Shkruar nga Fadil SHYTI
Sunday, 13 January 2008
Serbia okupatore duke i pushtuar trojet etnike të Shqipërisë Natyrale së bashku me shtetet tjera sllave në Ballkan:
Malin e Zi, Maqedoninë (Bullgarinë) dhe Greqinë, kurdoherë me ndihmën e Evropës.
Evropa, e nxitur nga frika apo nga interesat që kishte dhe i ka nga Rusia cariste herë hapur e herë maskuar veproi kundër Shqipërisë Natyrale, një objektivë e kishte e ka dhe do ta ketë: dobësimin e Faktorit shqiptar në Ballkan, që si përfundim tragjik e ka copëtimin dhe ricopëtimin e Shqipërisë Natyrale.
Kjo objektivë djallëzore pa dyshim i solli kombit tonë tragjedi të pandërprera gjatë shekujve, për faktin se ende deri sot Nënëlokja jonë nuk u ribashkua; prandaj burgosjet, plagosjet, vrasjet, internimet, por dhe ikjet nga trojet e të parëve - mendoj këtu për mërgimin si plagë jona shekullore gjithëkombëtare nuk iu ndanë kurrë nga shpirti saj dhe trupi i sakatosur nga të huajt barbarë! Këto krajata shekullore ende po e përcjellin si hienat…
Këto sulme pamëshirë ia bënë armiqtë okupatorë, dhe “habia” e madhe qëndron për faktin sepse këto sulme të pabesa, me të njëjtat vuajtje po ia sjellin edhe sot “aleatët” ballkaniko-evropianë?!!!
Diplomacia evropiane; (për të mos shkuar më lart), sepse vet e kishte krijuar tragjedinë shqiptare, mirëpo me ndryshimet kinse demokratike në rajonin rreth saj (kujtojmë këtu Rusinë dhe Ballkanin perëndimor) më tepër se një decenie e la të mbetur zvarrë çështjen e pazgjidhur shqiptare; kjo mbase dikujt do t´i tingëllonte keq; por faktet historike janë kokëforta dhe nuk lënë shteg për manipulime të tjera...
Për të argumentuar këtë konstatim kemi një mal me argumente, mirëpo, unë po i hedhë në dritë vetëm disa prej tyre:
Pas viteve 80-ta me ndihmën e Evropës, u organizuan trazira të mëdha me përmasa tragjike në Shqipërinë londineze duke filluar nga sulmet në ambasada (1990), pikërisht atë ditë kur në Prishtinë e ashtuquajtura Deklaratë për pavarësinë e Kosovës. Me ndihmën e diplomacisë dinake evropiane Serbisë, Malit të Zi, Maqedonisë dhe Greqisë, kurdoherë do t´ju mundësohej t´i kenë duart e lira të bëjnë sulme të pandërprera mbi shqiptarët (siç u pëlqen të thonë politikanëve pacifistë) - “mbi shqiptarët e pambrojtur”!!!
Shqiptarët, para viteve 90-ta , në veçanti ata që jetonin në Shqipërinë londineze të drejtuar nga udhëheqja “diktatoriale” kurrë nuk ishin dhe nuk deklaronin aq përulësisht, siç do të bëheshin dhe siç deklarojnë sot udhëheqësit e tyre “demokratë”, nga mëngjesi në mbrëmje se: “shqiptarët e pambrojtur po sulmohen padrejtësisht në trojet e tyre etj, etj.”
Po nga ju erdhi kjo “forcë” nëntokësore z. paqësorë?
Natyrisht, edhe naivët e dinë se kjo “forcë morale kombëtare” u gëlltit dhe u mbrujt në shpirtrat e tyre servilë e qyqarë, shumë lirë, nga “aleatët tanë” të moçëm evropianë. Madje, kjo ua dha atyre me një çmim tepër të leverdishëm; për të vetmen arsye:
që ta thyenin shpirtin luftarak të shqiptarit, që ta bënin atë imun ndaj të gjitha goditjeve në trupin dhe në shpirtin e tij! Ta përulnin atë duke ia thyer dinjitetin e ruajtur aq me xhelozi, gjatë shekujve nëpër stuhitë historike. Duke e bërë këtë me tellallët pacifistë, shqiptarët pësuan kataklizmin fillestare, e cila do t´ju qëndron si hije e zezë tërë jetën, si një dëshmi se gjatë një kohe regresive 1990-1998) shqiptarët i lejonin armiqtë madje t´jua shkelnin
madje edhe pragun e derës pa reaguar fuqishëm si në motet e heroizmave të të parëve të tyre.
