oborrit perandorak.

Në kohën e tij, selia patriarkale e Kostandinopojës ishte zënë nga Komi I, i rrëzuar nga froni më 8 maj 1081 nga Eustat Gorida, edhe ky i rrëzuar më 1084 nga Nikola Gramairiani që vdiq në vitin 1111, dhe më në fund, nga Gjoni IX. Duke i shkruar njërit prej tyre, Teofilakti shprehet kështu:

"Tagrambledhësit tanë makutë nuk i lanë popullit të rrënuar as edhe një kacidhe, e kjo na rëndon më shumë. Dhe këtë zanat prej tirani, ata e ushtrojnë pa u druajtur aspak dhe me ligësi, e sa më të shkuar në moshë aq më tepër u mungon maturia.

Sikur të paktën ligësia e tyre të vjetërohej, apo lodhja tu diktonte së paku disa caqe. Por jo, çdo ditë makutëria e tyre shpik një mënyrë sjelljeje të re, çdo ditë shpirti i zvetënimit shpërthen nga brendësia e tyre, me të tilla rrënjë të thella ku s'gjendet as edhe një ndjesi dhembshurie apo frike njerëzore, që të mund ti zmbrapste.

Çdo ditë, për më tepër, i shikon të studiojnë veç dy gjëra: të njohin më mirë mënyrat se si të shkatërrojnë, e si të realizojnë sa më me ashpërsi padrejtësinë. Po të guxonim të përmendnim perandorin, dhe të kërcënonim me ndëshkimin që jep Zoti, për tu vënë frè të ligjve! Ata do të merrnin inat, do të talleshin me çiltërsinë me të cilën iu flitet atyre, dhe do të habiteshin që ata vetë kanë qenë dikur aq të dobët nga shpirti, sa kanë besuar në një iluzion të tillë.

Po tu flitet për Zotin dhe Providencën, ata tallen me to, dhe do tu flasin si Faraoni hebrenjve:- Është puna ajo që ju mungon. Sa më të zënë me punë, aq më pak do ta tallandisni popullin me festa dhe pushime (Eksod. 5, 17). Kështu puna dyfishohej, gjë që i bënte ata më të ashpër dhe më të egër.

Dhe, më pas, ç'të shohësh? Klerikë të rrahur dhe të plaçkitur, fshatarë të rrjepur deri në palcë, toka të matura me aq saktësi, sa që edhe një centimetër nuk mund ti shpëtojë llogaritjeve, dhe, në fund, taksa të tilla sa bujqëve nuk iu mbetet tjetër veç gjëmbaçëve dhe ferrave.

Duhet shtuar se tagrambledhësit kanë bërë të pamundurën që të përvehtësojnë pronat e kishës. Ata, po ashtu, përvehtësonin privilegjet hyjnore në atë mënyrë sa do të më vinte në ndihmë një shprehje e Jovit: ky këtu, që dje ishte veçse një mizë, sot është kthyer në luan. Dhe ajo më e çuditshmja. Fajtorë dhe të akuzuar për shpërdorime nga më të mëdhatë, ata pretendojnë se as nuk duhen qortuar.

Ata imagjinojnë se një peshkop nuk mund të jetë varfanjak, madje se ai gjen të korra të bollëshme aty ku as edhe një farë nuk është mbjellë në tokë, se lumenjtë i sjellin atij kallëpe ari, dhe se për të kulluar këtë flori, nuk ka nevojë as për furra.

Një prift që nuk u jep atyre gjithçka që ata kërkojnë, nuk është më prift. Është një ndyrësirë, është një i poshtër, përbuzës i gjërave hyjnore, një njeri që interesohet vetëm për vehten e tij, një krijesë më e keqe se Demoni.

Dhe, jo vetëm tagrambledhësit nuk kanë frikë të hedhin mbi kurriz të krishterëve të gjitha tepritë që mund të frymëzojë tërbimi i një kopracie të panginjur, por, për më tepër, ata lëvdohen për akuzat që peshkopët bëjnë kundër tyre, sikur ato të ishin dëshmi besueshmërie.

Më në fund, ata imagjinojnë se e kanë merituar ndihmën e Zotit kur kanë zhvatur peshkopët dhe kanë rrënuar kishat".

