Tiranë, veprimet e turpshme, në prani të fëmijëve të tij
Një e mitur ka rënë pre e ngacmimeve seksuale nga njerku i saj 74-vjeçar. Nëna e 9-vjeçares ka marrë guximin, ka shkuar në polici dhe ka denoncuar të shoqin, me të cilin kishte menduar të kalonte jetën, ndërkohë që uniformat blu kanë arrestuar të dyshuarin Kadri Sadrija. Vetëm pak ditë më parë, në Drejtorinë e Policisë së Tiranës është paraqitur një grua rreth moshës 40-vjeçare, e cila ka kërkuar takim me ndonjë oficer policie. Ajo ka treguar për uniformat blu se burri i saj abuzonte me të bijën. Menjëherë, pas kësaj deklarate, oficerët e seksionit të mbrojtjes së të miturve dhe të dhunës në familje kanë marrë në mbrojtje gruan, e cila u ka treguar se çfarë kishte ngjarë. Ajo është shprehur për uniformat blu sesa herë nuk ndodhej në shtëpi, për vajzën e saj 9-vjeçare kujdesej bashkëshorti, i cili është njëkohësisht njerku i të miturës. Ajo ka treguar se prej katër vitesh jetonte në Laprakë me Sadrinë. Bashkë me të kishte edhe tre fëmijë të tjerë. Nga frika se ai do ta linte në mes të katër rrugëve, nuk e kishte denoncuar më parë. Por ditët e fundit, ajo kishte shkuar në shtëpi, kishte parë të bijën gjysmë të zhveshur dhe të njerkun që po kryente veprime harbute ndaj saj, në prezencë edhe të fëmijëve të tjerë. Ajo ka treguar për policinë se në këto kushte ka rrëmbyer vajzën e vogël dhe është larguar me shpejtësi nga banesa. Madje, bashkëshortin e ka goditur edhe me një mjet gjatë largimit. Pas marrjes së këtij denoncimi dhe miratimit të prokurorit, specialistët e policisë kanë bërë shoqërimin e të dyshuarit, i cili është Kadri Halil Sadrija, 74 vjeç, banues në Tiranë. Sipas policisë së Tiranës, shoqërimi i tij u krye pasi dyshohet se prej disa kohësh ka ngacmuar seksualisht, duke kryer vepra të turpshme me thjeshtrën 9-vjeçare. I dyshuari është marrë në pyetje nga oficerët e seksionit, por nuk e ka pranuar akuzën e ngritur ndaj tij. Duke qarë para grupit hetimor, ai ka shpjeguar se nuk e kishte kryer kurrë një veprim të tillë. Madje, si alibi të këtij denoncimi, ai ka pretenduar para uniformave blu se kishte pasur një konflikt me bashkëshorten e tij. Sipas tij, në këto kushte ajo e kishte denoncuar në polici. Megjithatë, ky shpjegim nuk e ka liruar 74-vjeçarin nga prangat e policisë. Në bashkëpunim me prokurorinë, është vendosur që ai të mbahet në qeli deri në vlerësimin e masës së sigurisë nga Gjykata e Tiranës. Gjithashtu, gjatë këtyre ditëve, grupi hetimor do të kryejë veprimet e ekspertizës mjekoligjore për të vërtetuar nëse vajza e mitur ka pasur ngacmime seksuale.
© Gazeta Shqip
Krijoni Kontakt