Sipas shtypit vendas, Presidenti Hugo Çavez, prej dy muajsh po përjeton një histori dashurie me modelen më të famshme
Kësaj radhe do të nisë nga Karakasi
edicioni i ri i "reality
show"-t më të ndjekur në botë
"Modelja dhe Presidenti". Ata
që ndryshojnë janë vetëm aktorët, por
formati i emisionit është gjithmonë i
njëjtë dhe pa dyshim i suksesshëm. Kreu
i shtetit, një burrë simpatik, i fuqishëm
dhe i pushtetshëm që bie kokë e këmbë
në dashuri me një modele bukuroshe
disa vjet më të re. Nuk bëhet fjalë më për
dashurinë mes Karlës dhe Sarkozisë, ajo
është konfirmuar tashmë, por për një
lidhje tjetër po aq interesante sa e para.
Shtypi i gjithë botës duket se së shpejti
do t‘i drejtojë sytë nga Venezuela. Gjithmonë
e më shumë qarkullojnë zëra për
një lidhje të re mes Naomi Kampbell dhe
Hugo Çavezit. Naomi, që asnjëherë nuk
e ka fshehur simpatinë e saj për liderin
venezuelian, kohët e fundit, ka debutuar
si bashkëpunëtore e revistës "GQ" me
një intervistë të bërë me kreun e shtetit
amerikanojugor. Historia mes tyre duket
se ka nisur disa kohë më parë, ose më
saktë rreth dy muaj më parë, të paktën
sipas asaj që thotë shtypi venezuelian.
Thashethemet që ziejnë prej ditësh
në Karakas, u bënë më të besueshme
kur lajmi u botua edhe nga Nelson
Bokaranda, i konsideruar si një ndër
gazetarët më të afërt me Presidentin, që
shkruan për një nga gazetat më të mira
në vend, "El Universal". "Presidenti është
dashuruar çmendurisht me bukuroshen
e pasarelave, Naomi Kampbell, e cila
shumë shpesh (rreth 11 herë) ka pasur
probleme me drejtësinë për shkak të
incidenteve të vogla", shkruan gazetari.
Lidhja duket se është "mundësuar" nga
ministri i Komunikimit, Andrea Izarra,
president i shoqërisë shumëkombëshe
"Telesur", që për këtë veprim, sipas
dashakeqësve, iu "bë dhuratë" nga ministria.
"Deri më sot, të dy kanë pasur
shumë takime të fshehta. Megjithatë,
duket se çifti ndjen shumë për njëritjetrin.
Nuk duhet të çuditemi aspak se
pasi Sarkozi do të martohet me Karla
Brunin në shkurt, pak muaj më vonë
Naomi do të martohet me Çavezin". Në
të vërtetë, lajmi nuk na befason aspak,
nëse mendon se kur Naomi ka folur për
burrin e saj ideal, gjithmonë ka thënë se
ai duhet të jetë i sinqertë, energjik dhe i
fortë. Madje për Çavezin, në një intervistë
ishte shprehur se: "Çavez është si një
dem. E di që studentët protestojnë kundër
tij, por nga ajo që kam parë, njerëzit
më duken më të lumtur se sa herën e
fundit që kisha qenë në Venezuelë, rreth
dhjetë vjet më parë. Unë doja thjesht të
intervistoja Çavezin si njeri, nuk doja
ta gjykoja as ta vlerësoja për idetë e tij
politike. Mua më duket si një engjëll,
por pak rebel", ka deklaruar ajo për
"Sport Illustrated" Të dy, kohët e fundit,
janë takuar në raste të ndryshme. Vetëm
pak ditë më parë ishte ulur në radhë të
parë në Institutin Kombëtar të Grave në
Karakas dhe duartrokiste e nuk e fshihte
aspak entuziazmin kur Presidenti fliste
për rolin dhe kontributin e grave në
shoqëri. Pas kësaj, të dy u takuan në
Pallatin Presidencial të Miraflores-it