Kujtoj rastet e Prekazit legjendar rezistencën e Ahmet Delisë, të Kamber Loshit në Podalishtë, (Drenicë) dhe të Demë Ahmetit në katundin Mavriq (Besianë), kur shqiptarët ranë në mbrojtjen e nderit të vatrave të veta... Mbase, për të mos u hyrë në hak trimave; pishtarë të lirisë e të nderit, jasharajve legjendarë, të cilët luftuan trimërisht në dimrin e vitit 1991, sepse ata kurrë s´kishin bërë “Marrëveshje” me Serbinë as me pacifistët shkretanë…
Pastaj, kujtoj atdhetarin dhe ilegalin e orëve të para të lirisë, Hasan Ramadanin, i cili në vitin 1994 u rrethua nga policia serbe në shtëpinë e tij, luftoi heroikisht derisa ra heroikisht në altarin e lirisë. Po atdhetarin e madh, Besim Ndreca, i cili në vitin 1995 duke mos pranuar të çarmatoset nga kryepolici serb, Dragan Shoshkiqi, pa ngurrim e vret; pastaj, pas një qëndrese heroike, Besimi ra në fushën e nderit duke u radhitur një yll më tepër në radhët e dëshmorëve të kombit shqiptar.
Këto ishin ato xixa të para të qëndresës popullore, por këto mbeteshin zjarre lirie që sa fillonin të ndizeshin fikeshin mjerueshëm nga “mbulesat” e ideve reaksionare pacifiste, të cilët me flamujt e bardhë përballë regjimit serb, bëheshin bllokada, perde të brendshme që e pengonin organizimin e një rezistence të fuqishme popullore, për faktin se në ato vite të errëta kishin fituar epërsi pushteti kur ende pa u bërë Kosova shtet, ata kishin pushtetin tyre “paralel” me kokë në Beograd, po pse jo dhe me qendër në Bruksel, ku Evropa ju jepte leksione durimi pionierëve të llastuar të “demokracisë” shqiptare, Ibrahim Rugovës dhe Sali Berishës &Co.
Z. evropianë bënin premtime dhe mbanin ison që shqiptarët ta shtrinin kurrizin deri në atë verbësi politike, në atë masë sa njerëzit përparimtarë nuk hanin dot ato dokrra…
Ato i përtypnin si çamçakëzë vetëm puthadorët e huaj! “Bota demokratike do të na shpërblejë me pavarësi ne, për këtë durim”, deklaronte “vizionari” I. Rugova por, kur erdhi në skenë e famshmja UÇK, të gjitha këto premtime i ranë si pendla korbash.
Ja tani, kaluan aq vite, madje dhe pas tri luftërave çlirimtare në Kosovë, Iliridë e Preshevë dhe tani po shihet qartë se çfarë shpërblimi na ofroi bashkësia ndërkombëtare, ne shqiptarëve. Me ato tri marrëveshje “famoze” pas luftërave na la si mos më keq nën thundrat e huaja sllave dhe nën kolonizimin e egër, por tepër perfid të kolonizimit evropian!
Pas luftës diplomacia evropiane me të madhe i filloi sulmet jo ndaj serbo-maqedonëve okupatorë, por ndaj çlirimtarëve shqiptarë! Me ndjekje të komandantëve të UÇK-së, në Hagë, me vendime të rënda administrative si me Rezoluta, Korniza, pastaj me ato 8 standardet e “famshme”, Kosovës dhe viseve shqiptare të kolonizuara, po u bëheshin qëllimisht bllokada që të shkonin më tej proceset e lirisë.
Kush nuk burgosej, kush nuk kritikohej ashpër, vetëm ata politikanë që e ulën kurrizin si mos më keq ndaj të huajve dhe ofronin “alternativa”, të cilat shpinin drejt disfatave të reja për ardhmërinë e trojeve shqiptare. Kjo garniturë çalamanësh politikë, madje dhe do të shpërblehej për këto shërbime të errëta me tituj e dekorata si: qytetar nderi, me çmime “Nobeli” e makinacione të tjera mashtruese që diplomacia reaksionare “demokratike” i kishte dhe i ka në dispozicion vetëm për servilët e saj. Kjo diplomaci thinjake pasi e përgatiti terrenin për vite të tëra, e solli “fallin” në dobi të saj dhe të Serbisë. I organizoi me kohë ”alternativat” e regjura” “demokratike” enklavizimin e Kosovës, të cilin e stimuloi së bashku me Serbinë: ndihma ekonomike për kolonët serbë dhe rojet ndaj tyre!!!
