MASHTRIMET EMOCIONALE NUK DO TË FUNKSIONOJNË
Shkruan: BESNIK PRISHTINA
„PAVARËSIA“ PA PAVARËSI"
KOSOVA U PAVARËSUA NGA DIKTATURA SERBE NË VITIN 1999, PO PAVARËSOHET NGA DIKTATURA E UNMIK-ut NË VITIN 2008! KUR DO TË PAVARËSOHET NGA SUNDIMI DIKTATORIAL I AHTISARIT DHE I BE-së?
Një Vend ose është i pavarur ose është nën sundimin e huaj. Alternativa e mesme është autonomia që nënkupton vetëqeverisje të kufizuar nën sundimin e një apo më shumë vendeve tjera. Ndërsa edhe Federata edhe Konfederata paraqesin lidhje të shteteve sovrane në një bashkësi unike apo një lidhje labile shtetesh varësisht nga kontrata që ato lidhin mes veti!
Pavarësia e një vendi është shprehje e VETËVENDOSJES së Popullit për të vendosur vet për fatin e vet dhe kjo mbështetje në parimet dhe në normat e të drejtës ndërkombëtare. Para së gjithash në Kartën e OKB, në kapitullin mbi të drejtat e popujve! Kjo nënkupton të drejtat e një Populli për të jetuar i lirë dhe i mosvarur nga vendet e popujt tjerë dhe kjo liri përbehet nga të drejtat demokratike të tij që vet të vendos për rregullimin e brendshëm shoqëror, për marrëdhëniet me vendet e popujt tjerë (të jetojë në shtet nacional neutral, në federata apo konfederata me ndonjë apo me shumë shtete apo në ndonjë lloj tjetër të aleancave ekonomike, politike dhe ushtarake etj.), që vete të vendos për llojin e monedhës, të simboleve të veta shtetërore, për flamurin dhe për himnin e vet kombëtar etj.!
Në historinë më të re shumë shtete u pavarësuan nga sundimi i ish-Bashkimit Sovjetik dhe nga ish-RSF e Jugosllavisë, në të cilën përbërje si Popull Konstituiv merrte pjesë edhe Populli Shqiptar i Kosovës. Me specifitete se ky Popull ishte i vetmi Popull që nuk kishte përkatësi sllave në këtë federatë dhe së dyti se ky Popull ishte i ndarë me dhunë nën sundimin kolonial të tri Republikave (Serbe, Malazeze dhe Maqedone) Jugosllave.
OKB dhe Bashkësia Ndërkombëtare në rastin e ish RSFJ e njohën pavarësinë e të gjithë Popujve Sllavë nga regjimi i Beogradit. Por, në rastin e Popullit Shqiptar të Kosovës që ishte nën sundimin e RSFJ nuk e respektuan këto të drejta që i zbatuan ndaj Popujve tjerë nga përbërja konstituive e ish-RSFJ. Pra, fjala është për përdorimin e standardeve të dyfishta, sepse ndaj popujve sllav të ish-RSFJ u aplikua Karta e OKB mbi të drejtën e tyre në vetëvendosje, ndërsa ndaj Popullit Shqiptar të Kosovës u shpik „Plani i Ahitsarit“, me të cilin mohohet e drejta e Popullit të Kosovës në vetëvendosje e pavarësi!
Pse ndaj Popullit Shqiptar të Kosovës e të Çamërisë, që janë krahina veriore e lindore të Shqipërisë, nga e cila u ndan me dhunë ju bashkuan Serbisë - Malit të Zi – (më vonë edhe Maqedonisë) e Greqisë gjatë shpërbërjes së Perandorisë Osmane, u përdorën dhe po përdoren nga Fuqitë e Vjetra të Evropës këto standarde të dyfishta? Sepse ato kanë hyrë nën ndikimin e propagandës së ekstremizmit fundamentalist shovinist ortodoks sllavo-grek, të cilët Popullin Shqiptar në tërësi e paraqesin herë si një „rrezik islamik“, here si „rrezik të majtizmit ekstrem“ e herë si „rrezik proamerikan“, varësisht se si i përshtatet makinerisë propagandistike në Beogradit, Moske e Athinë (si dhe satelite të tjerë) për të bind Evropën që të merr qëndrime dhe vendime armiqësore ndaj Kombit Shqiptar! Pasojë e kësaj politike shoviniste sot është ndarja e Kombit Shqiptar në 6 shtete!
