Shqipëria në dokumentat e Stasit
Nga DW
“Deutsche Welle” shtroi për herë të parë pyetjen "Çfarë përmbajnë arkivat e ish-sigurimit gjermanolindor Shtazit (Staasi) për Shqipërinë? Me këtë pyetje kolegët e redaksisë shqipe iu drejtuan arkivit në Berlin. Nga dokumentat e mbledhura përgatitën materialet në vijim
Plane për zhvillimin e turizmit.
Në arkivin e ish-Sigurimit të Shtetit të Ish-Republikës Demokratike Gjermane mund të hysh si person privat dhe të pyesësh për përmbajten e dosjes tënde, (nëse ekziston një e tillë), mund të hysh si historian me një temë-çështje të caktuar, ose si punonjës i mediave.
Nga kërkimi paraprak me pytjen çfarë përmban arkivi për marrëdhëniet e jashtme RPSSH - RPGJ marrim në dorë një dosje me 600 faqe dokumenta?
Të gjitha ato vijnë nga sektori X (dhjetë), sektori që mbulon politikën e jashtme të ish RDGJ.
Dokumenti i parë, në kohë relativisht më i fundit daton me muajin tetor 1989 dhe ka titullin "Propozime për zhvillimin e turizmit në RPSSH".
Propozimet janë përpiluar nga një grup pune prej gjashtë vetësh, dhe përpunuar nga Otto Arndt, punonjës në ministrinë e transporteve. Propozimet i drejtohen Sekretariatit të Komitetit Qëndror, Shokut Mielke, njëkohësisht dhe ministër i brendshëm.
Disa muaj më parë, në qershor të të njëjtit vit, Ministri i jashtëm gjerman i RDGJ, Oskar Fisher, kishte vizituar Shqipërinë.
Kjo vizitë përbënte kthesë në marrëdhëniet bilaterale, që siç shkruhet në dokumenta kanë patur ulje dhe ngritje.
Propozimet e përpiluara nga një grup gjermanolindorësh që kishin vizituar Shqipërinë, në bashkëpunim me "Albturizëm" vërejnë se RPSSH ka kapacitet të vogël në hotele dhe gastronomi. Prandaj vitin e parë, 1989 parashihet dërgimi atje i 180 turistëve nga RDGJ, një vit më pas më 1990 i 900 turistëve në grupe deri 20 vetë, që do të qëndronin në Shqipëri 10 deri 14 ditë. Turistët nga Gjermania do i organizonte Zyra shtetërore e udhëtimeve si dhe turizmi rinor.
"Turizmi me RPSSh zhvillohet sipas rregullave me të cilat RDGJ zhvillon turizëm me vendet jo socialiste", thuhet në dokumenta.
Qeveria shqiptare kishte refuzuar kategorikisht ngritjen e turizmit masiv, prandaj në vitet në vijim pritej rritje e turizmit prej dhjetë përqind në vit. 20 mijë turistë të huaj vizitonin në atë kohë Shqipërinë, kryesisht nga vendet kapitaliste, shkruajnë dokumentat. Ata vinin kryesisht nga Europa perëndimore, por edhe Amerika Latine, Kanadaja, Australia. Të ndaluar të hynin në Shqipëri e kishin amerikanët, koreanojugorët, turistët nga Izraeli, Afrika e Jugut, Bashkimi Sovjetik.
Funksionarët e lartë të RDGJ i kanë marrë seriozisht planet për zhvillimin e turizmit në Shqipëri dhe kjo duket në vajtje ardhjen e shpeshtë të dokumentave midis Sekretariatit të Komitetit Qëndror, ministrisë së transporteve, ministrisë së brendshme.
Propozimet për zhvillimin e turizmit gjermanolindor në Shqipëri parashohin fillimin menjëherë, që në tremujorin e katërt të vitit 1989.
Në favor të bashkëpunimit në fushën e turizmit flet klima, udhëtime mund të zhvillohen gjatë gjithë vitit, banjo mund të zhvillohen vetëm nga muaji maj deri në muajin nëntor.
RPSSH vizitohet çdo vit nga 20 mijë turistë, që vijnë nga 25 vende kryesisht të Europës perëndimore.
Dërgimi i turistëve shqiptarë në vende të tjera nuk parashikohet, prandaj përjashtohet mundësia e këmbimeve reciproke (financiare). Pagesat rregullohen të bëhen me rubël. Pala shqiptare jep çmimin e këmbimit.
Në interes të këtij bashkëpunimi parashihet përmirësimi i fluturimeve ajrore berlin- tirana me Interflugun ose me planet e fluturimit të disa vendeve të tjera.
Për zhvillimin e turizmit me RPSSH, RDGJ vë në dispozicion menjëherë 1,5 milionë marka. Planet turistike tregojnë se planet po thureshin të përjetshme, megjithëse "bota ishte në lëvizje të mëdha dhe në eufori të madhe", siç citohet nga dokumentat të ketë thënë Ramiz Alia në bisedën me Ministrin e jashtëm në muajin qershor.