Pastaj, në këtë vijimësi kundërshqiptare e organizoi decentralizimin eksterritorialitetin si thika prapa shpine bërë Kosovën. Pastaj, duke mos u mjaftuar me këto: organizoi në Vjenë e gjetiu bisedime me liderët servilë të GU, dhe me liderët serbë kurrë të penduar për ato që bëri Serbia e S. Millosheviçit, që paraprakisht shqiptarët të gjendeshin para aktit të kryer politik: të pranonin decentralizimin, eksterritorialitetin, të pranonin dhe turpin që Kosova të fitonte “pavarësinë” e mbikëqyrur sipas projektimeve të Ahtisarit& Co.
Ky qe hiq më pak se një shpërblim i madh për Serbinë, pavarësisht se kjo bëhet kinse nuk donë ta pranojë… Mbase, për këtë prapakthim në një autonomi substanciale, “merita” ka dhe diplomacia amerikane. Mirëpo për këtë fajin e “politikanëve” të Prishtinës, nuk kemi arsye t´jua hedhim politikanëve të Uashingtonit. Kur këta “ vizionarë” në bashkëpunim me qarqe jo mike të shqiptarëve, pranuan të hyjnë në lojëra të tilla të rrezikshme me evropianët përse amerikanët do të duhej të bëheshin më patriotë se “patriotët” shqiptarë të Prishtinës, të Tiranës, të Shkupit, të Preshevës e të tjerë?! Kur dikush e pranon “këmishën” e vet të prerë keq e jo nga e mbara, vallë përse të mos e pranoj këtë dhe “kumbara”!
Amerika, ka bërë shumë për Kosovën, por jo vetëm për Kosovën, ndihmat amerikane paraprakisht kanë ardhur si rezultat i ndryshimeve dhe interesave strategjike në Evropë, Ballkan dhe në botë, prandaj pa hezitim konstatoj që ndihmat Amerika ia dha Kosovës dhe për interesat e veta gjeostrategjike. Si rezultat i gabimeve të lartpërmendura të politikës shqiptare, pas viteve 90-ta, as amerikanët nuk arritën më shumë të bëjnë për shqiptarinë. Amerika, bëri për shqiptarët aq sa lejuan shqiptarët të bëjnë për vërtetë lidhur kokë e këmbë nga politika e qarqeve kundërshqiptare dinake evropiane.
Evropa, duke vepruar në dobi të Serbisë, po përgatitet më tej për bllokada të reja: ajo po projekton së shpejti ardhjen e 1800 administratorëve të saj në Kosovë. Fillimisht, thoshin do vinë 1500, tani thonë do vinë 1800, sigurisht këto shifra mund të ndërrojnë varësisht sipas orekseve politike të “mbretërisë” evropiane. Nisur nga ky fakt konstatoj që ardhacakët evropianë duan ta bëjnë de fakto dhe de jure në Bosnjë të dytë në Ballkan, por që fatkeqësisht Kosova nuk do t´i ketë as ato "privilegje" shtetërore që sot i ka Bosnja.
Multietniciteti i proklamuar me aq bujë i shkon përshtati vetëm Serbisë, Kosova e ashtuquajtur, “multietnike” e zbret Kosovën nën minimumin e së drejtës së saj që të fitojë shtetin etnik, ashtu siç e fituan ish-republikat tjera të ish-federatës jugosllave, apo sipas kësaj bllokade, populli shqiptar, nuk do ta ketë të drejtën legjitime të VETËVENDOSJES, DHE REFERENDUMIT , për ardhmërinë e vet.
Theksoj këtu se Grupi i Kontaktit (GK) me kohë e ka vënë dritën e kuqe padrejtësisht për shqiptarët se: “Kosova nuk ka të drejtë të bashkohet me ndonjë vend fqinjë”!!!
Kjo është paralajmërim i hapur se Kosova nuk ka të drejtë të ribashkohet me Shqipërinë londineze as me trevat tjera të Shqipërisë Natyrore. Po sikur fjala vjen, Kosova do të donte
të bashkohej me Serbinë, jam i bindur që GK, jo që nuk do ta pengonte këtë hap të madh “demokratik”, por dhe do të ngazëllehej, për këtë do të merrte jo pak lëvdata dhe udhëheqja
politike e Prishtinës, Tiranës , Shkupit e gjetiu, për kontributin e tyre paqësor në rajon.
