Skema e ndihmës ekonomike, në 2008-n do të përjashtohen 1500 familje
Kush rrezikon të largohet nga skema dhe kategoritë që do të përfitojnë nga skema gjatë këtij viti
Jonida Tashi
Skema e ndihmës ekonomike (NE) dhe pagesa e Personave me Aftësi të Kufizuara (PAK) për vitin 2008 do të reduktohet me 10 për qind. Kjo do të thotë se nga kjo skemë do të përjashtohen rreth 1500 familje, të cilat gjatë vitit 2007 e kanë përfituar këtë ndihmë nga shteti. Shërbimi Social Shtetëror (SHSSH) ka bërë të ditur se përjashtimet nga kjo skemë do të realizohen nëpërmjet forcimit të mekanizmave të kontroll-monitorimit dhe zbatimit të rreptë të kërkesave të legjislacionit. Për vitin 2007 numri i personave që përfituan masën e pagesës së paaftësisë kapi shifrën në total 115.561 persona. SHSSH, gjatë analizës vjetore të punës për vitin 2007, të realizuar dje, ka bërë të ditur se tendenca e numrit të përfituesve të pagesës së paaftësisë, gjatë vitit 2007 ka qenë në rritje. Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar numri i përfituesve të pagesës së paaftësisë është rritur me 7376 persona, ose 7 për qind. Rritja ka qenë më e lartë në invalidët e punës dhe në numrin e kujdestarëve. Në rritjen e përfituesve të kësaj skeme ndihmuese ka ndikuar edhe përfshirja në të e një kategorie më të gjerë të individëve para dhe tetraplegjikë. Kështu, gjatë vitit të kaluar kanë përfituar statusin e invalidit para e tetraplegjik rreth 1700 persona, ndërkohë për vitin 2006 këtë status e kanë përfituar vetëm 270 persona. Kjo rritje ka ardhur si pasojë e ndryshimeve që janë bërë në Ligjin Nr.8626, datë 22 qershor 2000 “Për statusin e invalidit para e tetraplegjik”. Ky ndryshim bëri të mundur përfitimin e këtij statusi nga një kategori më e madhe e personave me aftësi të kufizuar. Në kontekstin e decentralizimit dhe reformimit të sistemit të përkujdesit social, drejtoresha e SHSSH-së, Vilma Premti, tha se ky institucion po merr një fizionomi të re duke u ridimensionuar si institucion me funksion parësor inspektimin, monitorimin dhe kontrollin e zbatimit të standardeve të shërbimeve sociale, të legjislacionit dhe kritereve të përfitimit të ndihmës ekonomike dhe të pagesave në cash për personat me aftësi të kufizuar.
Ndihma
Në mbështetje të implementimit të programeve të mbrojtjes sociale gjatë vitit 2007 SHSSH menaxhoi, administroi dhe shpërndau një fond buxhetor prej 2.7 miliardë lekësh, nga të cilat:
2 673 900 (000/lekë) për programin e NE-së për familjet e varfra.
8 183 500 (000/lekë) për pagesën e kategoritë e PAK-së dhe invalidëve. Numri i familjeve në skemën e ndihmës ekonomike deri në muajin dhjetor 2007 është 95 772 familje, ku me ndihmë të pjesshme trajtohen rreth 60 265 familje dhe me ndihmë të plotë trajtohen rreth 35 609 familje, nga 114 624 familje në total që kanë përfituar nga kjo skemë në dhjetor të vitit 2006, ose 18 852 familje më pak, e cila në përqindje shkon në 16.4 për qind.
Të larguarit
Numri i familjeve të larguara nga skema e Ndihmës Ekonomike, si rezultat i inspektimeve, është 10 010 familje me një efekt financiar 19 525 020 nga 6364 familje të larguara për gjithë vitin 2006, me një efekt financiar 13 674 000 lekë.
Numri i personave që kanë përfituar pagesa të padrejta për PAK-un ka qenë 1331 persona me një efekt financiar 16 910 830 lekë nga 1455 persona që janë konstatuar se e kanë përfituar padrejtësisht këtë pagesë për vitin 2006 me një efekt financiar 8 953 000 lekë.
Numri i inspektimeve të Ndihmës Ekonomike dhe PAK për vitin 2007 është 470 inspektime gjithsej. Për shkeljet e konstatuara janë propozuar 178 masa administrative, nga këto 14 largime nga puna, 122 vërejtje me shkrim, 42 gjoba për personat përgjegjës si dhe është lënë detyrë për t’u kthyer shuma 14 461 600 lekë e përfituar padrejtësisht.
Masat për vitin 2008
Në kompleksin e detyrave dhe angazhimeve institucionale, prioritetet kryesore të SSHS-së për vitin 2008 do të jenë:
Administrimi me efektivitetit i fondeve buxhetore nëpërmjet programimit dhe alokimit të bazuar në treguesit social-ekonomikë të varfërisë;
Menaxhimi dhe monitorimi i programit të NE-së dhe pagesës së PAK, duke synuar uljen në 10 për qind të numrit të familjeve në skemën e ndihmës ekonomike, nëpërmjet forcimit të mekanizmave të kontroll-monitorimit dhe zbatimit të rreptë të kërkesave të legjislacionit;
Përmirësimi i cilësisë së shërbimeve të përkujdesit social nëpërmjet implementimit të standardeve dhe inspektimit të shërbimeve në institucionet publike dhe jopublike;
Ngritja e kapaciteteve profesionale nëpërmjet trajnimit, seminareve, shkëmbimit të eksperiencave të stafeve dhe strukturave të menaxhimit të shërbimeve në nivel qendror, rajonal dhe lokal;
Mbështetja e procesit të decentralizimit dhe transferimit të institucioneve rezidenciale nëpërmjet bashkëpunimit me strukturat e pushtetit vendor;
Transformimi i Institucioneve Rezidenciale të Përkujdesit Social nëpërmjet përmirësimit të infrastrukturës dhe zgjerimit të shërbimeve ditore;
Përmirësimi dhe zgjerimi i shërbimeve me bazë komunitare nëpërmjet bashkëpunimit me pushtetin vendor, donatorët dhe partnerët e sektorit joqeveritar.
15 Janar 2008
Marre nga Gazeta Albania
Krijoni Kontakt