Një delegacion që kishte vizituar po atë vit Shqipërinë për të parë në vend mundësitë e zhvillimit të turizmit shkruante "Hotelet bazë për turistët e huaj i përgjigjen kërkesave të turistëve tanë. Këto hotele kanë krevate dyshe me wc (dush ose vaskë). Dhomat janë mobiluar për tì shërbyer qëllimit, pjesërisht në mënyrë të çuditshme, megjithatë janë të pastra dhe funksionale. Ushqimi është i bollshëm dhe megjithëse përdoret kuzhina tipike shqiptare, i përshtatet shijeve tona."
Një dokument tjetër i përkthyer në gjermanisht është dokument i zyrës për kujdesin ndaj trupit diplomatik të ndodhur në Shqipëri. Dokumenti thotë se Këshilli i Ministriave i RPSSH kishte vendosur që vlera e prodhimeve ushqimore që nxirrej nga Shqipëria si miell e produkte të tij, mish e produkte dhe vajra bimore e shtazore, oriz, fasule e kafe e sheqer e produkte te tij si dhe djathë, nuk duhet ta kalonte 100 lekshin.
Koha ishte me shumë vështirësi ekonomike për Shqipërinë. Prej disa vitesh komunistët shqiptarë kërkonin partnerë ekonomikë në disa vende. "Me forcat e veta" kishte kohë që nuk funksiononte. Me ftohjen e marrëdhënieve me Kinën kishte patur përpjekje afrimi me Italinë (1983), Gjermaninë perëndimore (Genscher kishte vizituar po atë vit Shqipërinë), Hungarinë 1987. Të gjitha këto sipas dokumentave të këtushme.
Këto janë mbase kuriozitete historike, por mund të jenë edhe studime, vlerën e të cilave mund ta shfrytëzojnë institucionet. Nga Shqiperia kërkush nuk ka treguar interes për të hedhur një sy në arkivin e ish Republikës Demokratike Gjermane. Por një institucion gjerman ka parë atje planet për zhvillimin e turizmit në Shqipëri për të marrë prej tyre vetëm atë që që i hyn në punë.
Çfarë kanë shkruar "spiunët"?
Shqiptarët i kanë quajtur spiunë. Shtazi, i quante bashkëpunëtorë jozyrtarë. Një i tillë, me pseudonimin "Sarkazma" ka vizituar për disa ditë Shqipërinë në shkurt të vitit 1980, i bashkangjitur në një delegacion të fabrikës së cigareve Tabak- Kontores Drezden. Delegacioni vizitonte Shqipërinë për të biseduar për importimin e duhanit.
Dy javë pasi është kthyer nga Shqipëria, "Sarkazma" është vizituar në shtëpinë e tij nga Kapiteni Müller, një punonjës i ministrisë së brendshme. Ai ka raportuar nga ora 8 deri në dhjetë të mbremjes dy orë rresht çfarë ka parë dhe dëgjuar në Shqipëri. Ja pjesë nga raporti: "Duhet thënë është se pala shqiptare prezantoi fillimisht një lloj tjetër duhani, me kualitet më të dobët dhe me çmim më të lartë. Bisedimet u rënduan dhe rrezikonin madje të ndërpriteshin. Por synimi ekonomik u arrit.
Gjatë udhëtimit, u pa se qytetarët shqiptarë, partnerët e bisedimeve, personeli i hoteleve ose qytetarët e tjerë i largoheshin çdo lloj diskutimi për çështje politike, ose për gjendjen sociale në Shqipëri.
Gjendja sociale vlerësohet në varfëri të papërshkrueshme. Sarkazma ka patur mundësinë të vizitojë disa shtëpi, ku ka parë kushte primitive jetese. Mundësitë për të blerë janë shumë të kufizuara, madje edhe në Tiranë. Në dyqane ka vetëm gjëra primitive. Rrugët gjatë ditës janë thuajse bosh, vetëm mbrëmjeve nga ora 18:00 deri në odër 20 qytetarët dalin në rrugë dhe sheshe, dhe pas kësaj ore qyteti zbrazet sërish.
Gjatë një udhëtimi me makinë delegacioni ka qenë nën vëzhgim të vazhdueshëm. Kur gjatë një pushimi të shkurtër "Sarkazma" ka bërë disa fotografi, kalimtarët i kanë thënë se fotografimi ndalohet. Tabela për të treguar këtë nuk ka. Kur ka qëndruar i mrekulluar për të parë përreth, Sarkazma ka parë disa pozicione artilerie. Pozicione të tilla ka parë edhe në zona të tjera. Në të gjitha qytetet e vizituara, pas gati çdo shtëpie është duke u ndërtuar një bunker, nëse nuk ekziston një i tillë. Bunkerët përbëhen nga pjesë gjysmë të rrumbullakta betoni, që sillen të gatshme dhe maskohen me dhe dhe bar. Bunkerët janë jashtëzakonisht primitivë. Shumë shumë, thotë "Sarkazma", ato mund të të mbrojnë nga shiu dhe çdo familje i ngre ato vetë. "Sarkazma" ka kërkuar hyjë në një bunker, por kjo i është ndaluar kategorikisht. Në Tiranë ai ka parë se ambasada kineze ruhet shumë mirë dhe se kërkush nuk i afrohet asaj më shumë se 20 ose 30 metra.
