Fatmir Sejdiu rizgjidhet President i Kosovës edhe për 5 vjet
Prishtinë, 9 janar Fatmir Sejdiu u rizgjodh sot President i Kosovës në Kuvendin e Kosovës me 68 vota në raundin e tretë të votimit duke e mundur kandidatin e opozitës Naim Malokun.
Pas shpalljes fitues nga ana e deputetëve të rinj, Presidenti Sejdiu, pasi shprehu falënderimin e tij për besimin e dhënë edhe në një mandat, u zotua se do të vihet me të gjitha fuqitë dhe dijen e tij në mbrojtjen dhe respektimin e ligjshmërisë dhe kushtetutshmërisë. Ai theksoi se kujdes të veçantë do t'i kushtojë ruajtjes së unitetit demokratik të vendit dhe me gjithë energjinë do të angazhohet për të mirën e gjithë qytetarëve të Kosovës.
"Sot, po përmbyllim një proces të rëndësishëm demokratik nëpër të cilin ka kapërcyer populli i Kosovës, mbi bazën e zgjedhjeve parlamentare të nëntorit 2007 dhe po hapim një kaptinë të veçantë duke përfunduar procesin e konstituimit të institucioneve demokratike në mbështetje të vullnetit politik të popullit të Kosovës", theksoi Presidenti Sejdiu.
Ai tha se qytetarët e Kosovës dhe të gjitha partitë politike dhe kandidatët e pavarur që garuan në këto zgjedhje, treguan pjekurinë e lartë politike duke e kapërcyer suksesshëm këtë sprovë të madhe dhe duke dëshmuar kulturë të lartë politike dhe shtetformuese. "Rrallë mund të gjendet një vend i cili ka kapërcyer me kaq dinjitet dhe me sukses sfidat e shumta paralele siç bëri Kosova në këta muajt e fundit", tha Presidenti Sejdiu.
"Për të gjitha institucionet e Kosovës dhe Ekipin e Unitetit sfidë e veçantë ishte angazhimi për përmbylljen e procesit të bisedimeve për statusin politik që është bërë në mënyrën më të mirë të mundshme dhe në po të njëjtën kohë mbajtja e një procesi zgjedhor demokratik, i cili u përshkua me një konkurrencë të theksuar në prezantimin e programeve gjatë fushatës elektorale", shtoi ai.
Më tej Presidenti Sejdiu vlerësoi se Kosova arriti me sukses të mbajë unitetin e saj veprues dhe të dëshmojë qëndrueshmërinë e funksionimit demokratik të institucioneve të saj, duke iu falënderuar në radhë të parë përputhshmërisë së plotë të qëndrimeve të spektrit politik dhe institucional sa i përket çështjes themelore - pavarësisë së Kosovës.
"Jam i bindur se institucionet e reja të Kosovës; Presidenca, Qeveria dhe Kuvendi fuqishëm dhe me energji të përbashkët do të japin kontributin maksimal të tyre në zhvillimin dhe konsolidimin e mëtejmë të demokracisë në Kosovë", theksoi Presidenti Sejdiu.
Presidenti Sejdiu tha se para institucioneve të reja të Kosovës shtrohen disa detyra themelore, të cilat me sukses do t'i përmbarojnë.
"Do të përmbyllin me sukses procesin e pavarësimit të Kosovës në realizim të vullnetit legjitim të popullit të saj dhe do të miratojnë Kushtetutën e shtetit të ardhshëm të Kosovës; Do të zgjerojnë korpusin legjislativ në përputhje me Pakon e Presidentit Ahtisari dhe me standardet më të larta bashkëkohëse ndërkombëtare, si dhe gjithë korpusin legjislativ të nevojshëm për të mbështetur funksionimin institucioneve dhe të mirëqenies së përgjithshme të qytetarëve; Do të ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme që të përshpejtojnë integrimin e Kosovës në strukturat euroatlantike si orientim themelor i shtetit të Kosovës", premtoi Presidebti Sejdiu.
