Në të gjithë botën, dhe aq më tepër në vendet e BE-së, ku Shqipëria synon të anëtarësohet, kur një zyrtar hetohet nga prokuroria, më e pakta që ndodh është dhënia e dorëheqjes nga vetë zyrtari. Ndërsa në vendin tonë ndodh krejtësisht e kundërta. Zyrtarët e hetuar, madje edhe të pandehur, jo vetëm që nuk japin dorëheqjen, por edhe ngrihen në detyrë dhe emërohen nga kryeministri Sali Berisha në poste drejtuese. Duke pasur parasysh faktin që një i dyshuar për një vepër penale prezumohet i pafajshëm deri në dhënien e një vendimi përfundimtar nga gjykata ose prokuroria, kryeministri Berisha është në rregull ligjërisht. Por imazhi që përcjell në publik, promovimi i zyrtarëve që dyshohen të implikuar në vepra penale, nuk është pozitiv. Madje, mund të nënkuptojë edhe një farë presioni ndaj organit të akuzës, i cili ende nuk është shprehur përfundimisht për disa nga të emëruarit së fundmi nga kryeministri Berisha. Për sa kohë vetë zyrtarët e dyshuar janë të bindur se nuk kanë kryer asnjë shkelje, përse preferojnë që të hetohen duke qenë në poste drejtuese, dhe jo si qytetarë të thjeshtë? E njëjta pyetje vlen edhe për kryeministrin Berisha, i cili nuk dihet se përse nuk ka durimin të presë rezultatet e hetimeve, por emëron në poste drejtuese zyrtarë që aktualisht jo vetëm janë si të dyshuar, por janë marrë edhe si të pandehur nga prokuroria me akuza konkrete. Një logjikë e ftohtë të bën të mendosh se, ose dosjet ndaj tyre do të pushohen, ose kryeministri nuk do t’ia dijë për organin e akuzës.
Rastet
Precedentët më flagrantë të promovimit të zyrtarëve të dyshuar për vepra penale, janë tre të pandehurit e dosjes për ndërtimin e rrugës Rrëshen-Kalimash. Çuditërisht, që nga momenti që janë marrë të pandehur, Armand Teliti, Lejla Saraçi dhe Andi Toma, jo vetëm që kanë vazhduar karrierën e tyre, por madje janë promovuar në poste drejtuese. Armand Teliti, ish-zëvendësministër i Transporteve, është marrë i pandehur nga Prokuroria e Tiranës për dosjen “Rrëshen-Kalimash”, por ky fakt nuk e ka penguar që të emërohej drejtori i Drejtorisë së Përgjithshme të Gjendjes Civile. Andi Toma, gjatë kohës që kryente funksionin e drejtorit të Departamentit Juridik në Ministrinë e Transporteve, merret i pandehur për dosjen “Rrëshen-Kalimash”. Por, tashmë pret të prezantohet si drejtor i Drejtorisë së Përgjithshme të Rrugëve. Lejla Saraçi, pasi merret e pandehur për dosjen “Rrëshen-Kalimash”, u riemërua në krye të Drejtorisë së Përgjithshme të Rrugëve, duke zëvendësuar Ilirjan Berzanin, i cili u arrestua për korrupsion. Një tjetër rast është edhe ai i ish-drejtorit të Aviacionit Civil, Gazmend Dibra, i cili edhe pse nuk ka marrë vendim të formës së prerë për pafajësi, (çështja është apeluar nga prokuroria) u emërua Drejtor i Përgjithshëm i Burgjeve. Ndërsa ish-shikasi Arben Sefgjini, i arrestuar dhe i dyshuar për rrëmbimin dhe zhdukjen e biznesmenit shqiptaro-maqedonas Remzi Hoxha, u emërua Drejtor i Përgjithshëm i Tatim-Taksave. Dhe të gjithë këta janë hetuar gjatë kohës kur në krye të organit të akuzës ka qenë ish-kryeprokurori i shkarkuar nga maxhoranca aktuale, Theodhori Sollaku.
Krijoni Kontakt