Këtu merr fund raporti për Shqipërinë. Sarkazma vazhdon me tregimet për anëtarët e tjerë të delegacionit që ka vizituar Shqipërinë. Njëri prej tyre ka dëshiruar të vizitojë Gjermaninë perëndimore, për të blerë një fustan dhe një magnetofon për vajzën. Për të mundësuar këtë ai ka kërkuar ndihmën e "Sarkazmës".
Stasit i kanë interesuar albanologët
Ish sigurimi gjermanolindor ka treguar interes për Kongresin e gjuhës shqipe të zhvilluar më 7 dhe 8 dhjetor 1984 në Tiranë.
Sipas dokumentave që ndodhen në arkiva, Stasit nuk i ka interesuar përmbajtja dhe qëllimi i kongresit, por vetëm pjesëmarrësit në të, një pjesë e të cilëve ishin albanologë të shquar që vinin nga Gjermania lindore ose ajo perëndimore.
Sipas dokumentit 22854, të sektorit që merrej me kundërspiunazhin në ministrinë e sigurimit të RDGJ, major Ditrich ka marrë raportin mbi kongresin e gjuhës nga bashkëpunëtori me pseudonimin "doktor".
Bashkëpunëtori ka qenë një GMS, që do të thotë se ka qenë bashkëpunëtor shoqëror i sigurimit, një lloj i veçantë e bashkëpunëtori jozyrtar, të cilët kanë filluar të regjistrohen pas vitit 1968.
Dokumenti quhet –Kongresi për problemet e gjuhës shqipe, më 7 dhe 8 dhjetor 1984 në Tiranë. Në të shkruhet: Shërbimit tonë i është bërë jozyrtarisht e ditur se Kongresi zhvillohet nën kujdesin e gruas së Enver Hoxhës dhe duhet të gjejë pasqyrim të zgjeruar në shtypin shqiptar.
Në Kongres, i cili kishte në rend të ditës çështje të transformimit të gjuhës, ortografisë dhe gramatikës, merrnin pjesë 300 shqiptarë. Ata ishin përveçse gjuhëtarë të Akademisë së shkencave dhe Universitetit të Tiranës edhe njerëz të kulturës dhe shkencës. Përveç tyre në Kongres merrnin pjesë edhe Dr. Köteritz (Dr. Këteric), gjuhëtar krahasues nga Gjermania perëndimore. Nga Gjermania perëndimore ishte ftuar edhe një albanolog tjetër, i cili nuk erdhi në Kongres. Po ashtu pjesë merrte një albanolog nga Suedia, katër italianë (ndër të cilët një farë Dr. Alti Mari), një francez dhe një greke (me origjinë shqiptare). I ftuar po ashtu ishte një shkencëtar jugosllav, i cili për arsye që nuk dihen nuk morri pjesë në Kongres.
Gjuhëtarë bullgarë nuk u ftuan. Një diplomat i ambasadës bullgare në Tiranë tregoi pakënaqësi të madhe sepse Republika Popullore e Bullgarisë është përpjekur kohët e fundi për përmirësimin e marrëdhënieve me Shqipërinë.
Në Kongres morrën fjalën katër shkencëtarë të huaj: Dr. Këteric, Dr. Alti Mari, një gjuhëtar nga RDGJ dhe një francez. Më pas raporti tregon për çfarë është folur nëpër korridore. Për shembull në një nga pasazhet lexohet: "Prof. Ryda nga Akademia shqiptare e shkencave, më tha se Prof. Irmscher (Irmsher) nga Akademia e shkencave të Gjermanisë lindore (RDGJ) do të marrë së shpejti një ftesë për të marrë pjesë në një kolegium gjuhe në Tiranë. Tema nuk është bërë e njohur. Ryda më tha po ashtu se Akademia e Shkencave të Gjermanisë lindore është e gatshme të ndihmojë Akademinë Shqiptare të Shkencave (ASHSH) për përpunimin e një gramatike për mësimin e gjuhës shqipe. ASHSH është çdo kohë e gatshme të konsultohet.
Më pas shkruhet: Në një diskutim me një farë Prof. Buda (mbase nga Akademia Shqiptare e Shkencave) u bë e njohur se Shqipëria ka bërë plane për të zgjeruar mësimin e gjuhës gjermane. Gjermanishtja do të futet si gjuhë e huaj në shkolla. Jozyrtarisht thuhet se Shqipëria do t`i drejtohet Gjermanisë perëndimore (RFGJ) nëse nuk merr ndihmën e duhur nga Gjermania lindore.