Duke iu përgjigjur funksionarit të lartë vendas Adrian, vëllait të Aleks Komnenit, Teofilakti i shkruan midis tjerash: -"Ata që administrojnë punët publike janë më shumë shkretues krahinash sesa tagrambledhës. Për ata, ligjet hyjnore dhe dekretet perandorake, s`kanë asnjë vlerë e asnjë fuqi. Të shohësh mënyrën me të cilën administrohen çështjet e të krishterëve, do të thuhet se ata nuk kanë shpirt, dhe se nuk kanë pajtuar shpirtin tek Jezu Krishti. Dhe, jo vetëm populli është i dërrmuar nga sjellja e tagrambledhësve, por edhe vetë kleri trajtohet me përbuzjen më të madhe".

Në një letër për djalin e Sevastokratorit, vëllait të Aleks Komnenit, Teofilakti shkruan: -"Oh, zotëri dhe mbrojtës im i lartë, tashmë ju kini bërë në këtë vend një mirësi të madhe. Ju i kthyet jetën Prespës dhe Devollit, krahinës së Prespës dhe të Korçës. Çfarë rreziqesh nuk kanoseshin këtu! Peshkopit, megjithëse kishte krisobulën e tij, iu desh të marrë arratinë, e gjithë popullsia u fsheh nëpër pyje. Ç`fatkeqësi për mua që nuk mbeti as dhjak e as prift në kishën tonë, që njëherë e një kohë lulëzonte. Më kishin folur për këtë, dhe prej asaj çka më thanë, më rrodhën lotët. Për këtë shkova dhe i vizitova, dhe aty unë shpërtheva në vaj nga gjendja e mjeruar në të cilën i gjeta".

Në letrën e tetëmbëdhjetë, të botuar nga Lami, Teofilakti i përgjërohet birit të Sevastokratorit që, mbi të gjitha, ti vinte keq për krahinën e Ohrit. -"Një krahinë -thotë ai, mes tjerash -do të shuhet nga Bullgaria, nëse ju, zot dhe mbrojtës i lartë, nuk shtrini dorën për ti ardhur në ndihmë. Vendi është shkretuar, ullishtet janë dëmtuar. Të gjitha krahinat tona janë keq e mos më keq, dhe pa diskutim mund të thuhet se gjendja është në Pelagoni (qarku i Manastirit), ashtu siç është Mikoni (ishull i shkretë dhe pa ujë) dhe ishujt e tjerë të arkipelagut. Për rrjedhojë, -shton Teofilakti -të shpëtosh këtë krahinë nga një rrënim i plotë, do të thotë ti shërbesh po ashtu edhe të gjithë udhëtarëve, pasi nuk do gjenin as ushqimet e as gjërat tjera të nevojëshme". Në përgjithësi kalohet nga Ohri për të vajtur e ardhur nga Kostandinopoja në Durrës dhe në Adriatik. Diçka interesante!

Teofilakti këmbëngul personalisht, dhe dy përfaqësuesit e dërguar prej krahinës tek i biri i Sevastokratorit, duhej të ngulmonin, jo vetëm që të mos shtohej, por edhe më tepër të zvogëlohej numri i xhandarëve, të cilët shkatërronin vendin. Është e tepërt të shtohet se për xhandarët e Perandorisë së Poshtëme, nuk kishin vlerë as më vonë udhëzimet e perandorisë Otomane.

KAPITULLI 36

Taksat në kohën e Perandorisë së Poshtme, sipas Teofilaktit –Teofilakti i dëbuar nga Ohri

Midis letrave të Teofilaktit, të botuara nga Mursi, gjenden dy prej tyre, me numër 41 dhe 43, në lidhje me taksat dhe krisobulat e nxjerra prej perandorit në favor të kishave. Ato janë, si njëra dhe tjetra, shumë të gjata dhe i drejtohen: -e para Niqifor Brijenit, kunatit (duhet të jetë dhëndrrit, shën. i përkth.) të Aleks Komnenit, -dhe tjetra Adrianit, vëllait të po këtij perandori.

Për të njohur më mirë kuptimin e tyre duhet ti bëhet një shqyrtim i posaçëm gjendjes së taksave, por ne po mjaftohemi me nxjerrjen e pjesëve më të kuptueshme, si dhe ato që na shërbejnë si argument për të treguar se nën sundimin turk, cilatdo që të ishin të metat, kurrë popullsia dhe kleri nuk kanë qënë viktima të padrejtësive të këtilla, siç ishin nën sundimin grek.