Presidenti Sejdiu theksoi se Kosova e pavarur, e cila shpejt do të marrë edhe bekimin ndërkombëtar, do të jetë thellësisht e përkushtuar në bashkëpunimin dhe zhvillimin e një fqinjësie të mirë me të gjitha vendet e rajonit duke qenë faktor stabiliteti për këtë pjesë të Evropës dhe të botës.
Biografia e presidentit Fatmir Sejdiu
Fatmir Sejdiu u lind më 23 tetor 1951 në Pakashticë, komuna e Podujevës, Kosovë. Shkollimin fillor dhe të mesëm i ka mbaruar në Podujevë. Ka mbaruar Fakultetin e Drejtësisë në Universitetin e Prishtinës më 1974, ku ka kryer edhe studimet pasuniversitare. Po në këtë Universitet ka mbrojtur disertacionin e doktoratës. Dr. Fatmir Sejdiu mban titullin e profesorit ordinar (Profesor Universiteti) në Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës. Ka qenë profesor edhe në Departamentin e Shkencave Politike dhe të Administratës Publike në Fakultetin e Filozofisë. Për studime të thelluara, Prof. Sejdiu ka qëndruar në Francë (Universiteti Paris 2 ) dhe në SHBA (Arizona State University), ndërsa ka pasur qëndrime më të shkurtra studimore edhe në universitete të tjera. Ka marrë pjesë në shumë simpoziume shkencore vendore dhe ndërkombëtare. Ka publikuar shumë punime shkencore nga fusha juridike historike dhe juridike kushtetuese. është autor librash të veçantë nga këto fusha. Fatmir Sejdiu ka qenë pjesëmarrës i Kuvendit themelues të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) më 23 dhjetor 1989. Në Kuvendin e Parë Zgjedhor në vitin 1991 është zgjedhur anëtar i Këshillit të Përgjithshëm dhe më 1992 anëtar i Kryesisë së LDK së, ndërsa më 1994 Sekretar i Përgjithshëm i LDK së, detyrë të cilën e kryen edhe sot. Ka qenë anëtar i Komisionit Qendror për organizimin e Referendumit për Pavarësinë e Kosovës, mbajtur më 1991. Ka qenë ndër njerëzit kryesorë për përgatitjen dhe organizimin e zgjedhjeve parlamentare dhe presidenciale të Republikës së Kosovës, që janë mbajtur më 1992 dhe 1998. Fatmir Sejdiu është zgjedhur deputet në Kuvendin e Republikës së Kosovës më 1992 dhe më 1998. Po kështu, më 1998 është zgjedhur Sekretar i Përgjithshëm i Kuvendit dhe kryetar i Komisionit për Çështje Kushtetuese. Më 2001, në zgjedhjet e para demokratike të pasluftës, është zgjedhur deputet në Kuvendin e Kosovës dhe anëtar i Kryesisë së Kuvendit. Deputet dhe anëtar i Kryesisë së Kuvendit është zgjedhur sërish më 2004. Z. Sejdiu ka qenë gjithashtu anëtar i Komisionit për Bashkëpunim Ndërkombëtar dhe Integrime Euroatlantike dhe i Komisionit për Legjislacion të Kuvendit të Kosovës. Fatmir Sejdiu është zgjedhur President i Kosovës me dy të tretat e votave të deputetëve të Kuvendit të Kosovës më 10 shkurt 2006. Nga shkurti i vitit 2006, Presidenti Sejdiu udhëheq Ekipin e Unitetit, trupin përfaqësues të Kosovës në procesin për përcaktim të statusit të vendit. Në qershor të vitit 2006, Universiteti Shtetëror i Tiranës i akordoi Dr. Fatmir Sejdiut titullin Doctor Honoris Causa. Fatmir Sejdiu komunikon në frëngjishte dhe anglishte. është i martuar dhe ka tre fëmijë. Jeton në Prishtinë.
QIK
Krijoni Kontakt