Gjuhëtari nga Gjermania perëndimore, Dr. Këteric i ka thënë palës shqiptare se nëse marrëdhëniet diplomatike midis dy vendeve fqinje rifillojnë, atëherë do të kishte qenë mirë sikur postin e Ambasadorit ta merrte Albanologu Dr. Schmid, nga Universiteti i Freiburgut, meqenëse ai zotëron mirë gjuhën shqipe.
Një rol të veçantë, shkruhet në raport, për parapërgatitjen e marrëdhënieve diplomatike midis RPSSH dhe RDGJ (Gjermanisë perëndimore) ka luajtur një farë Prof. Knoblauch (Knoblau), i cili është me prejardhje nga Gjermania lindore, por aktualisht ka dy nënshtetësi atë gjermanoperëndimore dhe atë austriake. Ai duhet të ketë bërë punë të madhe për ngritjen e turizmit në Shqipëri. Dr. Köteric tha po ashtu se Kongresi tregon se Shqipëria në një farë mase është e gatshme të hapet ndaj vendeve të tjera.
Jozyrtarisht u tha se mikpritja ishte shumë e madhe. Pjesëmarrësit e Kongresit mund të porosisnin në hotel çfarë të donin dhe pagesa i kalonte palës shqiptare. Përveç kësaj, ditën e fundit të Kongresit pjesëmarrësit, të paktën ata që vinin nga jashtë, morrën 100 lekë.
Raporti përfundon me "burimi duhet ruajtur patjetër".
Librat e Enverit kanë përfunduar në sirtarët e Stasi-t
Ambasada shqiptare në RDGJ, është marrë në vitet '80 me shpërndarjen e materialeve propagandistike në Gjermani. Në shumë raste materialet propagandistike që vinin nga Shqipëria përfundonin në duart e Stasi-t.
Ambasada shqiptare është marrë edhe me mbledhjen e informacioneve në rrugë jozyrtare. Këtë e tregon një dokument që gjendet sot në arkivat e Stasi-t. Dokumenti me nr. 22854 është shkruar nga Kapiteni Becker, i cili ka hedhur në letër ato çka i ka treguar IMB me pseudonimin "Runge" (bashkëpunëtor jozyrtar për përpunimin e personave të dyshuar si armiq). Dokumenti që mban datën 6 shkurt 1985 tregon se "Runge" ka raportuar se ambasadori i ambasadës së Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë në Republikën Demokratike Gjermane ka treguar interes të madh për marrjen e informacioneve mbi aktivitetet e anëtarëve të Byrosë Politike të SED (Unionit Socialist Gjerman- Partia në pushtet) të cilat nuk publikohen në shtyp. Po ashtu ai ka kërkuar që për marrjen e informacioneve të tilla të përdoren edhe rrethet e miqve. Burimit i është kërkuar po ashtu të përpunojë informata për rolin dhe pozicionimin e kishës në RDGJ dhe për temën e "Kisha si mbulesë për grupe të ndryshme opozitare". Këto informacione ai duhet t`ja dorëzojë ambasadorit shqiptar deri në shkurt të 1985-ës.
Një dokument tjetër është shkruar po ashtu nga kapiteni Becker, por ai përmban informata të dhëna nga IMS me pseudinimin "Pit" (bashkëpunëtor jozyrtar për sigurimin e objekteve). Në të thuhet se "nga një burimi besueshëm u mësua se gjatë një bisede me një diplomat shqiptar në ambasadën e RPSSH në RDGJ (Gjermania lindore) është treguar interesim për këto informacione: si punon SED? çfarë detyrash kryejnë drejtuesit e rretheve dhe qarqeve të SED për përmirësimin e kushteve të punës dhe organizimit të saj, çfarë pengesash shfaqen në arritjen e rendimenteve në ndërmarrje dhe si ndikon partia për mënjanimin e tyre, çfare roli luajnë partitë e bllokut, a kanë ata komitete nëpër ndërmarrje? Më tej janë bërë pyetje për marrëdhëniet midis RDGJ dhe RFGJ. Diplomati shqiptar ka shprehur mendimin se për udhëheqjen shqiptare çështja gjermane është e mbyllur.