Fillimisht, në letrën e dërguar Brijenit, Teofilakti na bën të ditur se, për të protestuar kundër agjentëve të Tisit, ai u lye me një helm nëpërke në oborrin e Bizantit, gjë që e zemëroi së tepërmi perandorin kundër tij dhe, sipas mendimit të Aleks Komnenit kjo e dëmtoi drejtpërdrejtë kishën e tij. -"Atëhere, -shton ai -cili është shkaku i gjithë këtyre të këqijave? Në këtë makutëri dhe zemërligësi të zakonëshme të tagrambledhësve, të cilët me anë shpifjesh të mahnitshme, të lloj lloj përrallash e dëshmish të rreme, më kanë bërë mua një përbindësh të tillë sa që Briari me 100 koka dhe Tifoni, zoti i së keqes, nuk janë asgjë në krahasim me Arkipeshkvin e Ohrit. Dhe cili është qëllimi i këtyre intrigave të ndyra? Të më mbyllin gojën që të mund të veprojnë sa më tepër pa u ndëshkuar, si dhe për ta patur sa më të lehtë për të gjitha llojet e abuzimeve. Sikur të paktën, -vazhdon arkipeshkvi -ata vetë të shfaqeshin ndonjë ditë të bukur, këta burra me të vërtetë të denjë për tu quajtur tartarë dhe që e kanë shpifjen si idhull! Por jo. Ata u fshehën dhe nxorrën përpara një ish-bujk të kishës, të quajtur Lazar, njeri me prejardhje të ulët, dhe që i përshtatet gjithçkaje që i kërkohet".

Duke i shkruar vëllait të Aleks Komnenit, Teofilakti thotë: -"Ju e njihni Lazarin, por askush në Kostandinopojë nuk e di të keqen që ka bërë në kurrizin tonë. Ju, po ashtu, nuk e dini se, duke mos patur me çfarë të blente rrobat, tagrambledhësit ia blenë shumë të bukura e shumë të çmuara, me qëllim që të bëjë përshtypje më shumë, dhe që të hahen më kollaj shpifjet e tij kur ta shohin të veshur më mirë. Tani së fundmi, ma ngjiti mua zjarrvënien e Ohrit. Akuza është aq më pak e besueshme, pasi në atë kohë unë nuk gjendesha në Ohër, dhe se, nga ana tjetër, të më atribuosh djegien e këtij qyteti, është njësoj si të vrasësh veten me duart e tua. Këto gjëra e shumë të tjera si këto, Lazari nuk i bën nga vetvehtja, por me nxitjen e plotë të shefit të tagrambledhësve, dhe të atij që i duket vetja si zotëria ynë (guvernatori) beson se mund t'i lejohet gjithçka që bën ndaj nesh...".

Por le të vijmë në përmbajtjen e letrës për Niqifor Brijenin. "I sigurt -thotë Teofilakti -se gënjeshtrat merreshin në Kostandinopojë si të vërteta, dhe se duke ardhur në anën tonë e vërteta pritej si shpifje, Lazari ia dorëzoi veten të gjitha instinkteve të liga të karakterit të tij. Dhe për çfarë të keqe, për çfarë zemërligësie, nuk është i zoti shpirti bullgar? Duke u dhënë i gjithi pas perversitetit të tij, Lazari u bashkua në fillim me Ohridasit për të na krijuar telashe, dhe, më pas, duke iu drejtuar fushave, ai ngriti kundër nesh të gjithë ata që i gjeti njerëz të molepsur, domethënë heretikët, shkelësit e kurorave, poligamët, dhe të gjithë klerin e pezulluar e të përjashtuar nga bashkësia. Në Kostandinopojë ai bëri që unë të humbas besimin e perandorit. Këtu ai arriti të më humbasë dashamirësinë e guvernatorit. Sipas tij, të gjitha malet ishin të mbushur veçse me kopetë e mia. Sipas kësaj, po të ishin pronat e mia aq të mëdha, unë do të isha i zhytur në pasuri. Unë do të bëja një jetë prej Satrapi, dhe luksi i pallatit tim do të eklipsonte lluksin e atij të Ekbatanit dhe të Susit".

Çfarë kërkon Teofilakti? Respektimin e privilegjeve që u janë akorduar kishtarëve dhe pronave të kishave, mbrojtja dhe kujdesi i të cilave i takonin atij. Ai do, gjithashtu, që të mos fyhet, nëse ai kërkon vetëm atë që i takon atij, dhe nëse flet si arkipeshkv dhe pastor, në përkrahje të të shtypurve. "Tashmë -vazhdon Teofilakti -çfarë bëjnë tagrambledhësit? Për të drejtën e bluarjes, ata nxjerrin nga kleri i kishave dy herë më shumë se nga civilët, dhe për të drejtën e kanalit ata nxjerrin shumë më tepër".