Kjo është gjendja reale dhe faktike. Tentativa që „Plani i Ahtisarit për Kosovën“, që nuk arrin as caqet e një statusi të një autonomie të mirëfilltë, të përdoret për të mashtruar shqiptarët se është fjala për „pavarësi“, kjo mund të kishte sukses ndoshta në bririn e Afrikës e ndoshta as atje, por në Kosovë, kjo sigurisht se nuk do të kishte për „pavarësi“!
Për çfarë pavarësie bëhet fjalë, kur Karta e OKB zëvendësohet me „Planin e Ahtisarit“, i cili është në kundërshtim flagrant me vet Kartën e OKB dhe me rendin juridik ndërkombëtar në tersi, për ç’arsye edhe KS i OKB as nuk e vari në votim? Për çfarë pavarësie është fjala kur Ahtisari cakton si do të bëhen Kushtetuta e Ligjet e Kosovës, cila do të jetë Monedha, si do të duket Flamuri e Simbolet dhe Himni i Kosovës? Për çfarë pavarësie është fjala, kur Ahtisari dërgon sundimin e BE mbi Kosovën dhe cakton Diktatorin e vet, i cili mund të e shkarkon Presidentin, Kryetarin e Parlamenti, Kryeministrin e nëpunësin e tjerë? Për çfarë pavarësie është fjala kur Ahtsari cakton që 4 shtyllat e shtetit t’i kenë nën kontrollin e vet BE në Kosovë (ekonomia, gjyqësia, policia dhe ushtria)? Për çfarë pavarësie është fjala kur Popullit Shqiptar të Kosovës i ndalohet shkëputja nga sundimi serb, maqedon e malazez dhe i mohohet e drejta për tu bashkuar me Shtetin Amë etj.? Lista e pyetjeve është tepër e gjatë. Prandaj nuk po shkojmë më tej.
Zotërinj!
Plani i Ahtisarit për Kosovën është kundër pavarësisë së Kosovës dhe kundër rendit juridik ndërkombëtar. Pasi që ai si tillë është i paaplikueshëm në praktikë, Perandoria Globsliste e Bashkimit Evropian i ka mbajtur „zgjedhjet“ e OSBE-së në Kosovë pa popullin dhe i ka krijuar institucionet e korruptuara kukulla, në emër të cilave ajo (vetvetetiu) do t’i bëj „thirrje Misionit të BE për të ardhur në Kosovë“ për të e legalizuar aneksimin e vet!
Populli Shqiptar i Kosovës ju ka drejtuar disa herë OKB dhe i drejtohet prapë me apel që të e ndalë aneksimin e Kosovës nga ana e BE dhe të e njeh të drejtën e Popullit Shqiptar të Kosovës së tërësishme në ish RSFJ që të pavarësohet nga sundimi Serb-Malazez e Maqedon dhe të bashkohet me shtetin Amë Shqipërinë! Sepse shqiptarët kurrë nuk kanë pasur konflikte brenda kombit të vet e as dëshirë për krijimin e dy apo më shumë shteteve, por gjithmonë kanë dëshiruar dhe dëshirojnë të jetojnë të bashkuar me shtetin e vet kombëtar të njohur nga OKB, pra në Republikën e Shqipërisë!
Nëse OKB nuk e mbron Popullin Shqiptar nga aneksimi agresiv i BE, ai do të jetë i detyruar të mbrohet vet! Sepse Populli Shqiptar më nuk do të pajtohet që ushtar e policë të huaj të ju hynë shqiptarëve natën në dhomat e gjumit për ti trishtuar fëmijët e tyre, për ti terrorizuar familjet, për ti burgosur e gjykuar gjykatës të huaj në vendin e vet e për ti shtypur e shfrytëzuar sundimtarët e diktatorët nga BE apo nga sllavo-grekët e veglat e tyre. Nëse fëmija shqiptar nuk kanë jetë të lirë, të qetë e të sigurt në atdheun e vet, në këtë vend tonin, nuk kanë me pas kurrë liri, qetësi dhe siguri as ata që marrin pjesë në këtë diktaturë të huaj dhe as ata që i shërbejnë asaj si vegla vendore! Prandaj, për hir të paqes e qetësisë në Shqipërinë e tërësishme, në Ballkan dhe në Evropë ndaleni zbatimin e Planit të Ahtisarit për Kosovë, i cili më 10 Shkurt 2007 u përgjak nga Policët e BE nga Rumania, Polonia, Italia etj. Ndaleni dhunën ndaj Shqiptarëve ose do ta ndalim ne vet.
15-01-2008
Krijoni Kontakt