për intervistën që Kempëll zhvilloi me
Çavezin për revistën "GQ". Dhe të mendosh
që në fund të intervistës, lideri i
Venezuelës ishte shprehur: "Mos t‘ju
shkojë mendja për keq. Unë dhe Naomi
zhvilluam një intervistë për rreth tri orë
për revistën ku ajo punon. Mund t‘ju
them vetëm se si gazetare, përveçse si
modele, Naomi është vërtet e zonja. Më
bëri pyetje të sikletëshme dhe shumë me
vend, të cilave iu përgjigja me shumë
sinqeritet. Për shembull, më pyeti nëse
mendoj se perandoria amerikane do të
shembet". Nga ana tjetër, kur e pyetën se
përse vendosi ta niste punën e saj të re,
në intervistë ajo u përgjigj: "Gjithmonë
kam dëgjuar të thonë se Hugo është
Presidenti i njerëzve dhe popullit, dhe
këtë e vërtetova plotësisht kur pashë se
njerëzit ishin shumë herë më të lumtur
se dhjetë vjet më parë. Meqenëse i hyri
kësaj rruge, Naomi Kampbell do të
mbështetet te miqësia shumëvjeçare
me Çavezin për të intervistuar edhe
Presidentin kuban, Fidel Kastron.
Lajmi
Hugo Çavez po përjeton prej dy muajsh
një histori dashurie me modelen më
të famshme në botë, Naomi Kampbell.
Këtë lajm e bën të ditur një e përditshme
vendase, sipas së cilës dashuria e tyre
nuk duhet të habisë publikun. Gazeta
"El universal" shkruan se publiku nuk
duhet të habitet, sepse pas martesës së
Presidentit të Francës, Nicolas Sarkosy,
me modelen italiane, Karla Bruni,
tashmë me sa duket, një histori rozë po
përjeton edhe Presidenti i tyre Çavez,
me panterën Kampbell.
Beqarët
Edhe pse ka namin e një Don Zhuani
të thekur, Çavez nuk ka pasur shumë fat
me gratë. E fundit në jetën e tij ka qenë
Marisabel Rodriguez Oropeza, e cila i
ka dhuruar katër fëmijë dhe ka qenë
përkrah tij nga viti 1996 deri në 2004-ën.
Përveç një radhe të gjatë dashnoresh,
mes të cilave thuhet edhe për një lidhje
me aktoren 40-vjeçare Rudi Rodrigez,
modele dhe ish-miss Venezuela, Çavez
pas divorcit që pati me Nensi Kolmenares,
nga e cila pati tre fëmijë, kaloi edhe
një lidhje nëntëvjeçare me intelektualen
e divorcuar, Herma Marksman dhe në
fund Marizabela Rodrigues. Nga ana
tjetër, edhe modelja bukuroshe është
singëll pas përgënjeshtrimit të një lidhjeje
të saj me pilotin 23-vjeçar të Mc
Larenit, Luis Hamilton. Jeta private e
panterës së zezë gjithmonë ka ngjallur
interes në botën e thashethemeve, pasi
thuhet se ajo gjithmonë ka pasur dëshirë
të ketë në krah burra të pushtetshëm
dhe me famë, mes të cilëve Mike Tajson,
Zhakin Kortès, Puff Dedi, Flavio
Briatore, Robert De Niro, Leonardo di
Kaprio, EriK Klapton, Alberto II i Monakos,
Kevin Spacey, Ljuis Hamilton.
Deri tani, asnjë nga të dy nuk është
shprehur për lajmin që ka marrë dheun
dhe ka pushuar shtypin rozë të të gjithë
botës. Duket se është koha e lidhjeve të
mëdha. Pas pjesës së parë të telenovelës
Sarkozi-Bruni, tani e morëm vesh se pjesa
e dytë është Naomi-Çavez. Të presim
se cila do të jetë pjesa e tretë. Kemi më
presidentë beqarë në botë, po modele?
"Bukuria dhe pushteti shkojnë më së
miri së bashku", mendojnë të gjithë
opinionistët
SHQIP
Krijoni Kontakt