Që ministria e sigurimit të shtetit, Stas-i ka mbajtur shumë mirë evidenca për aktivitetet jodiplomatike të diplomatëve shqiptarë në RDGj e tregon edhe një dokument tjetër i datës 30 tetor 1980. Ai bën fjalë për shpërndarjen e materialeve politike propogandistike. Në datën 25 tetor punonjësi drejtues i ambasadës së RPS të Shqipërisë në RD Gjermane i shoqëruar nga shoferi dhe gruaja e tij kanë vizituar një nga bashkëpunëtorët tanë në shtëpinë e tij. Vizita nuk ka qenë e paralajmëruar dhe është zhvilluar në orët e para të mbrëmjes. Gjatë vizitës personi...i ambasadës i ka dhënë bashkëpunëtorit tonë veprën më të fundit të kryetarit të PPSH, Enver Hoxha drejtuar kundër Bashkimit Sovjetik dhe bashkimit të vendeve socialiste, "Hrushovianët", Kujtime, botuar nga Instituti i Studimeve Marksiste Leniniste, në shtëpinë botuese "8 nëntori" Tiranë 1980, për ta studiuar vetë dhe për ta shpërndarë mes qytetarëve të RDGJ dhe Bashkimit Sovjetik si dhe pjesëtarëve të Ushtrisë sovjetike në zonën e Kotbusit. Kështu ai ka marrë 17 exemplarë në gjuhën gjermane dhe 15 exemplarë në gjuhën ruse. Njëkohësisht ai ka marrë revistën "Shqipëria e re" numrin 3- të i vitit 80 në gjuhën ruse dhe gjermane (nga 10 ekzemplarë për secilin). Punonjësi i ambasadës ka paralajmëruar se do të sjellë ekzemplarë të tjerë të "Hrushovianë-ve" në gjuhën franceze dhe atë spanjolle për tja shpërndarë ato qytetarëve të huaj, për shembull atyre algjerianë. Nga biseda me bashkëpunëtorin tonë diplomati donte të merrte informacione se si kanë reflektuar qytetarët e RD Gjermane ndaj ngjarjeve të Polonisë. Thëniet e bashkëpunutoërit tonë se shumë punëtorë janë bërë agresivë dhe kritikë, u pranuan nga diplomati. Ai vetë përfaqëson mendimin zyrtar të PPSH sipas të cilës revoltat në Rep.Pop. Polonisë kanë shumë "përmbajtje pozitive" por ato keqpërdoren nga fuqitë imperialiste për qëllimet e tyre agresive.
Diplomati u vu në dijeni nga punonjësi ynë se anëtarët e KPD- Partisë Komuniste Gjermane kanë nxjerrë një urdhëresë që të kufizojnë vizitat në ambasadën e RPSSH për të shmangur rënien në sy të organeve të sigurimit të DDR.
Dokumenti shoqërohet nga një tjetër që tregon për masat e marra menjeherë:
- bashkëpunëtorit tonë i merren materialet e dhëna,
- në bashkëpunim dhe koordinim me Kotbusin, Sektorin II (Hauptverwaltung Aufklärung) do të merren masa të fshehura që të mënjanojnë shpërndarjen e revistave,
vlerësimin analitik të librit "Hrushovianët",
- dorëzimin e informacioneve tek shoku ministër.
Të dëgjoje Radio Tiranën, të kushtonte lirinë
Në vitet shtatëdhjetë Radio Tirana transmetonte dy herë në javë programe në gjuhën gjermane, për të shpërndarë idetë e komunizmit shqiptar. Çfarë ndodhte me ata që dëgjonin Radio Tiranën në Gjermaninë lindore?
Të dashur dëgjues të Radio Tiranës,
Ju falenderojmë përzemërsisht për letrat tuaja. Ne jemi të interesuar të marrim lajme se dëgjohemi. Ju lutem, vazhdoni të dëgjoni programet tona dhe të na informoni cilat materiale ju interesojnë më shumë. Na shkruani ju lutem edhe nëse keni vërejtje për emisionet tona. Edhe një herë ju faleminderit,
Me përshëndetje të përzemërta
Radio Tirana,
Një letër të tillë Radio Tirana ja dërgonte maj të vitit 1975 një dëgjuesi, banor të RDGJ (ish Gjermanisë lindore). Për fat të keq kjo letër nuk ka mbërritur kurrë tek dëgjuesi, sepse ka rënë në duart e sigurimit të shtetit gjermanolindor, Stasi-t. Stasi survejonte prej kohësh qytetarët që dëgjonin Radio Tiranën ose merrnin materiale propagandistike nga Shqipëria.
Sot dokumenti mban numrin 19933 dhe ndodhet në arkivat e Stasi-t. Së bashku me dy dokumenta të tjera që tregojnë çfarë ka ndodhur me dy banorë të RDGJ (Gjermanisë lindore) që dëgjonin Radio Tiranën.
Dokumenti me numër 15137, i Sektorit qëndror të ministrisë së sigurimit (MfS), Sektori qëndror, IX, ka të bëjë me
"Straftaten gegen die staatliche und öffentliche Ordnung"
Personi: ...X... geboren am 1953 në Magdeburg, Dreher, VEB SKL Magdeburg,
wohnhaft: Magdeburg,
Ermittlungsverfahren ohne Haft eingeleitet am 28 Aprill 1981
sipas paragrafit 220 (1) StGB
Bearbeitung durch BV Magdeburg
OV der Abt. XX der BV Magdeburg
Dokumenti na njeh me një proces gjyqësor, të zhvilluar më 28 prill 1981 kundër një njeriu që kish lindur në vitin 1953 në Magdeburg, me profesion axhustator. Ai nuk është dënuar, por vetëm hetuar nën akuzën se:
I akuzuari X, dëgjon që prej 10 vjetësh me këmbëngulje, programet në gjuhën gjermane të Radio Tiranës, dhe identifikohet gjithnjë e më shumë me përmbajtjen e këtyre programeve, të cilat drejtohen kundër shteteve socialiste. X-i ka vizituar për herë të parë ambasadën shqiptare në kryeqytetin e DDR (RDGJ) në vitin 1977 dhe që prej atëherë e deri tani ka qenë 24 herë gjithsej në këtë ambasadë, ku ka marrë materiale të bollshme agjitative dhe propagandistike.