Kohëve të fundit po dëgjohen zëra të fuqishëm në qarqet e diplomacisë evropiane për pranim asocimin e Serbisë në EU!!! Madje, lidhur me këtë, udhëheqja “demokratike” serbe e Tadiqit, po tregohet e matur , bile dhe tekanjoze: ajo, nuk po pranon të hyjë në strukturat euro-atlantike nëse Serbisë i cenohet 15% i territorit “të saj”, pra, nëse Kosovës nga shtetet evropiane i njihet “pavarësia”!!!
Ndërsa, tmerron fakti pse qeveria e Tiranës nuk vepron me të njëjtën logjikë:
“Nuk do të pranojmë të bashkohemi me Evropën, pa u njohur e drejta e popullit të Kosovës për VETËVENDOSJE dhe REFERENDUM, për ardhmërinë e vet! Mendoj, që ne paraprakisht është më e ndershme dhe më leverdishme nga të gjitha aspektet jetësore të ribashkohemi si komb,e pastaj të hyjmë ashtu më të fuqishëm në strukturat euro-atlantike. Diplomacia thinjake evropiane kriminelët serbë po i lufton vetëm verbalisht! Ajo, nuk i rri besnike qëndrimit të saj se: pa dorëzimin e kriminelëve të luftës si: Karaxhiqi e Mlladiqi dhe të tjerë gjakatarë si ata; për Serbinë do të jetë e mbyllur kalaja evropiane me 12 yje…
Por, fatkeqësisht për arsye presionesh dhe makinacionesh politike që i ceka më lartë, ndiqen dhe persekutohen ish-komandantët e UÇK-së dhe ushtarët e tyre.
A ka më absurde dhe më kundër-njerëzore se kur mbaheshin në të njëjtin burg në Hagë, Fatmir Limaj, komandant çlirimtar dhe Sllobodan Millosheviqi, komandant kriminel dhe pushtues i Kosovës së Shqipërisë?!
A ka më absurde dhe më kundër-njerëzore, se kur tani mbahen në të njëjtin burg në Hagë, Ramush Haradinaj, komandant çlirimtar dhe Vojisllav Shesheli, komandant i forcave paramilitare dhe pushtues i Kosovës së Shqipërisë?!
Këtu, si në dritën e diellit, mund të shihet politika dhe “drejtësia” evropiane, e cila themelet e veta i ka të ndërtuara egërsisht mbi padrejtësi shekullore ndaj shqiptarëve dhe popujve të tjerë
liridashës.
“ Drejtësia” evropiane, kriminelët e Serbisë nuk po i ndjekë as i burgosë, siç premton, por kjo vetëm po mashtron! Për më tepër pasuesit e asaj politike fashiste po i qeras derisa po i grishë për pranim asocimi në strukturat e sajë.
Nga gjithë ajo mizëri çetnikësh gjakatarë, që bënë krime të papara mbi popujt liridashës: boshnjakë, kroatë, sllovenë dhe shqiptarë u burgosën vetëm ca veta që mund të numërohen në gishta!!!
Nga kjo me të drejtë mund të pyesim se a qenka gjyqi i Hagës gjyq i butë, për kriminelët e luftërave të padrejta apo gjyq i ashpër kundër luftërave të drejta?!
Kur e mësojmë historinë e luftës së dytë botërore, lexojmë se gjyqi i Nurembergut i dënoi vetëm ushtarakët fashistët dhe nazistët gjermanë dhe italianë e të tjerë; por jo edhe luftëtarët e popujve që luftuan në atë luftë të drejtë çlirimtare, kundër tyre. Apo, kjo na detyron të jemi kurdoherë vigjilentë ndaj rrymave të neofashiste, të cilat po ”lulëzojnë” nga rrënjët e thella reaksionare, kudo nëpër Evropë!
Evropa, nëse vërtetë pretendon të jetë demokratike, i duhet sa më parë t´i rishqyrtojë drejt dhe t´i përmirësojë pa humbur kohë gabimet ndaj kombit shqiptar, përndryshe koha do të vërtetojë se kjo Evropë, nuk do të mund të shtrijë ndikimin e saj me rrezet demokratike, në Ballkanin perëndimor derisa, ky do të jetë pafundësisht i trazuar nga moszgjidhja e drejtë e çështjes shqiptare.
Suedi, 13 Janar 2008
Krijoni Kontakt