Arkipeshkvi flet, gjithashtu, për një farë pellgu ku peshku ishte i paktë."Tashmë, në trembëdhjetë peshq, taksa mbi ta ishte tetë, afërsisht dy të tretat. Për më tepër, në vende të tjera, taksa është një ovul për peshk, megjithëse një peshk shitet një ovul. Më në fund, unë njoh pesë njerëz -thotë Teofilakti -që tagrambledhësit i kanë detyruar me dhunë të paguajnë taksën, edhe pse ata nuk kishin asgjë mbi çfarë tu vihej taksa. Për sa u takon detyrimeve që duhet ti paguheshin kishës, tagrambledhësit i kundërviheshin mbledhjes së tyre, dhe kërcënonin këdo që i paguante, se përndryshe ata vetë do ti kërkonin pastaj më shumë se duhej. Mbi të gjitha, -i përgjigjen ata vërejtjeve që u bëhen atyre, -ne jemi të lirë të bëjmë atë që na duket më e mirë, të kërkojmë nga njëri më shumë se nga tjetri, me të drejtën e ndëshkimit. Me një fjalë, -thotë Teofilakti, duke i shkruar Brijenit, -urdhërat që ju kini dhënë në favorin tonë, ata as që i vënë në hesap".

Atë çka i shkruan Niqifor Brijenit, Teofilakti ia shkruan, në një formë tjetër, vëllait të perandorit, dhe shton: -"Tashmë, shefi i tagrambledhësve vendosi të dërgojë Lazarin në Kostandinopojë, të shoqëruar prej ndonjë prej familjarëve të tij. Ai i mëson ata se çfarë duhet të thonë, dhe se si duhet të shprehen. Parasgjithash, ata duhet tu mëshojnë dy gjërave që duhet të arrijnë: -një ndryshim në urdhëresat e perandorit kundrejt meje, si dhe shfuqizimin e urdhërave që ai ka dhënë në favor të kishave.

Kanë ndodhur gjëra të çuditshme në Ohër. Por ne nuk i njohim, as shkakun, e as hollësitë, pasi raportet ku ato janë shënuar nuk po arrijnë deri tek ne". Por, Teofilakti flet për to, në shumë letra të tij, sikur kjo të ishte një ngjarje personale. Duke i shkruar Nikola Kaliklit, kryemjekut të Aleks Komnenit, ai thotë: -"A dëshironi të dini diçka për Alkmeonin, të cilin furitë e ndjekin kudo që pas vdekjes së nënës së tij? Mos shkoni të kërkoni nëpër përralla. Mjafton të hidhni sytë mbi mua. Është mëse e vërtetë që më ndjek me tërbimin më të madh xhelati i qetësisë publike, gjakpirësi i vendit. Duke më dëbuar nga Ohri, mendova të vija më këmbë në Pelagoni (qytet tashmë i shkatërruar, njëzet minuta nga Manastiri), por ai ishte informuar për këtë, dhe iu kundërvu largimit tim".

Në një letër tjetër drejtuar Kartofilaksit, Teofilakti nis me këto fjalë: -"Fakti se në mes të dimrit, dhe nga rrugë shumë të gjata dhe shumë të mundimëshme, unë dërgoj vëllan tim në Kostandinopojë, vetë kjo tregon se ndodhemi në një gjendje të tmerrshme, dhe se ne kemi, o ati im i shenjtë dhe zoti ynë, një nevojë urgjente për lutjet tuaja. Qysh se banoj në çadrat e Kedarit, unë kam kaluar andralla mjaft të dhimbshme, dhe kam pësuar hidhërime të mëdha. Por pikëllimi që ndjej sot është po aq i madh sa ëndja për të cilën është i aftë një shpirt".

Tjetërkund, Teofilakti ankohet për gjendjen e rrugëve dhe për mungesën e urës pikërisht mbi Vardar. Edhe njëherë tjetër, theksojmë se nuk duam të mbrojmë administratën turke, por grekët a mund të jenë më të pranueshëm që e nxijnë aq shumë atë? Dhe ne pse të mos pyesim patriarkatin grek, me letrat e Teofilaktit në dorë, nëse ndonjë nëpunës turk është sjellë ndaj klerit grek kaq brutalisht sa nëpunësit bizantinë, dhe tekembramja, nëse favoritizmi ishte më i zakontë, më i shthurur, në oborrin e Perandorisë së Poshtëme, sesa në oborrin otoman.