"Efekti Karla" po" ndihmon" dukshëm në rënien e Presidentit në sondazhe
Shefi i Elizesë, në qendër të kritikave. Ai shihet shtrembër, sidomos nga të moshuarit
Romanca me modelen e kthyer në këngëtare Karla Bruni, që prej disa ditëve është në qendër të objektivit të paparacëve, në vend që t‘i bëjë francezët ta duan më shumë Presidentin e tyre, po sjell efektin e kundërt: tashmë Sarkozi gjendet në qendër të një orteku kritikash të forta, sipas të cilave i ka kthyer shpinën punëve dhe shtetit, për t‘iu përkushtuar tërësisht qejfeve dhe zbavitjeve.
Lidhur me vazhdimësinë e romancës, revista "Le Journal du Dimanche", një e përjavshme franceze, pronë e një prej miqve më të afërt të Presidentit Sarkozi, raportonte këtë të diel në kopertinë se çifti do të martohej gjatë ditëve të para të muajit të ardhshëm.
Sipas një sondazhi të zhvilluar në shkallë kombëtare nga grupi i specializuar në këtë fushë, CSA, i publikuar po të dielën, vetëm 48% e francezëve besonin se Presidenti është i përkushtuar në drejtimin e shtetit - rënie prej shtatë pikësh në muaj. Që nga korriku i shkuar, përqindjet e njerëzve që e aprovojnë kanë rënë me 17 pikë.
"Presidenti Sarkozi po ekspozon dëfrimet e jetës personale në një çast kur francezët kërkojnë prej tij të mbajë premtimet e bëra gjatë fushatës elektorale për rimëkëmbjen e ekonomisë", tha Stefan Roze, drejtor i CSA-së, në një intervistë të dhënë një ditë pas publikimit të rezultateve të sondazhit. "Ai ka zhdukur vijën që ndan jetën publike nga ajo private, mes sukseseve në jetën personale dhe premtimeve që u ka bërë francezëve vetëm pak muaj më parë".
Rënia e niveleve të besimit për Presidentin Sarkozi është veçanërisht domethënëse në radhët e të moshuarve; gjatë muajit të fundit, ra nëntë pikë mes atyre të moshës nga 50 në 64 vjeç dhe 15 pikë tek ata që i kanë kaluar 65 vitet.
Dhe në të vërtetë, ndërkohë që Franca e kaloi Vitin e Ri me një rritje të ndjeshme të çmimeve të mallrave me pakicë, 52-vjeçari Sarkozi fotografohej me ish-modelen (40-vjeçare) teksa kënaqej duke vizituar piramidat e Egjiptit dhe site të tjera arkeologjike. Të gjithë patën rastin të shihnin shumë poza, teksa e lumtur sa më s‘ka, Bruni mbështeste kokën në supin e tij; ndërsa Presidenti e shtrëngonte me delikatesë rreth belit.
Mendohet se Sarkozi, dy herë i divorcuar, që tashmë po quhet nga disa komentues Presidenti Bling-Bling, i ka dhuruar një unazë fejese me diamant në formën e zemrës, të dizajnuar nga Viktor De Kastelan i shtëpisë së modës "Dior"; ndërsa ajo i ka dhuruar një orë të markës mjaft prestigjioze zvicerane "Patek Philippe".
Zëdhënësi i Sarkozisë, David Martinon, nuk ka pranuar të konfirmojë apo të hedhë poshtë raportet që flasin për martesën e afërt, ndërkohë që pallati Elize ka urdhëruar që mbi këtë çështje të mbahet heshtje e plotë. Pritet që gjatë javës në vazhdim Sarkozi të pranojë të japë shpjegime mbi detajet e reja të jetës personale në një konferencë shtypi dy orëshe, e para që nga çasti që ka marrë përsipër detyrën e kreut të shtetit.
Francezët tolerantë duket sikur nuk u trazuan shumë që martesa 11-vjeçare e Sarkozisë përfundoi në divorc tetorin e vitit të shkuar, pasi ish-bashkëshortja, Sesilia, e la për herë të dytë. Por për analistët francezë, kundërshtarët politikë dhe francezët e zakonshëm, fotot e romancës së Sarkozisë dhe të ish-modeles lënë shije aspak të mirë - madje janë mungesë respekti për qytetarët e thjeshtë.