Në nëntor të 1978 ai u njoh në ambasadën shqiptare në Berlin me një person nga Berlini perëndimor, le ta quajmë "Y", i cili ndodhej po ashtu në ambasadë. Ai është takuar me të tri herë njëra pas tjetrës në Berlin dhe Magdeburg. Nëpërmjet "Y-it" i akuzuari u njoh në vitin 1979 me një qytetare të Gjermanisë perëndimore me emrin, le ta quajmë "Z...", me të cilën pati dy takime personale në Magdeburg. Të dy personat i mbushën mendjen X-it për çështjen e Partisë Komuniste Gjemane e reformuar, krahu marksist leninist (KPD/ML) dhe i kërkuan që të merrte pjesë në aktivitetet që zhvilloheshin në Gjermaninë lindore për publikimin e materialeve të kësaj partie.
Duke ju përgjigjur këtyre kërkesave i akuzuari ka shpërndarë nga vera e vitit 1978 deri në verë të 1980-ës numrat e marra me postë të gazetës "Roter Morgen- Mëngjesi i kuq" duke ja dërguar ato të adresuarve në Magdeburg, Karl Marx Stadt, Rostock dhe Gera si dhe në UdSSR dhe Kubë. Adresat ku duhet t'i dërgonte i ka nxjerrë nga gazetat dhe revistat gjermanolindore. Në postën që dërgonte ai vendoste pjesërisht materiale propagandistike shqiptare.
Meqenëse i akuzuari që prej verës së vitit 1980 për arsye që ai vetë nuk i di, nuk ka marrë më materiale, ka filluar të shkruajë me makinë shkrimi shkrimet e vetat, në të cilat ka sharë marrëdhëniet shoqërore në Gjermaninë londore. Duke patur si qëllim të fitojë sa më shumë simpatizantë për Partinë Komuniste gjermane të Reformuar "KPD/ML", ai ka zhvilluar që nga viti 1978 biseda me njerëz të fisit dhe kolegë pune, të cilët nuk i kanë pranuar thëniet e tij. Gjatë kontrollit të shtëpisë, X ju gjetën një seri shkrimesh sharëse.
Edhe një shtëpi është kontrolluar. Në të janë gjetur letra të shkruara për tu nisur drejt Radio Tiranës. Gjatë kontrollit të kësaj shtëpie janë gjetur po ashtu kopje të emisioneve të kësaj radioje. Këto na i tregon një tjetër në të cilin bëhet fjalë për hetimet që janë kryer kundër një personi të karakterizuar nga Stasi si brutal.
Straftaten gegen die Persönlichkeit.
Personi X... geb am .... 1944 , Kommunikationswesen, Fernschreibermechaniker, Deutsche Post, Fernmeldeamt, Karl Marx Stadt, Wohnhaft Karl Marx Stadt
Festgenommen am 10.11.1978
Ermittlungsverfahren eingeleitet gemäs § 130 StGB Bearbeitung durch BV Karl Marx Stadt
Hinweise aus der Bevölkerung und OV d. Abt XX
Dokumenti bën fjalë për një person le ta quajmë Zh, lindur në Qytetin Karl Marx, me profesion morsist. Zh. ka vendosur në vitin 1975 lidhje me Radio Tiranën dhe ka dërguar 30 letra në këtë radio. Letrat kanë patur përmbajtje pjesërisht urrejtjenxitëse kundër vendeve socialiste. Përmbajtja e letrave është identike me pikëpamjet politike të Partisë Komuniste gjermane të reformuar KPD/ML dhe me përmbajtjen e materialeve që shpërndahen në Gjermaninë lindore nga ambasada shqiptare ajo dhe kineze. Personi ndodhet nën hetim. Nën hetim ka qenë edhe një person tjetër, le ta quajmë Xh, i cili është arrestuar më 10.11. 1978. Në një dokument të shkruar me dorë dhe jo makinë shkrimi lexojmë: "Im EV wurde bekannt das..... Anfang 1975 verbindungen zum albanischen Rundfunksenders "Radio Tirana" aufgenommen hat.
Sipas të dhënave të veta, Zh ka dëgjuar rastësisht nga fundi i 1974 dhe fillimi i 1975 një program të radio Tiranës dhe ka parë se tezat e përhapura kundër zhvillimeve shoqërore në vendet socialiste përputhen me pikëpamjet e tij. Deri në ditën e arrestimit Zh. i ka dërguar 75 letra Radio Tiranës në të cilat ka shprehur qëndrimin e tij idelogjiko -politik dhe është lutur për informacione mbi jetën politike dhe shoqërore në Shqipëri.
