Shkruar nga Avni Klinaku
Saturday, 12 January 2008
(Qoftë për shkak të “realizimit” të saj, qoftë për shkak të kotësisë në ngulmimin e mëtutjeshëm për të, dita e shpalljes së pavarësisë dhe njohja ndërkombëtare e saj do të jetë edhe fundi i saj).
Ka pesëmbëdhjetë vjet që kërkesa për pavarësi të Kosovës po sillet vërdallë nëpër trojet e copëtuara shqiptare. E shpikur nga shpikësi i pacifizmit të shpifur në Kosovë, pastaj e pranuar nga të gjitha partitë pacifiste të paraluftës dhe ato institucionaliste të pasluftës, jeta e kësaj kërkese të pajetë zgjati kaq shumë pikërisht për shkak të pagjakësisë së përkrahësve të saj, për shkak të organizimit të dobët të kundërshtarëve të saj, si dhe për shkak të interesave të ndryshme të faktorëve të jashtëm. Që nga lindja e deri te vdekja, që nga anemia politike e shpikësit e deri te servilizmi i varrmihësit, kërkesa për pavarësi u mësua të bashkëjetojë me mohuesen e saj – me Serbinë.
Në fillim, më 1991, me referendumin e “famshëm” për pavarësi u deklarua se Kosova tanimë është e pavarur dhe pritet vetëm njohja formale e saj, edhe pse Kosova ndodhej nën pushtim klasik dhe kalonte çastet më të vështira të historisë së saj; tani kur po pritet që "në bashkërendim me faktorët e jashtëm" të shpallet sërish pavarësia e Kosovës, - sipas Pakos së Ahtisarit, domosdo, - të gjithë po përpiqen me çdo kusht ta bindin opinionin se Rezoluta 1244 e Kombeve të Bashkuara, e cila e njeh sovranitetin e Serbisë mbi Kosovën, nuk e pengon pavarësinë e Kosovës. Tani, së paku do të ketë “njohje” ndërkombëtare të saj dhe pikërisht “njohja” e saj do të jetë edhe fundi i saj. Ajo tani "po bëhet realitet". Varrmihësi me gjithë suitën e tij dhe të gjithë pasuesit tjerë të shpikësit po bëjnë be e rrufe se kjo është pavarësia e vërtetë. Ashtu qoftë! Edhe pse të gjithë e dimë se sipas Pakos së Ahtisarit Kosova nuk do të bëhet e pavarur, apo, në rastin më të mirë, nëse një krijesë e tillë mund të quhet pavarësi, ajo do të jetë një pavarësi e kufizuar, e kushtëzuar, e mbikëqyrur dhe me Rezolutën 1244 mbi krye si shpatë Damokleu.
Kufizimi i pavarësisë
Pavarësia e Kosovës sipas Pakos së Ahtisarit ka shumë kufizime, por më kryesori është ai i cili popullin shqiptar si popull që përbën shumicën dërrmuese në Kosovë, nuk e lejon ta përpilojë si i pavarur aktin madhor të një shteti – kushtetutën. Kushtetuta e ardhshme e Kosovës duhet të përputhet plotësisht me Pakon e Ahtisarit dhe t’i pasqyrojë të gjitha kufizimet tjera që rrjedhin nga kjo pako.
Kushtëzimi i pavarësisë
Kosova e pavarur e pacifistëve të djeshëm dhe e servilëve të sotëm kusht të posaçëm do ta ketë që të mos bashkohet me asnjë shtetet tjetër (kupto: me Shqipërinë) dhe nuk do të mund t'i bashkohet asnjë pjesë tjetër asaj (kupto: Presheva, Bujanoci, Medvegja etj.). Kusht tjetër tepër të rëndë do t'i ketë të drejtat e minoriteteve, të cilat jo vetëm që duhet të respektohen (gjë normale) por duhet të bëhet edhe një "diskriminim pozitiv" i cili shkon deri atje sa që pakicat në Kosovë, të cilat mezi përbëjnë pesë përqindëshin e popullsisë, në shumicën e çështjeve duhet të barazohen me shumicën dërmuese të popullsisë, me çka këtë "shoqëri multietnike" do ta bëjnë një "shtet" jofunksional dhe të pasigurt.
Mbikëqyrja e pavarësisë
Mbikëqyrja e pavarësisë së Kosovës do të realizohet përmes Bashkimit Evropian dhe konkretisht nga Misioni Evropian për Politika të Sigurisë dhe Mbrojtjes (MSPSM), ose më drejtpërdrejt nga Përfaqësuesi Civil Ndërkombëtar (PCN) dhe nga forcat ushtarake ndërkombëtare të quajtura Prania Ushtarake Ndërkombëtare (PUN). Afati i qëndrimit të këtyre mekanizmave në Kosovë nuk është i përcaktuar fare dhe kjo mund ta bëjë mbikëqyrjen të përjetshme.
Shpata e Damokleut
Pasi që Pakoja e Ahtisarit nuk arriti të miratohet nga KS i OKB-së, ku do të duhej dhënë domosdo një përgjigje kontradiktës të dukshme në mes të rekomandimit të Ahtisarit për pavarësi të mbikëqyrur të Kosovës dhe Rezolutës 1244 e cila e njeh sovranitetin e Serbisë mbi Kosovën, me qëllim apo pa të, tani çështja e Kosovës apo e statusit të saj do të “zgjidhet” jashtë OKB-së. Sipas të gjitha gjasave faktorët politikë të Kosovës do ta shpallin pavarësinë sipas Pakos së Ahtisarit dhe shtetet e ndryshme veç e veç do ta njohin realitetin e krijuar. Kështu mund të “shpëtohet” nga tema “e nxehtë” për Rezolutën 1244, apo nga diskutimet dhe qëndrimet e vendimet tepër të rëndësishme për sovranitetin mbi Kosovën. Faktorët politikë ndërkombëtarë “më tepër do të preferojnë” (mund të jetë ky një qëllim) dualitetin e sovranitetit mbi Kosovën, sesa zgjidhjen e plotë të kësaj çështjeje. Sidoqoftë Kosova do ta ketë Rezolutën 1244 edhe më tutje në qafë si një shpatë, e cila, në varshmëri nga rrethanat, do të paraqesë rrezik të vazhdueshëm për të dhe për popullsinë e saj.
Më në fund – fundi
Veçori dalluese e tërë këtij procesi është se vetë shpikësit dhe pasuesit e kërkesës për pavarësi do ta shpallin edhe fundin e saj. Duke e shpallur pavarësinë e Kosovës sipas Pakos së Ahtisarit (ndryshe nuk do të guxojnë!) ata do të shpallin botërisht se Kosova nuk do të bëhet e pavarur; duke deklaruar se pavarësia sipas Pakos së Ahtisarit është pavarësi, ata ia heqin të drejtën vetes të kërkojnë më tutje pavarësi; duke mos e realizuar pavarësinë dhe duke hequr dorë nga ajo edhe vetë shpikësit e saj, më askujt nuk do të duhej t’i shkonte mendja për këtë kërkesë. Dhe kështu, popullit shqiptar, së paku në vetëdije, do t’i bëhej një shërbim i madh. Të gjitha forcat përparimtare të popullit shqiptar, në të gjitha trojet ku ato jetojnë, do të orientohen në një kërkesë më vitale, më bashkuese, më të realizueshme dhe, në fund të fundit, në të vetmen kërkesë të drejtë në çdo aspekt - në kërkesën për bashkim kombëtar.
Krijoni Kontakt