"Pasqyrimi në publik i jetës private të kreut të shtetit, nuk ka asnjë dyshim se është i lidhur drejtpërdrejt me rënien e popullaritetit të tij", shkruhej në editorialin e së hënës në gazetën e përditshme "L‘Alsace". "Sigurisht që kjo histori dashurie bën të ëndërrojë shumë njerëz, por gjithashtu irriton edhe shumë të tjerë - sidomos ata që mezi ia dalin të mbyllin shpenzimet mujore me pagat e vogla".
Në editorialin e së hënës në "L‘Est Républicain" shkruhej - "Francezët nuk e votuan për ta bërë yll roku", për të shtuar se "ka harruar se romanca e tij duhet të jetë me Francën dhe jo me të dashurën e zemrës".
Në numrin e së hënës të gazetës së përditshme të qendrës "Le Monde" një karikaturë shfaqte Sarkozinë teksa shtynte një karrocë supermarketi, mbi të cilën pozonte Karla Bruni; titulli mbi karikaturë shkruante "Mbreti është lakuriq".
Gjatë intervistave të marra në rrugë nga njerëz të zakonshëm nga "Le Parisien", pyetjes përse ka rënë popullariteti i Presidentit Sarkozi, një pensioniste 65-vjeçare iu përgjigj, "Karla Bruni! Francezët nuk arrijnë t‘u besojnë syve që Presidenti del përpara syve të të gjithë botës përkrah një vajze që është shumë larg imazhit të një Zonje të Parë të Francës".
Sarkozi dhe Karla Bruni, trashëgimtare e një pasurie marramendëse, u njohën në një festë në nëntorin e shkuar. Ndërsa për disa kjo martesë mund të konsiderohet si gjest i tepruar moskokëçarjeje, mund të jetë e dobishme në planin politik. Franca i ka toleruar historikisht raportet jashtëmartesore të zyrtarëve të saj të lartë, por kulturat e tjera mund të mos jenë kaq zemërbuta. Për shembull në Egjipt, Sarkozi u kryqëzua nga opinioni vendas, pasi guxoi të ndante të njëjtin shtrat me ish- modelen. "Edhe sikur Bruni të qe e fejuara zyrtare e Presidentit dhe jo thjesht e dashura, tradita fetare nuk i lejon të flenë në të njëjtën dhomë", tha Gamal Zahran, një deputet i pavarur, në Parlamentin egjiptian.
Me afrimin e vizitës në Indi, që do të bëhet pas dy javësh, disa media parashikojnë kriza të forta protokollare në rast se vendos të shoqërohet nga Karla Bruni. "Ish-modelja nuk mund të trajtohet me të njëjtin nderim me Presidentin, pasi një e dashur nuk gëzon statusin e bashkëshortes", shkruante e përditshmja indiane "Indian Express", duke cituar një zyrtar anonim të Ministrisë së Punëve të Jashtme të këtij vendi.
Por gazeta "The Telegraph" e Kalkutës bënte thirrje për qetësi, dhe shkruante, "Ata i përshtaten për mrekulli Francës, vendit të dashnorëve më të zjarrtë në botë, si edhe Indisë, e cila i ka dhuruar botës klasikun më të madh të letërsisë erotike Kamasutrën".
Ndërkaq, shtypi francez vazhdon të tallet me Karla Brunin, e cila ka një djalë nga lidhja me filozofin Rafael Enthoven. Prej dy javësh e përjavshmja satirike "Le Canard Enchainé" publikon një pamflet të titulluar "Ditari i Karla Brunit". "I bëra katër javë monogami", shkruhet në një pasazh.
Duket se komenti i referohet një interviste që Bruni ka dhënë shkurtin e shkuar për revistën "Figaro Madame", ku ka thënë: "Jam besnike - ndaj vetes! Monogamia më mërzit për vdekje".
Gazeta Shqip
Krijoni Kontakt