Dëbim nëse afroheshe me gratë shqiptare
Pas prishjes së marrëdhënieve me Bashkimin Sovjetik, Sigurimi shqiptar i shtetit vendosi nën vëzhgim të rreptë të gjithë të huajt që ndodheshin në Shqipëri. Afrimi me gratë shqiptare nuk i lejohej asnjërit prej tyre.
Më 17 shkurt 1969 Kapiteni Kulka i shkruan Sektorit kryesor të Ministrisë së Sigurimit të Shtetit (Stasi). Nga një udhëtim në Shqipëri vihet re se: Që prej ndodhive në Bashkimin Sovjetik më 21.8.1968 ka filluar një kontroll jashtëzakonisht i madh i të huajve që shkojnë në Shqipëri. Kështu, nga organet shqiptare të sigurimit vëzhgohet me vëmendje kur dilet dhe kur hyhet në hotel, ku shkohet dhe sa gjatë qëndrohet diku. Edhe kur përdoren makinat ato ndiqen vazhdimisht nga një makinë shqiptare,në të cilën ndodhen tre persona. Nga këto masa nuk preken vetëm udhëtarët nga RDGJ (DDR) por edhe udhëtarët që qëndrojnë në hotel dhe vijnë nga RP Hungarisë dhe RP Polonisë. Këto masa nuk duket të jenë marrë në të njëjtën mënyrë edhe për qytetarët nga Bashkimi Sovjetik.
Një dokument tjetër ka lidhje me një raport, që një punonjës nga një Kombinat i Drezdenit ka dhënë pasi është kthyer nga Shqipëria, ku ka ndihmuar në ngritjen e një fabrike. Nga raporti nuk bëhet e qartë se për cilin projekt bëhet fjalë. Viti, po ashtu nuk bëhet i njohur. Raporti ka të bëjë me vëzhgime që nuk kanë lidhje me punën, për të cilën personi ka qenë i angazhuar në Shqipëri.
Ai tregon se: Gjatë gjithë kohës së qëndrimit të tij kam qenë "i shoqëruar" nga një kujdestar, si në kohën e punës ashtu edhe gjatë kohës së lirë. Dhoma ngjitur më dhomën në hotel nuk ka qenë e zënënë asnjë nga ditët. Aty duhet të ketë pasur ndonjë aparat përgjimi. "Gjatë bisedës përfundimtare me partnerin shqiptar u konfrontova me fakte, të cilat i kam folur vetëm në dhomë, personalisht me shoqëruesin nga RDGJ (DDR). Nga pala shqiptare janë marrë dokumenta të projektit të ekspertëve kinezë."
Dhe më tej ai shkruan se gjatë qëndrimit të tij janë bërë vazhdimisht përpjekje për ta kompromentuar. Ndër të tjera, një grua i është afruar në kantjerin e ndërtimit, në një mënyrë që nuk mund të keqkuptohej. Pasi u refuzua me forcë, ajo nuk është shfaqur më në kantjer.
Më tutje: "Nga montatorët rumunë mësova se njëri prej tyre duhej të largohej brenda 24 orëve nga Shqipëria për shkak të kontakteve me gratë shqiptare". Si arsye e dëbimit nga Shqipëria u tha, se montatori kishte lënë të binte një copë dërrasë nga 2 metra lartësi, dhe kjo kishte lënduar ixhinjerin shqiptar. "Përfaqësia tregtare e RDGJ (DDR) nuk u infomua më parë për këtë ngjarje prandaj nuk mund të ndihmonte në sqarimin e saj."
Bildunterschrift: Großansicht des Bildes mit der Bildunterschrift: Muzeumi i RDGJ
Dokumenti tjetër është i datës 2 maj 1976. Ai përmban raportin mujor për ngarkim-shkarkimin e anijes "Elmela" si dhe mbajtjen e inventarit. Raporti thotë se nuk ka patur probleme shumë të mëdha. Në pjesën e raportit, që lidhet më situatën financiare ka një mospërputhje shifrash. "Unë kisha porositur 100 litra karburant për muajin prill dhe i morra ato në formë tallonash. Prej tyre mua lejua të marr 35 litra. Por në llogarinë mujore janë shkruar 65 litra." Pastaj raporti flet për bashkëpunimin me parnerët shqiptarë.
