Kosova radhitet para disa vendeve të rajonit në përdorimin e internetit. Sipas statistikave të revistës së specializuar "Internet World Stats", Kosova del në mesin e vendeve me rritje më të madhe në përdorimin e internetit. Edhe pse nuk ka të dhëna zyrtare se sa është numri I atyre që kanë lidhje interneti për shkak se shumë kompani, madje edhe të palicencuara, ofrojnë shërbime dhe lidhje të tilla, ofruesit e shërbimeve të internetit janë të kënaqur me nivelin e shfrytëzimit.
"Internet World Stats" ka publikuar numrin e përdoruesve që kanë lidhje të përhershme në internet, sipas të cilës Shqipëria ka numrin më të vogël të përdoruesve që kanë lidhje interneti, me më pak se 1000, Bosnja ka rreth 40 mijë, ndërsa Maqedonia e cila ka numër përafërsisht të njëjtë banorësh me Kosovën, ka 35 mijë lidhje të vazhdueshme interneti.
Edhe pse në Kosovë mungojnë të dhënat zyrtare, vetëm kompania "Ipko-Net", e cila ka shtrirje në të gjithë Kosovën, ka 30 mijë lidhje, ndërsa Telekomi ka 10 mijë konektime interneti. "Kujtesa", ITS", "Albnet", gjithashtu janë të pranishëm në treg, kryesisht përreth kryeqytetit, ndërsa ka operatorë lokale të cilët i ofrojnë këto shërbime. Po të merren parasysh edhe kompanitë e tjera që ofrojnë shërbime interneti, Kosova ka rreth 60 mijë konektime, që është më e lartë se të gjitha vendet e rajonit në bazë të përqindjes së popullsisë. Edhe nga të deklaruarit si përdorues të internetit dhe nga numri i lidhjeve, del se në Kosovë interneti përdoret më shumë sesa në Serbi, Shqipëri, Maqedoni dhe Bosnjë, madje edhe se në Bullgari dhe Greqi, të cilat janë anëtare të BE-së.
Sa u përket çmimeve, oferta në Kosovë për lidhje interneti në shtëpi është më e lirë krahasuar me shërbimin e internetit në Shqipëri, por edhe Maqedoni. Përderisa oferta më e lirë në Maqedoni nëpërmjet Telekomit është rreth 10 euro për sasi të kufizuar deri në 2 gb transferim,
Telekomi i Shqipërisë nuk ka ofertë më të lirë të lidhjes ADSL sesa 21 euro për transferim pa limit. Ndërsa, në Telekomin e Kosovës, me 15 euro përfshirë edhe taksen e telefonisë, ofrohet shërbimi i ADSL-së pa limit. Në Kosovë më të avancuara mbeten ofertat e kompanive private, të cilat sillen rreth 10 euro, të cilat në Kosovë janë të shumta. Në "Ipko - Net" thonë se janë të kënaqur me nivelin e përdorimit të internetit. "Ka një trend gjithnjë e më shumë në rritje që ka filluar pas luftës. Por, brengosës është numri shumë i vogël I sajteve që ofrojnë përmbajtje në gjuhen shqipe, qofshin ato lajme ditore, apo sajte me interesa të posaçëm si sport, kulture, hobi etj.", - vlerësoi Akan Ismaili nga "Ipko-Net". Ndërsa, Astrit Gashi nga Posta e Kosovës, tha se interneti edhe në Kosovë kohëve të fundit ka një shtrirje të jashtëzakonshme. "Megjithatë, shqetësues mbetet fakti se ende jemi larg përmasave evropiane të përdorimit", tha ai.
Burimi i lajmit: Gazeta Start
Krijoni Kontakt