Sektet apo drejtimet fetare janë bërë aq të zakonshme për shqiptarët, saqë është e vështirë të kuptosh rrugët e Tiranës pa ata djemtë e rinj me kostume të zeza që në këmbim të një ore "Fe", ofrojnë kurse anglishteje falas. Ashtu siç ofrojnë xhamitë kurse për rrobaqepësi apo për kuzhinë, në këmbim të mësimit fetar. Por në fund të fundit, secili është i lirë të zgjedhë rrugën nëpër të cilën do kalojë. Raporti i Ambasadës Amerikane për fenë në Shqipëri raporton se janë rreth 245 drejtime fetare që zhvillojnë aktivitetin në vendin tonë, por, sipas të njëjtit raport kjo gjë nuk ka dëmtuar aspak bashkëjetesës fetare. I njëjti raport citon se pjesëmarrja aktive në shërbesat fetare formale, variojnë nga 25 deri në 40 për qind.
Raporti
"Sipas Komitetit Shtetëror të Kulteve, gjatë periudhës së mbuluar nga ky raport, pati rreth 245 grupe, organizata dhe fondacione fetare që ishin aktive në vend, përkrah katër feve tradicionale. Ky numër përfshinte 34 organizata të ndryshme islamike dhe 189 organizata protestante (kristiane). Grupet më të mëdha misionare të huaja ishin amerikane, europiane perëndimore dhe të Lindjes së Mesme", - thuhet në raportin vjetor të Ambasadës Amerikane që i referohet vitit 2006. Po kaq i madh është edhe numri i objekteve të kultit ku njerëzit e zotit ushtrojnë ritet e tyre. Kështu, Komuniteti Mysliman në nivel kombëtar është i organizuar në 6 zona; secila zonë ka në varësi disa myftini, numri i të cilave është i ndryshëm në zona të ndryshme. Çdo myftini ka në varësi xhamitë, të cilat në gjithë vendin janë 630, por para vitit 1967 numëroheshin 1127 të tilla. Kryetar i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë është Haxhi Selim Muça. Në krye të Kishës Ortodokse Autoqefale qëndron Sinodi i Shenjtë, kryetar i të cilit është Fortlumturia e Tij Anastasi (Anastas Janullatos), kryepiskop i Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë. Është e organizuar në katër mitropoli, prej të cilave varen zëvendësitë në rrethe. Nga zëvendësitë varen kishat e veçanta. Në Shqipëri ka 689 kisha e manastire ortodokse. Kisha Ortodokse Autoqefale Shqiptare administron dy fondacione, që merren me veprimtari arsimore dhe shëndetësore. Kisha Katolike është e organizuar në 5 dioqeza dhe një administraturë apostolike. Çdo dioqezë dhe Administratura Apostolike udhëhiqet nga një ipeshkëv, i cili varet drejtpërdrejt nga Selia e Shenjtë. Ipeshkvit në Shqipëri mblidhen së bashku në Konferencën Ipeshkvnore Shqiptare, kryetari i të cilës zgjidhet për një mandat të caktuar. Kryetari aktual është Imzot Rrok Mirdita. Dioqeza ndahet në famulli. Çdo famullitar varet drejtpërdrejt nga ipeshkvi. Në Shqipëri ka 135 kisha katolike. Në varësi të Kishës Katolike në Shqipëri janë 12 shoqata, që merren me veprimtari humanitare, arsimore e shëndetësore. Ndërsa në krye të Kryegjyshatës Botërore Bektashiane është Selia e Shenjtë e Kryegjyshatës Botërore Bektashiane, që udhëhiqet nga Haxhi Dede Reshat Bardhi. Prej saj varen 6 gjyshata, që mbulojnë gjithë territorin e vendit. Nga çdo gjyshatë varen disa prindëri. Në Shqipëri ka 137 teqe bektashiane.
Fondacionet
Përveç katër bashkësive tradicionale, në vendin tonë ushtrojnë veprimtarinë e tyre edhe 241 bashkësi, shoqata, fondacione dhe organizata të tjera fetare. Më e rëndësishmja është Vëllazëria Ungjillore Shqiptare (VUSH), një bashkim i 189 kishave, shoqatave, fondacioneve dhe organizatave të tjera protestante. 71 prej këtyre organizatave janë anëtare të AEP-së (Projekti Shqiptar i Inkurajimit), që bën pjesë në VUSH. Gjithashtu, në Shqipëri veprojnë 8 tarikate aleviane, nga 12 që janë gjithsej. Alevianët janë bashkuar nën Kryesinë Islamike Aleviane, të drejtuar nga Sheh Ali Pazari. Në Shqipëri ka 285 teqe, tyrbe dhe zavie aleviane. Ndërsa Dëshmitarët e Jehovait në Shqipëri kanë statusin e shoqatës. Shoqata përbëhet nga 80 "kongregacione" ose grupe Dëshmitarësh të Jehovait në qytetet kryesore të Shqipërisë, si dhe nga 19 grupe më të vogla, në fshatra e qytete të vogla. Fondacioni Liahona apo Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme, është një tjetër fondacion që vepron në Shqipëri. Misionarët e kësaj kishe, gjithsej 54, janë kryesisht të rinj amerikanë të moshave 19-23 vjeç. Gjithashtu, edhe Asambleja Shpirtërore Kombëtare e Bahaive të Shqipërisë, që përbëhet nga 20 grupe administrative vendore. Një tjetër grupim është edhe Misioni Shenjtëror Eleonorë, i regjistruar si person juridik me emrin Fondacioni "Vakëfi i Shenjtë i Lidhjes Hyjnore", i drejtuar nga zonja Eleonora Bregu. Në këtë mori grupimesh në vendin tonë veprojnë edhe 18 shoqata dhe fondacione myslimane, prej të cilave 14 të huaja dhe 4 shqiptare. Përveç tyre ka edhe disa shoqata apo forume me përkatësi fetare myslimane, por që nuk ushtrojnë veprimtari fetare, ndonëse e kanë fenë si objekt të punës së tyre.
GAZETA SHQIPTARE
Krijoni Kontakt