"Dua të vë në dukje se javët e fundit kam qenë nën një vëzhgim shumë të madh të pikave të caktuara shqiptare. A kanë qenë ata punonjës të sigurimit, këtë vetëm mund ta marr me mend, sepse nuk kam dëshmi. Ky vëzhgim i madh fillon që nga shtëpia dhe përfshin të gjithë veprimtaritë e mia, shëtitjet, udhëtimet në Durrës, blerjet në qytet, vajtjen në kinema etj. Edhe veprimtaria ime në port vëzhgohet. Tek kolegët e tjerë nga Polonia nuk shihet kjo. Unë i kam raportuar drejtuesit tonë për këto. Të gjithë kolegëve shqioptarë u kanë rënë në sy vëzhgimet e tilla dhe bashkëpunimi ynë është vetëm zyrtar. Bisedat kanë vetëm karakter pune. Ndodh nganjëherë, që gjithë ditën nuk këmbejmë asnjë fjalë me punonjësit e portit, çka mund të argumentohet me frikën e madhe që kanë punëtorët.
Mjekë ish-spiunë të Stasit
Pseudonimi i saj ishte ‚Irina‘, dhe ajo ishte ëndërra e çdo oficeri të sigurimit të shtetit të ish-RDGJ-së: një spiune e zellshme dhe e paskrupullt, e gatshme të jepte çdo lloj informacioni që merrte vesh prej pacientëve. Dosja me informacionet që kishte dhënë dermatologia përmban 470 faqe. Për vite të tëra ajo kishte spiunuar mijëra pacientë duke i ofruar Shtazit pjesërisht edhe informacione të rëndësishme. ‚Irina‘ është rasti më i pështirë në të cilin kishte ndeshur gjatë tre vjetëve të gjurmimit të arkivave të Shtazit, Francesca Weil, për studimin e saj për rolin e mjekëve në regjimin totalitar të ish-RDG-së.
Gjithësesi ajo thekson se megjithë numrin e madh të dosjeve të gjetura nuk duhet që të gjithë mjekët e ish-RDGJ-së të konsiderohen si spiunë apo shërbëtorë të paskrupullt në shërbim të Shtazit. Numri i mjekëve bashkëpunëtorë të Shtazit duhet të ketë qenë tre deri në pesë për qind thekson Weil: „Për mua është e rëndësishme që të bëhen të qarta edhe dallimet. Jo të gjithë ata që kishin nënshkruar deklaratën për të bashkëpunuar me Shtazin kanë bashkëpunuar vërtet me të. Po ashtu secili prej tyre ka pasur historinë e vet. Sa u përket mjekëve ata duhet të vazhdojnë të merren me këtë temë dhe sa u përket pacientëve do të ishte mirë që edhe ata t'u hedhin një sy dosjeve të Shtazit dhe t'i analizojnë bashkarisht ato."
Kryetari i shoqatës së mjekëve gjermanë, Jërg-Dietrich Hoppe, theksoi se sipas tij është kryekëput joetike dhe e pajustifikueshme, që mjekët kanë punuar si spiunë të Shtazit duke e furnizuar atë në mënyrë sistematike me të dhëna që merrnin vesh prej pacientëve. Gjithësesi ai është i gëzuar që shumica e mjekëve e kishte refuzuar bashkëpunimin me Shtazin
Shumë mjekë në ish-RDGJ duket se nuk e kishin vrarë shumë mendjen duke bashkëpunuar me Shtazin. Autorja e studimit në fjalë ka intervistuar 21 ish-mjekë spiunë të Shatzit. Pjesë të këtyre intervistave janë përfshirë edhe në librin e saj. Një nga mjekët me pseudonimin ‚Dr. Herzberg‘ i pyetur se përse i kishte dhënë Shtazit grupet e gjakut për persona që dhuronin gjak, i ishte përgjigjur në mënyrë lapidare:„Të them të drejtën edhe unë e vrava atëhere mendjen, por këto informacione ata mund t'i merrnin prej gjithkujt, sepse kartelat e pacientëve mund t'i lexonte gjithkush, prandaj nuk e vrava më mendjen."
Pas përmbysjes së ish-RDGJ-së, disa prej ish-mjekëve spiunë të Shtazit i kishte brerë ndërgjegjia për atë që kishin bërë, sipas autores së këtij studimi gjashtë prej 21 personave që ajo kishte intervistuar e kishin quajtuar veten fajtorë dhe kishin thënë se u vinte turp. Gjithësesi shumica e ish-mjekëve spiunë të Shatzit nuk kanë pse të mendojnë se do të kenë pasoja. Sipas kryetarit të shoqatës së mjekëve gjermanë, Jërg-Dietrich Hoppe: „Gabime të tilla sipas ligjit parashkruhen pas dhjetë vjetësh. Megjithatë mendoj se një pjesë e madhe e këtyre rasteve janë regjistruar diku dhe në disa prej tyre duhet të jenë zhvilluar edhe procese penale."
Por të paktën një kërkim faljeje, theksoi ai, do të ishte minimumi që mund të presin viktimat prej ish-mjekëve spiunë të Shtazit. Një gjë e tillë në shumë raste do të jetë e pamundur, sepse personat e spiunuar tashmë kanë vdekur. Nga ana tjetër, sipas autores së studimit, Francesca Weil, një pjesë e madhe e ish-mjekëve spiunë të Shtazit vazhdojnë të punojnë edhe sot si mjekë.
gazeta tema
Krijoni Kontakt